Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Me peticion kundër Nënës Tereze

| E marte, 15.03.2011, 08:57 PM |


Nga Express

 

Një grup qytetarësh janë duke mbledhur nënshkrime që ta largojnë fotografinë e Nënës Tereze nga Ministria e Kulturës dhe nga institucionet e tjera publike.

 

Një letër dërguar nga një e-mail, besimtari.com e që nuk dihet kush qëndron prapa tij, bën të ditur se në të gjitha komunat e Kosovës janë duke mbledhur nënshkrime për heqjen e fotografive të Nënës Tereze nëpër institucionet publike.

 

Në letrën që i dërgohet presidentit të vendit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit theksohet se nëse kërkesa e tyre nuk merret për bazë, atëherë ata do të organizojnë protesta publike. Kërkesa e tyre për heqjen e fotografisë së Nënës Tereze bazohet siç thonë ata duke u nisur nga Kushtetuta e Kosovës.

 

“Duke e ditur se Kushtetuta e Kosovës, në Nenin 8, Pika 1, e definon Kosovën si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, atëherë nuk shohim arsye të shkeljes së Kushtetutës, nëpërmjet përdorimit publik e institucional të një figure krejtësisht fetare, pa ndërlidhmëni me shtetin e Kosovës, dhe sidomos jemi kundër imponimit publik të një figure që deklarativisht thoshte se “i përkiste Krishtit” si figure kombëtare, pasi që një imponim i tillë, përpos që dhunon laicitetin institucional, përbën po ashtu një imponim religjioz e kulturor nacionalkatolicist, në një shoqëri me shumicë myslimane. Nuk jemi aspak kundër fesë katolike, por kundër përdorimit politik e kulturor dhe imponimit të figurave katolike”, thuhet në letrën e këtij grupi.

 

Nëpërmes letrës, ata përmendin edhe kontributin e të gjithëve për lirinë e Kosovës, e në veçanti sipas tyre më meritorët janë dëshmorët e kombit. “Kontributi i të gjithë të tjerëve është i matshëm, siç janë të matshme dhe të dukshme sheshazi, tendencat për imponimin e figurave kulturore e religjioze, pa kurrfarë nismash të debatit publik”. Si arsye për këtë nismë, ata përmendin hapin e ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, i cili me marrjen e detyrës pati hequr fotografinë e Nënës Tereze nga zyrat e Ministrisë.

 

Sipas këtij grupi, ministri i ktheu ato pas reaksioneve të shumta “katolike e filokatolike”. “Këto ishin dëshmi e sfidimit serioz të laicitetit institucional-shtetëror nga katolicizmi kulturor dhe tendencat e tij dominuese në rritje. Sidomos adresimi i një peticioni nga ana e disa ‘intelektualëve’, ku nga kryeministri kërkohej shkarkimi i ministrit Krasniqi, duke u thirrur ndër të tjera edhe në bindjen e tij fetare si arsye për largim, na bëri që ta thyejmë heshtjen”, thuhet në letrën e grupit, që deri më tani është anonim.