E marte, 23.04.2024, 10:07 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Diaspora shqiptare - Bastion i pamposhtur në ruajtjen e vlerave tona kombëtare

E merkure, 23.01.2008, 07:32 PM


Nga Adnan Abrashi

DIASPORA SHQIPTARE - BASTION I PAMPOSHTUR NË RUAJTJEN E VLERAVE TONA KOMBËTARE

Të ballafaquar me varfërinë dhe nevojën e sigurimit të kafshatës së bukës nga kurbeti - si shkak ekonomik, dhe të presioneve të terrorit të pandërprerë antishqiptar të regjimeve të ndryshme sunduese - si motive politike, nevoja e largimit të përkohshëm nga gjiri i familjes dhe atdheut të dashur, për shumicën e shqiptarëve, shpaloset si imponim i vazhdueshëm dhe i paevitueshëm kohor, duke u bërë karakteristikë specifike e një dukurie kolektive. Kjo kategori e njerëzve tanë “kurbetxhi”, njihet si mërgata apo diaspora shqiptare, e cila, pa marrë parasysh për cilën etapë historike-kohore është fjala, gjithnjë ka luajtur një rol të rëndësishëm, si në drejtim të kontributit të saj të çmuar ekonomik-financiare ashtu edhe në aktivitetet të shumta politike - atdhetar.

Dashuria e madhe ndaj tokës mëmë si dhe largësia fizike e kontaktit me atdhe, sigurisht i ka bërë ata të jenë emocionalisht më të ndjeshëm dhe ndër të parët të reagojnë ndaj çfarëdo padrejtësie apo ndërmarrje tjetër të dyshimtë antikombëtare. Shumë aktivitete të mirëfillta për çlirimin dhe emancipimit tonë nacional, përkrahjen e parë morale dhe financiare e kanë gjetur pikërisht tek bashkëkombësit tanë të diasporës shqiptare. Në këtë drejtim, është e pashmangshme të mos ceket kontributi i tyre kolosal rreth organizimit dhe financimit të luftës së UÇK-së në Kosovë, si dhe, kohën e fundit, për përkrahjen morale dhe materiale, që po i bëhet veprimtarisë atdhetare të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe liderit të saj ALBIN KURTI.

Dhe jo vetëm kaq! Mërgata shqiptare ishte dhe do të mbetej përherë pararoja më vitale në drejtim të ruajtjes, sforcimit dhe popullaritetit të mëtejmë të vlerave tona nacionale, si dhe zëdhënëse e fuqishme e faktorizimit ndërkombëtar të luftës tonë të drejtë për liri, pavarësi dhe emancipim të plotë nacional, e që, fatkeqësisht, këto të drejta ende vazhdohen të na mohohen nga të tjerët.

Marrë për bazë të gjitha të theksuara si më lartë, mendoj se për ne në atdhe, është momenti i duhur t’ia parashtrojmë seriozisht vetes këtë dyshim: sa ju kemi dalë hakut për këtë kontribut të tyre të çmuar dhe madhor?! Mendoj se ka ardhur koha kur duhet pranuar botërisht se, ne si shoqëri në atdhe, nuk kemi bërë asgjë në këtë drejtim! Bile-bile, shpesh të helmuar nga propaganda e regjimeve sunduese, në disa situata edhe i kemi nënçmuar.

Të gjithë e dimë se sot në Kosovë, funksionojnë me qindra organizata të ndryshme joqeveritare (OJQ), por, le të më thotë ndokush: ka dëgjuar rastësisht për ndonjë që vepron në drejtim të vënies së urave ndërlidhjes në mes të mërgatës tonë të mrekullueshme dhe atdheut të tyre të dashur amë? Ndoshta ka mundësi të ketë pasur iniciativë të kësaj natyre, por prioriteti tek donatorët e jashtëm, gjithnjë ju epet programe të OJQ-ve, që angazhohen në drejtim të mbrojtjes së shtazëve, drejtave të grave, drejtave të homoseksualëve dhe lejzbekave, shpërndarjen e “kondomave” falas...etj. Andaj, një nevojë e natyrshme të ruajtjes së kompaktësisë ideologjike dhe morale me pjesën tjetër të bashkëkombësve tanë në diasporë, si duket, nuk qon peshë të madhe as tek institucionet tona thuaja legale, e lere më tek ato ndërkombëtare të instaluara në Kosovë.

Për momentin, nuk kam dijeni se në Kosovë ka ndonjë zyre qeveritare që për këto qëllime vepron në mënyrë institucionale, por, edhe, nëse kam gabuar me këtë vlerësim, sigurisht nuk do t’ia huqi nëse konstatoj se ajo zyre nuk ka vepruar fare në këtë drejtim. Shembullin më eklatant i këtij ignorizimi të heshtur dhe mospërfillëse për këtë kategori të vlefshme të shoqërisë tonë, e kemi në fushatën e fundit parazgjedhore. Aty, në programet promotive të asnjë partie politike, nuk hasa në ndonjë premtim serioz për një angazhim më konkret në drejtim të rritjes së përkujdesjes institucionale të zgjidhjes së problemeve të shumta dhe nevojave tjera me të cilat ballafaqohen bashkatdhetarët tanë në diasporë.

E vetëdijshme se pjesën më të madhe të elektoratit të vet e ka në diasporë, PDK-ja e Hashim Thaçit, ka premtuar diçka në këtë drejtim. Ajo sot është në pushtet dhe neve na mbetet të shohim se sa do t’i përmbushi këto premtime.

Në vazhdim, të themi edhe disa fjalë për kontributin e mediave tona të shkruara dhe elektronike. Vet natyra specifike e tyre si një veprimtari e ndikimit masive, vetvetiu nënkupton edhe rëndësinë e madhe që ato kanë në këtë drejtim. Fatkeqësisht, mediat te ne sot nuk janë ende të lira dhe pa censurë, prandaj, sado të fuqishme dhe depërtuese, angazhimi i këtij segmenti propagandistik-informativ, nuk mund të thuhet se ka qenë aq meritore dhe në shkallë të duhura. Kuptohet, gjithnjë lavdi përjashtimeve për disa shtëpi mediale, që aty –këtu, kanë bërë ndonjë prezantim të qëlluar tematik. Por, edhe përpos këtyre veprimeve sado minore, gjithnjë prapa tyre si prioritet kanë qëndruar interesat komerciale, e më së paku një synim i organizuar mirë dhe i orientuar drejt kah përmbushja e nevojave për informimi të mirëfilltë, arsimim, edukim-kulturor, e posaçërisht në kënaqjen e ndjenjave kombëtare të bashkatdhetarëve tanë në diasporë.

Veprimi ynë tjetër si gabim trashanik në raport me diasporën tonë, ka qenë formimi i degëve të partive politike nëpër vende ku veç kanë ekzistuar format e ndryshme të organizimit të tyre kolektiv: klubet atdhetare, shoqëritë kulturo-artistik, etj. Në vend se ta lëmë diasporën ashtu sikur ishte: e pastër, patriotike dhe përherë kompakte, përmes formimit të degëve të partive të ndryshme, ne nuk përfituam asgjë të vlefshme, por vetëm e dobësuam më tepër homogjenitetin e tyre organizativ ekzistuese, duke ju imponuar një mundësi të ndarjes së panevojshme në baza ideologjike. Andaj, sa më shpejtë që është e mundur, këto forma të organizimeve në baza ideologjike të diasporës, patjetër duhet të shuhen.

As ofrimi i momentit të arritjes së njëfarë pavarësie për Kosovën, kurrsesi dhe në asnjë mënyrë, nuk duhet ta zbehi aktivitetin tonë patriotik dhe atdhetar, si në brendësi, ashtu edhe në diasporë. Sepse, kjo arritje e pavarësisë së Kosovës është vetëm si proces i një vazhdimësie që nuk ka përfunduar ende. Pra, para nesh është edhe një sfidë tjetër më e madhe kombëtare: ai bashkimit të të gjitha trojeve tona etnike në një shtet. Me sa duket edhe këtë synim shekullor do ta realizojmë shpejtë, prandaj, në këto perioda vendimtare për ne, kurrsesi nuk do të na shërbej asnjë formë e organizimit që mbështetet në baza të ndasive klanore, fetar, politike, partiake etj.
Veçanërisht kjo vërejtje serioze vlen për diasporën tonë shqiptare...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora