Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Akuzat e Priftit, 13 në pranga

| E diele, 13.03.2011, 11:19 AM |


Denoncimet publike të ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti për kontrabandë me naftën “Vergine” kanë rezultuar jo vetëm të vërteta, por janë konkretizuar me arrestimin e disa biznesmenëve të njohur të karburantit dhe të disa zyrtarëve të doganave dhe tatimeve.

Prokuroria njoftoi se në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Tiranës dhe njësinë e përbashkët hetimore u ndaluan, pasi kishin marrë nga gjykata masën e arrestit me burg pronarët e dy subjekteve private “Euroil” me ortak dhe administrator Hajri Elezaj dhe të subjektit tjetër privat, “Fisheku”, që vepron në fushën e karburanteve, me ortak dhe administrator Ilias Fisheku.

 

Së bashku me disa punonjës të doganës dhe tatimeve, ata akuzohen për 4 vepra penale, mashtrim me pasoja të rënda, shpërdorim i detyrës, falsifikim i dokumentave dhe pastrim i produktit të veprës penale.

 

Njësia e përbashkët hetimore e regjistroi me inicitivën e saj nisjen e këtij hetimi pasi ish ministri Dritan Prifti bëri publike pak muaj më parë  të dhëna për veprime abuzive me detyrën dhe për kontrabandë me naftën e prodhuar nga kompania ARMO nga viti 2007-2009.

 

Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga hetimet e zhvilluara deri tani, është bërë e mundur të provohet se gjatë kësaj periudhe sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si “Vergine” është treguar në Shqipëri në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të interesave të konsumatorëve, pasi kjo lloj nafte është shitur në treg për benzinë të pastër nga dy kompanite private “Euroil” dhe “Fisheku”.

 

Prokuroria thotë se sasia e nënproduktit të naftës të quajtur “Vergine” është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës “Armo” dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit.

 

Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar.

 

Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

 

Gjatë periudhës nën hetim kompania ARMO ka qenë shtetërore dhe në mesin e vitit 2008 ajo është privatizuar.

 

Prokuroria bëri të ditur të premten në mbrëmje se arrestoi 11 persona, por aksioni në bashkëpunim me policinë ka vijuar, duke çuar në prangosjen edhe të dy personave të tjerë të shtunën, ndërkohë që vazhdojnë veprimet e mëtejshme hetimore edhe ndaj personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.

 

Top Channel