E shtune, 20.04.2024, 09:55 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Ardian Ramadani: Në Stamboll...

E hene, 14.03.2011, 08:00 PM


 

 

Në Stamboll...

 

Nga Mr. ARDIAN RAMADANI

 

Eh,  Stambolli. Qytet shumë i bukur, me pamje jashtëzakonisht impresionuese. Bernard Luis me të drejtë e përshkruan në librin e tij “Lindja e Turqisë moderne” që secili kur hyn në Stamboll do të befasohet nga mbijetesa e fuqishme e traditave të ndryshme lokale, me shtëpitë dhe xhamitë e fshatit anadollian, aq të ndryshme në stil dhe në strukturë prej atyre të Sirisë dhe Irakut, tonalitetet ballkanase, thuajse evropiane të muzikës turke të llojit të quajtur popullor, në kontrast me muzikën “klasike” të traditës perso-arabe, kupolat me pamje bizantine të xhamive, motivet dekorative greke dhe ato të Evropës Juglindore, si në formë ashtu edhe në të gjitha zejet e fshatrave të ndryshme.

Me të vërtetë një filozof me një rast kishte thënë se ky qytet (lexo: Stambolli) në vizitën e parë të bën për vete. Unë kisha shpëtuar nga ky “kurth”, ngase e vizitoja për herë të dytë këtë qytet magjepsës, qytetin metropol, me të cilin identifikohet e tërë Turqia, çuditërisht, edhe pse ka për kryeqytet Ankaranë. Rastisa ta vizitoja këtë qytet, për 4 muaj rresht para shumë viteve, atëherë kur isha më i ri, ndërsa agjenda e planifikimeve për vizita për këtë vit, pra për 2011, më përplasi mu në këtë qytet tek i cili kisha kujtime dhe mbresa të shumta. I pata ikur kthetrave të këtij qyteti shumë i ri, sepse alternativat e shumta për jetë më të mirë financiare, për kushte më të mira të jetesës, gati se më patën mashtruar, ngase sikurse çdo familje shqiptare e vobektë, isha edhe unë pjesë e një familjeje të tillë, por kur shihja pjesën tjetër të kombit shqiptar në Turqi, e respektivisht në Stamboll, me kushte shumë të mira jetese, me punë, me vetura, me shtëpi banimi, me kushte optimale, gati se do “dashurohesha” në këtë qytet. Përderisa, në njërën anë më tërhiqte jeta e bukur në këtë qytet, jeta dinamike dhe përplot perturbacione, e një gjë e tillë i mungonte kaherë qytetit tim ku jetoja dhe ku isha i lindur, Kumanovës, në anën tjetër më kujtoheshin luftërat e shumta të bëra nga ana e shqiptarëve kundër turqve osmanë, luftërat e Skënderbeut, të cilat nuk më linin që të obsesionohesha deri në atë shkallë sa të harroja Kumanovën time. Kjo ndodhi është para shumë viteve, atëherë kur isha 17 vjeçar. Pas gati 10 vitesh, vendosa që të vizitoja për së dyti këtë qytet, thuaja se i kërkoja “borxhet” e shumta këtij shteti, (lexo:Turqisë) që m`i kanë mua dhe gjithë shqiptarëve në përgjithësi. E them këtë, ngase me të vërtetë çuditesha kur në çdo cep të Stambollit, nuk mund t`i ikja takimit eventual me ndonjë shqiptarë, të deportuar me dhunë nga ana e pushtetit sllav gjatë kohës së Jugosllavisë së parë, të dytë,... përmes marrëveshjeve të ndryshme intershtetërore mes Jugosllavisë dhe Turqisë së atëhershme, respektivisht përmes Marrëveshjes së famshme Tito-Qyprili, (lexo: fisi me mbiemrin Qyprili është fis me prejardhje shqiptare). Pa dashur të futem thellë në gjërat historike të cilat janë thënë e stërthënë, bile-bile edhe deformuar qëllimisht, një gjë dua ta theksoj, e që besoj se me këtë do të pajtohet çdo shqiptarë, Turqia na ka shumë borxhe ne shqiptarëve, nga shkaku se një pjese e bukur e kombit shqiptar, sot është pjesë e shtetformimit dhe kombformimit turk, me padashje. Personalisht, i takoj edhe unë atyre familjeve shqiptare, të cilat janë dëmtuar tej mase nga Marrëveshja e lartpërmendur, nga shkaku se në vend që të kisha tërë familjen nga ana e nënës këtu, pjesa më e madhe gjendej tani në Turqi, me gjasa për disa vite të asimilohet krejtësisht, nëse i ndërpres kontaktet me ta, dhe nëse nuk shkojmë dhe nuk vijnë ata në vizita. Pa mos dashur të jem subjektiv, më impresionoi tej mase mikpritja dhe bujaria shqiptare në zemrën e Stambollit, atje ku mund të dalloheshin shumë lehtë shqiptarët, po që fatkeqësisht politika e fortë asimiluese e shtetit turk kishte bërë të vetën, ua kishte “lehtësuar” harrimin e gjuhës shqipe. Kjo gjuhë konservohej dhe përdorej, nëpër shtëpi, në familje ku ende ruheshin traditat shqiptare, të cilat megjithë presionet e vazhdueshme shtetërore dhe margjinalizimin e dukshëm, ruanin dhe më tej gjurmët shqiptare, edhe atë ishin për çdo admirim. Si pjesë e itinerarit të vizitës sime atje, nuk mund të la pa përmendur pamjet e bukura të rrugës Edrene- Stamboll, me një autostradë super moderne dhe me veturat të cilat vozitnin sa dyfishi i shpejtësisë së autobusit tonë. Me të arritur në Stacion të autobusëve, (Otogar, tr.) më dukej se gjendesha ndokund në Shkup, sepse shihja shumë shqiptarë që shkonin dhe vinin, saqë nuk kisha fare përshtypjen se isha larg vendit tim. Këtë ndjenjë ma thyenin herë pas here shoferët e taksive, të cilët më kthenin në botën reale dhe më bënin të kuptoja se prapë se prapë gjendesha në Stambollin e Turqisë. Nuk do të flas për përshtypjet nga mikpritja e familjarëve, dhe jo vetëm e tyre, por edhe e të tjerëve me të cilët nuk kisha kurrfarë lidhje, po ja që rastësisht dëgjonin se kishte ardhur një shqiptar nga (Memleketi), dhe pa një pa dy ia mësynin drejt e në konak ku isha i vendosur për tu takuar, për të më pyetur për hallet dhe dertet në Shqipëri, dhe në Shqipëritë e tjera jashtë asaj artificiales, si në Kosovë, Maqedoni, në Kosovën Lindore e kështu me radhë. Habitesha se si u interesonte çdo detaj, pro shpejt kthjellohesha ngase i kuptoja emocionalisht dhe racionalisht, edhe ata ishin shqiptarë dhe pikë. Kësisoj, në çdo anë dhe në çdo vend që isha nuk mund t`i “ikja” shqiptarëve. Eh, po sa jeni bre këtu, shpesh i pyesja sa për kureshtje, edhe pse e dija se me programet shoviniste serbe, në bashkëpunim me shtetarët turq, estimohet se mund të ishin ndokund rreth 5 milionë shqiptarë. Eh, jemi shumë, më thoshin ata, shumë, sa as vet se dimë. Kjo sasia shumë, më bënte të qaja, nga shkaku se hipotetikisht parashtroja pyetjen vetë me vete se sikur të ishin të gjithë ata shqiptarë te ne në Shqipëritë tona, shumë më ndryshe do t`i kishim punët. Po ja, që historia shpesh nuk ka qenë në anën tonë, dhe na kanë pllakosur lloj-lloj fatkeqësish.

Kësisoj, mikpritja shqiptare më priste kudo, këngët shqipe me çiftelia (ata i quanin krahinat) mbizotëronin kudo, po më neveriste muzika Rumeli, e përzier me shqipe të përçudnuar,  përzier me bullgarishte, serbishte, rome...... e ku e di se çka, andaj insistoja aty ku isha, që të mos dëgjohej ajo muzikë, ngase ishte gjithçka, vetëm muzikë shqipe jo. Po ja që drejtuesi i emisionit (njëfarë Arifi nga Llojani) i shkuar që moti kohë atje, me gjasa i lindur atje, “argëtonte” auditorin shqiptar me këngë “shqipe”. Ja thosha, kur nuk i ke dy shtetet :Shqipërinë dhe Kosovën, si duhet të ndodhë edhe kjo, të argëtojnë “shqip” këngët Rumeli, që nuk kishin lidhje me shqipen. Duhet të përkujdeset ndokush për këta shqiptarë të gjorë.Në vend që dy shtetet shqiptare gjer më tash t`i drejtonin punët e tyre, dhe të fillonin të angazhoheshin edhe për shqiptarët jashtë shteteve amë, me furnizim të librave, pse jo edhe të muzikës së pastër shqipe, me insistimin për hapje eventuale të ndonjë shkollë private atje, shtetet tona ende nuk mund t`i bëjnë ballë kërkesave të shqiptarëve të vet, e lëre më të tjerëve. Kësisoj, mundohesha të bind të gjithë që i takoja, që të shikonin programet shqip që i servonte rrjeti satelitor atje, e që fatmirësisht i dinin edhe ata, që ndodhte shpesh sa isha aty që edhe t`i shikonin, por se ç`më shkonte nervash ai emision dreqi i Rumeli muzikës, që i kishte trullosur të gjorët shqiptarë atje.

Eh, më thoshin vëllezërit e mi shqiptarë atje, këtu ka shumë arnavutë. Ah, thoja vet me vete, nuk jeni arnautë po jeni shqiptarë, duke i përkujtuar vargjet e këngës së Shqipe Kastratit, “Ne jemi shqiptare e s`jemi arnaute”, por ja që politika shtetërore e kishte bërë të veten. Vazhdoja t`i sodisja bukuritë e Stambollit, duke e kujtuar shpesh herë shkrimtarin  e famshëm turk Orhan Pamukun me romanin e tij “Stambolli-Kujtime dhe qyteti”, si dhe përshkrimin e bukur që ia bën ai Stambollit, qytetit të tij të lindjes, në këtë roman, më dukej se e përjetoja çdo rrëfim të tijin, pa mos harruar të përmend edhe kujtimin tim për Elif Shafakun dhe “Bastarden e Stambollit”, Reshat Koçun, Ahmet Tanpënarin, Jahja Qemalin......

Habitesha kur dëgjoja prej gojëve të shqiptarëve (arnautëve) që sa shtetarë turq kishin qenë shqiptarë. Unë i shpjegoja dhe i tregoja se i dija (lexo; ishin rreth 42 vezirëve të mëdhenj), duke filluar nga Vezirët dhe Pashallarët e shumtë, fisin e famshëm Qyprili, Babanë e Turqisë, Mustafa Qemalin, e gjer te Qenan Evreni.... Kësaj liste me qëllim nuk i vendosa pikë, nga shkaku  se në bazë të shifrës së shumtë të shqiptarëve atje, nuk do të na çudiste po të shihnim figura të tjera politike me prejardhje shqiptare atje, po fatkeqësisht të asimiluar, (lexo: Greqia dhe Turqia janë shtetet e vetme që i ndryshojnë mbiemrat dhe emrat qytetarëve të huaj që duan të bëhen shtetas të tyre). Përderisa gëzohesha shkurt, kur shihja shumë shqiptarë që mbaheshin mes veti, që dinin për besën shqiptare, që kishin atë afshin dhe shkëndijat e ndjenjës së tyre shqiptare, kur i shihja se kishin arritur mirë duke krijuar secili pasuri me djersë (për atë arsye llogaritkemi si popull punëtorë), në anën tjetër më dilnin lotët dhe më digjej shpirti duke mallkuar fatin dhe historinë, që kishin qenë kundër nesh, po që fatkeqësisht në shumë raste i kishim ndihmuar, e pse jo edhe i ndihmonim edhe ne me (pa)dashje.

Vizita ime nuk përfundonte assesi në këtë qytet metropol, i cili gjendej në shkallën e 28 të gjatësisë gjeografike si dhe në 48 shkallë të gjerësisë gjeografike, qyteti i vetëm në botë që gjendet në dy kontinente, duke shijuar bukurinë e Bosforit që ndante një qytet në dy kontinente, detin Marmara, (me ç’rast më kujtohej kënga e këngëtarit tonë të famshëm shqiptar nga Kosova, Ilir Shaqiri, me këngën e tij për Poçarin, vargje këto të poetit tonë të madh Dritëro Agolli). Ky qytet i cili ishte shndërruar në udhëkryq tregtar dhe politik të Ballkanit, të Lindjes së Afërt dhe të Republikave turkmene në Rusi, i njohur fillimisht me emrin Byzance, nga emri i themeluesit të tij Byzasit, më pastaj Konstantinopojë, për hir të perandorit Konstantini i Madh, ishte pushtuar nga ana e turqve osman, duke e marrë emrin Stamboll (Istanbul), dhe duke u bërë njëkohësisht qyteti më i populluar në Evropë, me një sipërfaqe prej 7500 km2.  Habitesha me shifrat e eksodit të shpërnguljeve prej gati 500 000 njerëzve çdo vit drejt këtij qyteti, nga fshatrat e ndryshme dhe qytete e ndryshme në Turqi, si dhe nga numri i madh i vizitorëve çdo vit prej 1.5 milionë vizitorëve. Për këtë qytet, që të impresiononte me bukuritë e shumta, dëgjova se kishte gjysmën e monumenteve historike dhe muzeve të tërë Turqisë në përgjithësi. Thuaja se e tërë Turqia gjendej në Stamboll. Ky qytete i madh, që patjetër se duhet të shihet në prizmin e gjeopolitikës, në mendjen time perceptohej si vendtakim i Evropës dhe Azisë, mes Perëndimit dhe Lindjes, mes Kristianizmit dhe Islamit, duke krijuar simbiozën dhe trajtën e një qyteti botëror. Për nga pasuria arkeologjike dhe kulturore, Stambolli krahasohej me Romën. Eh, si mos të ishte me atë pozitë të volitshme gjeografike, me Bosforin dhe me Bririn e Artë, me ishujt e Princit, me gastronominë e pasur, e shumë e shumë bukuri të tjera , disa prej të cilave do t`i përmend më poshtë. Si mos të të bënte për vete, kur shihje Pallatin e famshëm të Topkapisë dhe Shën Irenën, muzeun e Shën Sofisë, xhaminë e Sulltan Ahmetit, Muzeun arkeologjik, muzeun e Arteve turke dhe islame, muzeun e Mozaikut.

Muzeu i Shën –Sofisë i ndërtuar së pari herë më 537 e gjer më vitin 916 kishte qenë një bazilikë e njohur, që më vonë do të transformohej në xhami, e gjer në shndërrimin e saj në muze në vitin 1934. Pamja e saj gjigante me një kupolë qendrore dhe dy gjysmë kupola, bënin që të ngjasojë në një gjë shumë të madhe, me ç`rast llogaritej jo rastësisht si Kisha e katërt më e madhja në botë, pas Shën Polit në Londër, Shën Pierrit në Romë dhe Kishës së njohur si Domi i Milanit. Kësisoj emri i saj lidhej me njërin prej tre emrave që i u ishin dhënë Zotit gjatë epokës së kristianizmit, Shën Sofi (Sainte-Sophie, shqip Urtësi hyjnore), Shën Irenë (Saint-Irene, Hiri hyjnor) dhe Shën Dinamisit, Saint-Dynamis (forca e shenjtë). Kësisoj shndërrimi i saj në xhami- muze, më 3 qershor 1453, mundësoi shndërrimin e saj prej Kishe në Xhami, duke iu ngritur një minare së pari, e mandej në shekullin e XV minarja e dytë, ndërsa e treta dhe e katërta u ndërtuan nga arkitekti i famshëm me prejardhje shqiptare, Mimar Sinan. Kjo xhami me Shpalljen e Republikës së Turqisë, me anë të një Dekreti ministerial të 24 Tetorit 1934, sipas vendimit të Qemal Ataturkut, shpallet muze kombëtar. Kësisoj ky muze ishte shndërruar në simbol të Stambollit, me ç’rast vizitorët pritnin radhë të gjata për tu futur brenda. Të shkosh në Stamboll, e të mos vizitosh Sternën e Jerebatanit nuk mund të imagjinohet dot. Kjo sternë e ndërtuar gjatë epokës bizantine në vitin 532, posedon 336 kolona, 12 rreshta me një sipërfaqe prej 10 000 m2 dhe me kapacitet prej 80 000m3. Gjatë epokës bizantine kjo cisternë (sternë) ishte e ndërtuar për të pajisur me ujë Stambollin, por nuk ishte e vetmja, gati edhe 59 të tjera ishin të ndërtuara gjatë epokës bizantine. Atmosfera mistike që krijohej aty e shoqëruar nga muzika klasike, të impresiononte e veçmas të magjepsnin dy bazat e kolonës që formonin dy kokë të Meduzës, njëri në profil e tjetri me kokë teposhtë.

Nuk mund t`i ikje Stambollit pa mos e vizituar Xhaminë e Kaltër, e ndërtuar nga Sulltani, Ahmeti I. Kjo Xhami e filluar për ndërtim më 1609 nga arkitekti Mehmet Aga, e më vonë e vazhduar dhe e përfunduar nga Mimar Sinani, është simbol i Stambollit, me përplot vizitorë përbrenda dhe jashtë saj. Me gjithë medresenë aty brenda, me një bujtinë për të varfrit, me një mensë, me një treg dhe hotel të madh dhe me një shatërvan, ajo krijon një gjigant kompleks, me gjithë 21.043 pllakat në formë te enës së argjilit. Shatërvani heksagonal i kësaj xhamie  të impresiononte me bukurinë e tij. Është e vetmja xhami osmane dhe në tërë Turqinë që i ka 6 minare. Në lidhje me këto minare ekzistonin dy legjenda, e para theksonte se me këtë Xhami Sulltani donte të ndërtonte një kupolë me ari, mirëpo arkitekti ishte arsyetuar se çmimi do të ishte shumë i shtrenjtë, andaj ai kishte kërkuar zëvendësimin e kësaj kërkese duke i shtuar 6 minare, ndërsa legjenda tjetër pretendon se me këtë objekt fetar islam, Sulltan Ahmeti I, kishte dashur të kalonte edhe Xhaminë e Mekës, e cila kishte njashtu 6 minare, duke dashur të shpallej më i shenjtë. Andaj kjo xhami llogaritet e dyta në botë për nga numri i minareve, me një numër prej 260 dritareve. Kupola qendrore me një diametër prej 23.50m si dhe me një lartësi prej 43 m mbështetej në katër shtylla masive të ashtuquajtura Këmbët e elefantit. Jashtë saj në skaj të verilindjes së kësaj xhamie gjendet Tyrbja e Sulltan Ahmetit të I, e ndërtuar nga biri i tij Osmani II. Gjer në shek. XIX ajo llogaritej si pika e nisjes së karvanëve të haxhilerëve për në Mekë.

Stambolli nuk është krenar vetëm me këto gjëra, ai krenohet edhe me Muzeun e Mozaikëve, i vendosur prapa xhamisë së Sulltan Ahmetit, ku ekzistojnë panele që datojnë nga shek. IV e gjer në shek. VI.. Ky muze është i vendosur në Pallatin e vjetër të madh të perandorëve bizantinë, që shtrihet gjer në det, ku në këto mozaikë pasqyrohen motive nga skenat e gjuetisë, mitologjisë, kafshëve të egra dhe jetës së përgjithshme.

Stambolli ndjehet krenar edhe me Hipodromin e tij. Monumentet e vendosura në këtë shesh dhe përreth tij janë më të vjetrat në Stamboll. Hipodromi i parë është i ndërtuar nga Septimi i Egër, në vitin 203 e.s., pas pushtimit të qytetit nga Romakët. Hipodromi i dytë është i ndërtuar nga Konstantini. Pistat e krijuara në këtë hipodrom formonin shkronjën U përreth së cilës gjendeshin 40 rreshta të shkallëve që mund të pranonin gjer më 30 000 spektatorë. Pas cirkut të Maksimusit të Romës, ky hipodrom ishte i dyti në Antikën e vjetër. Ky hipodrom në periudhën bizantine kishte qenë vend i festave, i garave të mëdha sportive, duke ruajtur përbrenda edhe ndeshjet e ndryshme të përgjakshme. Ky vend shërbente në të kaluarën edhe si vend i ceremonive të martesave. Gjatë periudhës bizantine ky vend kishte pasur këto funksione: sportiv dhe teatral, politik dhe artistik.

Nuk mund të e linja pa vizituar as Obeliskun e Teodosit, monumentin më të vjetër të Stambollit, që datonte nga shek. XV para erës së re, pra para rreth 3500 vjetësh. Ky obelisk i ndërtuar për hir të fitores së një faraoni në Mesopotami, me një gjatësi prej 32.50 m është simbol i këtij qyteti. Ky qytet nuk mund të thuhet që është i vizituar pa mos vizituar edhe këto vende:  Fontanën e famshme gjermane, Muzeun e arteve turke dhe islamike ( i ndërtuar nga Sulejmani i Madhnueshëm më 1520), xhaminë Sokollu Mehmet Pasha, Pallatin e Topkapisë (monumenti më i rëndësishëm në Stamboll me rreth 1.5 milionë vizitorë në vit, i renditur në rendin e parë të muzeve evropiane dhe i pari në Turqi me një sipërfaqe prej 700 000 m2, sa dy herë sipërfaqja  territorit të Vatikanit ose gjysma e principatës së Monakos, ku përfshihet edhe Salla e haremit aty, “harem” në gjuhën arabe d.m.th. gjë sekrete, e fshehtë), mandej  Kishën Shën Irena, Muzeun Arkeologjik të Stambollit, Muret e famshme të detit, Kumkapinë e famshme me restorantet e famshme të peshkut, Kështjellën me shtatë kulla (Yedikule Hisari)  ndërtuar nga Perandori Teodos, Pazarin e famshëm të mbyllur (Kapali Carshi), sheshin Bejazit me Xhaminë e famshme, Xhamia Sulejmanije (e ndërtuar nga Mimar Sinani mes viteve 1550 dhe 1557, dedikuar Sulltanit të dhjetë të Perandorisë Osmane, Sulejmanit të Madhnueshëm, me një vlerë prej 60 milionë dollarësh, për të cilën Xhami kanë punuar 3000 punëtorë gjatë tre viteve, me ç’rast Mimar Sinani, arkitekti i famshëm tha me gojën e tij që “Sa të jetojë bota, do të qëndrojë kjo xhami”), mandej tregu i famshëm egjiptian i vendosur përballë urës së Gallatës), Ura e famshme e Gallatës e ndërtuar së pari më 1836, e restauruar më 1863, 1875, më 1912 nga një firmë gjermane e rinovuar me një gjatësi prej 468 m, dhe për së dyti herë e restauruar nga përsëri një firmë gjermane me ç`rast edhe u rrit gjatësia e saj me 484 m), Bozdogani-in e famshëm, xhaminë e famshme të Sulltan Mehmetit të II pushtuesit, kisha Pamakaristos ose Xhamia Fetije, Manastiri Pantokrator ose Xhamija Zejrek, Taksimin e famshëm (ku ndihesh se je me të vërtetë në Evropë ), Kulla e Gallatës me 61 m lartësi, duke mos harruar rrugëtimin nëpër Bosforin e  bukur të dy kontinenteve, në Dolmabahcen e bukur, Kullën e Sahatit, Beshiktashin, Ortakoin e famshëm, urën e famshme Boazexhi e inauguruar më 1973, me rastin e përvjetorit të proklamimit të Republikës, me një vlerë prej 23 milionë dollarësh, 1650 m e gjatë, 33 m e gjerë, lartësi prej 1074 m), fortesa e famshme e Rumeli Hisarit, ura e famshme Fatih Sulltan Mehmet, Kadikojin e bukur aziatik, Kullën e famshme të vajzës së re, Pallatin e Bejlerbejit, fortesën e Anadolhisarit, ishujt e Princit, Florijën e bukur, Universitetet e famshme: Galatasaraj, Boazexhi, Kultur Universiti...., e shumë e shumë vende të tjera.

Nuk do të bëj digresion të gjatë, po nuk do të lë pa përmendur edhe vizitën time në Çanakalanë e famshme dhe vizitën e qytetit të Bursës.

Ja, pra ky ishte Stambolli i bukur, Stambolli i kujtimeve të Orhan Pamukut dhe Elif Shafakut, i sulltanëve të shumtë, i një qyteti që gjallëron pa ndërprerë, i një qyteti që ka shumë vëllezër të mij shqiptarë. Pra, kjo ishte ecejakja ime, ecejake kjo që më shfaq nostalgji, për momentet e bukura të kaluara atje, për shqiptarët dhe mikpritjen e tyre të famshme, për monumentet dhe krenarinë e Stambollit, dhe për krenarinë e madhe kombëtare turke, që fillon me fjalët “Ne mutlu turkum diyene”. E unë e ndryshova si për inat këtë fjalë me fjalët “ O sa mirë që jam shqiptarë o hej...” duke kujtuar vargjet e këngëtarit nga Shqipëria londineze, Gëzim Nika.

Ky ishte pra udhëpërshkrimi im mbi një vizitë në Stambollin e bukur, ku gjeta një Arnavutlluk (Shqipëri) mu në zemër të tij...



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Baki Ymeri: Shqipëria, Kosova dhe Amerika në zemër të Bukureshtit Gjon Neçaj: Kryeplaku i fshatit të braktisur... Abas Fejzullahi: Një kuvend pune për lakmi e LAPSH ''Naim Frashëri'' në Gjenevë Njoftim mbi takimin me Dr. Lee Edwards Xhevat Muqaku: Shënohet dita e mësuesit, në Singen të Gjermanisë Pëllumb Gorica: Nëpër udhëkryqet e jetës kërkon vetveten Mustafë Shabani: Në Emmendingen të Gjermanisë më 03.03.2011 u organizua homazh nën moton : Thuaj JO dhunës dhe terrorit Julia Gjika: Gratë shqiptare në Worchester MA Tubim promovues i librave të Eden Babanit në Bruksel Muharrem Sfarqa: Trevjetori I pavarvsisë u kremtua edhe në SHBA (Detroit) Engjëll Koliqi: Shqiptarët në Itali kremtuan denjësisht ditëlindjen e tretë të pavarësisë formale të Kosovës Abas Fejzullahi: Ahhh..., sikur të shkonte mbarë...? Ahmet Ahmeti: Në Ängelholm të Suedisë i kremtua ditëlindja e tretë e pavarësisë së Kosovës Qendra Kulturore Shqiptare në Shtutgard u riaktivizua me kryesinë e re Asllan Dibrani: Manifestimi i trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Rosenheim të Gjermanisë Prezentimi i librit “Niko, Nikolin Gjeloshi cittadino del mondo”, i vlerësuar si epika e një emigranti Pëllumb Gorica: 56 gonxhe trëndafili që kundërmojnë puthje Sa më shumë kohë që do të kalojë, aq më shumë do të rritet e lartësohet gjeniu i kombit Dr. Ibrahim Rugova Lavdrim Lita: Një frymëmarrje demokracie Arif Molliqi: Në Hamburg, u festua 3 vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora