E shtune, 20.04.2024, 12:50 PM (GMT+1)

Faleminderit

Astrit Haraqija: Në shenjë përkujtimi për Prijësin

E marte, 22.01.2008, 05:49 PM


Në shenjë përkujtimi për Prijësin

Nga Astrit Haraqija

Motet rëndojnë dhembjen

Urtësia dhe buzëqeshja jote prej Prijësi po na mungon të gjithëve, edhe atyre që, sa ishe Ti President, e kishin fshehur urrejtjen.
 
E di o Prijës se vogëlsia ime e ka zor dhe shumë të vështirë të shkruaj përkujtimin për Ty, por mungesa jote, malli për Mësuesin, njeriun që më bëri të ndjehem i lirë dhe me dinjitet, nuk më lënë rehat pa të përkujtuar edhe në këtë përvjetor të rëndë plumb. Motet sa vijnë e rëndojnë dhembjen. Mungesa Jote bëhet përditë e më e madhe. Nuk më mungon tashmë vetëm mua, familjes dhe miqve, por edhe atyre që sa ishe Ti President e kishin fshehur urrejtjen. Në zemrat dhe mendjet tona ka ngelur bosh vendi që zije Ti. Kur ishe gjallë Ti o President, ishim të lirë, nuk frikoheshim, se kishte kush të na mbron! E sot, kaq kohë pa Ty? Më duket se miliona vite drite na ndajnë nga Ti dhe po aq kohë do të na duhet, besoj, të arrijmë deri atje ku na pret Ti o Mësues, Prijësi ynë Legjendar! Zoti më bëri dhuratë që unë të isha pranë Teje për aq vite. Dhe, unë i falem Zotit që më dha rastin të jem afër Teje. Bindja që kisha dhe kam edhe sot për Ty më japin të drejtë të them se Ti ende Je në mendjen dhe shpirtin e popullit Tonë. Jam thellë i bindur se koha Jote, President, do të vijë. Edhe ata që pasi ike Ti, vrapuan të të zinin vendin, e kanë parë se nuk është lehtë të bëhet jeta pa Mësues, pa Prijës, pa Presidentin e kthyer në Legjendë. Shumë më lehtë e patëm sa të kishim Ty. Edhe kur bënim ndonjë gabim, Ti na falje, të gjithëve. Madje, falje edhe urrejtjen e atyre që u kishe prirë në ditët më të vështira të ecjes sonë në kohë të liga. Ne që frymojmë akoma si të gjallë nuk arritëm ta mësojmë kurrë trimërinë dhe urtësinë Tënde. Pas Teje ne u përpoqëm të vazhdojmë ecjen në këmbët tona, por po e shohim çdo ditë se është e vështirë, shumë e vështirë pa Mësuesin. Durimi dhe urtësia Jote na mungon ne të tjerëve. Kam frikë se atë që ndërtove Ti për aq vite, me sakrificë, dikush edhe mund ta rrënojë, përbrenda shtëpisë. Ne, po përpiqemi të mësojmë pas Teje urtësinë dhe buzëqeshjen, por dikush me çdo kusht do të na e vrasë durimin. Ne nuk frikohemi se ata që bëjnë argatin e djallit mund të na mposhtin, por kemi frikë se do të na rrëmbejnë buzëqeshjen. Edhe pas kaq kohësh pa Ty, ne duam të jemi të lirë, sepse të lirë ishim kur ishe gjallë Ti. Të lirë duam të jemi, jo më nga frika, sepse kemi mësuar diçka nga trimëria dhe urtësia Jote. Më shumë se kurrë o Mësues, sot kemi nevojë për Prijësin, për atë që me urtësi do të na e kapte dorën për të na nxjerrë matanë lumit. E kam thënë edhe në përvjetorin Tënd të parë se Ti ecje krah për krah me të gjithë ëndërrimtarët e moteve të liga, por sot nuk e kemi dorën që na jep forcën dhe shpresën për ta tejkaluar mllefin që na ka mbërthyer. Nëse e dëgjon o Prijës atë djalin e ri që të rrinte gjithnjë afër, aty te dera, e që tash është i vjetër, dije se Shtëpia që ndërtove Ti nuk është ashtu sic e pate lënë dhe sic doje të ishte gjithmonë. Ajo tash ka zënë të rënkojë përbrenda, sepse njerëzit që strehove Ti aty, kanë zënë të urrejnë sojin e vet. Ajo strehë e sigurt dikur e cila nuk pikonte kurrë nga çatia, sot lëshon shiun. Unë nuk besoj kurrë se Ti o Prijës na ke mallkuar ne që na le të vazhdonim misionin Tënd! Jo, këtë nuk do ta bënte kurrë Mësuesi ynë. Por, nëse ne e mallkuam veten sepse na kapi lakmia, atëherë e meritojmë ndëshkimin. Sa ishe gjallë Ti nuk njohëm disfata, sepse Ti nuk pranoje humbje. Edhe ne, duke qene afër teje nuk vrisnim mendjen se mund të ktheheshim në humbës një ditë. Por, vetëm dy vite pas mortit ne nuk jemi më ata që ishim me Ty. Nuk na ndihmuan as improvizimet, as emri Yt, sepse ne nuk ndoqëm porosinë dhe rrugën e trasuar nga Ti. Na thoshe përditë se duhet punuar, duhet forcuar unitetin, duhet respektuar njerëzit ata që na qëndruan afër për shumë vite, por injoranca jonë bëri që të harrojmë shpejt frymën tënde, filozofinë Tënde prej prijësi. Presidenti Rugova me punën dhe veprën e tij u kthye në Legjendë dhe na mësoi se si duhet dashur prijësi i mirë. Unë e di se dashuria për Prijësin do të jetë e përjetshme. Unë jetova i ri me mësuesin, me te po jetoje edhe sot që jam i vjetër, me te do të jetojë edhe pjesën tjetër të jetës, derisa të shkojmë atje ku do ta gjejmë atë duke na pritur.
Jam i lumtur që e kam pasur dhe e kam Mësuesin Tim!
Të mjerë janë ata që harrojnë Mësuesin edhe atëherë kur rriten!

(Autori është ish-Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve).



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora