E merkure, 24.04.2024, 01:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Engjëll I. Berisha: Një lapidar pavdeksie për krijuesin dhe Dëshmorin e Lirisë

E enjte, 17.03.2011, 08:58 PM


 

NJË LAPIDAR PAVDEKSIE PËR KRIJUESIN DHE DËSHMORIN E LIRISË

 

Besim Muhadri  “Gaspër Karaqi – Shpirt i pavdekshëm lirie”.

Botoi “Pjetër Bogdani” Prizren, 2010.

 

Shkruan Mr.sc. Engjëll I. BERISHA

 

Opusi krijues i Gaspër Karaqit, i pëmbledhur aq mirë në një vepër nga miku i Gaspërit, krijuesi dhe u studiusi i letërsisë , Besim Muhadri, mbetet një kontribut i çmueshëm, madje më i çmueshme deri më tani bërë nga miqtë e Gasprit. Mbetet materje e prekshme, sa shpirtërore dhe aq fizike për të jetuar edhe më tej me praninë e Gasprit.

Ky opus është shumë monumental, ngase bëhet faktografi historike. Është shumë bazik, ngase bëhet komunikues për gjenerata të tjera që do të vijnë pas nesh. E them këtë ngase familjes, ne, letërsisë, historisë dhe lavdisë shqiptare  i  jepet një mundësi faktografike  e  një përfytyrimi  ideo-estetik për krijimtarinë e dëshmorit. I jepet një shtesë për ta lartësuar dhe  shumëzuar idealin sublim të dëshmorit. I jepet një vërtetësi çdo rreshti të shkruar, për të mos ia lënë të gjitha imagjinatës.

Atë që duhet përmendur këtu, e që është fokusuar autori i monografisë është trinomi i lidhur: Gaspri-vepra e gasprit dhe puna e Besim Muhadrit rreth hartimit të kësaj monografie shumëdimensionale. Pra është  jeta dhe flijimi i Gasprit,  është vepra artistike e tij e lënë trashëgimi dhe është autori i përmbledhjes së këtij opusi  Besim Muhadri, pra një trinom i pandashëm.

Krijimet e Gaspërit ishin të botuara, shumica prej tyre edhe më herët, disa në gazeta dhe disa po ashtu nga përkujdesja e Besimit. Por me këtë  vepër që e kemi kështu, me krijime të mbledhura, të sistemuara, të radhitura dhe të pëmbledhura edhe shkrimet edhe biografinë e tij si dhe përkushtimet që i  bëhen dëshmorit, është monumenti që Besimi ia ngritë mikut të tij, bashkëveprimtarit dhe bashkëluftëtarit. Pra është nderi më i lartë që ka mundur t’i bëjë.

Siç e dha Zoti frymën dhe shpirtin në trupin e njeriut, ashtu edhe Gaspri  e fitoi frymëzimin  në dashuri për vendin e vet dhe këtë frymëzim e zbraz së pari në krijimtari, si paralajmërim për një hap tjetër të mëvonshëm të cilin edhe e dëshmon, pra në flijim par Atdhe.

Siç e portretizon Zanafilla shenjtë  adhurimin dhe filijimin ndaj të tjerëve, ashtu bëhet dhe akti sublim i autorit të këtyre shkrimeve ku edhe lirohen në frymën e fundit. Që të tria këto na japin pamjen e qartë se autori, në këtë rast edhe si personazh Gaspër Karaqi, së pari paraqet luftën e individit kundër shoqërisë që e pengon çlirimin e personalitetit dhe bën vazhdimisht përpjekje për ta gjetur në vetvete atë që është e sinqertë. Kërkon të largojë nga shoqëria helmin moral dhe ashtu, siç e paraqet në disa vargje, dëshiron shumë gjëra të nisin nga e para.

Ato që janë në vepër unë nuk do t’i përsëris. Por, jo të gjithë e kanë ditur se Gaspri ka shkruar edhe publicistikë, duke e denoncuar regjimin kriminal që sundonte tek ne, dhe duke u bërë thirrje shoqërisë së vet për rreshtim të drejtë. Ka shkruar poezi që kanë qenë dhe janë një shkrijrej e shpirtit të tij prej liriku; këngë që i ka  kënduar dhe vetë, sepse rrjedh nga familja që i ka kënduar përherë atdheut. Ka shkruar Drama që janë inskenuar dhe pasurojnë repertoarin dramaturgjik tek ne. Ka lënë mendime, që i japin vulë kohës dhe aforizma për t’u argëtuar. Pra ka shkruar dhe ka kënduar. Dhe të gjitha janë një këngëtim që ne dhe ata që do të vijnë pas nesh do t’i kenë pasuri për edukim, shkollim dhe frymëzim. Do t’i kenë për edukim, sepse, ai ishte vetë edukator, mësues i brezave.

Ja pra një figurë e cila gjatë jetës së vetë kapë të gjitha dimensionet e jetës; Së pari vihet në edukim të ardhmërisë, ua mëson zanafillën e artit, zanafillën e qëndrimit bukur ndaj Atdheut; ua mëson tolerancën për të jetuar në harmoni; ua mëson shkrimin artistik për t’u veshur me ndjenja dashurie, sepse të duash është akti i parë i adhurimit.

Dhe më vonë, ai të gjitha këto i dimesionon dhe demonstron pikërisht në afërsinë e vendit të edukimit, aty ku i kishte nxënësit, aty ku i kishte miqtë e jetës me të cilët ishte rritur, duke e bërë vdekjen siç e kishte paralajmëruar.

Dëshmorët e kanë privilegjin të mos jetë vdekja fjala e fundit e tyre. Dëshmori Gaspër Karaqi, protagonisti i veprës së Besim Muhadrit që po vëmë në spikamë në këtë rast, ia kishte përgatitur vetvetes pavdekësinë duke lënë fjalë të shkruara. 

Unë i këndoj Lavdi mikut tim, autorit dhe dëshmorit Gaspër Karaqit dhe po ashtu ia them një “Të lumtë!” krijuesit Besim Muhadrit, sepse e bëri atë që është dashur ta bëjë dikush këtë punë e këtë e bënë vetëm ai që është më i zoti për ta bërë. Me librin “Gaspër Karaqi-shpirt i pavdekshëm lirie”, Besim Muhadri ka pavdeksuar pavdeksinë e Gasprit, njeriut që diti të lindë, të jetojë, të veprojë dhe të luftojë për ideale të mëdha. Me këtë libër, që është i trembëdhjeti me radhë, Besim Muhadri, ka ngritur një përmendore letrare, historike dhe monumentale për mikun dhe luftëtarin e lirisë, që ra duke kënduar dhe shkruar me gjakun e tij, faqet më të reja të historisë sonë kombëtare, i radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që qe dhe mbeti jjë nga organiztatat më të fuqishme, e cila realizoi një ëndërr të kahmotshme të shqiptarëve, atë të lirisë.

Libri “Gaspër Karaqi-shpirt i pavdekshëm lirie”, është jo vetëm libri për Gasprin dhe luftëtarin e lirisë, siç e thotë në një rast autori, por ai është edhe libri monumental për dëshmorin, luftëtarin, krijuesin, mësuesin, si dhe libri për jetën dhe pavdeksinë. Një libër i shkruar me mjaft përkushtim dhe përgjegjësinë më të mirë të mundshme të studiuesit dhe njohësit të mirë të rrethanave të caktuara historike të një kohe të caktuar. Në këtë rast të kohës së lavdishme të shqiptarëve, siç është ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



(Vota: 5 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora