E shtune, 20.04.2024, 12:16 PM (GMT+1)

Mendime

Arben Idrizi: Rreziku që qeverisja e re e Kosovës të shartohet me ekstremizëm fetar

E premte, 18.03.2011, 08:58 PM


Rreziku që qeverisja e re e Kosovës të shartohet me ekstremizëm fetar

 

Nga Arben Idrizi

 

Në tekstin e fundit përmenda sipërfaqësisht frikën që përbën për mua si qytetar i një shteti laik përbërja religjioze e Qeverisë së re. Jo që jam i thirrur ta manifestojë këtë në emër të të tjerëve që mendojnë si unë, por nga se mendoj të jetë një shqetësim plotësisht i arsyeshëm, ndaj të cilit nuk mund të rri duar kryq sidomos për derisa jam, qoftë edhe pa dashjen time, në një pozicion kur mund ta them hapur mendimin tim. Fillimisht, dëshiroj të bëj njësqarim, ndoshta krejt të kot, të cilin e kanë më se të qartë edhe të alfabetizuarit e fundit të internetit.  Njëra ndër të mirat e rralla, duke pasur para sysh edhe disponimin kolektiv religjioz, që kemi arritur ta krijojmë në përpjekjet tona për të ndërtuar një shtet demokratik është heqja dorë nga sekularizmi për ta përqafuar një formë tjetër, të themi më demokratike: laicizmin. Për dallim nga sekularizmi, që të themi shkurt, largon sakralen, modifikon dhe transformon tërë të kaluarën si dhe pamundëson subjektet religjioze të ushtrojnë funksione shtetërore, laicizmi bën ndarjen e qartë mes shtetit dhe religjionit, por njeh religjionin si të drejtë si dhe lejon subjektet religjioze të ushtrojnë funksione shtetërore deri sa e praktikojnë religjionin si një gjë thjesht private, pa e propaganduar dhe imponuar në jetën publike. Këtë laicizëm e ligjëson Kushtetuta e Kosovës. Megjithatë, përbërja e Qeverisë së re të Kosovës, është frika dhe mendimi im, e ka vënë në krizë respektimin e Kushtetutës dhe parimin e laicitetit. Dy nga ministrat e kësaj Qeverie, ai i Shëndetësisë, z.Ferid Agani dhe ai i Kulturës, z.Memli Krasniqi, njihen për një jetë publike, se ajo private s’na intereson, të karakterizuar nga qëndrime pastërtisht religjioze, të cilat, e kjo është e papranueshmja, nxisin urrejtje ndaj Tjetrit. Z.Agani ka bere deklarata publike në të cilat mbron qëndrimin (fetar) se “homoseksualizmi është sëmundje mendore”. Njëjtë, z.Krasniqi, në këngët e tij sa ishte raper, ka manifestuar qëndrime pastërsisht (fetare) urrejtjeje ndaj Tjetrit, si ndaj homoseksualëve, duke i quajtur “të sëmurë mendorë”, si ndaj narkomanëve, duke i quajtur “të degjeneruar”. Ndërkohë, të gjitha dyshimet janë se ky I fundit, me të marrë postin e ministrit, ka hequr fotot e Nënës Terezë dhe Ibrahim Rugovës pikërisht për arsye fetare e aspak politike, sado që nuk do të arsyetoheshin assesi as ato politike. Si erdhën këta dy persona me qëndrime të tilla fetare publike deri te një rol kaq i madh në një shtet laik? Ndoshta për shkak të mbështetjes që gëzojnë, bashkë mendimtarëve që i votojnë. Ndoshta për shkak të rrethanave të caktuar në momentin e formimit të Qeverisë. Sidoqoftë, përgjegjësia bie mbi Kryeministrin që e ka injoruar këtë shkarje të papranueshme. Si diletant, megjithatë, arrij t’I parashikoj disa nga pasojat e mundshme të gjithë kësaj.

 

Së pari: Nëse vendet tjera do t’i kenë parasysh këto qëndrime të këtyre dyministrave, cili do të jetë qëndrimi i tyre në marrëdhëniet e ndërsjella? A do të damkosen këto dy ministri jashtë, aq sa të mos arrijnë të kenë asnjë aktivitet politik shëndetësor e kulturor jashtë? Çka do ta dëmtonte shumë rëndë vendin tonë. Dhe s’po flas për imazh, por për interesin e qytetarëve, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre.

 

Së dyti: Nëse këta dy ministra janë vërtet të mbështetur nga një masë e caktuar, jo për thjesht përkatësinë fetare, por për qëndrime te tyre radikale fetare, atëherë, gjatë mandatit të tyre, si do të ndihen përkatësitë e tjera fetare, homoseksualët dhe narkomanët? Logjik-isht, do të ndiheshin të përjashtuar nga shteti dhe shoqëria, të përndjekur, të damkosur; të përjashtuar nga të mirat e për bashkëta,të përjashtuar nga të drejtat qytetare. Si mund të ndodhë kjo, sot? Kam frikë se kështu po i hapet rrugë radikalizmit fetar, i cili edhe ashtu po na rri mbi kokë, në pritje të shpërthejë nga dita në ditë. Kur të ndodhë, do të jetë vonë të pyetemi si dhe pse ndodhi. Shpresoj se shoqëria civile dhe KMLDNj, nëse s’e kanë bërë deri më tani, do të shprehin qëndrimin e tyre ndaj këtij shqetësimi.

 

E që të biem shkurt: Kur do të shkarkohen këta ministra?



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora