E shtune, 20.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Editorial

Isa Mulaj: Kriza e përgjithshme kosovare: Anekdota e hoxhës dhe djalit si rrugëdalje e vetme

E premte, 11.03.2011, 09:59 PM


Kriza e përgjithshme kosovare: Anekdota e hoxhës dhe djalit si rrugëdalje e vetme

 

Nga Isa Mulaj

 

Nuk mjafton vetëm të thuhet se Kosova gjendet në një krizë të thellë ekonomike. Gjendja është përtej asaj që mund të klasifikohet si krizë ekonomike. Në përkufizim më të përshtatshëm, mund të quhet krizë e ekzistencës së Kosovës. Përjashtim bëjnë vetëm disa grupe të vetëkënaqura që kanë përfituar ilegalisht me ndihmën e heshtjes së sistemit të drejtësisë si biznes në vete në sektorin informal, por vetëm për pak kohë. Plaçktija ashiqare e shtetit dhe iluzioni se me kapitalin e grumbulluar ilegalisht do të jenë në gjendje t’i sundojnë ose t’i mbysin ata që nuk e pranojnë sundimin e të pasuruarve ilegalisht, është i rrejshëm dhe do të ketë pasoja. Është provuar kjo strategji e pasurimit ilegal nga oligarkët në Rusi, të cilët pas një kohe mendonin se do t’i qetësojnë kundështarët ose popullsinë duke ua dhënë shqerkën, nëse duan ta marrin ose përndryshe mbeten pa të, por ndodhi e kundërta. Oligarkët u futën nëpër burgje, disa morën arratinë “kah sytë, këmbët” duke i bërë “therrat livadh”, ndërsa ekonomia iu kthye popullsisë dhe shoqërisë. Kosova është në pozitë krejtë ndryshe, sepse nuk ka ekonomi e as institucione që përkrahin por vetëm e plaçkisin atë, dhe është e varur gati në tërësi nga jashtë. Këtë nuk po duan ta kuptojnë disa grupe që janë pasuruar ilegalisht, të cilat nuk llogarisin se edhe kapitali i tyre do të del jashtë shkaku i varshmërisë tepër të lartë nga importi. Këtë strategji të gabuar për “sundimin e përjetshëm” është duke e goditur fuqishëm rritja shumë e madhe e çmimeve, duke e bërë “sundimin e përjetshëm” më të shkurt dhe përkohshëm, që arkitektët për nënshtrimin e popullsisë nepërmjet metodave bizare të korrupsionit për akumulimin ilegal të kapitalit, as në ëndërr nuk e kanë parë. Kanë keqllogaritur se mund të jenë edhe shitës dhe blerës të margjinalizuar jashtë ndikimeve tjera të shoqërisë. Por, sekreti publik këtu është se burimet e plaçktijes së shtetit po shkojnë duke u shterrur, ndërsa bizneset e këtyre grupeve si shitës, që kanë llogaritur se, nëse pjesa dërmuese e popullsisë nuk mund t’i blejnë produktet e tyre, atëherë “mjaftojnë” ata që janë pasuruar ilegalisht, nuk kanë llogaritur se shumica dërmuese e produkteve duhet të importohen për t’u shitur më shtrenjtë në Kosovë, dhe kështu me çmime më të larta i detyrojnë oligarkët kosovarë ose bosët e tyre t’i pasurojnë vendet tjera dhe në fund duke i varfëruar edhe vetë oligarkët.

 

Rritja e shkallës së inflacionit ose më tepër se dyfishimi i tij brenda një kuartali vjetor, është pasojë e rritjes së përgjithsme të çmimeve, sidomos artikujve ushqimorë, dhe për shkak të shtrenjtimit të karburanteve në tregun botëror. Në këtë situatë delikate kur Kosova ende është pa buxhetin e mirtuar për vitin 2011 dhe ka deficit buxhetor të madh, është skandaloze, e nga pikëpamja ekonomike absurd, kur Qeveria synon t’i rritë pagat për shërbyesit civilë të saj për 50 përqind. Shërbyesit civilë të Qeverisë janë kategori të cilët në përgjithësi nuk prodhojnë gjë. Sa për ilustrim, po u sjelli qëndrimin e papërgjegjshëm të departmentit për makroekonomi në MEF, ku përfaqësuesi i saj në RTK deklaron: “Ne jemi përcaktuar për një ekonomi të hapur të tregut, prandaj nuk ndërhyjmë në politikën e çmimeve”. Kështu u thonë edhe bartësit e politikave tjera ekonomike, sidomos të atyre monetare dhe kreditore, se çdo gjë ia kemi lënë tregut. Kosova është më së largu në Evropë për të qenë ekonomi e hapur e tregut. Kjo është një lloj ekonomie e kuazi-tregut me pjesëmarrje të lartë të sektorit joformal sa edhe vetë sektori formal. Sektor joformal mund të quhen edhe të gjithë ata që mendojnë se “ia kemi lënë çdo gjë tregut”. Duket sikur këta akterë në institucionet shtetërore, ose nuk kanë ide fare për rolin tejet të madh dhe të fuqishëm të shtetit në ekonominë e mirëfilltë të tregut, ose nuk u han palla fort meqenëse edhe vetë mund të cilësohen si sektor jofrmal që nuk u intereson shumë përgjegjësia e tyre ndaj ekonomisë, por më tepër janë të përkushtuar të përfitojnë, qoftë edhe ilegalisht, nga ekonomia. Pse Qeveria nuk doli me propozimin e logjikshëm për zbritjen e pagave kësaj kategorie 50 për qind si “shpërbim” për papërgjegjësinë e tyre ndaj ekonomisë?

 

Strategjia e Qeverisë dhe disa grupeve për të krijuar një lloj klientelizmi me synimin për “sundim të përjetshëm” duke ua rritur atyre pagat, sjellë rrënimin e Kosovës dhe shqoqërisë së saj në mënyrë të pabesueshme, ose edhe më tepër se që është rrënuar deri më tani. Nuk ka qenë e mundur të mbahet ky sistem i oligarkëve ilegalë në Rusi e cila kishte ekonomi të veten, prandaj nuk është e logjikshme të mendohet se ky sistem i plaçkitjes, frikësimit, shantazhit, dhe klientelizmit nga disa grupe vendore në Kosovë do të jetë jetëgjatë. Nëse nuk e pengon mafia ndërkombëtare, fundi i turpshëm duket se ka filluar. Shoqëria duhet veprojë për t’i dhënë një shtytje më të fortë ndryshimit të këtij sistemi të mprapshtë të qeverisjes ekopolitike, e jo të pres vetëm nga Zoti, sikur ai babai që mundohej ta qetësoj djalin e tij, duke i bërë thirrje për durim rreth provokimeve të hoxhës nga minarja ndaj nënës së djalit.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora