E marte, 19.03.2024, 04:53 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Abraham Linkolni - Shembull i Dinjitetit Njerëzor

E premte, 11.03.2011, 08:58 PM


Abraham Linkolni - Shembull i Dinjitetit Njerëzor

 

Nga Frank Shkreli

 

150 vjetë më parë këte muaj u inaugurua president i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni.   Para disa ditësh, Shtepia e Bardhë lëshoi një proklamatë presidenciale për të shënuar këte përvjetor me programe, ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, në shënjë respekti për presidentin më të adhuruar  der më sot jo vetëm nga populli amerikan, por edhe nga popuj anë e mbanë botës.   Në proklamatën e Shtëpisë së Bardhe thuhet se” Linkolni na sjellë në mendë se struktura jonë kombëtare është e gërshetuar nga kujtimet dhe shpresat e përbashkëta dhe se ndërsa festojmë këte përvjetor, duhet të pasqyrojmë besimin e tij të pashterrur dhe të paskajshëm se ne mbetemi një Komb dhe një popull i bashkuar me lidhje të përherëshme”.   Në proklamatën e Shtëpise së Bardhë, të nënshkruar nga Presidenti Obama thuhet gjithashtu se "Presidenti ynë i 16-tët,i nderuar e i respektuar, na ka mësuar se ne jemi dicka më shumë se Veri e Jug, më shumë se të bardhë e zezakë -- ne jemi një, dhe jemi të gjithë Amerikanë.   Forcat që na ndajnë nuk janë më të fuqishme se forcat që na bashkojnë, dhe se "lindja e re e lirisë" për të cilën pat bërë thirrje  Presidenti Linkoln bën ende jehonë në zemrat tona."

 

Proklamata vazhdon duke thënë se "Ne sot jetojmë në një vend të bashkuar që ai shpëtoi, si trashëgimtarë të lirive e progresit të cilëve ai u shërbeu.   Për te gjithe kohërat, Presidenti Linkoln bën thirrje që të ridedikohemi ndaj punës së pakryer që mbetet për tu bërë -- duke bashkuar të gjitha forcat, për të siguruar se 'qeveria e popullit, nga populli e për popullin' do të vazhdojë," së funksionuari.

 

Presidennti Linkoln udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile midis shteteve teë veriut e shteteve të jugut, e që ishte kriza më serioze në historinë e Amerikës.   Presidenti Linkoln i dha fund skllavërisë dhe në të njëjtën kohë ruajti bashkimin e vendit dhe i tregoi botës se demokracia mund dhe duhet të përbëjë një formë qeverisje të përhershme.   Me një rast kur foli për demokraci, ai pat thënë se "Unë nuk dua të jemë as skllav e as pronar skllëvërish".   Këjo deklaratë pasqyron qendrimin e Linkolnit, jo vetëm karshi skllavërise fizike por edhe ndaj asaj politike.   "Këjo shprehe idenë time të demokracisë.   Cdo gjë tjetër ndryshe nga këjo, nuk ështëdemokraci", pat thënë ai.   Dhe me një rast tjetër, ai tha se "duke u dhënë lirinë atyre që janë skllevër, ne sigurojmë edhe lirinë e atyre që janë të lirë". 

 

Gjate inaugurimit tëtij të dytë si president, ai ri-theksoi qëndrimin e vet kundër skllavërise duke thenë;   "Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve....."   Këto fjalë të Linkolnit, sipas Xhevat Kallajxhiut -- një ish-bashkpuntor i imi në Zërin e Amerikës, dhe një patriot i flakët për të cilin do të ruaj gjithmonë një respekt të posacem, dhe në të njëjtën kohë autor i një libri mbi jetën e Presidentit Linkoln -- "nxorën në dritë edhe një njeri të xhveshur nga pasionet politike, një njeri të lirë në trup e në shpirt, vëllanë e të gjithëve, i cili si president, qëndroi mbi partitë dhe grupet e interesit dhe që foli si një përfaqsues i vërtetë i gjithë kombit.   "Prandaj në ditët tona", shkruan Xhevati në librin e tij kushtuar Linkolnit, "kur urrejtja, smira dhe hakmarrja, duket se janë të vetmet ndjenja që e shtyjnë njeriun teë veprojë, figura dhe jeta e këtij amerikani të madh shëndrit magjishëm."   Përsëri sipas Xhevatit, "për Linkolnin përdoret gjthnje nofka "I ndërshmi Abe” (Abraham), të cilën ai e fitoi prej drejtësisë dhe ndershëmerisë së tij.   Në librin e tij, Xhevat Kallajxhiu ven në dukje gjithashtu se Linkolni "kurrë nuk përdori mashtrimin si mjet për të arritur qëllimet e veta dhe nuk tradhtoi kurrë idealet, në funksion të perfitimit politik.   Në librin e tij doracak për jetën e Presidentit Linkoln, Xhevati thotë se Linkolni gjatë gjithë jetës mbrojti të varfërit e të nepërkëmburit dhe me kurajo e vendosmëri mbrojti dhe vuri kushtet për "respektimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga raca, gjuha apo feja”.

 

Trashëgimia e Abraham Linkolnit, kësaj figure të madhe Amerikane, ka marrë tanimë përmasa botërore, duke u bërë një figurë globale pas vdekjes së tij.   Botimet e veprave të tij dhe libra mbi jetën e tij janë me qindra dhe në shumë gjuhë botërore dhe reputacioni i tij ndërkombetar ka vazhduar të shtohet, sa që edhe me rënjen e komunizmit dhe pas, Linkolni konsiderohej si model demokratik për popullin polak, për popujt e shteteve baltike si edhe te tjerëve në Evropën Lindore.   Pikepamjet e tij të “idesë Amerikane” vazhdojnë të jenë një frymëzim anë e mbanë botës se parimet e shpallura në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara janë universale dhe se liria nuk është vetëm për disa njerëz, por për të gjithë njerëzit e popujt dhe jo vetëm për një kohë a periudhë të caktuar por për të gjitha kohërat.   Në lidhje me parimet e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ai pat thënë se në këte deklaratë  “ekziston dicka që i garanton lirinë jo vetëm popullit të këtij vendi, por në të njëjtën kohë edhe i jep  shpresë të gjithë botës, për të gjitha kohërat…. E ky është tamam premtimi, se më kohë, do të hiqet barra e rëndë mbi krahët e të gjithë njerëzëve dhe se të gjithë do të kenë mundësi të barabarta.”

 

Po të ishte gjallë sot Abraham Linkolni dhe të shikonte revolucionet që kanë prekur vendet e Afrikës Veriore, ato të Lindjes së Mesme si edhe protestat dhe përpjekjet për demokraci, anë e mbanë botës, si në Kinë, Iran e vende të tjera të skllavëruara nga ideologji të ndryshme politike e fetare – ai  do të  na thoshte se vala e madhe për liri e demokraci ka filluar me Revolucionin Amerikan të Vitit 1776, premtimi i të cilit nuk do të realizohet për derisa të gjitha kombet, në të gjitha kontinentet, të mos përkrahin e të mos përvetësojnë të drejtat e barabarta e të pa tjetërsueshme për cdo individ, e që janë të skalitura në Kushtetutën Amerikane, nga Tomas Xhefersoni.

 

Në këte 150-vjetor të inuagurimit të tij, Presidenti Abraham Linkoln me plotë  bindje i thotë botës se lufta për liri nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë,  dhe në të njëjtën kohë na këshillon se demokracia—me të gjithë të metat e saj -- është gjithnjë shpresa e fundit dhe më e mira për të gjithë popujt anë e mbanë botes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora