E premte, 19.04.2024, 11:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Nazmi Beqiri: Origjinaliteti i një vështruesi objektiv

E premte, 18.03.2011, 08:34 PM


Vështrim

 

ORIGJINALITETI I NJË VËSHTRUESI OBJEKTIV

         

(Bilall Maliqi “Hullive artistike”, Sh.b. “Kurora” Gjilan 2011, faqe 116).

 

Nga Mr. Nazmi Beqiri

 

Vepra  “Hullive artistike” e Bilall Maliqit, është një vepër brenda të cilës janë përfshirë njëzetë vështrime, afërsisht të po aq veprave letrare të një intervali kohorë të shkurtër (dy – tri vjet), të cilat vështrime i kishte botuar në revista e gazeta e që me shpërndarjen e tyre mbulojnë Kosovën Lindore, Republikën e Kosovës, Maqedoninë e më gjerë.

Para se t’i themi ca fjalë mbi vështrimet që u janë bërë veprave dhe çka kërkon brenda tyre autori i veprës “Hullive artistike”, para së gjithash do të përmendim zemërgjerësinë, guximin, interesin, dhe mos animet. Tek ai nuk mund të hasen  fodullëqe dhe nuk është aspak kopjues e plagjiator.

Për derisa një punim mediokrish kacavirret e laviret para emrave të krijuesve të shumë njohur, brenda të cilëve  vështrime mbi gjysma e asaj që e thonë në të është e marrur, huazuar, kopjuar e vjedhur nga kritik tjerë të njohur, autori i kësaj vepre është vështrimshkrues origjinal. Vepra e tij është shumëdimensionale. E para – Ai mbron, zhvillon dhe krijon lidhshmërinë shpirtërore të shqiptarëve të ndarë fizikisht, por i pa shkëputur në veprime e vlera të tjera të të gjitha fushave, e posaçërisht atë të informacionit dhe artit, ku duke i hapur “hullitë” e tija i  bënë të paqena ndarjet e imponuara.

Natyrisht se autori, shumë më lehtë do ta kishte sikur t’i përvishej punës në një bibliotekë universitare apo të çfarëdo lloji qoftë, dhe ta jepte kontributin e tij mbi një grup shkrimtarësh të një lëmi apo gjinie letrare, me të cilin rast, ai jo që do të kishte bërë “hapjen” e përmendur,  por do të mbyllte edhe veten brenda një çelësi shkencor. Ai gjithsesi e din edhe vet këtë, por e zgjodhi atë drejtim ku “me një gurë (të rënë), do të shkundte shumë arra”.

Çështja e dytë është se ai u bënë vështrime veprave të reja (të posa botuara) të krijuesve të rinj. Ai është kujdestar besnik i këtyre botimeve, duke u marrë me ta në mënyrë aktive, për t’u ndihmuar në përurimin e tyre, si dhe shpërndarjen dhe informimin e lulëzimit kulturor në fizikun e ndarë të shqiptarisë. E treta është se ai nuk del ndarës i kësaj vlere shpirtërore  shqiptare duke u marrë vetëm me prozë apo poezi, por merr gjithçka që del e re, që shërben për ushqim shpirtëror, për lëvizje e takime të ndërsjella me regjionet e përmendura dhe brenda studimit (vështrimeve) të tij, ai merr poezi, prozë, frazeologji etj. Kështu, në veprën e tij ai i paraqet katërmbëdhjetë vështrime për poezi, në mesin e të cilave një prej këngëve popullore dhe gjashtë veprave me prozë. Në mesin e veprave autori i vështrimeve shndërrohet në një kërkues të gjërave, elementeve që atij i interesojnë më së shumti. Ai i përngjet një blete punëtore që vazhdimisht shëtit lule më lule, por merr vetëm atë kokërr poleni që i intereson apo që “prodhon mjaltë”. Me fjalë të tjera atij në çdo vepër të lexuar, e në veçanti të këtyre për të cilat ka bërë edhe vështrime, i intereson kulmi i vlerës së tyre që i kushtohet kombit shqiptar, pa të cilën vlerë veprimi shumëdimensional që përmendëm më lartë nuk do të kishte kuptim. Gjërat që i mbledh apo i veçon ai për citim janë me kuptim, me interes dhe me porosi të veçanta gjithëpërfshirëse. Madje i merr vetëm ato thënie nga vepra siç thotë ai vet “të cilat u bëjnë ballë edhe ndryshimeve të kohëve”.  Ai edhe e gjenë vetën dhe tërësinë kombëtare brenda veprave të lexuara dhe i citon ato siç është rasti tek vepra “Kërkoj kohë të qetë” kur citon vargjet “nuk hesht edhe kur ndokush ma kthen tytën e pushkës”.  Me të cilat vargje ai e përcjell porosinë e autores, se nga heshtja mund të del vetëm robëri e kurrë liri, dhe edhe pse ajo është me rrezik, por gjithsesi ia vlenë dhe menjëherë vazhdon me paraqitjen e lashtësisë kombëtare, i cili assesi nuk mund të mos ngadhënjejë dhe ajo do të vijë një ditë:

“Do të pres një ditë

Flamuri të valojë mbi kulla”.

 

Në këtë rast është interesant se ai me filozofinë e tij të pa zgjeruar në këtë vepër, përdor edhe terme të shumta me kuptime shumëdimensionale si për shembull “atdhemëmëdhedashuria”.

Ai shton, rritë e përcjellë porositë e marruara dhe jo vetëm këtë, por edhe i përforcon ato edhe me energji më të shumtë, të cilat porosi nuk mund të pranohen pa emocione, madje edhe me dhembje siç e thotë edhe ai vetë: “gjatë leximit, lexuesi do të ketë dhimbje siç pati poeti”.

Gjatë kësaj pune mbi librat që ai zgjodhi, nuk merret vetëm me atë se çfarë paraqesin ato, por bëhet edhe vet pjesë e tyre, madje nuk i mjafton që ato t’i vështrojë vetëm në tavolinën e punës, por të gjithë këto vepra të përmendura i shikon përnjëherësh në mënyrën imagjinative nga vështrime të llojit të shqiponjës e cila ngritet lartë dhe shikon çka don. Edhe autori i hullive ngritet edhe më lartë dhe shikon çdo “kënd të atdheut”.

Bilall Maliqi gjatë vlerësimit që u bënë këtyre veprave kryen shumë punë, ndër të cilat edhe atë të një kritiku letrar të mënyrës përcjellëse të botimeve kohore, që ndryshe quhen vështrime gazetareske mbi veprat, gjë që është e vërtetë ngase këto vepra nuk u studiuan në një moment ku mund të shtroheshin elementet e studimit, siç është krahasimi apo diç tjetër, me që të gjitha këto punime paraprakisht kanë qenë të gjitha të botuara nëpër gazeta e revista të kohës. Kjo as që i ikë autorit dhe duke qeshur me kritikët mediokër që mund të thonë ndonjë fjalë për këtë vepër, ai vë mbrojtjen e vet duke sqaruar shumë mirë se nuk kishte bërë lëshime, e as nuk i mungonte njohuria mbi kritikën letrare, dhe e quan veprën “Hullive Artistike”, i cili emërtim nga vet ai na bëhet me dije se libri e kishte kryer misionin e vet, madje edhe po jepte porosinë se mbi të gjitha “kullat” arbërore do të valojë një flamur, për të cilën punë duhet ta sakrifikojmë më të vlefshmen e më të dhimbshmen. Andaj autori ka bërë një punë të pamohueshme në drejtim të zbardhjes dhe ndriçimit të vlerave të pastra kombëtare dhe e presim me vepra të tjera.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora