Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II)

| E hene, 14.03.2011, 08:59 PM |


TRAJTIMI I ÇËSHTJES KOSOVËS NË GAZETËN “QËNDRESA SHQIPTARE” ORGAN I KOMITETIT KOMBËTAR  DEMOKRATIK “SHQIPNIJA E LIRË”, PARIS (II)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Njoftime të shumta nga dhuna e aplikuar ndaj popullatës shqiptare në Jugosllavi

 

Në po të njëjtin numër të gazetës (Nr. 20), shkruhej për ngjarjet dhe dhunën e përdorur që qeveria e Beogradit aplikonte ndaj shqiptarëve në Kosovë. Lexuesi nëpër mes të këtij shkrimi njoftohej se  me urdhrin e Beogradit në Prishtinë mbyllet Instituti Albanologjik, i hapur në Prishtinë disa vite më parë dhe profesori e dijetari i këtij instituti Selman Riza, është arrestua, lidhur dhe dorëzua rojeve komuniste shqiptare. Nëna e tij që kishte kërkua nga autoritetet jugosllave lirimin e të birit, u kërcënua edhe ajo me atë dënim...[1] Populli duke i parë padrejtësitë e shumta që po iu bëheshin atyre dhe duke e vëzhguar me kujdes rastin e profesorit, ata ishin shumë të indinjuar, të mllefosur dhe të hidhëruar. Sidomos mllefin e tyre e kishin shprehur hapur shqiptarët që ndodheshin në mërgim, dhe të gjithë ata që e njihnin profesorin e dijetarin e madh, i cili tërë jetën ia kishte kushtua gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Po në të njëjtin shkrim njoftoheshin shqiptarët, se në Gjimnazin Shqiptar të Prishtinës, ishte ndërrua drejtori shqiptar dhe ishte zëvendësuar me një drejtor serb dhe i është ndërruar emri nga “Sami Frashri”, dhe zëvendësuar me emrin e një heroi nga Lufta e Dytë Botërore “Ivo Lola Ribari”, dhe se në të gjitha shkollat shqipe që veprojnë në Kosovë po bëhej trysni që të bashkohen me shkollat serbe dhe qindra arsimtar shqiptar me shkak, o pa shkak po arrestohen gjithë andej ku po punojnë nga autoritetet jugosllave.

Për numrin e të arrestuarve, ishte përkujdesur që në faqet e veta ti botonte gazeta “Besa”, që botohej në Stamboll, në numrin 32033, që ishte organ i grupit shqiptar demokrat Indipendent në Turqi.

 

Ikja e shqiptarëve nga Jugosllavia  vazhdon me të madhe

 

Po ashtu, në të njëjtin numër gazeta njoftonte, se një numër i madh refugjatësh shqiptar, të detyruar nga dhuna e terrori që aplikohej ndaj tyre në Kosovë ishin të detyruar që të largoheshin nga vatrat e tyre stërgjyshore. Shtypi i mërgatës shkruante se vetëm  brenda një dite për në Francë nga Jugosllavia kanë ardhur mbi 60 refugjat shqiptar[2], të cilët kishin ardhur dhe ishin vendosur më herët në Kampin e Gerovos. Dhe pas ardhjes së tyre, qeveria franceze të gjithë ata i kishte vendosur në Sucu-en Bric, afër Parisit.

 

“QINDRESA SHQIPTARE” VAZHDON ME INFORMIMIN E DREJTË TË GJENDJES NË KOSOVË

 

Gazeta që botohej në Francë (Paris), në vitin e katërt të botimit, në numrin e 22, më 26 gusht 1956, ajo i kushtonte një rubrikë të veçantë gjendjes aktuale  politike në Kosovë.

Në faqen 3, të gazetës “Qindresa Shqiptare”,  jepen shkrimet në rubrikën “Lajmet nga Shqipëria tjetër e robëruar”, dhe titulli i shkrimit “Një varg gjyqesh kundër shqiptarëve në Jugosllavi”.

Si gjithmonë, në gazetat e ilegales, edhe kjo gazetë, shkrimet e veta i botonte pa emër, iniciale apo pseudonime të autorëve. Dhe, tani nga një distancë kohore, është e vështir që shkrimet të deshifrohen dhe të zbulohen se kush i ka shkruar në ato vite të largëta.

Gazeta vazhdon të shkruaj se pas ndjekjeve të tmerrshme të policisë kundër shqiptarëve në Kosovë, autoritetet jugosllave filluan një varg gjyqesh kundër përfaqësuesve më në sy të kësaj popullsie. Mbas gjyqit të Prishtinës, që u lajmërua edhe nga shtypi i botës së lirë dhe që kishte mbarua me dënimin e 16 shqiptarëve, Komiteti Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë” kishte sigurua informata të hollësishme lidhur me dy procese gjyqësore.

1. Gjyqi i Prizrenit, që kishte fillua me 14 qershor kundër 12 vetave . Por, kësaj radhe, si udhëheqës të grupit pushteti jugosllav kishte paditur dy shehlerë halevij: Sheh Ramën dhe Sheh Muhjedinin, të cilët i kishin dënua me 2 korrik, me 18 e 10 vjet burg. Veç këtyre, gjyqi nën udhëheqjen e gjykatësit Bozhidar Zuleviq, kishte dënua edhe këta persona : Qazim Gojanin me 15 vjet burg, Hajredin Vuqiternen me 12 vjet burg, Sadedin Zhubin me 11 vjet burg, Ibrahim Mullalin, Hasan Gërgurin, Ramadan Kërndaliqin, Muhedin Myftarin dhe Eqrem Gërgurin me 5 deri më 2 vjet burg të rëndë[3].

Nga kjo dukej se autoritete jugosllave, duke ndjek fetarët dhe intelektualet, donin të shfarosnin krejt kryetarët  shpirtëror të shqiptarëve në Jugosllavi. Edhe kjo gjë ndodhte në Prizrenin e famshëm që kishte qenë kryeqytet i Rilindjes dhe i kryengritjes sonë Kombëtare.

2. Gjyqi i Shkupit, sipas gazetës filloi më 11 të korrikut dhe kishte mbarua  me dënimin e tetët vetave të akuzuar si anëtar të Ballit Kombëtar, që ishte parti politike më me rëndësi në Komitetin tonë. Personat që dolën para gjyqit ishin : Burhan Pasholli, Abdyrrahmon Taravari, Sherafedin Agai, Rifat Palloshi, Abas Dukagjini, Raif Malaziu, Adnan Agai dhe Remzi Pustina.

Të gjithë të akuzuarit ishin paditur se kishin kryer vepra që cenonin tersin dhe pavarësinë shtetërore jugosllave duke punua dhe duke u organizua që të ruhet kombësia e pakicës shqiptare (një milion), të mos lejohet hapja e shkollave turke në Maqedoni, Kosovë e Metohi (vend shqiptar që jugosllavet donin të dëftenin si vend turk), dhe me anën e copëtimit të territorit të Maqedonisë Perëndimore dhe të Kosovë-Metohisë të formohet Shqipëria e Madhe Nacionale.[4]

3. Mbyllja e shkollave. Gjyqet kundër shqiptarëve dhe terrori nuk pushoi por u- tregua edhe me mbylljen e gjimnazeve të Gjakovës, të Gjilanit e të Ferizajt, sepse ishin bërë qendra të lëvizjeve Nacionaliste Demokratike Shqiptare” me qëllim që të shpëtohej uniteti kombëtar nga sulmet dhe lakmitë e fqinjëve[5].

 

Komiteti Kombëtar Demokrat “Shqipnija e Lirë” proteston në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër ndjekjeve dhe gjyqeve në Kosovë

 

Pas përkrahjes që pati mërgata shqiptare në Kongresin e Dytë të Rinisë Demokratike për Evropën Qendrore e Lindore. Duke e par terrorin e madh që ushtrohej nga pushtetarët jugosllav, mërgata shqiptare që aderonte në Komitetin Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”, kishte marr një varg nismash e aktivitetesh. Në mesin e tyre ishte edhe letra protestuese që kjo organizatë politike i dërgonte Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, Z. Dag Hammarskjoeld, në Lake Success- New York.

Letra që i dërgonte Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat, Prof. Abas Ermenji fillonte: Duke vazhdua me persekutimet kundër Pakicës Shqiptare në Jugosllavi, mbas gjyqit fiktiv të Prishtinës po bahet edhe gjyqi i Shkupit, që kanë për qëllim shfarosjen e klasës intelektuale, e cila akuzohet se donë të ruaj gjuhën dhe kulturën kombëtare të kësaj pakice. Nga shkaku i këtyre persekutimeve të paramenduara dhe sistematike i bëjmë thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara të ndërhyjë pranë qeverisë jugosllave për me ndalua këto masa çnjerëzore që janë një përgënjeshtrim i Statutit  të vetë Organizatës së Kombeve të Bashkuara[6].

Prof Abas Ermenij, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipnija e Lirë”

 

Shqiptarët në kampet e refugjatëve në Geroves

 

Pas dhunës dhe presionit të madh që ndodhte në Shqipëri, popullata e pafajshme merrte rrugët për të ikur sa më larg nga shteti shqiptar. Kështu kishte ndodhur, siç njofton Komiteti Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë” se Organizatat humanitare të Perëndimit kishin sjell ( e organizata dëshironte që këta të ishin të fundit) nja 400 refugjat nga kampi i Gerovës në Jugosllavi dhe i kishin vendosur në Belgjik. Nga këta shumica e tyre ishin shqiptarë.

Duhet përmendur se edhe më parë kishte pasur raste të tilla kur shqiptarët rrezikonin të iknin pa marr parasysh rreziqet që i pritnin rrugës, siç kishte ndodhur rasti i 30 shqiptarëve që rastësisht kishin shpëtua  disa kohë më parë nga kampi i Gerovës dhe patën dalë në Itali mbas 12 ditësh ecjeje dhe vuajtjesh të shumta. E këta më vonë i kishin vendosur në kampin e Udinës, në Italinë Veriore.

Komiteti “Shqipënija e Lirë” gjatë kësaj periudhe, me të madhe kishte zhvillua aktivitet që refugjatëve shqiptarë me të madhe t’iu dal në ndihmë, dhe kështu në këtë kohë kishte arritur të kujdesej mbi 5.000 mijë refugjatë[7] shqiptar që gjendeshin në Jugosllavi, sepse në Jugosllavi nuk ishin të sigurt ngase  qëndrimi armiqësor i Jugosllavisë ndaj shqiptarëve që jetonin në Kosovë ndikonte në të kundërtën.

 

LAJME NGA KOSOVA E ROBËRUAR

 

Gazeta “Qindresa shqiptare”, në numrin e 97, të datës 5 qershor , 1972, në mes tjerash shkruan për sëmundjen e lisë, që e kishte kaplua Kosovën. Por, dikush do të habitet pse një gazetë prej një karakteri politik, kalon e shkruan për një sëmundje të lisë. Nuk është për tu habitur se gazeta në një formë njofton opinionin e gjere se çfarë situate alarmante diskriminuese ekzistonte në Kosovë. Në mes tjerash shkruan edhe se “kjo sëmundje që u përhap, qiti në dritë se në pikëpamje shëndetësore Kosova ishte krahina më e lan mbrapa e Jugosllavisë nga regjimi që ishte i instaluar në Jugosllavi. Në Kosovë, një mjek i shërben mbi 10.000 mijë banor[8]. Barnatoret janë shumë të rralla dhe barnat mungonin.

 

Rrahje për dorëzimin e armëve

 

Edhe pse kishin kalua shumë vite nga aksioni i grumbullimit të armëve, në Kosovë ende ishte aktuale marrja e armëve nga shqiptarët. Po në numrin 97, të gazetës “Qindresa shqiptare”, ishte edhe artikulli “Rrahje për punë armësh”, Ku policia  jugosllave përsëri kishte përdorur shtrëngesa dhe rrahje si në kohën e Rankoviqit, gjoja për të shtrënguar shqiptarët që t’i dorëzonin armët. Për të shpëtuar nga torturat, shumë nga ata shtrëngoheshin ti blinin armët në tregun e zi, ku i shesin Serbët e Maqedonasit, dhe t’ia dorëzonin policisë. Në këta muajt e fundit, njoftonte gazeta, se janë rrahur dhe munduar në katundet e rrethit të Tetovës këta persona: Ilmi Nuhiu, 37 vjeç, Rushit Rushiti, 39 vjeç, Arun Osmani, 27 vjeç, Nafi Shabani, 27 vjeçe, Estref Rushiti, 30 vjeç, Ixhet Sylejmani, 24 vjeç, Aqif Adili, 24 vjeç, Bexhet Bexheti, 24 vjeç, Jashar Jashari, 45 vjeç, Mefail Radusha 35 vjeç[9].

 

Ahmarrje në Tetovë

 

Në një shkrim tjetër të gazetës “Qindresa shqiptare”, “Ahmarrje në Tetovë”, gazeta informonte se si në  Tetovë me 17 janar, 1956, një djalë i ri shqiptar kishte plagosur rënd një djalë 21 vjeçar të një fotografi maqedonas, shkaku ishte se  para tri viteve shqiptari kishte ngritur flamurin kombëtar shqiptar por ai, maqedonasi e kishte grisur atë. Dhe më këtë rast, ishin organizuar shumë demonstrata në tërë Kosovën[10]. Urrejtja ishte tepër e madhe në mes popujve të ndryshëm atij sllavë dhe shqiptarëve. Maqedonasit e serbet nuk munden me e marrë me mend se shqiptaret duhet të jenë të barabartë me ata.

Sidomos atyre iu pengonte flamuri kombëtar dhe shkollat në gjuhën shqipe. Ndërsa shqiptaret edhe pse ishin të okupuar kishin vendosur që simbolet e veta kombëtare ti mbronin edhe me gjak.

 

Fushata e ndjekjeve ndaj udhëheqësve shqiptar në Kosovë

 

Gazeta informon, po në të njëjtin numër të gazetës në shkrimin “Qortimet edhe dënime për disa komunistë shqiptarë të Kosovës”, në të cilën thuhej se sipas gazetës “Rilindja” të Prishtinës, botuar me 27 prill, në komunës e Serbicës është bë një mbledhje e madhe e anëtarëve të partisë komuniste serbe dhe aty i kanë kritikua ashpër disa udhëheqës komunist shqiptar të Kosovës, të cilët nuk i kanë pëlqyer vendimet e mbledhjes së katërtë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për të përjashtuar udhëheqësit kroatë. Në mesin e komunistëve shqiptar që u kritikuan kështu, kishte edhe  asi që kishin vende me rëndësi në administratë dhe në parti. Sidomos njëri, Musli Tahiri, mund të përjashtohej  nga partia dhe të humbte edhe vendin e punës që kishte në administratë[11], komentonte gazeta.

Arsyeja që komunistet shqiptar mbanin anën e udhëheqësve kroatë ishte se janë kundër sundimit të mërishëm të serbëve, të cilët donin t’i shtypnin nden thundrën e tyre kombësitë e tjera të vendit. Në një fjalim, më 8 maj, edhe Titoja e kishte cekur se në Republikën e Serbisë ka ngritë krye dhe po shfaqet shumë hapur një dëshirë e sëmur dhe një shovinizëm i fortë i serbomëdhenjve për të sunduar[12]. Atëherë ç’kanë që kapen me kroatët e shqiptarët dhe me kombësitë tjera që kërkojnë barazi dhe të drejtat në një shtet që i thotë vetes shtet federal dhe nuk duan të sundohen prej Serbëve dhe prej Maqedonasve.

 

Përfaqësuesi i Lidhjes Kosovare në Kongresin FKEE, kërkon që Kosova të shpallej Republikë

 

Duke e vërejtur se situata politike në Kosovë sa vije e keqësohej, mërgata shqiptare që vepronte në perëndim kishte marr mbi vete obligimin që Bashkësinë Ndërkombëtare ta njoftonte me tërë atë që ndodhte në atë vend. Sidomos organizata politike “Lidhja Kosovare”, ishte më aktivja dhe në çdo rast që i jepej me shkrim o me diskutime ishte prezentë në tubimet e ndryshme ndërkombëtare.

“Lidhja Kosovare” ishte anëtare e Bashkimit Federal të Komuniteteve Etnike Evropiane. Më 7-10 maj, 1972, ishte mbledhur Kongresi Regjional i BFKEE, në Flennburg, në veri të Gjermanisë, në të cilën merrte pjesë edhe përfaqësuesi i Lidhjes Kosovare, zotëri Hafëz Isuf Azemi.  Në këtë tubim të madh zotëri Azemi, kishte paraqitur një diskutim i cili kishte zgjuar interesim te madh tek të pranishmit. Në mes tjerash ai i kishte njoftuar të pranishmit për gjendjen e rëndë në Kosovë që po vazhdonte që nga përfundimi i luftës, por tani, kishte shtua ai se dhuna e terrori po intensifikohen edhe më shumë. Ai kishte cekur se ndjekjet e burgosjet ishin shtua dukshëm në Republikën e Maqedonisë[13].

Dhuna e terrori i këtij pushteti na frikon dhe na tmerron për fatin e shqiptarëve që jetojnë atje nën okupim, dhe është një frikë se në një mënyrë po kthehej përsëri koha e rëndë e Rankoviqit. Ai me këmbëngulje kishte kërkua nga kongresi që të ndërhyjë që t’u jepet edhe shqiptarëve të Jugosllavisë e drejta të kenë një republikë më vete, ashtu sikurse kishin edhe kombësitë e tjera brenda shtetit Federalist të Jugosllavisë[14].  Ndër të tjera , përfaqësuesi i shqiptarëve nga Lidhja Kosovare, kishte shtruar pyetjen: Pse u është mohua vetëm shqiptarëve kjo e drejtë themelore që është në bazë të kushtetutës jugosllave, përse  e kanë ndarë popullin shqiptar prej dy milionësh dhe e kanë copëtuar në tri republika  të ndryshme, në Serbi, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, apo për ta shfrytëzua, për ta shtyp dhe për ta zhdukë sa më lehtë[15], pyeste përfaqësuesi i Lidhjes Kosovare.

 

SENSIBILIZIMI I ÇËSHTJES SHQIPTARE NË TË GJITHA TOKAT SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI

 

Në numrin e 98-të, të gazetës “Qindresa Shqiptare”, bëhej një prezantim më i madh i jetës dhe problemeve të popullit shqiptar që jetonin nën okupimin jugosllav. Në rubrikën, që tani veç më ishte bërë e rregullt në gazetë “Lajme nga Kosova e robëruar” , në mes tjerash kishte shkrime si “Ndjekjet kundër shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni”, ku trajtoheshin në mënyrë të shkurtër por të saktë arrestimet që bëheshin ndaj shqiptarëve. Nga leximi i shkrimeve, vërehej se gazeta “Qindresa Shqiptare” gati të gjitha të dhënat që i prezantonte, i merrte kryesisht nga shtypi jugosllav, por edhe nga shtypi i huaj që botohej në ato vite. Por, në të, nuk mungonin edhe të dhënat që i jepnin personat shqiptar që në mënyra të ndryshme iknin nga Jugosllavia dhe me vete merrnin shënime që ishin të rëndësishme për çështjen shqiptare.

Kishte disa muaj që kishte fillua një valë e re ndjekjesh kundër shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Shumë shqiptarë ishin persona që ndaj atyre vetë ishte përdorur dhuna dhe ishin mbajtur në burgje me ditë e muaj të tërë pa iu tregua arsyen. Shumica e të arrestuarve ishin punëtorë, që nga varfëria kishin qenë të detyruar që të merrnin rrugën e kurbetit dhe të kërkonin punë në shtetet perëndimore. Si në Gjermani, Francë, Belgjik, Holandë dhe vendet tjera Skandinave. Gati ndaj të gjithë këtyre udbashët kishin aplikua një metodë të re dhune e presioni, duke iu shkuar në shtëpi gjatë kohës së pushimeve, sidomos i vizitonin natën, kur të gjithë familjarët ishin në gjumë dhe ata fshehtas, hynin në shtëpi, i zgjonin nga gjumi, i frikonin familjaret duke u treguar të fuqishëm se zakonisht shkonin me vetura policie, i rrethonin shtëpitë dhe policët e armatosur gjerë në dhëmbë, thyenin dhe demobilonin çdo gjë që iu delte para. I merrnin punëtorët e shkret, i qonin në zyrat e SPB-së, dhe i rrahin deri në alivani. Pastaj iu merrnin pasaportat, shpesh edhe iu grisnin. Kërkonin nga ata të bashkëpunonin me organet e sigurimit, duke spiunuar për bashkëkombësit e tyre. Ata nuk pranonin. Dhe, kështu rriheshin e qëndronin në burgje me muaj të tërë, pa e ditur familjaret se ku ndodheshin të afërmit e tyre.

Sidomos në Maqedoni jeta e shqiptarëve ishte bë e padurueshme, në muajt e fundit, shkruan gazeta. Në mesin e të burgosurve kishte edhe shqiptarë që kishin punua në Amerikë, por kishin ardhur për tu çmallur me familjaret e tyre në vendlindje.

Në Ulqin, jepeshin të dhëna interesante nga gazeta, se ishin kapur dhe burgosur këta persona: Basri Luta, Osman Dibra, Qamil Luli, Ibrahim Pelniku;

Në Dibër ishin arrestua: Rexhep Tartaj, korrespodent i gazetës “Rilindja”;

Në katundin e Nerashtit të Tetovës, por edhe nga disa katunde të tjera përqark ishin zënë dhe mundua këta veta: Vahit Merxhani, Jashar Jashari, Behxhet Behxheti, Aqif Adili, Estref Rushiti,Ixhet Sulejmani, Mefail Radusha, Rushit Rushiti, Hilmi Nuhiu, Harun Osmani, Nafi Shabani, Rasim Elezi, Xhelil Ejupi[16].

Ndërsa në burgun e Idrizovës ndodheshin këta persona: Mehmet Gega, Nevzat Jonuzi (35 vjeç- 18 muaj burg të rëndë), Fikri Salihu (40 vjeç- 8 muaj burg të rëndë), Mustafa Loçi ( 6 muaj burg të rëndë), Sadush Velija (Azemi), dhe Rexhep Salihu. Këta dy të fundit janë burgos në korrik dhe ende nuk kanë dal para gjyqit[17].

 

Maqedonia “liberale” ndaj popullit shqiptar

 

 Në të shumtën e rasteve shtypi jugosllav me të madhe shkruante se si shqiptaret dhe pakicat tjera në Jugosllavi gëzojnë të drejtat baras me qytetaret tjerë të shtetit federal. Po në këtë frymë kishte deklaruar edhe krye parlamentari i Maqedonisë, Nikolla Minqev në gazetën e Parisit “Le Monde”, se qeveria në Maqedoninë qenka shumë liberale me 230 mijë shqiptar që banojnë në atë republikë[18].

Ndërsa në vazhdim shkruante gazeta dhe përfaqësuesit e “Lidhjes Kosovare”,  i bënin parlamentarit vetëm dy vërejtje: e para, Shqiptarët e Maqedonisë janë më tepër se gjysmë milioni dhe jo vetëm 230 mijë si thotë ai, Dhe e dyta, Qeveria komuniste e Maqedonisë nuk sillet në mënyrë liberale por me një mënyrë despotike, duke i ndjekur e shtypur shqiptarët pa mëshirë. Kryetari i pseudo-parlamentit të Maqedonisë mund ti hedh pluhur syve të huajve, por nuk mund të fsheh të vërtetën e hidhur të gjendjes së mjerë të shqiptarëve në republikën e tij[19] thuhej në vazhdim.

 

Shqiptarët shumicë ndërsa profesorët pakicë në Universitetin e Prishtinës

 

Si në çdo lami të jetës që dominonte diskriminimi ndaj shqiptarëve, po ashtu edhe në Universitetin e Prishtinës dominonte një gjendje e tillë. Në shkrimin “Në universitetin e Prishtinës ma shumë profesor serbë se sa shqiptar”, gazeta shkruante se dihej që popullata që dominonte me shumicë në Kosovë ishte populli shqiptar po ashtu edhe në universitet dominonte numri më i madh i studentëve shqiptar. Por çfarë ndodhte me kuadrin e mësimdhënësve, kur dihej se kuadri arsimor ishte me shumicë nga kombësia serbe. Me gjithë propagandën e Beogradit dhe të komunistëve të Kosovës se në Universitetin e Prishtinës ka barazi të drejtash ndërmjet shqiptarëve e serbëve, ky barazim ishte vetëm në letër: pjesa më e madhe e mësimeve jepeshin në gjuhën  serbishte dhe jo shqipe, dhe tri të katërtat e profesorëve ishin serbë[20], shkruante shtypi.

 

Ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe në shkresat zyrtare

 

Sipas një shkrimi që e boton gazeta “Qindresa Shqiptare”,  “Gjuha shqipe nuk mund të përdoret nëpër shkresat zyrtare”, thuhej se gazeta “Rilindja” e Prishtinës me 2 mars 1972, ka botuar protestën e një shqiptari, të cilit nuk i kanë pranuar në spitalin e Shkupit një vërtetim mjekësor të shkruar në gjuhën shqipe. Kështu, pra, të dy milionët shqiptar që jetojnë në Jugosllavi, nuk kanë të drejtë ta përdorin gjuhën e vet në punë zyrtare ashtu si e përdorin Maqedonasit edhe kombësitë e tjera gjuhën e tyre[21]. Ky mos pranim i dokumenteve të shkruara në gjuhen shqipe nuk ishte rast i vetëm. Në Kosovë dhe në vendet tjera gjithandej ku jetojnë shqiptaret kësi rastesh ishin shndërruar në përditshmëri, por nuk ekzistonte guximi tek qytetaret për të reaguar, se pasojat ishin shumë të rënda.

 

“QINDRESA SHQIPTARE”, NR. 99. 1973, PARIS

 

Në rubrikën “Lajme nga Kosova e robëruar”, redaksia e gazetës grumbullonte dhe prezantonte lajme të ndryshme nga tokat shqiptare që ishin të okupuara nga shteti  i Jugosllavisë.

Informimi nga pjesë të ndryshme të vendit dhe të situatës e zhvillimit politik të shqiptarëve bije në sy se jepeshin në forma të shkurtra, por që lënë shumë vend për të menduar dhe për ti komentuar padrejtësitë e shumta që bëheshin ndaj tyre.

Në shkrimin “Një demonstratë në Ostroc të Krajës”, njoftohet opinioni i gjerë se të rinjtë  e katundit Ostroc (në krahinë të Krajës Shqiptare, që ka mbetur nën Malin e Zi) , kanë dashur ta kremtojnë Ditën e Flamurit me këngë kombëtare. Por si gjithmonë, policia e ka ndaluar. Megjithatë të rinjtë e fshatit kanë shpërthyer nëpër rrugët e katundit dhe s’bashku me fshataret kanë dalë në sheshin e vendit me Flamurin Shqiptar, duke kënduar këngë kombëtare dhe kanë brohoritur parulla të ndryshme si:  “Rroftë Liria”, “Poshtë shtypja komuniste”, “Rroftë Shqipëria Etnike”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”. Me këtë rast ka ndërhyrë policia dhe është krijuar një përleshje e madhe. Pasi është ndërprerë demonstrata, policia ka arrestuar dhjeta persona[22], dhe arrestimet kishin vazhduar edhe më vonë.

 

Shqiptarët pushohen nga puna

 

Edhe pse trumbetohej në popull se koha e Rankoviqit kishte përfunduar dhe për shqiptarët kishte fillua një etapë e ndritshme e tyre, megjithatë ngjarjet e fundit që manifestoheshin ndaj popullit shqiptar i demantonin pushtetarët. Në shkrimin “Pushohen nga puna”, thuhej se ndjekjet kundër shqiptarëve kanë filluar dhe po shtohen me të madhe edhe atë në fabrika ku janë të punësuar ata. Vërehet se kohëve të fundit ishin përjashtuar nga puna shumë punëtor, por në mesin e tyre ishte përjashtuar edhe drejtori i ndërmarrjes “Higjiena dhe teknika”, Jakup Mustafa, si dhe referenti i higjienës publike, Azem Osmani. E vetmja arsye ishte se vendet e tyre duhet t’i zinin teknikët serbë të ardhur nga Beogradi[23], me qëllim që t’i vëzhgojnë më shtrënguar punëtorët shqiptar.

Po ashtu edhe në shkrimin “800 punëtorë shqiptar nxirren nga puna”, flitet se si mbi 800 punëtorë shqiptar nxirren nga puna, që ishin  të punësuar në minierën e Radushës, vend që ndodhej në mes Tetovës dhe Shkupit. Veç që i kishin larguar nga puna atyre nuk iu kishin paguar as pagat mujore për gjashtë muaj[24], shkruan shtypi i mërgatës

 

 Në vitet e 70-ta, komunistët i shpallin luftë fesë

 

Regjimi komunist në Kosovë veç që bënte luftë kundër shkollës, simboleve kombëtare ajo në këtë vit (1973), me të madhe i kishte shpall luftë të ashpër besimit fetar tek popullsia e Kosovës. Gazeta kosovare “Rilindja”, që botohej në Prishtinë, me 14.12. 1972, shkruante një artikull duke akuzuar klerin mysliman se po i fton besimtarët duke i u thënë se nëse doni të qëndroni besnik ndaj kombit shqiptar, duhet të mbani kësula të bardha...”[25],  Me këtë shkrim konstatonte gazeta se pushtetit nuk i pengon feja myslimane, por shumë më tepër i pengon dallimi i shqiptarëve nga kombësitë e tjera të Jugosllavisë[26], shkruan ajo.

 

Dënimet ndaj shqiptarëve të Maqedonisë

 

Në shkrimin “Dënime në Tetovë”, gazeta shkruante se gazeta komuniste “Nova Makedonia”, që botohej në Shkup, ka lajmërua se me 8.12.1972, autoritetet e Tetovës kanë dënua Ekrem Kadriun me 8 muaj burg të rëndë[27], sepse ky paska shkruar vjersha në gjuhën shqipe, pa i thurë lëvdata regjimit komunist.

Në shkrimin tjetër “Arrestime të tjera në Shkup”, shkruan se përsëri në republikën e Maqedonisë kanë filluar arrestimet ndaj popullatës shqiptare. Tani së voni gjyqi i Shkupit, ka dënua dy shqiptar nga Gostivari. Këta janë profesor Mexhit Kita i Shkollës Ekonomike të Gostivarit dhe Adem Xhelili, mësues i shkollës fillore të Gostivarit[28]. Ata ishin paditur nga policia se gjoja kanë shkruar parulla kundër shtetit të Jugosllavisë.

Në shkrimin “Një tjetër gjyq në Shkup kundër shqiptarëve”, thuhej se sipas agjencisë Tanjug dhe gazetës “Rilindja”, një tjetër gjyq është hapur në Shkup, më 22 janar, kundër gjashtë shqiptarëve, katër prej të cilëve janë studentë të Universitetit të Prishtinës: Rafi Halili, Gafurr Loki, Rushit Nesimi dhe Elmaz Ademi; dhe dy janë punëtor: Nasuf Dauti dhe Ajet Ademi[29].

Këta të akuzuar që të gjithë paditën gjëja se kanë kryer vepra politike penale se paskan shpërndarë trakte e parulla me përmbajtje armiqësore, në Maqedoni.

Arrestimet në Maqedoni nuk bëheshin vetëm për shkrimin e parullave apo trakteve që shpërndanin shqiptaret. Shqiptaret arrestoheshin edhe sa herë që vinte ndonjë udhëheqës i lartë shtetëror për shkaqe sigurie. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe kur Titoja i kishte vizituar viset shqiptare në Maqedoni, policia kishte arrestua mbi 400 shqiptar, të cilët i kishte mbajtur në burg deri sa kaloi vizita e Titos[30], vetëm e vetëm nga frika se ata do të bënin ndonjë demonstratë kundër ardhjes së Titos.

 

Vazhdon trajtimi i keq i shqiptarëve në Jugosllavi

 

Në shkrimin “Trajtimi i keq i shqiptarëve në Jugosllavi”, thuhej se sa më shumë kalon koha aq më shumë po bahet jeta edhe më e padurueshme e shqiptarëve në Jugosllavi. Arsyeja është se që kur Titoja urdhëroi dhe porositi autoritetet që të hapin luftë kundër kombësive dhe ndjenjave nacionaliste, grushti më i rëndë kishte rënë kundër shqiptarëve, të cilët policia mezi kishte pritur dhe po i ndiqte me të madhe, sepse  kishte dyshime në ta. Serbët kishin fillua  përsëri të ngrenin kokë në Kosovë dhe dal nga dalë kishin fillua të merrnin në dorë frenat e administratës[31]. Doemos, kjo gjë e kishte shtua edhe më fortë mos kënaqësinë dhe pezmatimin e shqiptarëve.

 

“QINDRESA SHQIPTARE”, NR. 100, VJESHTË 1973

 

Sikurse edhe në numrat e tjerë të gazetës “Qindresa shqiptare”, po ashtu edhe numri 100 i saj, i kushtonte vëmendjen e duhur shqiptarëve të Kosovës.

Në shkrimin “Ndjekjet vazhdojnë”, jepeshin informata sesi në disa katunde të Kërçovës, kur ishin kthyer studentët, në fund të vitit shkollor, kishin vua flamurin kombëtar shqiptar nëpër shtëpitë e tyre. Policia posa i kishte vërejtur flamujt, si ujqër të tërbuar kishin vrapuar dhe i kishin larguar flamujt, ndërsa studentët i kishin arrestua[32]. Por duhet theksuar se gjatë aksionit, ishte përdorur dhuna dhe shumë nga ata kishin kërkuar ndihmën e mjekut.

Po ashtu në gazetë ishte edhe informacioni për rrënimet e mureve të shtëpive. Më gjerësisht jepen të dhënat në shkrimin “Policia prish muret e oborreve”, në të cilën njoftohet mërgata se në Prizren policia kishte fillua dhe po i prishte muret e oborreve të shtëpive, kështu që të mundet më lehtë me i kontrollua lëvizjen e njerëzve dhe të familjeve  nga rruga. Ata, kishin rrënuar edhe disa shtëpi[33], duke sjell si arsye se gjëja se nuk qenka ndërtua sipas planit të caktuar të qytetit.

 

“QINDRESA SHQIPTARE”, NR. 104, 1976


 


[1] Persekutimet kundës popullsisë shqiptare në Jugosllavi vazhdojnë, Qindresa shqiptare, nr. 20. f. 5. 1957, Paris.

[2] Gjashtdhjetë refugjat shqiptar erdhën në Francë nga Jugosllavija, Qindresa Shqiptare, Nr. 20. f. 5. 1957. Paris.

[3] Një varg gjyqesh kundër shqiptarëve në Jugosllavi, Qindresa Shqiptare, nr. 22, f. 3. Paris, 1956.

[4] Një varg gjyqesh kundër shqipëtarëve në Jugosllavi. Qindresa Shqiptare, nr. 22. f. 4, 1956. Paris

[5] Po aty.

[6] Lajmet e mërgimit, Qindresa Shqiptare nr. 22, f. 4. Paris.

[7] Nga kampi I Gerovës në Perëndim, Qindresa Shqiptare, nr. 22, f. 5. 1956, Paris.

[8] Lajme nga Kosova e robnueme, Qindresa shqiptare, nr. 97, f. 9. 1972. Paris.

[9] Rrahje për punë armësh, Qindresa shqiptare, nr. 97, f. 10. 1972. Paris.

[10] Ahmarrje në Tetovë, Qindresa shqiptare, nr. 97, f. 10. 1972, Paris.

[11] Qortime edhe dënime për disa komunistë shqiptarë të Kosovës, Qindresa shqiptare, nr. 97, f. 10, 1972. Paris.

[12] Po aty.

[13] Kongresi I Bashkimit Federalist të Komuniteteve Ethnike Evropiane, Qindresa Shqiptare”, nr. 97, f. 11, 1972, Paris.

[14] Po aty.

[15] Po aty,

[16] Ndjekjet kundër shqipëtarëve në Kosovë, në Mal të Zi edhe në Maqedoni, Qindresa Shqiptare, nr. 98, f. 5, 1972, Paris.

[17] Po aty.

[18] Sjellja “liberale” ndaj shqipëtarëve në Maqedoni, Qindresa Shqiptare”, nr. 98, f. 6. Paris,, 1972.

[19] Po aty.

[20] Në Universitetin e Prishtinës ka më shumë professorë serbë se shqipëtar, Qindresa Shqiptare, nr. 98, f. 8. Paris, 1972.

[21] Gjuha shqipe nuk mund të përdoret nëpër shkresa zyrtare, Qindresa shqiptare”, nr. 98, f. 6. Paris 1972.

[22] Një demonstrate në Ostroc të Krajes, Qindresa Shqiptare, nr. 99, f. 6. Paris, 1973.

[23] Pushohen nga puna, Qindresa Shqipëtare, nr. 99, f.6. Paris, 1973.

[24] 800 punëtor shqipëtar nxirren nga puna, Qindresa Shqiptare, nr. 99, f. 6. Paris 1973.

[25]Gazeta “Rilindja”,14.12.1972, Prishtinë

[26] Luftë e ashpër kundër fesë në Kosovë, Qindresa shqipëtare, nr. 99, f. 7. Paris, 1973.

[27] Dënimet në Tetovë, Qindresa Shqiptare”, nr. 99, f. 7. Paris, 1973

[28] Arrestime të tjera në Shkup, Qindresa Shqipëtare, nr. 99, f. 7. Paris, 1973.

[29] Një tjetër gjyq kundër shqipëtarëve në Shkup, Qindresa Shqiptare, nr. 99. f. 7. Paris 1973.

[30] Policija arrestoi shqiptarët, kur shkoi Titoja në Tetovë, Qindresa Shqiptare, nr. 99, f. 7. Paris, 1973.

[31] Trajtimi I keq I shqipëtarëve në Jugosllavi, Qindresa Shqipëtare, nr. 99. f. 8. Paris 1973.

[32] Ndjekjet vazhdojnë, Qindresa shqiptare,nr.100, f.8, Paris, 1973

[33] Policija prish muret e oborreve, Qindresa Shqiptare, nr. 100. f. 8, Paris 1973.