Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Teuta Shala: Libra të rinj nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

| E shtune, 12.03.2011, 07:58 PM |


LIBRA TË RINJ

 

Nga Teuta Shala

 

SABILE KEÇMEZI-BASHA “KOSOVA NË SHTYPIN E MËRGATËS SHQIPTARE 1945-1999”, II

 

Ditë më pare nga shtëpia botuese “Libri shkollor”, dolën edhe dy studime shkencore: “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare ( Lajmëtari i lirisë dhe Përpjekja kosovare), 1945-1999” II, dhe libri tjetër “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare ( Qindresa shqiptare; Kosovarja e Re; Krahu i shqiponjës), 1945-1999”, III,  nga autorja, e cila llogaritej se është njëra ndër penat më të frytshme shkencore, Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha.

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, autore e shumë studimeve shkencore si : Lëvizja ilegale atdhetare në Kosovë 1945-1947; Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, (sipas aktgjykimeve të gjykatave të qarqeve  në ish- Jugosllavi); Shtypi ilegal shqiptarë në Kosovë 1945-1999, I; Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990. etj. Në vazhdën e punës shkencore, ajo këto ditë opinionit të gjerë shqiptar iu prezantua me dy libra shkencore, duke përfshirë shtypin e mërgatës që gjatë decenieve të shumta u botua dhe u angazhua që të sensibilizonte gjendjen e rëndë e të padurueshme të Kosovës nën ish-Jugosllavi.

Në librin e dytë “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare 1945-1999” II, ku me një punë dhe angazhim të madh autorja Sabile Keçmezi-Basha, analizon, shtjellon dhe trajton shkrimet e gazetave të asaj periudhe që botoheshin jashtë vendit, por që ilegalisht futeshin në Kosovë siç ishte gazeta “Lajmëtari i Lirisë”, të cilën e nxirrte atdhetari i shquar Jusuf Gervalla dhe gazeta tjetër që botohej në Paris e që e botonte Lidhja Kosovare me emrin “Përpjekja Kosovare”.

Libri është i ndarë në dy pjesë: Gazeta “lajmëtari i Lirisë” sihariq për mërgatën shqiptare”, në të cilët veç e veç bëhet fjalë për prezantimin, shtjellimin dhe analizat e situatës politike në Kosovë duke ia prezantuar opinionit te gjere ndërkombëtare.

Në pjesën e dytë : “Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim”, autorja në gjerësi flet për organizatën politike “Lidhja Kosovare” dhe organin e saj kryesor “Përpjekja Kosovare”. Ajo shkruan dendur për mërgimtarët tanë që nga viti 1945 jetonin dhe vepronin në mërgim anë e këndë globit, por që asnjëherë dhe për asnjë moment nuk i kishin ndërprerë lidhjet me vendin nga kishin ardhur. Ata, në mërgim kishin krijuar organizata politike dhe ishin angazhuar dhe vepruar për të mirën e atdheut duke botuar gazeta të ndryshme vetëm e vetëm që të bënin informimin sa më të drejtë për gjendjen që mbretëronte në Kosovën e robëruar.

Libri në fjalë është i kompletuar me aparaturë shkencore siç janë: Parathënia, Hyrja, Përfundimi, Rezymeja në gjuhën angleze, Treguesi i emrave, Shkurtesat dhe krejt në fund librin edhe ma te begat e bëjnë fotografit e faksimilet.

Botoi “Libri Shkollor” Prishtinë, 2011, f. 303 

 

SABILE KEÇMEZI-BASHA “KOSOVA NË SHTYPIN E MËRGATËS SHQIPTARE 1945-1999”, III

 

Në librin, “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare 1945-1999” III, autorja Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, me një kujdes të madhe prej shkencëtareje, bënë analizën e gazetave: “Qindresa Shqiptare”; “Krahu i Shqiponjë” dhe “Kosovarja e Re” që botoheshin jashtë vendit.

Librin autorja e ndan në tri pjesë kryesore si : “Trajtimi i çështjes Kosovës në gazetën “Qindresa Shqiptare” organ i Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqypnia e Lirë”, Paris”. Gazeta “Qindresa Shqiptare” botohej nga atdhetarët e shquar të kombit por që kishin qenë të detyruar të lëshonin atdheun, por me largimin e tyre, aspak nuk ishte zbehur dashuria ndaj atdheut të tyre, andaj me një elan të paparë ishin angazhuar dhe bënin sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe të të gjitha trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi. Pjesa e dytë e librit “Trajtimi i çështjes së gruas shqiptare në revistën ilegale “Kosovarja e Re” të Bashkimit të Gruas Kosovare (LRSSHJ) në Kosovë”, duke vu në spikamë çështjen e gruas që jetonte nën robëri të skajshme dhe gjakimin angazhimin dhe luftën e saj për një Kosovë pa okupues. Dhe pjesa e tretë “Revista “Krahu i Shqiponjës”, informatorë e denjë në botën e lirë për gjendjen në Kosovë”. Duhet cekur se gazetën “Krahu i Shqiponjës” e nxirrte organizata “Lidhja Çame”, por në asnjë kohë dhe në asnjë moment në shkrimet e veta nuk kishte harrua që në Amerikë të luante rolin e megafonit për çështje të pazgjidhura të Kosovës.

 Duhet përmendur se këto gazeta kanë munguar për hir të situatës politike në Kosovë, andaj edhe problem në vete ishte sigurimi i tyre. Por falë atdhetarëve të shumtë, këto gazeta i kishin ruajtur dhe grumbulluar në arkivat e tyre personale dhe në fund autores së librave me një dashamirësi ia lanë në përdorim.

Nga shkrimet që i gjejmë në libër, lexuesi i rëndomtë por edhe shkencëtari do të mbetet këndshëm i habitur se sa punën atdhetare e kanë bërë mërgimtarët tanë që jetonin me vite larg atdheut të tyre duke mos kursyer as kohën e as anën materiale, vetëm e vetëm që bota demokratike të kuptoj dhe të intervenojë në Kosovën e robëruar.

Sikurse në librin e dytë, po ashtu edhe në këtë aparatura shkencore e plotëson dhe ia shton vlerën edhe më të madhe shkencore të këtij libri.

Botoi “Libri Shkollor” Prishtinë, 2011, f. 324.

 

SABILE KEÇMEZI-BASHA “KUJTESËN E KA KAPUR SKLEROZA” (Poezi)

 

          Poetja, romancieria, dramaturgia Sabile Keçmezi-Basha, ditë më parë nxori nga shtypi dy libra me poezi: “Kujtesën e ka kapur skleroza” dhe “Metaforë iberike”. Në një mënyrë, me botimin e këtyre dy përmbledhjeve dhe me botimin e shumë librave të mëhershëm siç janë “Nusja e gurtë”, “Kohë epileptike”, “Ëndrrat e trishta”, “Malli për Itakën”, “Kodi i pritjes”, Romani “Nata pa kornizë”, drama “Hadi” e shumë të tjera, bindshëm na dëshmon se sa me hapa të sigurt hulumton të kaluarën historike në fushën e shkencës aq më bindshëm na bind se sa me mjeshtri konverton historinë në vargje poetike. Veç stilit të përkryer, vargut poetik ajo përdor një gjuhë të rrallë e të ëmbël të artikuluar në vargje që edhe më shumë e pasuron dhe i shton vlerë vokabulari poetik që dallohet nga shumë poet të tjerë. Ajo me një mjeshtri të rrallë thurë vargjet që në vete ngërthejnë dhembjen, investigojn të kaluarën dhe bartin samarin e ditës me plot brenga që e nesërmja do të jetë më e lehtë dhe më e bardhë.

Libri me poezi”Kujtesën e ka kapur skleroza”, autorja e ka ndarë në gjashtë cikle: Kujtesën e ka kapur skleroza; Udhët e atdheut; Emrat që mungojnë; Anatomia e pritjes; Mëkati pa mëkat dhe Atdheu më shkruan letra. Duhet përmendur se fund e krye vargjet e poetes pas leximit të lënë mbresa të pashlyera se cep më cep atdheut nëpër mes të vargjeve i këndon atdheut për të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen.

Botoi LSHK, Prishtinë 2011, f. 84  

 

SABILE KEÇMEZI-BASHA  “METAFORË IBERIKE” (Poezi)

 

Poetja Sabile Keçmezi-Basha, që dashamirësve të vargut të bukur artistik tani më i është e njohur. Ajo me librin e njëmbëdhjetë me poezi “Metaforë iberike” sigurisht do ti befasoi edhe më këndshëm dashamiret e poezisë.

Poezitë e kësaj përmbledhjeje janë të shkruara me një frymë dhe brenda një kohe shumë të shkurtër ( dy javë pushime verore në Spanjën e bukur). Duke lexuar poezitë, fitohet përshtypja se autorja me vargun e xhamtë na ofron pikturat e Pikasos e të Salvador Dalit në kornizë, por që gjithkund dhe në çdo vend ajo me syrin e poetit shef, takohet e bisedon shtruar me “Gernikën” dhe kërkon nga Gaudi që të projektoi edhe Sagrada Kosovën në qendër të universit. Gjezdis ne fontanat e njohura të Barcelonës, me statujat e gjalla në rrugën “La Rambla” bisedon dhe shtruar iu flet për historinë e vendit të saj që ka fitua një baule me rreze drite. Valles “Serdana” i ep ngjyrë Rugove, i buzëqesh toreadorit që ngjyrosë arenën me ngjyra kuqë e zi dhe çdo gjë i asocon në Kosovën dhe flamurin e saj. Në shtetin e vockël (Andorra) që mezi e shënjon në hartë, Kosova i del para dhe përmallshëm e përshëndet. Autorja tregon se në prehrin e atdheut çdo kush qanë pa e gjykuar askush, dhe fundja nuk është turp të qash për  ATDHEUN, thotë poetja. Në një mënyrë të dhembshme ajo kujton udhët e vatanit që gjithçka marrin me vete dhe asgjë nuk kthejnë. Pyet habitshëm ajo (poetja) pse udhët e vendlindjes janë të mbushura vazhdimisht me pikëpyetje.

Libri ndahet në pesë cikle: Pse me pikëpyetje; Desha të vija mbrëmë; Metaforë iberike; Të kujtohet baba dhe cikli i fundit: Kujtesë e grisur.    

Botoi LSHK, Prishtinë 2011, f. 84.