E premte, 19.04.2024, 04:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhmije Çerkezi: Rrugëtimi mbi vijat në grafikat e Shaip Çitakut

E enjte, 17.03.2011, 08:56 PM


Rrugëtimi mbi vijat në grafikat e Shaip Çitakut

 

Nga Nexhmije Çerkezi

 

Vijat që kristalizohen mbase janë ato që shërbejnë si paradigmë, në grafiket e Shaip Çitakut, që plasariten në mes veti, që përcëllojnë mesazhin, që përvëlojnë,

por mbase edhe që dinë të gjallërojnë.

Vetëm autori do të kuptonte më mirë domethënien e tyre, jo veç atë qasjen artistike, por ajo edhe mënyra e ndërtimit të vijës përkrah teknikës, të cilën e ka zgjedhur autori, e sidomos kur ato i sendërton aq bukur në tekniken e gjilpërës së thatë apo bakërshkrimit, por mbase edhe në atë të shtypit të lartë, me të cilën autori është ndalur pak a shumë kohëve të fundit.

Edhe pse autorin do ta kishim veçuar si artist i gjilpërës së thatë, dhe bakërshkrimit, megjithatë jo se i mungon kreativiteti i tij edhe në teknikat e tjera, si në teknikën e kombinuar, të akuatintës, dhe në atë të shtypit të lartë, etj, ku realizimi i tij është mjaft i avancuar.

Në grafiket e tij dominon pedanteria e autorit, butësia dhe qetësia, që frymon në mes të gjithë atyre vijave, që i sendërton ai, sa lirike, aq poetike, sa kreative, aq konfuze, që ngrehin kokën si formë rebelim i autorit, që shpesh përputhen, pajtohen, por mbase edhe ndonjëherë na duken si paradoks, në mes të atij mendimi që e ka vënë në objekt autori.

Në ciklin e grafikeve të tij, të punuar në teknikën e linogdhendjes, të quajtur “Variacionet I, II, III, IV. dhe V, autori disponon qasjen e tij pak më të veçantë.

Ai ka përzgjedhur përqasjet e tij në valerin bardhë e zi, në të cilin marshojnë një bagazh figurash, duke filluar që nga vija, të derdhur në formë, që nga forma të ndërtuar në strukturë, nga struktura të valëzuar në teksturë, nga tekstura duke dalë në përmbajtje, dhe nga përmbajtja duke u konceptuar në rrëfim.

Me gjithë këtë kaos, ku merr hov loja e vijës, formës, plasaritjes, autori arrin të gjejë qetësin që të frymojë vepra, duke dalë në pah ajo që ka për bazë autori, dhe pa i lënë anash detajet aq të vogla, por që nuk humbin në hapësirë të veprës.

Është shumë interesante qasja e ndërtimit të autorit në këtë cikël. Brenda një grafike shohim shumë episode, të krijuara nga autori, ashtu të ndara, ku secila prej tyre shpreh një përjetim, që vjen emocionalisht prej autorit. Në disa episode na vijnë peizazhe, të ndërtuar, veç nga vijat e valëzuara, të shtjelluar në forma, ku autori flet për peizazhin e bukur të vendlindjes, për fushat dhe natyrën, pastaj shohim detaje nga errësira e natës, yjet, dhe hënën, ku mbasi vijnë si simbole të ngërthyer nga një impulsivitet i brendshëm i autorit, që e sendërtojnë atë shqetësimin e misticitetit të tij artistik, të cilin autori diçka e ndan me ne, e mbase diçka edhe e mban për vete.

Mbi të gjitha në këtë cikël të bën përshtypje ndarja e grafikës, që e praktikon autori në njërën nga grafiket e këtij cikli “Variacionet III ”, ku me një detal të një forme të rrumbullakët, ai bën ndarjen në dy tërësi të veprës, që në tërësi na del shumë kreative. Madje e formëson veprën duke e ngritur si shënjestër, mbi të gjithë ato vija, simetrike, lineare, të cilat notojnë mbi tërësinë kompozicionale, mbi sintezën e konceptit, të imagjinatës, apo fluksit të energjisë së autorit që vjen nga brendësia e shpirtit të autorit.

Në këtë drejtim shumë mirë e ka vënë në pah Eqrem Basha, në një rast takimi me Gjelosh Gjokajn: “Kur e takuam para disa vitesh në atelienë e piktorit Gjelosh Gjokaj, në Augsburg të Gjermanisë, maestro Gjokaj ishte i pari që na e tërhoqi vëmendjen për këtë kombinim gati paradoksal të qetësisë së vizatuesit, grafistit e piktorit dhe shpërthimit të artit të tij. Ai e kishte vënë Çitakun afër edhe në prezantimin e katalogut, me rastin e ekspozitës personale në Galerinë e Artit Modern në Augsburg, duke e nderuar kështu artistin dhe veprën e tij”.

Dhe vërtetë mund te thuhet se autorin e personifikon butësia dhe qetësia, dhe bota e tij artistike ku u nis me vizatimin dhe vazhdoi me sukses për vite me radhë, ku me inspiratën e shpërthimit të tij, të transportuar në gjilpërë të thatë, bakërshkrim, drugdhendje, e deri tek akuatinta dhe teknikat e kombinuar, si një nga qasjet më komplekse, që e avancuan shumë lart autorin, në Kosovë dhe tutje duke treguar zotësinë e forcës mjeshtërore të autorit në këtë fushë.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora