E merkure, 30.09.2020, 11:04 AM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Flet aktori, pedagogu, “Artisti i Merituar” Ahmet Pasha

E merkure, 16.03.2011, 08:45 PM


Ju rrëfej gjigandët e artit kur ngjiteshin në skenë

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ahmet Pasha lindi më 7 shkurt të vitit 1948 në Tiranë. Me origjinë nga Kukësi, lindi në Tiranë dhe u rrit në Fier. Biseda me të rrodhi qetë, por jo pa emocion. Pikërisht biseda u zhvillua në ambientet e Teatrit Kombëtar, në një sallë ngjitur me sallën ku ai konkurroi për aktor. Në këtë moment ai loton dhe psherëtin paksa. Me të drejtë. Plot 40 vjet në këtë teatër ku ai po jep gjithçka nga vetja dhe po merr shumë prej tij. Merr duartrokitjet që e gëzojnë pa masë. Kujtimet janë të shumta që nga dita e parë e deri më sot ku vazhdon me atë pasion të luajë role nga më të bukurit. Diplomohet në 1970 dhe emërohet menjëherë aktor në Teatrin Kombëtar, ku në janar të 1971 fillon zyrtarisht karriera e tij e gjatë mbi 30-vjeçare me trupën e këtij teatri. Roli i tij i parë në skenën e këtij teatri është roli i Flejkut në dramën "Arturo Ui". Më pas interpreton një sërë rolesh si në dramat "Një dimër i shkurtër", "Sinjali i kuq", "Cuca e maleve", "Lumi i vdekur", etj. Ndër sukseset në Teatër ngelen kryerolet Isa Boletini ("Udha e flamurit"), Abdyl Frashëri ("Epoka para gjyqit"), Gjenerali ("Gjenerali i ushtrisë së vdekur), Inskerdoja (Monserati), Kadriu (Rajmonda), Mumja (Muzeu), si dhe në dramt "Prometeu", "në jetë", "Roemeo e Zhilieta", Tiranozauri", etj., etj.. Në skenën e Teatrit Kombëtar Ahmet Pasha ka interpretuar rreth 70 role. Krahas teatrit ka marrë pjesë në disa filma artistikë. Është nderuar me çmime e diploma në konkurrime teatrale dhe në vitin 1989 i është dhënë titulli i lartë "Artist i Merituar".

Ka qenë ndonjë nga familja juaj që ju ka ushqyer dëshirën për teatrin e aktrimin?

Unë kam lindur në Tiranë në vitin 1948. Babai im ka lindur në Kukës. Në moshën 1 vjeçare kam shkuar në qytetin e Fierit ku kalova rininë dhe fëmijërinë time. Nga viti 1966 kur fillova Akademinë e Arteve e deri tani jam në Tiranë. E them natyrshëm, nuk kam pasur njeri nga familja që të ma injektonte dëshirën për aktrimin. Familja ime ka qenë një familje shumë e thjeshtë. Ishin zanatçinjsh. Kjo ka qenë edhe një arsye që u larguan nga Tiranë në Fier sepse atje hapën një zanat. Hapën disa dyqane me ëmbëlsira dhe me bulmetra. Nga ai fshat ku rrjedh babai im kanë dalë shumë kërcimtarë, këngëtarë. Është një fshat me njerëz të gëzuar ku gjithmonë mbas punës këndonin dhe kërcenin. Janë me influenca sllave si popullsi. Sipas historisë, ata janë fise bullgare të ardhur përpara 300- vjetësh që u strehuan në atë vend atje dhe merreshin vetëm me bagëti. Ai fshat quhet Shishtaveci i Kukësit. Që në fëmijëri kam pasur dëshira për të recituar dhe për të aktruar. Në periudhën e moshës time rinore kisha diçka dhe shquhesha nga diçka e veçantë se të tjerët. Në shkollën e mesme në Fier më aktivizuan disa aktorë si Fuat Boçi, Muahmet Sherri (aktor i shquar që është ndarë nga jeta para disa muajsh), etj.. Kam pasur rastin që të luaja me ta dy drama. Më kanë përzgjedhur nga aktivitetet që bënim në shkollat e mesme. Ata ma ushqyen dëshirën që të futem në këtë rrugë. Kjo nuk ka qenë një dëshirë e imja sepse unë jam marrë me sport dhe në atë kohë kam qenë basketbollist në ekipin e parë të qytetit të Fierit. Isha përkushtuar shumë ndaj basketbollit. Kam pasur disa pasione të tjera por jo që të bëhem aktor. E solli rastësia që unë të vija dhe të konkurroja në Akademinë e Arteve. Ka qenë nxitja e regjisorit të grupit dhe ndonjë aktori tjetër të cilët më thane: “provoje njëherë se ndoshta të pëlqejnë, por mund të zgjedhësh edhe degë të tjera”. Mund ta them edhe fjalën se ngeca në këtë profesion më vonë kur u futa në shkollë akoma më tepër kur u emërova dhe aktor në Teatrin Popullor.

Kur keni konkurruar çfarë pjese keni luajtur dhe kë kishit në juri?

Kam pasur një tregim të Migjenit, me titull “Bukuria që vret”. Ka qenë një poezi e Pano Çukës dhe një fabul. Në komision ka qenë Xhemal Mbroja, në atë kohë Drejtor i Teatrit Kombëtar, Bardhyl Kosova, Pjetër Gjoka, Kujtim Spahivogli. Nuk isha përgatitur shumë mirë sepse nuk e kisha dëshirë dhe se kisha vendosur për këtë profesion. Atyre u mjaftoi dy materiale që unë paraqita dhe pse tek e treta ngeca pak tek teksti. Atëherë përgjigjen ta jepnin në çast. Në fund të konkursit më komunikuan se kisha fituar.

Kur keni qenë student a keni pasur mundësinë të luani ndonjë rol?

Në vitin e tretë, meqë kishim pedagogë të mjeshtërisë së aktorit (që ishte lënda kryesore) si Pirro Mani (ai ishte edhe regjisor i teatrit) më marrë të luaj në dy-tre premiera. Jo në role të rëndësishme, por role të dorës së tretë ose figurant. Ky ka qenë kontakti i parë që kam pasur me këtë teatër të madh siç ishte në atë kohë dhe me ata artistë që kanë historitë e tyre më vete. Regjisorët dhe aktorët e asaj kohe janë të papërsëritshëm.

Keni në arkiv 70 role. Ku e jeni ndjerë më mirë dhe më keq në këto role?

Puna jonë është një proces i gjatë krijues, por ka një të tillë për të cilin unë kam një mendim krejt ndryshe me atë çfarë thonë. Rolet nuk janë të gjithë të barabartë. Ka role të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm dhe më pak të rëndësishëm. Ka disa arsye që plotëson këto kritere. Arsyeja e parë është rëndësia e vetë personazhit në materialin dramaturgjik, e dyta është me cilin regjisor punon, dhe e treta është se cilët ke partner dhe kolegë. Këto janë elementë që përcaktojnë rëndësinë e rolit. Rolet e mia që më ngacmojnë janë “Isa Boletini”, “Mirëserdhët”, Jani tek “Shënomëni edhe mua”, “Doktori pacient” dhe shumë të tjera që si numëroj dot.

Në regjimin komunist ka pasur etje të spektatorit për drama. Ju çfarë evidentoni në këtë rast, boshllëkun e aktiviteteve të kohës apo ekzistenca e artistëve gjigandë?

Kjo është një temë e thellë për ta diskutuar. Unë me pak fjalë do të thoja mendimin tim. Jam i rezervuar sepse nuk mund të them gjithçka me pak fjalë interviste, por duke parë disa deklarime të ndonjë regjisori të krijohet përshtypja se “historia e teatrit fillon sot”. Aspak. Ka shumë e shumë arsye. Është e vërtetë se në regjimin komunist spektatori e ka frekuentuar shumë teatrin. Nuk ka qenë as detyrimi dhe as zbrazëtia e aktiviteteve artistike, por ka qenë vlera shumë e madhe e artistëve të asaj kohe dhe e regjisorëve, të cilët kanë qenë shkollë më vete si: Piro Mani, Kujtim Spahivogli, Gëzim Kame, Mihallaqi, Drita Agolli, Dhimitër Pecani e Fatos Haxhiraj dhe regjisorë të tjerë nëpër rrethe. Ka qenë vlera e madhe e artistëve të aktrimit ku edhe sot ata nuk janë zëvendësuar dhe nuk e di se kur do të zëvendësohen. Në atë kohë është prodhuar vlerë e madhe artistike. Megjithë vuajtjen e madhe që kishin artistët nga ideologjizimi i tepruar veprave që ata ishin të detyruar shpeshherë të skenonin në skenë, sërishmi ata kanë ditur të prodhojnë art, e kupton art. Atëherë janë vënë përveç veprave kombëtare madhe ato të huaja që sot zor mund të vihen se duan shumë aktorë, investime, por dhe aktorë klasi. Në atë kohë kryesore ka qenë vlera e madhe e artistëve dhe e aktorëve.

Jeni ndjerë ndonjëherë keq duke harruar tekstin?

Po. Ka raste kur në skenë të ndodhin gjëra shumë të çuditshme. Ndodh ajo që ne e quajmë bllokim. Një bllokim i pajustifikuar fare dhe i çuditshëm, i befasishëm të cilën nuk e justifikon. Vetëm kur harron një fjalë tek një frazë fillon të çoroditesh në mënyrë të tillë që e humbet fillin dhe nuk e ndërton dot fjalinë. Kjo të krijon një shqetësim të madh. Kemi harruar edhe emra personazhesh. Janë krijuar edhe situata humori dhe komike për ne në skenë. Janë momente që janë të natyrshme, por që spektatori nuk i ka kapur.

Ju jeni spikatur për radiodramatizimet që kanë bërë epokë në Radiotelevizionin shqiptar?

Me radiodramatizimet kam filluar që kur kam qenë student. Në atë kohë në radio ka pas punuar Reshat Arbana, i cili ka qenë regjisor në radio dhe ai ka qenë ndër të parët që më ka thirrur mua dhe dy tre shokët e mi si Anastas Kristofori, dhe shumë të tjerë. Pasi kam filluar punë në teatër unë kam qenë shumë i preferuar në radio edhe për shkak të zërit ku sipas tyre zëri im ishte shumë radiofonik. Ka pasur edhe regjisorë të tjerë që punonin në Radio të cilët më kanë ofruar bashkëpunim. Në radio kemi bërë gjëra shumë të mira me emisione si Teatri në Mikrofon, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “Fjala artistike në mikrofon”, emisione për fëmijë dramaturgjike dhe emisione për rininë. Më ka takuar që të jem edhe në mikrofon në transmetim direkt. Unë do ta quaja atë periudhë një nga periudhat të lumtura të miat. Shpeshherë njerëzit më kanë njohur nëpërmjet radios nga zëri pa pasur nevojë të më shinin në teatër, pasi radioja ishte më popullore.

A ndjehesh i respektuar edhe sot nga të dy periudhat duke qenë një aktor?

Në atë kohë ndjeheshim shumë të respektuar nga njerëzit dhe populli, na vlerësonin dhe na hapeshin edhe kollaj dyert e zyrave. Sot është më ndryshe dhe respekti ka marrë karakter tjetër. Pak respektohemi si aktorë, por mundohemi të dypunësohemi. Sot në radio punohet pak. Punojnë në studio ku bëhen dublime me dokumentarë qoftë si aktor apo personazhe që gërshetohen brenda tij dokumentari. Të jem i sinqertë. Nuk kam pasur respekt për regjimin komunist, e kam përqafuar me shumë dëshirë demokracinë, por sot nuk e kam më atë kënaqësi që kam pasur dikur me punën që bëja në radio.

Sot edhe politika nuk i jep atë vend që i takon aktorit?

Sot ka një koncept të gabuar për artin dhe artistin në përgjithësi. i quajnë njerëz të luksit. Në këtë luks janë ata që dhurojnë të mira shpirtërore dhe jo ata me të mira materiale. Në situatën që jetojmë sot njerëzit kanë nevojë për ndihmë ekonomike se sa për atë shpirtërore. Kështu vërehet një zbehje e dëshirave për art, kulturën në përgjithësi dhe për sportin. Ne përsëri mbetemi më të privilegjuarit sepse duke parë këtë evazion të madh kulturor në sensin e televizioneve të shumta që janë krijuar ku për mua janë pa një vlerë artistike. Ne përsëri punojmë dhe bëjmë shfaqje të mira dhe njerëzit vazhdojnë të ndjekin me të gjithë hallet dhe problemet e përditshme që kanë. Njerëzit sot mendojnë se si të stabilizojnë jetën ekonomike të familjes së tyre. Edhe këto që kanë standarde të larta ekonomike shumë pak e frekuentojnë teatrin sepse nuk kanë kulturën e duhur për të parë teatrin e ta vlerësojnë atë. Një pjesë e madhe rinisë tonë preferojnë ta pinë kafe ose birrë dhe shumë pak kujtohen për të ardhur në teatër, bibliotekë dhe në opera. Kjo është një fatkeqësi e madhe që tavolinat e bibliotekave janë me shumë pak të rinj e të reja.

Keni peng që nuk ke luajtur ndonjë rol në skenë?

Rolet që kam luajtur kanë qenë të llojeve të ndryshme. Unë mund të mos kem luajtur Hamletin, Mbretin Lir etj., por kam luajtur role të tjera që kanë qenë të ngjashme me këta personazhe. Unë kam një peng tjetër të cilën e kam pasur enigmë edhe sot e kësaj dite e dhe askush nuk më ka dhënë përgjigje. Një aktivizim i ulët dhe i papërfillshëm me filmin. Dhe kur ma bëjnë këtë pyetje unë ngelem pak bosh dhe nuk di të jap përgjigje. Edhe ata që e kanë pasur në dorë për të realizuar nuk më kanë dhënë kurrë një përgjigje. Ndoshta ky mund të jetë një peng. Përsa i përket teatrit kam një mbingopje në aktivizim.

Cili është problemi kryesor i artit sidomos i kinemasë dhe i teatrit shqiptar sot?

Sot ka shumë probleme. Nuk kam shumë informacion për kinematografinë. Por për teatrin është një mungesë e angazhimit të shtetit me artin. Shteti është kryesori. Të bësh art kërkon një standard të shoqërisë, e cila mungon. Ka një mungesë të caktuar infrastrukture kulturore, pa salla, skena, teknikë dhe kabina e aktorëve. Ka edhe probleme të tjera, ku mund të futen të gjithë si shkaktarë; fillojnë që nga përgatitja e kuadrit që fillon që nga shkolla. Unë jam edhe vetë pedagog atje dhe nuk kam qenë ndonjëherë në pozita drejtuese. Këtu duhet të fillojë reforma. Regjisura sot ka probleme. Akoma nuk po krijohet një elitë regjisoriale.

Flitet që ka rënë mësimdhënia dhe kërkesa e llogarisë. Si do të zgjidhet ky problem?

Ky problem do të zgjidhet atëherë kur do të zgjidhen edhe shumë probleme të tjera në vendin tonë të shumëvuajtur. Nuk është i rëndësishëm numri që do të futet atje, por vlera që do të futet. Prindërit në përgjithësi ende kanë mendimin apo dëshirën që fëmijët të bëhen artistë edhe pse nuk kanë prirje. Më përpara konkurronin 500 veta dhe fitonin 10 veta. Tani konkurrojnë 10 veta dhe futen 10 veta. Këtu fillon problematika.

 

Kontrolli politik

Enveri e Mehmeti, furtunë në teatër

Po a vinte në teatër Enver Hoxha apo udhëheqës të tjerë? Ahmet Pasha thotë: “Kanë ardhur shumë anëtarët e Byrosë Politike. Anëtarët e Komitetit Qendror vinin shpesh. Vinin për dy arsye: Së pari se e pëlqenin teatrin dhe vinin në shfaqje jubilare dhe në shfaqje shumë të rëndësishme. Por kishte dhe nga ata që vinin në çaste të caktuara. Kjo ndodhte jo në premiera dhe në shfaqje të zakonshme, por kjo ndodhte në ato provat e përgjithshme që quheshin prova kontrolli. Kontroll për të parë a i plotësonte kriteret ideologjike dhe artistike. Ata thonin mendimet e tyre dhe ndërhynin duke dëmtuar edhe nivelin e shfaqjeve. Ishin edhe pak qesharake kërkesat se si i formulonin kritikën. P.sh kanë arritur deri atje sa thonin se, ky personazh negativ është shumë i fuqishëm prandaj zbuteni këtë që të forcohet personazhi pozitiv. Kjo ndodhte në raste të veçanta. Enveri dhe Mehmeti kanë ardhur disa herë dhe i kanë vlerësuar shfaqjet. Kur nuk i pëlqenin, ata ndërhynin dhe sillnin dëme shumë të mëdha (fatkeqësi) për një shfaqje, por kryesisht për regjisorë dhe aktorë”.

 

Titulli “Artist i Merituar”

Si jeni ndjerë kur keni marrë çmimin Artist i Merituar?

“Titullin e kam marrë në vitin 1990. Jam ndjerë mirë dhe në atë kohë nuk kishte vlera monetare. Dua të theksoj se vetëm në dhënien e çmimeve në atë sistem diktatorial nuk futej miqësia, por puna dhe aftësia. Nuk kam nostalgji, por ajo që është e vërtetë mbetet e tillë. Sot është futur politika në mes edhe në vlerësimin e artistëve. Kjo ndihet që nga emërimet që bëhen. Edhe aktorët në ato vite kanë qenë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Shumë rrallë ishin dy aktorë që ngjanin me njëri-tjetrin”.

Roli i fillimit

“Arturo Ui”, mbetet drama më e spikatur shqiptare

Pasi mbaron studimet, emërohet në Teatrin Popullor. Në atë vit luan në dramën “Arturo Ui” ku në rolet kryesore ishin kolosët e teatrit shqiptar. Por si e ka ndjerë veten aktori i ri përpara tyre? Ahmet Pasha thotë: “Nuk them se ndodhi çudia. Në atë kohë zgjidheshin ndryshe elementët që futeshin në Teatrin Popullor. Një komision bënte përzgjedhjet. Dhe unë kisha dhënë prova, kur isha student në vit të fundit. Pra, në vitin e fundit kemi bërë tre shfaqje të mira që mbahen mend edhe nga bashkëkohësit. “Vajza pa frikë”, “Hijet e natës” e Vadat Kokonës, një dramë e shkruar nga Sherri Mita. Duke parë këto role komisioni në atë kohë mendoi se unë isha i vlefshëm për të ardhur në teatër pasi kishte disa vite që nuk kishte marrë elementë të rinj. Në atë vit erdhën tre studentë dhe filluan punë në Teatrin Kombëtar. Dhe kontakti i parë ka qenë me “Arturo Ui”. Mbaj mend se në datën 2 janar të vitit 1971 menjëherë jam futur në studio dhe regjisori Pirro Mani më ka komunikuar rolin që do të luaja tek “Arturo Ui”. Ka qenë një kontakt improsionues, shokant, sepse ka qenë një shfaqje gjigande ku merrnin pjesë artistë shumë të mëdhenj. Ka qenë Kadri Rroshi, Pjetër Gjoka, Sandër Prosi, Luan Qerimi, Prokop Mima, Violeta Manushi, Drita Pelingu, etj. M’u duk vetja sikur ndodhesha në një uzinë të madhe që prodhonte teatër të bukur dhe të madh, por edhe shumë të vështirë. Në fillim e ndjeva veten shumë të vogël në krahasim me ata që shikoja. Gradualisht fillova të bëhesha më koshient për punën. Ka qenë dashamirësia dhe ndihma e jashtëzakonshme e regjisorit Pirro Mani dhe të gjithë atyre artistëve të mëdhenj që mua më zhveshën nga një lloj sikleti, druajtje dhe fillova gradualisht të ingranohesha në këtë grup të madh por me shumë vlerë. Ky ka qenë një rol i parë, por edhe pse nuk ka qenë rol kryesor mua më ka lënë mbresa shumë të thella sepse më vlerësuan shumë në atë rol. Roli i Flejkut tek “Arturo Ui”, por edhe ata që kisha bërë në akademinë e arteve ma hapën këtë rrugë që unë të shkoja më tutje. Pas këtij roli unë kalova në një rol tjetër tek “Dimri i shkurtër” ku unë kisha rolin kryesor. Ajo ishte një dramë shumë interesantë për kohën. Për atë kohë ishte shumë moderne nga mënyra se si ishte skenari dhe dekori. Por edhe shumë elemente të tjera. Pas kësaj, kam zëvendësuar Kujtim Spahivoglin tek një rol tjetër kryesor tek “Drita” e Lucës, ku unë isha Petriti në rolin kryesor. Dhe kështu erdhën rolet njëri mbas tjetrit. Kam pasur edhe një rol tjetër kryesor që e luaja bashkë me Margarita Xhepën. Isa Boletini për mua mbetet një nga rolet më të mira e më të dashura për vetë faktin, mënyrën, gjetjen, ndjeshmërinë se si ishte shkruar e ndërtuar ai personazh. Në rolet e kësaj natyre edhe përgjegjësia e artistit është shumë e madhe”.

 

Sakrifica

Luanim teatër pasi kishim përcjellë në varreza njerëzit e dashur

Por a ka pasur ndonjë çast të hidhur familjar, ose gëzim dhe ai ka qenë i detyruar të shkonte në skenë? Kësaj pyetje Ahmet Pasha i përgjigjet: “Nuk besoj se ka aktorë që të mos ketë kaluar momente të tilla, që kanë pasur halle të mëdha ose fatkeqësi të mëdha dhe për dy orë ato kanë luajtur në skenë dhe e kanë fshirë atë hall nga kujtesa e tyre. Edhe unë nuk përjashtohem nga raste të tilla si vdekje, sëmundje. Kam qenë i detyruar të luaj pasi kam përcjell në botën e përjetme, nënën time në vitin 1992. Më ka ndodhur pasi kam përcjellë babanë tim. Ka raste edhe më të rënda se sa këto që më ka ndodhur me mua. Ka pasur edhe raste të tjera. Ka pasur edhe nga ata që kanë lënë njerëzit të vdekur në shtëpi dhe kanë ardhur dhe kanë luajtur në skenë. Roland Trebicka la babanë dhe erdhi dhe luajti komedi. Prokop Mima la nënën të vdekur në shpi dhe erdhi dhe luajti në teatër”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora