E enjte, 25.04.2024, 04:31 AM (GMT+1)

Editorial

Agim Shehu: Mohuesit e kombit - tradhtarë të atdheut

E marte, 15.03.2011, 09:00 PM


MOHUESIT E KOMBIT - TRADHËTARË TË ATDHEUT

 

Nga Agim Shehu

 

            Me regjistrim edhe të fesë e kombësisë Shqipëria ndodhet përballë shpërbërjes së shkallëzuar si komb. Nga lëshimet e çudiçme që qeveritë i kanë bërë Greqisë, Jugu i vëndit është kthyer në arkivol të cilës i mungon vetëm kapaku - ky regjistrim ogurzi. Është një përmbytje ku përroit të zi prita mund t’i bëhet lart, atje ku njeriu e ka ende në dorë, jo te derdhja ku e ka në dorë deti (Athina). Kësaj po i rritet ankthi ngaqë kundër kurthit të saj po ngrihet gjithënjë e më shumë zemërimi popullor i shqiptarëve; aq më tepër kur ky zemërim po pushton rininë. Për këtë veglat greke të kurdisura nga «nëna» e tyre po e shtojnë zërin gjer në shqetësime histerizmi. Dëgjuam dhe thirrjen e çudiçme gjer me tone paralajmërimi që Z. Dule i bën Presidentit tonë, për ta frenuar Z. Kreshnik Spahiu si n/Kryetar i KLD që të mos e pengojë këtë regjistrim se do ketë pasoja! Kurse Z. Spahiu në mënyrë të veçantë po i bën një shërbim të tillë Shqipërisë sa do mbetet në kujtesën historike të Atdheut, ashtu si figura kombëtare Z. Myslim Pasha.

Athina shpall se do na çojë në Europë me kulturë demokratike ligjore dhe «harron» se qytetarët, edhe Presidenti veprojnë sipas ligjit, jo me urdhëra komanduese diktature. E njëjta sjellje: Gjykata Kushtetuese me aktin e paharrueshëm historik e kombëtar dha vendim të prerë për çështjen e ujrave detare, kurse Greqia vazhdon ende pazaret në kulisa duke dalë mbi Kushtetutën, se ajo mund të shkelet nga ekzekutivi! «E para Perëndia, e dyta Kushtetuta» vlerësonte Hegeli, por kjo s’hyn në veshin zyrtar grek.  

        Na thonë se këtë regjistrim e kërkon Europa kur shumica dërmuese e shteteve të Europës nuk e bëjnë këtë regjistrim e megjithatë rrinë të nderuara në BE! Për kushtet e Shqipërisë sot, nëse ka një shtet që nuk e bën regjistrimin me fe e kombësi, ky shtet duhet të jetë Shqipëria. E pranojmë një çast, shqiptarët kanë të drejtë të regjistrohen dhe grekë! Natyrshëm, duhet ta kenë këtë të drejtë dhe për t’u kthyer një ditë në shqiptarë. Mirëpo Greqia s’e zbaton këtë për vete kështuqë si e njëanëshme dhe e gjymtuar, s’mund të bëhet. Dijetari universal i së Drejtës, Monteskjë këshillonte: «Ligjëvënësit nuk duhet të ndryshojnë frymën e përgjithëshme të një kombi». Kjo u takon dhe deputetëve tanë vulëshuar që me lejimin e këtij regjistrimi janë më keq se varrmihësit. Varrëmihësit varrosin të vdekurit, kurse këta varrosin të gjallët.

Është lojë e gjatë e fqinjit mosmirënjohës që ka mënd aq sa të mos verë mënd duke mbetur në fantazmën e «Idesë së Madhe»! Posa mori Epirin shqiptar të Jugut Venizellosi nguli sy nga Epiri i Veriut e shpalli se «kombësia është çështje ndërgjegjeje». Shpallën teorinë vetëm për Shqipërinë se «çdo ortodoks është grek» (pohim i thënies së lashtë «Ujku sulmon me dhëmbë, demi me brirë, greku me kishë)». Që më 1912 Konica i shkruan mikut të tij, Pashko Bardhi: «Dua të vizitoj Greqinë por kam frikë se do kërkojnë të më bëjnë grek»! Athina kërkonte dhe Korçën e atdhetari i nderuar Dr. Turtulli i foli Konferencës së Paqes në Paris (si t’i fliste dhe konsullit grek në Korçë sot) fjalët e pa harrueshme: «Unë jam prej Korçe ku kam ushtruar mjekësinë. Jam një burrë plak e i ndershëm. Unë shpall këtu në mënyrë të prerë se nuk ka asnjë banor grek as në qytet, as në rrethin e Korçës. Grekët quajnë grekë ata të fesë ortodokse. Unë jam ortodoks po nuk jam grek.  Bullgarët e serbët janë ortodoksë po nuk janë grekë. Epiri nuk ka qënë pjesë e Greqisë»…Megjithatë Athina vazhdon si dje-sot. E tërhoqën konsullin sa të shuhej zemërimi i shqiptarëve, dhe e sollën përsëri (dëshmi se strategjia e tyre nuk ndryshon). E keqja është se diplomacia jonë mashtron popullin e vet kur tha se Athina na siguroi që deklarata qe private; kurse Athina foli qartë: «Mos e zmadhoni atë», dmth ajo është e saktë, Korça është helene e kjo s’është gjë, pse e zmadhoni! Kryetari i Bashkisë së Moskës, Ljuzhkin, i dyti për nga fuqia në Rusi, tha se Krimeja është ruse, e Qeveria ukrainase e  Jushçenkos e shpalli menjëherë «non grata» (të mos hynte kurrë në Ukrainë). Ai u tërhoq e kërkoi falje. Ndryshe me fqinjin tonë. Dijetari francez Laurenc Dyrel thotë: «Kujtesa e Greqisë vjetërohet më pak se një sekondë në një shekull». 

            Kryqëzatës bizantine për t’i kthyer shqiptarët në grekë Rilindasit tanë të mëdhenj iu kundërvunë me tërë energjinë dhe shqetësimin kombëtar. Meqë fqinji vazhdon praktikën e kaluar, është me vënd të përsërisim dhe ne mësimet e kaluara të të parëve. Në krenarinë dhe mbrojtjen e Atdheut, si pohim kulmor gati i shenjtë qëndrojnë vargjet madhështore të Naimit «Ti, Shqipëri më jep nder, më ep emrin Shqipëtar…» Duke parë se shumë shqiptarë nëpër botë ndëronin kombësinë për mbijetesë, Naimi sado i butë shkruan: «Buk’ e Mëmëdheut zëntë/ tradhëtorët e pabesë/…Lanë zonjën e nderuar/ e zunë një kurvë shtrigë»! Samiu si dijetar, më shtruar: «Kombi shqiptar s’është për të ardhur turp, po është nder i madh». E më tej  me një pikëllim të thellë njerëzor e kombëtar: «Sa i madh turp kur një shqiptar në dejt e të cilit lëvrin gjaku i Skënderbeut e i shokëve të tij të poshtojë kombin e gjuhën e mëmës së tij!..I madh turp për Shqipërinë të ketë pjellë të këtillë djem»! Vazhdon më tej: «Ashtu si nuk jemi dhe as nuk duam të jemi turq, po ashtu do luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do kërkonte të na bënte sllavë, austriakë apo grekë!..Ai shqiptar që lë vëllain e tij e ndahet nga shqiptarët për t’u bashkuar me armiqtë e Shqipërisë duke hequr dorë prej bese e kombësie, ai është tradhëtar». Për tjetërsimin e kombit qoftë dhe për mbijetesë Çajupi, pasi fajëson priftërinj e hoxhë shprehej: «Fajin më të madh e kanë ata shqiptarë që besojnë të huajtë e shiten duke kërkuar të shesin dhe Shqipërinë». 

            Naum Veqilharxhi i shkruan nipit me tru të tymosur nga Kisha greke: «Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, domethënë prindërit e tij, farefisin e tij, bashkëkombasit e tij, miqtë e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shënjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar këto gjetkë ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës. Atë që këshillon gjëra të tilla, nuk di në ç’kategori ta vendos»! Anastas Kullurioti në gazetën e tij «Zëri i Shqipërisë» në Athinë u drejtohet shqiptarëve të mashtruar, e po ashtu qeverisë greke: «Kombet nuk janë insekte që heqin dorë dhe braktisin kombësinë, gjuhën, zakonet e traditat e tyre aq kollaj, si gjarpëri që ndëron lëkurën e tij» (pas persekutimesh, kisha greke e helmoi). Arbërori tjetër Aristidh Kola: «Ne i kemi qorruar sytë me duart tona duke e humbur identitetin kombëtar arbëror!..Të luftojmë që të mos këputet populli nga rrënjët e veta»!

Përçarja e shqiptarëve lehtësonte tjetërsimin e kombësisë. Për këtë Vaso Pasha u drejtohet bashkëkombasve me sarkazëm tronditëse: «Ca thonë ‘kam fe’, ca thonë - kam din,/ njeni-jam turk, tjetri latin/, do thonë - jam grek, shkje ca të tjerë…/Por jemi vllazën t’gjithë mor të mjerë»! Të keqen kryesore ai e sheh te ndërhyrja e të huajve (të llojit Gejxh, Janullatos a konsull grek), dhe gjykonte si dhe për sot: «Vjen njeri i huej ju rri në votër/ me ju turpnue me grue, me motër/. E për do pare që do t’fitoni/ atdhen’ e t’parve po e harroni»! Tjetërsimi i shqiptarëve është hapi i parë i tjetërsimit të trojeve e për rilindasit kjo qe ulërimë. Jani Vreto, atdhetari i ndritur ortodoks shkroi ironik: «Na thonë - ‘Vrisni mëmënë që u polli se është e shëmtuar edhe kini si mëmë këtë tënënë që është e bukur! Ju jeni helenë» (!)

            I lodhur nga mosha dhe shqetësimet e Atdheut De Rada do t’u drejtohej bashkëkombasve: «Deri sa të jem në botën e të gjallëve, më qëndroni afër e më përkrahni gjithë ju që e keni për nder emrin Shqiptar»! I varfëruar sa shiti vreshtat të botonte veprat, tha: «Dhe sikur të më falin botën, ne nuk u shërbejmë interesave të të huajve në dëm të kombit, bij të të cilit jemi». Për të kombi qe i shenjtë e njësohej me gjakun. Prishja e kombit qe si prishja e gjakut, baraz me vdekje si të njeriut dhe të Atdheut. Shqiptarët nëpër botë ai i shihte si prishje të kombit e për kombin e prishur gjykonte «Gjaku ynë i shprishur»! Duke njësuar kombin e gjakun, tek jepte shpirt foli me zë atdhetari e shenjtori: «Gjaku ynë shqiptar po del, gjaku ynë shqiptar po derdhet». Pra kombi është dhe gjaku, dhe shpirti. Studjuesi zviceran Urs Altermat vlerëson: «Kombi është një shpirt, një princip modern. Ashtu si vetë njeriu, kombi është pika përmbyllëse e një të kaluare të gjatë përpjekjesh, mundimesh e therorish». Shqiptari thotë me përulje ndaj gjakut si ndaj Perëndisë: «Gjaku nuk bëhet ujë», dmth nuk tjetërsohet, e as shëmbëlltyra e tij, kombi nuk tjetërsohet. T’i thuash njeriut «zgjidhe vetë kombin» është si t’i thuash «zgjidhe vetë seksin e vendos vetë në je burrë apo grua»!

            Noli mëson: «T’i japim popullit të kuptojë, që njeriu të ketë cilëndo fe që ka gjetur prej stërgjyshërve dhe i pëlqen; por ai s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi e ta luftojë të tijnë pa vënë në ballë një vulë të madhe prej tradhëtari». Më tej pohon me stilin madhështor nolian: «Ne jemi shqiptarë dhe kemi detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe, stoli e maleve të larta dhe të qiellit»! Fishta, me dhimbje vëllezërish që shumë ortodoksë gënjeheshin si sot, gjykoi: «Ç’është e vërteta edhe katolikët e myslimanët kanë gabime, por jo faje si ato të ortodoksëve ku aq lehtë krerët e tyre janë bërë vegla të kishës famëkeqe greke…Njeriu mund të ketë çfarëdo fe të trashëguar, po nuk mund të kalojë në kombësi tjetër e të mohojë të vetën, pasi po ta bante këtë veprim do t’i vinte vetes në ballë vulën e tradhtisë».

            Petro Nini Luarasi gjykon me gjuhën e vet tërë xixa: «Kisha e madhe së pari djeg librat shqipe për t’i grekëzuar shqiptarët, domethënë ata të futen nga kanë dalë, pastaj të rilinden të ndryshuar nga shqiptarë në grekë. Grekomanët të qërohen, ndryshe do na bëjnë shumë të liga të tjera»! Konica këtu shpërthen me zemërim e sarkazmë: «Kërkojmë të jetojë kombi ynë me gjuhën e tij, me mendime e me nder të tij, andaj ata që janë zuzarë, shpirtrobër e bij kurvash le të mbajnë me anët e tjera»! Tepër mbresëlënëse fjalët e Viktor Eftimiut nga Boboshtica që jetonte në Rumani: «Jam rrënjë lisi e shkulur që tok me veten merr dhe plisin e dheut të vëndlindjes. Në dejt e mi rjedh gjak shqiptar e për këtë jam krenar…Në mërgim shqiptari është një shqiponjë me dy krerë, njera sheh me përmallim nga vëndlindja, tjetra sheh nga nevoja për jetesë». Me dhëmshuri tronditëse u drejtohet bashkëkombasve atdhetari arbëresh At Anton Belushi: «Vëllezër shqiptarë kudo jeni e kudo që punoni, mos e harroni rrënjën shqiptare, Kombin e Shqipërisë, besën, nderën, burrërinë e Skënderbeut, ndjenjat  dhe veprimtarinë humanitare e shpirtërore të Nënë Terezës»! Arbëreshi tjetër Terenc Toçi, po aq bukur: «Unë s’jam i krishterë; s’jam mysliman e nuk i jap leje askujt të më pyesë se i çfarë feje jam pasi feja më përket mua, robve të mi e të parëve të fesë sime. Popullit unë i them - jam Shqiptar e të mos më lypin më tepër» (u pushkatua nga shteti komunist).

Në mbrojtjen e kombësisë ndodh dhe kështu: Patriotin Hazir Aliu deshën ta bënin sllav e ky u përgjegj me ironi trimi: «Ç’thotë ky?! Thuej këtij qenbirqeni, a bahet ky m…»!?  At Anton Harapi para pushkatimit edhe vdekjes i dha shërbim kombëtar: «Me vdekjen time trupi im do t’i shtojë Atdheut edhe nji rranjë Shqipnie nën dhè. Rrnoftë Shqypnia edhe pa mue!» Mid’had Frashëri këshillonte: «Bëjmë sikur harrojmë se Shqipëria është shtëpia jonë dhe që ne vetë do ta ndreqim e do ta vemë jashtë valëve të shtërngatës…Ideali kombëtar do na japë hov edhe për lumturinë materiale». Një dëshmi që i flet bindshëm të sotmes nga e kaluara: Më 1900 Klubi ‘Drita’ i Bukureshtit me 200 antarë (ortodoksë) shpallte për qeverinë Osmane: «Në Letërnjoftimet e shqiptarëve të mos përmëndet feja» (për kombësinë as që bëhej fjalë).

             Mohimi i kombit paska përfshirë dhe Shkodrën: shqiptarët e një prej vatrave mijëvjeçare më të ndritura ilire regjistrohen sllavë!? Dramatike dhe e pabesueshme e, si askurrë në histori, kjo ndodh në ‘demokraci’!? Diktatura fabrikoi ‘njeriun e ri-revolucionar’ e, me habi të dhimbëshme, në ‘demokraci’ nga ky njeri revolucionar u krijua «populli tradhëtar» - mijra vetë turren të mohojnë të jenë shqiptarë! Në çdo vënd të botës kjo gjëndje do të shpallej «Atdheu në rrezik»! Sipas porosisë së Kenedit se «gabimet e brendëshme na pengojnë, të jashtmet na shkatërrojnë», partitë tona para se t’i thonë me radhë shoqja shoqes si partiakë «Ik ti e Ik ai», të thonë me zërin e përbashkët shqiptar: «Konsull grek, ik!…Janullatos-ik! Varreza greke e shkolla greke - shporruni!». Grekomani mund të na shajë si armiq kulture(!) Mirëpo Konsulli thirri që të shihen mbishkrimet mbi varre, dëshmi që Korça është helene(!) Vazhdon përsëritja e së kaluarës. Lidhja e Kombeve dikur shpalli e miratoi: «Meqë greqishtja është përdorë për propagandë politike e cila synon shkëputjen e Shqipërisë së Jugut, qeveria shqiptare vendosi që mësimi të bëhet frengjisht».    

            Ata që ndërrojnë kombin kanë fajin e tyre, por në tërësi më tepër se fajtorë janë fatkeqë (Konica gjykonte me kohë: «Kur një popull është i pasur kombësia mbahet e tërë, e fortë, e lirë»). Lypsari në hall kapet lehtë për lecke për ta tërhequr tek sheh bukën e ditës. Kam bindje se shumicës që regjistrohen ‘grekë’ as u shkon në mëndje rreziku kombëtar i asaj që bëjnë. Për më tej ata shohin se qeveritë e tyre i kanë bërë aq shumë lëshime Greqisë (dihen pa u numuruar), sa u duket se ndërimi i kombësisë nuk është më i madh nga shitja e Atdheut! Sigurisht mbetet shqetësim këmbëngulja agresive e fqinjit. Duhet të të shqetësojë edhe më shumë fakti që, siç e gjykon me kohë Fishta, zyrtarët në pushtet «kanë idenë e Qeverisë por jo të Atdheut».

         Këtu hyn dhe përgjigja për pyetjen e Z. Mosiu: «ç’janë këto regjistrime antikushtetuese, kush i organizon këto»!? Si përgjigje e parë, organizator i parë është dhe ai që pasi shpalli botërisht se «Qeveria ime s’është qeveri kombëtare» u dekorua prej tij me Urdhërin e Skënderbeut (F. Nano). Dhe Janullatos, po me Urdhërin ‘Skënderbeu’ (i shkreti Skënderbe, osmanët i morën eshtrat për hajmali, grekomanët i marrin emrin për tapi)! Për etikë, nuk do të doja të merresha me emra, por para tragjedisë që këta ‘emra’ i sjellin Atdheut duhet folur hapur. Pasuesve të tij Janullatos u kujtoi një mendim të saktë për Vorio-Epirin: «Sot nuk është koha e andartëve»! Diplomati i njohur italian Renco Falaski ka publikuar një dorëshkrim arkivor tepër domethënës: «Ministrisë së Punëve të Jashtme. R. 2333 sekret. Zona e Luftës, 15 mars 1919» (vihet dhe një Letër që një avokat gjinokastrit i dërgon Konsullit amerikan Emerson Haven): «Në Janinë është formuar një trup bandash të parregullta që grekët i quajnë andartë…Për pushtimin e krahinës së Gjinokastrës këtë detyrë e ka si komandant kapiteni Pollo (Themistokli». Për arësye të kohës, plani i tij me armë dështoi. Tani nipi i tij me detyrë të lartë shteti zbaton ëndërën e gjyshit duke mbajtur në vënd të armëve prej andarti nga jashtë, fletë votimi prej zyrtari nga brënda!

 Kongresi i Vorio-Epirit në Athinë më 17-18 nëntor 1992 e i miratuar zyrtarisht e shpreh hapur: «Regjistrimet të bëhen me lista të rregullta e dokumente që kanë vulë shqiptare. Këto do i paraqesim në forumet ndërkombëtare si fakt të kryer të pranisë maksimale të grekëve në Shqipëri, që në Vorio-Epir jetojnë 500.000 grekë dhe autoritetet shqiptare nuk mund të mbahen më…Forcat progreke janë të mëdha dhe në qeverinë shqiptare». Lexo dhe website www.hellas. org: «Epiri i Veriut është Atdhe i 250000 helenëve…Me një referendum të kryhet bashkimi i Epirit të Veriut me Greqinë». Vite më parë N. Gejxh thirri: «Qipron e Veriut e humbëm përfundimisht. Të gjitha energjitë për Vorio-Epirin». Konsulli grek në pamje hamalli që ngarkon qymyr ia përsëriti thirrjen luftarake: «Mos keni frikë nga beteja! Pas regjistrimit nis beteja jonë»!

Këto nuk janë zëra «qarqesh të caktuara» kur rjedhin që nga qeveria! Në qershor 1960 kryeministri J. Papandreu thirri zyrtarisht: «Ajo që duhet të ketë parasysh çdo Qeveri greke është se problemi i Vorio-Epirit mbetet i hapur...Kërkesa jonë për Vorio-Epirin është e shenjtë dhe e paparashkrueshme». Athina kërkon vetëm ‘pikat’, se vijën Venizellos (Himarë-Këlcyrë-Korçë) di ta verë vetë duke ngulur kryqe e varreza të saj. Ajo e di se atë që bën Greqia sot shqiptari e mendon mot. Ajo bën genocid të heshtur mbi shqiptarët e Europa zyrtare hesht. Dikur, Komisioni hetues i Lidhjes së Kombeve me këmbënguljen e Mid’hat Frashërit vendosi: «Çdo program ndihmash për Shqipërinë të zbatohet nga një organizmë ndërkombëtare ku të mos marrin pjesë shtete që kanë interesa drejtpërdrejt në Shqipëri». Sot Europa zyrtare na vë si dado-nikoqire Greqinë edhe pse mban Gjëndjen e Luftës (!) e me ndihmat e marra për Shqipërinë shkatërron Shqipërinë! Asnjë vënd tjetër s’u ndryshon fe e kombësi shqiptarëve, veç Greqia! Asnjë emigracioni tjetër qoftë Afrikë a Azi nuk detyrohet të ndryshojë emër a kombësi veç shqiptarët. Asnjë krahine tjetër veç Shqipërisë së Jugut në tërësi nuk i jepet pension me kushtëzim të regjistrimit ‘vorio-epir’. Dostojevski gjykonte: «Kombi është udha që të shpie te Perëndia». Grekët thonë të kundërtën: «Ju mund të kaloni në Europë vetëm nga Greqia»! Ta zemë, Shqipëria s’i lejonte varrezat greke e për këtë Athina do na bllokonte për NATO-n. Antarët e saj, veçanërisht SHBA do t’i kërkonin arësyen. A do guxonte Greqia të çfajsohej: «Jam kundër se shqiptarët nuk pranojnë të varros ushtarët e mi në tokën e tyre»!? Athina e mënçur s’do e bënte këtë bllokim pasi e dinte se do çkuleshin gazi me të nga Brukseli në Uashington e do humbiste më shumë se do fitonte. Por ajo e di se qeveria në Tiranë do ta hante kërcënimin, pasi ajo e donte këtë kërcënim për të gënjyer popullin: «S’kisha ç’bëja, duhet të gëzojmë që do do hyjmë në NATO»…etj. Kurse para popullit të vet Athina zyrtare «Vorio-Epirin» e vë gjethe fiku për të mbuluar vëndin e turpit ku e ka katandisur veten pa dëshirën e fqinjit fisnik.

       Deklarata e OKB-së thotë për antarët e saj që «Të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës kundër tërësisë tokësore apo pavarësisë politike të çdo shteti». Greqia në të kundërt, dhe për shtyrjen e regjistrimit lëshoi kërcënimin e radhës si afendikoi shërbëtorit: «Nuk do futeni në BE», kurse me Paktin e Lisbonës pranimi në BE tanimë bëhet me shumicë vote, jo me veto! Pa na u shfaqur ende mirë një afrim me BE-në, në Tiranë do zbresë si taksidar një zyrtar Athine për të na kërkuar taksën, ndryshe ajo s’na hap udhë (të kujton përrallën e kuçedrës që banorëve të etur u kish zënë kroin). Ajo le të bëjë ç’të dojë me pakicën e saj për vetëpohim në fe e kombësi, por me ç’të drejtë ndërhyn si padron se ç’duhet të bëjë shteti shqiptar me kombasit e vet!? Kërcënimi më flagrant - kur do bëhej mesha për shqiptarin e ndjerë Guma, shpallën se në cep të Korfuzit rrinte e gatëshme flota e tyre që të ndërhynte nëse dikush do shqetësonte Himarën ‘greke’! A ka sy e veshë BE-ja, që një anëtar i saj i shkel Deklaratën e vet duke kërcënuar kështu fqinjin e pafaj?!

Me lëshimet që i bëhen Athinës Shqipëria do vejë në Europë si Peshku i Hemingueit te Plaku dhe Deti, vetëm me skeletin pasi mishin po ia hanë njeri pas tjetrit peshkaqenët ‘ortodoksë’ greko - sllavë! Thonë se sot janë mbi 300 mijë grekë, pastaj 500 mijë, pastaj 250 mijë…llogari si në treg akshami («grekët janë gjithmonë çiliminj» thotë Euripidi i tyre). Më 1991 delegati i Omonias shpall nga Amerika se në Shqipëri ka 300 mijë (10 %) grekë. Gazeta  Potiki më 13 shtator 1991 shkruan: «Minoritetit i pritet rruga të përfaqësohet në Parlamentin shqiptar se do ta ketë të pamundur të kapërcejë kufirin 3 % » (sa popullsia e vet). Vjedhësit e popullsisë ngatërrohen në këmbët e shoshokut duke përsëritur këngën e dashur të tyre: «Jallasè me, na se jello, na pername to qero» (gënjemë të të gënjej, të shkojmë kohën»!

Qeveritë e partitë le të rrotullohen si të duan, por shqiptarët duan më shumë të mbeten shqiptarë në Shqipëri se të venë si grekë në BE. Naimi shkroi në greqisht poemën «Dëshira e vërtetë e Shqiptarëve» ku thërret me zë Prometeu: «Nëse ne do të humbisnim Atdheun e dashur tonin/, Qielli le të përmbyset, me të edhe Perënditë». Vaso Pasha plotëson: «Ne do pranonim ta quanim Shqipërinë të vdekur se ta shihnim të coptuar te fqinjët».  

 Kundër kërkesave në vazhdimësi, Mbreti Zog i tha Athinës: «Edhe po të të jap këtë, ti do më kërkosh prapë të tjera. Ahere as këtë s’ta jap»! E në mërgim: «Nëse Greqia e Jugosllavia nuk bëjnë deklarata paraprake për tërësinë e Shqipërisë e kjo të sigurohet nga SHBA dhe Anglia, më mirë të rrinë atje komunistët se të humbim pavarësinë e vendit duke patur një Shqipëri pa komunistë po të coptuar nga grekët e jugosllavët». Te libri «Dinajt e Dibrës» të të ndjerit Lazër Radi tregohet se në nëntor ’44 Fiqiri Dine u largua përmes Greqisë. Duke ia çmuar emrin, Greqia i premtoi që do ta vinte në krye të Shqipërisë demokratike europiane, mjafton të firmoste për Vorio-Epirin grek! E torturuan e dhe në qeli u tha me zë Dibre: «Më mirë një Shqipëri e plotë me komunistë në fuqi, se ‘demokratike’ pa Jugun e saj»! Një gazetar me virus grek në çdo qelizë e me logjikë për ta vajtuar s’lodhet duke lehur se «kundërshtimi i këtij regjistrimi është kundërshtim për BE…se me hyrjen në BE s’kanë rëndësi kufijtë…se kush pengon Janullatosin, pengon integrimin…»! Kur s’kanë rëndësi kufijtë, ç’është kjo etje greke për t’u zgjeruar gjer te Perandoria Bizantine!? Hegeli i madh thoshte «Të bashkohemi duke qënë të ndarë». Dijetari Alttermat sqaron bukur: «Evropa e sotme e bashkuar mund të jetojë vetëm me sovranitete të ndara. Liria e secilit është po aq e rëndësishme sa dhe bashkimi; ylberi nuk ndahet pa u prishur; elektroni në atom ka jetë në prani të bërthamës, megjithatë ruan orbitën e tij». Për fundërina që lehin pa përgjegjësi kundër atdheut të tyre e që do mbeten plehra historie këshillon: «Në jetën e popujve si në jetën e natyrës ka dhe parazitë; nga kjo lind nevoja që me të tillët duhet sjellur si me çimkat e morrat». 

Në Kushtetutë thuhet ‘Pakicat kanë të drejtë të pohojnë vullnetarisht kombësinë e tyre’. Domethënë vetëm pakicat, e këto pakica merren si të qëna shkencërisht e zyrtarisht! Konventa e Minoriteteve etnike, neni 3 përcakton prerë: «Çdo njeri që i takon një minoriteti etnik ka të drejtë të zgjedhë lirisht nëse do a jo të jetë i tillë (minoritar)». E më tej, më qartë: «Ky nen nuk do të thotë se një njeri ka të drejtë të zgjedhë arbitrarisht përkatësinë e një minoriteti etnik…Zgjedhja subjektive e çdo njeriu është domosdo e lidhur me kriteret objektive që i përkasin identitetit të personit». Po ashtu, si në tërë vëndet demokratike dhe në Kushtetutën shqiptare si kudo në BE shënohet ‘shtetësia’ jo kombësia. Z. President publikon «marëdhënie shumë të mira me barazi të ndërsjelltë» me Athinën. (‘Ashtu qoftë’ thoshte në ngjashmëri Abdyl Frashëri, ‘veç është pak e besueshme që qengji të puthet me ujkun’).  Le ta pranojmë, e nëse Greqia s’e bën këtë regjistrim, edhe ne nuk duhet ta bëjmë. Ligji 1363 i saj qysh më 1938 përcakton se «kush ndërron fe dënohet me burg». Sipas barazisë së ndërsjelltë me fqinjin, edhe ne duhet t’i dënojmë me burg ata që ndërojnë fe, aq më tepër me dyfish burg ata që ndërojnë kombësi. Shërbëtorët e Athinës mes nesh thonë se Elladha e tyre s’ka nevojë për regjistrim pasi u ka vënë rregull me kohë. Përkundër, ajo ka nevojë si askush për regjistrim pasi duke mos njohur minoritetet vazhdon i shtyp pa mëshirë të drejtat e tyre, aq më tepër miliona arbërorë e çamë ortodoksë. Nëse në Shqipëri duan të bëjnë regjistrim edhe me prani greke, shteti shqiptar duhet të kërkojë të njejtën gjë nga ‘aleati strategjik me barazi të ndërsjelltë’: të bëhet i njejti regjistrim dhe në Greqi me prani të përfaqësuesve çamë dhe të shtetit shqiptar! Nëse ata regjistrojnë prona të paqëna, të regjistrojë dhe shteti shqiptar qindra mijë hektarë prona shqiptarësh. Kur partitë tona këto shqetësime s’i vlerësojnë, ahere buzët na mërmërijnë fjalët atdhetare e hyjnore të Gjeçovit: «O i bukuri i Qiellit, të lutem mos ma qit në harresë atdheun tim e atdhetarët e mi! Shtrije dorën e fuqishme mbi ta e nëse u kërcënohet ndonjë yll i pafat, dili zot e mos m’i len m’u marrun nëpër kambë»! Historia mijëvjeçare me pushtime të pandërprera ka dëshmuar gjithashtu gjykimin e Nolit: «Shqiptari ka 909 shpirtëra». Konica shton: «Nëse ne mashtrohemi, instikti i kombit do ta gjejë vetiu udhën më të drejtë që kërkon interesi i kombit…Të përpiqemi me tërë forcat t’i shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët, të duan Shqipërinë e jo t’i hyjnë në qejf këtij apo atij shqiptari qoftë ai dhe Pirroja». Në fund të fundit, Pollua me shokë të tij nuk ka faj. Ai s’është shqiptar e nuk i dhimbset kombi i shqiptarëve për ta nxjerrë në treg. Po të gërvisësh pak shumë zyrtarë e politikë tanët sot, nga nënlëkura do dalë fytyra e të parëve të tyre në shërbim të të huajve «Çdo njeri ecën në rjedhën e gjakut të vet» thoshte Barleti.

Një nga arësyet e dramës shqiptare është se që me shtetin komunist u pre tradita që fatet e Shqipërisë t’u besohen bijve të sprovuar atdhetarë me rrënjë e degë të të parëve. Pas Luftës I Botërore kur Shqipëria mbetej prapë e rrezikuar prej shovenëve, Lidhja e Kombeve më 6 prill 1923 udhëzoi: «I duhet bërë thirrje me të madhe patriotizmit të shqiptarëve nëse ata duan të zhvillojnë një lartësi qytetërimi që kërkon shteti modern» (pra, fati dhe qytetërimi modern i atdheut - në dorë të atdhetarëve). Dule, Barka, Kserë e të tjerë aleatë nga të dy anët e shqiptarëve u dashkan duartrokitur se «do na e bëjnë ‘moderne’ Shqipërinë duke bashkuar Korçën me Greqinë»! Z. Dule foli shkoqur (ndoshta dhe i shpëtoi) kur u pyet nëse Shqipëria është shtet unitar, jo multietnik: «Këtë do e dëshmojë regjistrimi»! Hapët fare qëllimi: Shqipëria ashtu si Kosova të bëhen ‘multietnike’ dhe njëra të shkojë në Europë nga Beogradi, tjetra nga Athina. Z. Dule doli më hapur: «Nëna Greqi ende nuk ia ka kthyer borxhet Korçës për helenizimin e saj». Sot helenizimi është greqizimi i mbuluar me vello të bukur antike si nepërka veshur në lëkurë me lule. Sot nuk ka më helenizëm. Atë e mbyti lindja e ortodoksisë dhe e varrosi sundimi bizantin. Me planet që shfaq, ‘Helenizmi’ sot është një fantazmë ku shkrihet racizmi nazist me popullizmin komunist. E thotë qartë Enciklopedia greke Pirsus: «Helenizëm është prania kudo e grekëve, e racës dhe e jetës së tyre». Më tej studjuesi A. Papadhopullos: «Dy shtyllat e helenizmit janë kisha dhe shkolla greke» (ato që kanë mbuluar Shqipërinë e Jugut). Asgjë për të vërtetën e helenizmit të lashtë - artet, filozofia, humanizmi. Perikliu i artë helen thoshte: «Mirëqënia vetjake çduket nëse çduket Atdheu…T’u lëmë nipërve lavdi të barabartë me atë që ne trashëguam» (sot grekët duan dhe atdheun e fqinjit)! Babai i Historisë, Herodoti udhëzonte: «Të shkruajmë jo vetëm historinë tonë por dhe bëmat e bujëshme të ‘barbarëve’»! (‘barbarë’ qenë sidomos fqinjët maqedonë, epirotë e ilirë). Dhe më qartë Plutarku i tyre: «Ah, këta Yllirët! Ky popull i mrekullueshëm e i mistershëm i cili, ngado që shkoi në Europë ndërtoi qytete e shtete në nder të fitoreve të tyre të mëdha»!

Sot asnjë vazhdimësi drite nga e kaluara, e këtë e pohon dhe dijetari Filip Sherard: «Greqia nuk ka pasur Mesjetë siç e kuptojmë ne, as epokë iluminizmi. Atje nuk ka ndodhur rritja dhe ngritja e arësyes mbi jetën». Edhe më thellë i gjykon Monteskjë: «Pasi fryma prej çilimiu u qe kthyer në karakter të kombit, s’u pa më urtësi njerëzore. Hipokrizia e përgjithëshme dërmoi kurajon dhe përligu nervin e gjithë Perandorisë Bizantine».

Kurse shteti grek për të fshehur qëllimet e sotme vishet me ‘helenizëm’ jashtë kohe si në stinë karnavalesh aq sa në nenin 3 të Kushtetutës thonë: «Helenët janë të barabartë para ligjit». Neni 12: «Helenët kanë të drejtë të formojnë bashkime personash e shoqatash». Neni 16: «Arsimi synon edukimin moral, kulturor, profesional e fizik të helenëve» (kudo vetëm helenët). Sipas ‘barazisë së ndërsjelltë’ shqiptarët kanë të drejtë t’u marrin shembull, e kjo dhe me gjykimin e të huajve. Diplomati anglez Lik që më 1802 përcaktonte: «Shqiptarët ilirë shtrihen gjer në Gjirin e Ambrakisë si ‘Illyrian Nation’». Teologu gjerman Robert Huber i shkruante Princ Vidit: «Europa bën mirë që e vlerëson kulturën antike e me këtë i ka ndihur Greqisë të kthehet në skenën historike qoftë dhe si surrogat i modelit të dikurshëm. Por Europa do bënte edhe më mirë që ngjashëm të vepronte dhe me shqiptarët, fqinjët e grekëve meqë, siç thoshte Hahni, ata janë përfaqësues tipik të qytetërimit antik dhe faktor i pakapërcyeshëm». Edhe më saktë historiani A. Galanth: «Populli shqiptar është i vetmi mes popujve trako-ilirë që diti të ruajë gjuhën e stërgjyshërve të tij të lashtë…Si përfundim, shqiptarët mund të quhen neo-ilirë ashtu si grekët neo-helenë e italianët, francezët e spanjollët neo-latinë».

Si fituan Pavarësinë me ndihmën vendimtare të shqiptarëve, kreu i tyre, Dhimitër Ipsilanti u drejtohej kapedanëve të Shqipërisë së Jugut mes të tjerash: «Ju drejtohem juve, o burra të Toskërisë…ju jeni pasardhës të stërgjyshërve tanë dhe heronjtë e vërtetë të ditëve tona. Ju qëndruat pranë nesh në betejat për liri, ndaj ne ju quajmë vëllezërit tanë »…Sot bijve hallemëdhenj të këtyre kapedanëve u kanë vënë Operacionin «Fshesa» thua se janë krimba e pleshta për t’u fshirë. Në parada zyrtare thërresin «…S’bëhet ‘grek’ qeni shqiptar»! Pse i duan ahere shqiptarët për grekë, veç për të mbushur masën ‘Vorio-Epir’ ? Mbi gjumin e përkohshëm të shqiptarëve të lodhur A. Kullurioti paralajmëroi: «Luani i përgjumur do zgjohet nga dremitja duke tundur krifën e madhërishme…» për t’i vënë në vënd gjërat, edhe mashtrimin grek për çkombësimin e shqiptarëve. Mbetet i ditës gjykimi universal i Gëtes: «Kur kombi ndjen nevojë të vërtetë për një ripërtëritje të madhe është dhe perëndia me të, dhe qëllimi arrihet»



(Vota: 30 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora