E enjte, 25.04.2024, 01:17 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Ja si mund të jetë dieta korrekte e një diabetiku

E merkure, 01.03.2006, 07:08 PM


Flet endokrinologu Malo Minga

Cilat janë kriteret bazë që duhet të marrë parasysh një diabetik në përpilimin e një diete korrekte? Si veprohet konkretisht për sasitë e gramëve të karbohidrateve, të yndyrave dhe të proteinave, të cilat merren nga ushqimet e ndryshme që përdoren në jetën e përditshme?

Mjeku endokrinolog Malo Minga jep disa këshilla se si çdo diabetik mund të llogarisë sasinë e yndyrave, karbohidrateve dhe sheqernave që merr nga ushqimet, në mënyrë që të bëj një jetë sa më normale.

Cilat janë kriteret bazë që duhen marrë parasysh në përpilimin e një diete korrekte për çdo diabetik?
Në përpilimin e dietës për çdo diabetik duhet të kemi parasysh disa kritere bazë, realizimi i të cilave bën të mundur aplikimin e saj konkret. Ndër këto kritere, e para është mosha. Kjo sepse për diabetikët e vegjël e të rinj në dietë duhet të predominojnë proteinat që janë material plastik i domosdoshëm për fazën e rritjes, çka nuk është e domosdoshme për diabetikët e moshuar. Kriter tjetër duhet të jetë seksi sepse në rastin e diabetikëve, gjatë periudhës së shtatzënisë, duhen llogaritur dhe nevojat e fetusit. Kriter tjetër që merret parasysh është dhe profesioni. Për diabetikët me punë të rënda fizike kërkohet dietë hiperkalorike, ndërsa për diabetikët me jetë sedentare duhet dietë hipokalorike. Përveç këtyre kritereve merren parasysh edhe vendbanimi, gjendja social-ekonomike dhe sëmundjet shoqëruese të diabetikut.

Çfarë duhet ditur për përpilimin konkret të dietës së çdo diabetiku në veçanti?
Përpilimi i dietës është konkret për çdo të sëmurë dhe bazohet në disa të dhëna të përgjithshme. Kështu, 50 % e kalorive ditore merren nga karbohidratet, 30 % e dietës nga yndyrat dhe 20 % nga proteinat. Këto përqindje mund të ndryshojnë, duke u bazuar në kriteret që u përmendën më lart. Për sa i përket karbohidrateve, preferohen ato me bazë amidoni, d.m.th nga drithërat dhe ushqimet që përmbajnë fibra. Duhen evituar brumërat dhe sheqernat e pastra. Përveç bukës, karbohidratet merren edhe nga zarzavatet jeshile, që kanë në masë 5-10 % dhe nga frutat që gjenden në masë 20-25%. Për sa i përket yndyrave, ato duhen marrë vetëm nga burime bimore, duke evituar yndyrat shtazore (dhjami, gjalpi) që përshpejtojnë procesin ateroskleroz. Edhe e verdha e vezës në disa raste nuk duhet përdorur, sidomos në rastin e hiperkolestolemerisë. Rekomandohet përdorimi i vajit të lulediellit, sidomos vaji i misrit, i cili përmban acide yndyrore me lidhje dyfishe. Ndërsa proteinat duhen marrë nga ushqimet shtazore si: mishi, djathi, gjiza, qumështi.

A mund të hanë çdo lloj fruti personat që vuajnë nga diabeti?
Teorikisht, diabetiku mund të hajë çdo lloj fryti, por më të rekomandueshme janë molla, dardha, pjeshka, kumbulla dhe agrumet.

Si llogaritet kalorazhi i dietës ditore për çdo diabetik, duke pasur parasysh përbërësit ushqimorë si karbohidratet, yndyrat dhe proteinat dhe si llogaritet sasia në gramë e këtyre përbërësve ushqimorë?
Le të supozojmë se diabetiku, të cilit do t’i përcaktojmë dietën, peshon 70 kg dhe në bazë të llogaritjes, sipas kritereve të treguesit të peshës trupore, ai është në kufijtë e peshës normale. Në këtë rast mendohet që do të jepen kalori që i përshtaten këtij treguesi të peshës trupore, 1400 kilokalori, d.m.th 20 k.kal për kg/pesh trupore. Në bazë të të dhënave të mësipërme llogarisim që pacienti do të marrë këto kalori: 70x20= 1400 k.kal për 24 orë (totale).
Nga këto kalori totale, 50 % e tyre do të merren nga karbohidratet, 30% nga yndyrat, pra 420k.kal. dhe 20%, pra 280k.kal nga proteinat. Për të llogaritur në gramë sasinë konkrete të karbohidrateve, yndyrave dhe proteinave, kilokaloritë e secilit përbërës ushqimor që thamë më lart i pjesëtojmë: karbohidratet me 4 (sepse 1 gr karbohidrate kur metabolizohen japin 4 k.kalori), yndyrat me 9 (për të njëjtën arsye si me karbohidratet) dhe proteinat me 4. Si rezultat del që, dieta e këtij personi duhet të përmbajë 175 gr karbohidrate, 46.5 gr yndyra dhe 70 gr proteina

Si veprohet konkretisht që sasitë e gramëve të karbohidrateve, të yndyrave dhe të proteinave që llogaritëm më sipër të merren konkretisht nga ushqimet e ndryshme që përdoren në jetën e përditshme?
Dihet që në jetën e përditshme diabetikët përdorin, ashtu si dhe njerëzit e tjerë, bukë, mish dhe prodhime mishi, vaj (gjalpë), peshk, djathë, vezë, zarzavate, fruta etj. Karbohidratet merren kryesisht nga drithërat, zarzavatet dhe frutat, proteinat merren kryesisht nga mishi dhe produktet e tij, peshku, djathi, gjiza dhe veza, ndërsa yndyrat merren kryesisht me vajrat bimore, gjalpi apo dhe dhjami. Për diabetikët është më i rekomandueshëm përdorimi i vajit të misrit, sidomos për ata diabetikë që kanë dhe hiperlipidemi, sepse vaji i misrit, duke pasur shumë acide yndyrore të pangopura, bën të mundur ngadalësimin ose frenimin e procesit aterosklerotik nga hiperlipidemia ekzistuese. Në këtë kuptim këshillohet që diabetikët të mos përdorin mish me dhjam, të mos përdorin gjalpë në gatimin e ushqimeve, pasi dhjami dhe gjalpi përshpejtojnë procesin aterosklerotik, sidomos te personat që kanë hiperlipidemi. Dietologët kanë llogaritur përmbajtjen konkrete në gram të çdo lloj ushqimi, për karbohidratet, yndyrat dhe proteinat, që jepen zakonisht për 100 gr të çdo lloj ushqimi konkret.



Produkti Sheqernat Proteinat Yndyrat në gr në gr në gr
  • Bukë gruri e zezë 45 7 -
  • Bukë gruri e bardhë 55 7 -
  • Bukë misri 74 9 -
  • Makarona 72 10 -
  • Makarona të ziera 32 5 -
  • Oriz 80 7 -
  • Oriz i zier 28 2 -
  • Patate 20 2 -
  • Patate të skuqura 28 3 2
  • Fasule 20 7 -
  • Thjerrëza 59 23 -
  • Gështenja 40 4 -
  • Zarzavatet
  • Bizele 17 7 -
  • Qepë e thatë 12 1 -
  • Karota 10 1 -
  • Mashurka 7 2 -
STUDIMI
Frutat me karoten mbrojnë nga iktusi

Niveli i lartë i karotenoideve në gjak, antioksidantëve të pranishëm te frutat dhe perimet, mund të ulë rrezikun për shfaqjen e iktusit(goditje në tru). 80% e iktuseve janë me natyrë ishemike, ndërsa pjesa tjetër me natyrë hemorragjike. Iktuset e grupit të parë shfaqen kur dëmtohet një arterie gjaku në tru. Rreziku për t’u prekur nga kjo formë iktusi është 40 % më e ulët te personat që kanë nivele të larta të karotenoidit në gjak, në krahasim me personat që kanë nivele më të ulëta. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga “Physicians’ Health Study” i publikuar në revistën “Stroke”. Studimi është kryer në mbi 22.000 meshkuj dhe ka nisur qysh në vitin 1982. Brenda kësaj periudhe, 297 prej këtyre vullnetarëve është goditur nga iktusi ishemik. Studiuesit kanë matur nivelet e antioksidantëve të ndryshëm në gjakun e këtyre vullnetarë dhe kanë vërejtur se rreziku për t’u goditur nga iktusi ishte më i lartë te meshkujt që shfaqnin nivele më të ulëta të tre karotenoideve: alfa-karoten, beta-karoteni dhe likopeni. Karotenoidet janë molekula të cilat trupi i konverton në vitaminë A dhe që konfirmojnë ngjyrën tipike të karotave, pjeshkave dhe të tipeve të ndryshme të frutave dhe perimeve. Rezultatet e studimit konfirmojnë teorinë e hedhur nga “American Heart Association”, sipas së cilës dieta duhet të jetë burimi kryesor i antioksidantëve. Për këtë rekomandohet konsumimi i frutave dhe perimeve të pasura me antioksidantë.



Pyetje-Pergjigje
Si të zbulosh alergjitë nga medikamentet

Përshëndetje! Jam një burrë 35 vjeç dhe doja të dija se si mund të zbulohet nëse je alergjik nga medikamentet. Nëse po, doja të dija se çfarë provash duhet të bësh?
Arbeni
“Diagnoza e alergjive nga medikamente mund të vendoset gjatë historisë klinike, pas kryerjes së analizave objektive, testeve të lëkurës, testeve në gjak dhe atyre që kryhen me medikamente alternative. Duke u nisur nga delikatesa e çështjes, këto analiza rekomandohen të kryhen vetëm nga mjekë tepër të specializuar. Ndërkohë do të rekomandoja që në momentin që kuptohet se një medikament i caktuar shfaq shenja alergjie, qoftë dhe të vogla në dukje, duhet të ndërpritet menjëherë marrja e tij dhe të bëhet konsulta me mjekun specialist për të marrë ndihmën e parë”.

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose postës elektronike në adresat e mëposhtme:
Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës “Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
Tel.00355 4 273 207|08|09 E-mail:panorama_shendet@yahoo.com


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora