Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilia S. Karanxha: Botimi i Historisë së Skënderbeut nga Marin Beçikemi (Barleti)

| E enjte, 17.03.2011, 09:00 PM |


DY SHQIPTARË NË FILLIMET E EDITORISË VENEZIANE

                        

5- Botimi i Historisë së Skënderbeut nga Marin Beçikemi (Barleti).

(Vështrim historiografik-filologjik)

 

Nga Ilia S. Karanxha

 

Të datosh veprën e parë të Historisë të Skëndërbeut do të thotë të krijosh një koncept krejt të ri  mbi  autorin e vërtetë të  saj gje e cila hap prespektiva të reja e shumë më të pasura  për shkencën albanollogjike.   

 

    Nga momenti kur doli punimi shkencor i Francesc Pall mbi Marin Barletin(1938) në shkencën shqiptare në lidhje me  vitin e  botimit të  Historisë të Skënderbeut nuk ka pasur asnjë lloj polemike.   I vetmi historian  që vlen të përmëndet këtu  është Fan Noli i cili kur botoi punimin e tij të parë mbi Skëndërbeun(1921) vendosi kufirin 1510 para të cilit vepra kishte parë dritën e botimit edhe pse  nuk e kishte pasur shumë të qartë as vendin dhe as vitin e botimit të veprës të Barletit. Arsyeja?  Gjon Muzaka  në testamentin e tij  ishte influencuar nga Barleti. 

 

Punimi  shkencor i F. Pall  solli një kontribut shumë të çmuar në krijimin e profilit intelektual të  humanistit tonë.      Në lidhje me datën e botimit të veprës ishte i pari që përcaktoi aty një fakt tepër të rëndësishëm  duke shënuar vitin 1508 para të cilit nuk mund të ketë asnjë lloj pretendimi mbi botimin e saj. Arsyeja? Në librin (kapitullin) e dytë të Historisë,  Barleti  flet për ngjarjet e ndodhura në Himarë në  janar -shkurt të këtij viti të cilat  janë dokujmentuar edhe nga Marino Sanudo në Diarii (vol. 7, col. 286). Pra ky fakt (ka edhe të tjera) është i mjaftueshëm për të injoruar gjithë supozimet e mundëshme që studiues të djeshëm apo të sotëm, të cilët nuk njohin as veprën e Historisë  të Skëndërbeut dhe as studimet albanollogjike, shtyhen të  sugjerojnë me hamëndie, shpesh edhe me qëllime dashamirëse, data  për një  botim të hershëm të veprës  me emrin Marin  Barleti prift shkodran. E keqja është  kur dikush nga një pozitë akademike vihet t'i mbledhë këto sugjerime e t'i paraqase si  hulumtime  me vlera shkencore mbi gjoja “debatin” e historianve në lidhje me botimin e Historisë të Skënderbeut. 

 

Mirëpo studimi i F.  Pall pati anën e dobët se  me biografinë  e tij të hamendiesuar u pajtua me një Marin Barlet të panjohur dhe krejt jashtë ambientit të rilindjes italiane.  Pranoi pa asnjë vështrim kritik si studimin e Apostol Zenos(1753) që kishte veçuara Barletin nga Beçikemi po ashtu edhe sugjerimin, le të themi përsëri  dashamirëse, të  F. Nolit mbi  influencat e Muzakës nga vepra e Historisë të Skënderbeut.   Bile  albanologu rumun për ta përforcuar më tej mendimin e F. Nolit  solli si provë të ashtuquajturën vepra e tretë e Marin Barletit Përmbledhje mbi jetën e papëve dhe perandorve  (Compendium...1555)me anë të së cilës vërtetonte me anë të letrës dedikatore drejtuar Pietër Ëngjëllit, vdekur më 1512,  botimin e  Historsë së Skëndërbeut para këtyre datave pra para vitit 1510.  Me që përmbledhja (Compendium..)   e jetës së papëve e perandorvë  vazhdonte edhe pas vitit 1513 por nga duar të tjera u hipotizua edhe vdekja e Marin Barletit aty nga viti 1512. Lëmshi kështu u mpleks shumë keq dhe me këto rezultate të karakterit vetëm filologjik u azhornua gjithë historiografia shqiptare.

 

Tre elementë:  testamenti i Muzakës, letra dedikatore  e Marin Barletit derjtuar Pietro Ëngjëllit dhe vdekja hipotetike  e  Marin Barletit aty nga viti 1512/1513 çimentuan vitin 1510 para të cilit vepra Historia e Skënderbeut kishte parë dritën e botimit.

 

Një Marin Barleti,  pa datëlindje e datëvdekje, pa nënë e pa babë, pa motra e pa vëllezër, dhe mbi të gjitha pa një rreth intelektualësh të kohës që ta njihnin e t'i njihte,  humanistë që ta kishin lëvduar apo ta kishin qortuar për veprën e vet,  sa më parë ta vdisnim aq më pak talashe krijonte.  I vetmi  bashkëkohës i Marin Barletit që kishte hedhur një gjysëm ide mbi veprën e Historisë të Skënderbeut duke ja atribuar Marin Beçikemit ka qënë Paolo Xhovio(1483-1552).  Kjo ide e vakur u eleminua pa shumë kujdes  nga eruditi  venecian  Aposol Zeno e prej këtu shkenca shqiptare historiografike e filologjike, para se të lindëte si e tillë,  ishte spostuar në një rrugë të shkretë.

 

Ndonjë mendim i ndryshëm  (Dh. Shuteriqi, F. Babinger ) jashtë korit  unanim të historianve tanë  nuk prekën  strukturën bazë të konkluzioneve të  paracaktuara fillimisht nga  Noli e të përforcuara  më tej nga F. Pall. Kjo situatë anakronike e ngurtësuar  reflektohet  sot në tekstin e Historisë të Shqipërisë botim i Akademisë të Shkencave(Tiranë 2002, vol. I, f. 485-490) dhe po kjo mendësi  reflektovi së fundi në  nismën e Dot. Aurel Plasarit në  shtator- tetor 2010   mbi mbajtjen e një konference shkencore  mbi Barletin e mbi të gjitha  mbi  500-vjetorin e  botimit të  Historisë së Skëndërbeut me që viti 2010  ishte edhe viti i fundit që na kujtonte këtë jubile të shquar(Shih: Rikthim tek Barleti çka pasur të vërtetë dhe trillim për Skënderbeun. Gazeta Standart  20.09.2010). 

 

Fakti i  regjistrimit të  kësaj vepre gati nga të gjitha katalogët e bibliotekave të huja,  apo nga shumica e tyre,  në mënyrë hipotetike apo për traditë  si një botim i viteve 1508-1510  nuk mund të jetë kurësesi një argumet apo një provë    mund të kundërshtojë studimet mbi këtëtë çështje. 

 

Nga sa pamë më sipër del e qartë që gjithçka është bazuar vetëm në analiza historiografike e  filologjike ku  i vetmi element  i pakundërshtueshm  mbetet viti 1508 para të cilit vepra nuk mund të jetë botuar.  Gjithe rezultatet e tjera  janë  shumë pak bindëse  dhe mund të shndrohen objekt diskutimesh.  Në lidhje me të gjitha  argumetat e sipërpërmëndura  kemi folur në veprën Barleti apo Beçikemi? Një pështjellim në shkencën shqiptar (Tiranë, Kumipres 2010 ) ndërsa  në veçanti për veprimtarinë fallsifikuese të familjes Ëngjëlli në mes të shek. XVI e për veprën  Compendium... shih shkrimin Si e fallsifikuan historinë Ëngjëllorët(Milosao 24.X.2010)

 

  Përsa i përket mendimt të Nolit për influencën e Muzakës nga vepra e Barletit nuk mund t'i vemë  asnjë faj mbasi mendimi i parë që lind  tek një historishkrues është  ai që një vepër e madhe si Histroia e Skëndërbeut influencon  por edhe gjeneron shumë vepra  të tjera fakt  ky i mirënjohur që reflektovi për shekuj me radhë në gjithë  historiografinë kastriotiane.  Ja pra Noli nuk kishte si ta shikonte  aty për aty  testamentin e Gjon Muzakës si një  përjashtim nga regulli  e tradita  historiografike.  Lëmshi u ngatërua më tej  kur Noli në  ribotimet që i bëri studimit të tij për Skënderbeun shtoi se Muzaka ishte influencuar edhe nga Dhimitër Frëngu. Kështu dy veprat e para mbi jetën e bëmat e Skëndërbeut u kapërxyen para vitit 1510. 

 

Me një analizë më të kujdesshme filologjike nuk është vështirë të provohet e kundërta e pohimit të Nolit. Pra nuk është Muzaka ai që mori nga Barleti por e kundërta e saj.  Ballafaqimi bëhet kryesisht në lidhje me humbjen e komandantëve të Skëndërbeut në betejën e Vajkalit si  dhe në fjalët për trajtimin çnjerzor të robërve nga ana e sulltan Mehmetit.

 

Muzaka në qoftë se do të kishte në dorë librin e Historisë të Skëndërbeut për pozitën  e tij si një person i armëve dhe jo i penës  do të kishte pasur  kënaqësinë më të madhe t'ja përmëndëte emrin historianit të kësaj vepre.  Kështu edhe  dikush tjetër ishte duke shkrojtur për fatet e familjes së tij, rikonfermoheshin të thënat e tij  të cilat ai me stërmundim po përpiqej t'i përmblidhte nga e kaluara e vet plot sakrifica.  Pastaj nga pikpamja historiografike por mbi të gjitha humane    Muzaka nuk mund të kufizohej të përmëndëte vetëm emrat e tre  komandantëve:  Muzakë Komnenin (ose i Angjelinës), Moisi Komnenin (ose Golemi) dhe Gjin Muzakën (P. Xhufi: Nga Paleologët tek Muzakajt...Tiranë 55, 2009  Teksti i plotë i testamentit të Muzakës në origjinal(f. 407 ) dhe përkthimi shqip(f. 449)me shpjegime) që u kapën rob nga turqit. Tek veprat që deri më sot i kemi njohur me emrat Marin Barleti (Historia... Tiranë   1982,  f.  604) apo Dh. Franku(Commentrio de le cose de turchi, et del S. Georgio Scanderbeg...1539,  f. 35) informacioni mbi  ngjarjen është   gati shterues.  Aty janë reshtuar  jo tre por  tetë komandantët e shquar që humbi Skëndërbeu në betejën e Vajkalit: Moisi Golemi, Gjuric Vladeni,  Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka  dhe Gjin Maneshi  pra kush shkrojti  Historitë e Skëndërbeut ka pasur në dorë një dokumentacion të plotë mes të cilave nuk duhet përjashtuar as  testamenti i Muzakës hartuar më 1510.

 

Pa u  zgjatur në  analiza e arsyetime të imta historiografike viti 1510 bile edhe nga pikpamja filologjike me pak më shumë kujdes mbi  testamentin e  Muzakës  mer të njëjtën vlerë që ka viti 1508  para të cilit nuk mund të ketë pasur asnjë botim të Historisë të Skëndërbeut.  Gjon Muzaka paraqitet kështu i pari shqiptar  që ka  folur  për meritat e Skënderbeut në një dokument që merte karakter zyrtar e ligjor duke ja dërguar atë Venedikut  dhe me pretendime për veprim mbi  bazën e strukturës të shtetit konglomerat feudal shqiptar  para pushtimit turk .

  

Shtojmë këtu dy fakte të tjera plotësuese të një rëndësie parësore. Së pari: asnjë studim në Shqipëri nuk ka marë në konsideratë apektet editoriale, tipografike dhe ikonografike të  Historisë.. që lidhen me veprimtarinë e editorit të saj Bernardino de Vitali.  Së dyti : asnjë historian brenda apo jashtë Shqipërisë  nuk ka menduar se prapa emrit Marin Barleti prift shkodran fshihej profesori  i retorikës në Universitetin e Padovës Marin Beçikemi i cili jetovi deri më 1526 dhe për shkrimin e Historisë të Skëndërbeut u bazua në dokumentat e arkivit të Venedikut punë që zgjati për  disa vjet.

 

    Princ Essling  e renditi   Historinë e Skëndërbeut  në kapitullin e veprave  padatë  të botuara në periudhën 1500-1525 (I.er Quart du XVIe Siècle).  Bëri komente mbi përmbajtjen e ksilografisë në frontespicion e veprës e më tej shton se ksilografia dhe zbukurimet e gërmave nistore janë komplet një prodhim venecian(les bois et les initiales dont il est orné étant de facture toute vénitienne). Në lidhje me editorin Bernardino de Vitali  i cili kishte firmosur këtë vepër vetëm me gërmat e para të emrit  të tij shkruan se ai ushtrovi profesionin e vet edhe në Romë nga 1508 deri 1522 (Bernardino Vitali – qui a signé de ses seules initiales plusieurs livres sortis de son atelier – exerça à Roma de 1508 à 1522. Në:  Prince d'Essling: Les livres a figures vénitiens...Seconde parte, II, 1909, ff. 526-527; 530-531.) Të njëjtën ide  e  gjejmë të shprehur edhe nga Tammaro De Marins në enciklopedia e madhe Treccani (1949, vol. XXXV, f. 460) vetëm se këtu shtohet se gjatë periudhës 1508-1522 njihen  nga De Vitali edhe botime veneciane më 1516-1518.

 

   Në fakt Bernardino de Vitali gati gjithë veprimtarinë e tij  e ka zhvilluar në Venedik. Ka qënë në Romë më 1507 për botimin e veprës  së madhe Gjeografia të Ptolemeut  dhe  në ribotimin që ju bë po kësaj vepre në colophon  mbeti përsëri e njëjta datë por thuhet se doli  më 1508    Romë.  Në vitin 1509 kemi gjetur të botuar një vepër të tij në Napoli e firmosur  përsëri vetëm me gërmat e para të emrit:  p. B.V.V. (d.m.th. per Bernardinus Venetus de Vitalibus)   ndërsa më 1521 boton një vepër në Rimini. Rikthehet në Romë në maj të vitit 1522.

 

Kështu  i pari që hodhi idenë e botimit të kësaj vepre më 1522 i bie të jetë Frederick John Norton(1904-1986) në veprën e tij  mbi editorët italianë në periudhën 1501-1520 (Italian printers 1501-1520, London: Bowes &  Bowes 1958, p. 160)   Në lidhje me Vitalin mbi argumentin që na intereson ne ai shkruan: Më 1520 tipografia e tij veneciane mbeti përsëri papunë, dhe mund të ketë qënë pastaj ose në një vizitë të fundit në Romë më 1522 që ai shtypi në atë qytet jetën e Skënderbeut të Barletit.

 

Në këtë  deklaratë telegrafike Norton  nuk jep  shpjegime  mirëpo shumë bilioteka të tjera  e katalogë kanë marë për bazë pohimin e tij dhe veprën e Historisë të Skënderbeut e referojnë si një botim të vitit 1522 ose afër vitit 1520 (Shih: Early sixteenth centery printed books 1501-1540 in the Library of Leuven faculty of theology/ edited by Frans Gistelinck & Maurits Sabbe. Louven: Bibliotheek Godgeleerdheid: Uitgeverij Peeters. 1994.  Ose në:   Harvard College Library departament of printing and graphic arts catelogue of books and manuscripts. Part II: Italian 16th Centery Books. Compiled by Ruth Motimer, 1974) Deklaratat e dikujt se gjithë historianët brenda dhe jashtë Shqipërisë paskan rënë dakord për botimin e Historisë në periudhën 1508-1510 mbeten  jashtë ambientit shkencor evropian.

 

Në mbështetje të idesë të Nortonit ka një sërë argumentash që flasin në favor të saj. Së pari duket pa kuptim por njëkohësisht edhe mjaft e guximëshme ideja e  Bernardino de Vitali që të merte rrugën nga Venediku për në Romë për të botuar vetëm një letër të umanisit dalmat  Marko Maruli(1450-1524) e për më tepër në një format të vogël dhe vetëm me 8 faqe (Epistola domini Marci Maruli Spalatensis ad Adrianum VI pont. Max...). Duhet të kemi parasysh këtu se Roma në pranverën dhe verën e vitit 1522  u përfshi  në një situatë anarkije të plotë për shkak të pakënaqësisë që solli zgjedhje e  papës të ri  jo-italian. Vjedhjet, grabitjet, përdhunimet  e vrasjet ishin  në rend të ditës  dhe mungonte çfarëdo lloj  auteritet i pushteti laik apo fetar për ndalimin e tyre. Në qershor të po këtij viti shpërtheu  aty edhe një epidemi kolere.

 

 Të dyja veprat si letra e Maruli-t  po ashtu edhe Historia e Skëndërbeut kanë një fill llogjik të përbashkët që i bashkonte. Njëra ishte thirje që i bëhej papës Adriani  VI për bashkimin e  forcave kristiane kundra invazionit turk që marshonte nga Ballkani drejt Evropër tjetra ishte një model i kësaj lufte të bërë nga princi Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbe.   

 

    Këtu mund të shtrohet  çështja në se Bernardino de Vitali kur mbriti në Romë e kishte të shtypur librin e Historisë të Skënderbeut apo e shtypi mbas marjes të lejës d.m.th. pas  1 majit 1522  kur u botua letra e Maruli-t. Kushtet për një punë tipografike normale në Romë siç e pamë ishin krejt të pa përshtatëshme pastaj leja duhet të jetë nxjerë mbi bazën e një teksti të shtypur pra që ekzistonte materialish. Kështu  kopjet apo kopjen e parë ai duhet ta kishte me vehte që kur ishte në Venedik pra para majit të vitit 1522  dhe këtu nuk është për të përjashtuar mundësia që puna të ketë vazhduar përsëri në Venedik edhe pas marjes të lejës.  Sidoqoftë para gushtit të vitit 1522 siç do ta shikojmë më tej   gjithçka kishte marë fund.

 

Firence 9.III.2011