E premte, 19.04.2024, 07:41 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ramadan Pllana: Jusuf Gërvalla me shokë - yje të pashuara!

E hene, 21.01.2008, 11:45 AM


Kosova nuk ka nevojë për disa zëra të ngritur, por ka nevojë për një zë të fuqishëm… (Jusuf Gërvalla)

Jusuf Gërvalla
U mbush plot një çerek shekulli nga vrasja mizore prej dorës kriminele serbo-jugosllave e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës.
Por, heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse emrat dhe veprat e tyre bëhen të pavdekshëm!
Ata u nderuan, nderohen e do të nderohen me respekt të madh nga populli, kështu ata e fituan përjetësinë në zemrat e kombit, sepse ata u ngritën për të mos rënë kurrë.

Hasan Prishtina i madh, ndër të tjera, do të thotë mbi varrin e Luigj Gurakuqit, edhe këto fjalë: - O Gurakuq! Me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo, kurrë. Se emri yt është i shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruaj me shkronja të arta!

Se është kështu më së miri flasin zemrat dhe goja e popullit që i këndon të gjithë heronjtë e vet të të gjitha kohërave, nga Agroni e Teuta, nga Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Abdyl Frashëri e Sylejman Vokshi, Mic Sokoli e Ali Ibra, Haxhi Zeka, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isë Boletini, Bajram Curri e Idriz Seferi, Bajo e Cerçiz Topulli, Dedë Gjo Luli, Avni Rrustemi, Shaban Polluzha e shumë e shumë të tjerë. Mbesin të paharruar dëshmorët e kombit të çdo brezi, pra edhe Jusufi, Kadriu e Bardhoshi me bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e vet, me emra të dëshmorëve të paharruar, si Fazli Greiqevci e Shaban Shala, Rexhep Elmazi e Hilmi Rakovica, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Abazi, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Metush Krasniqi, Ali Ajeti, Xhemajli Berisha, Fadil Vata, Ahmet Haxhiu e shumë e shumë të tjerë…

Këtë zinxhir flakadan kombëtar do ta kurorëzojë me shkronja të arta plejada e Epopesë së lavdishme e heroike e UÇK-së, me Komandantin legjendar Adem Jashari, bashkë me të vëllain Hamzën e me familje, me luftën pa kompromis me pushtuesin, luftë që do të sakrifikojë bijtë e bijat më të mira të kombit nga të gjitha trojet, nga ta po i përmendim vetëm pak prej tyre, ishin edhe këta luftëtarë, tani dëshmorë, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Mehë Uka, Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci, Mujë Krasniqi, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ismet Jashari, Agim Bajrami, Bashkim Krasniqi, Labinot e Visar Krasniqi, Kadri Kokollari, Remzi Ademaj, Ferki Aliu, Bahri Kuçi, Xhemajl Fetahu, Gursel e Bajram Sylejmani, Ahmet Kaçiku, Naser Kodra, Luljeta Shala, Mustafë Shyti, Bedri Shala, Myrvete Maksutaj, Jetë Hasani, Agim Ramadani, Rasim Kiçina, Abedin Rexha, Xhavit Morina, e qindra të tjerë, tashmë të skalitur me shkronja të arta; Adem Jashari, UÇK-ja me luftëtarët trima do ta shkëpusin, njëherë e përgjithmonë, zinxhirin e zi të robërisë serbe duke ia dhënë grushtin vendimtar në beteja të njëpasnjëshme, heroike e të pabarabarta në armatim e në ushtri duke e bërë Drenicën kala të pamposhtur e varr të armikut dhe Kosovën mollë të ndaluar për apetitet e kriminelëve pushtues të Serbisë.

Edhe emri i Jusf Gërvallës është shkruar me shkronja të arta në historinë e kombit tonë. Atë e mbajnë me dhjetëra shoqëri kulturo-artistike, shkalla e institucione, klube letrare brenda e jashtë atdheut etj. Sot, në këtë ditë kujtimi për te e për Kadriun e Bardhoshin do ta kujtojmë të gjithë. Vëllezrit, miqtë, shokët, shoqatat që mbajnë emrin e tyre, shkollat e klubet, do ta kujtojë tërë kombi ynë.

Ne shokëve, bashkëveprimtarëve dhe bashkëkohësve të tij, na takon më së shumti që duke përkujtuar figurën e tij të ndritshme ta bëjmë sa më të ndritshme para gjeneratave të reja, sepse vepra e tij na obligon të bëjmë gjithmonë me përulje përkujtimin e tij.
Jusuf Gërvallën e përcolli fati i atyre dëshmorëve që kurrë nuk pushuan duke punuar për lirinë e popullit, pa kursyer as mund as gjak, i atyre heronjve që populli i çmon shumë sikur që ishin Haxhi Zeka, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi etj.
Adem Demaqi, njëri nga frymëzuesit dhe bashkëveprimtarët e Jusufit, në shumë përkujtime e përurime për te thotë se UDB-ja e vrau vëllaun tonë Jusufin sepse ia kishin frikën.
Familja Gërvalla ishte një familje me tradita atdhetare. Familjet e tilla gjithmonë kanë qenë si halë në sy për robëruesit serbosllavë, mu për këtë ata bënin lloj- lloj shantazhi e eksperimente çnjerëzore mbi to, që ata nga këto zullume të shpërnguleshin për në Turqi e gjetiu dhe tokat e Kosovës të pastrohen nga gjaku shqiptar e të kolonizoheshin me serbo-malazez. Këtë fat të hidhur e pati përjetuar edhe familja e Bardhosh Gërvallës (e atit të Jusufit), i cili u detyrua që disa herë të blejë tokën e vet.
Jusufi lindi më 1 tetor 1945, djali i dytë i Bardhosh Dinës, në fshatin Dubovik të Deçanit. Babai i vdes në vitin 1951, kur Jusufi ishte në moshën gjashtëvjeçare. Tërë kujdesi për rritjen e tij, si dhe të vëllezërve të tij Hysenit, Bardhoshit e Avdylit, do t’i mbetet nënë Ajshes. Ajo duke parë zellin dhe talentin për mësim e dituri do ta dërgojë Jusufin e ri për shkollim në Pejë tek vëllai i vet Lush Buzhala. Pasi kreu dy-tri klasë të shkollës fillore në Prapaqan (sot shkolla fillore «Jusuf Gërvalla») vazhdon mësimet në shkollën fillore «Ramiz Sadiku» në Pejë dhe pastaj shkollën e mesme në Gjimnazin «11 Maji» në Pejë.

Kishte talent për muzikë dhe gjatë pushimeve i binte kitarës dhe këndonte. Ndikimi i tij në rrethin ku gjendej ishte shumë i madh. Më 1966 u regjistrua në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Kushtet e vështira jetësore e detyruan që ai, si student të punojë si anëtar në Korin e Radio Prishtinës. Në fillim të vitit 1967 martohet me Suzanën, me të cilën do t’i ketë tre fëmijë: Premtonin, Donikën dhe Ergonin. Në vjeshtë të vitit 1967, duke iu falur talentit të tij e angazhojnë edhe si këngëtar të muzikës argëtuese si dhe përpunues i teksteve të këngëve për radio. Më 1968 e lëshon fakultetin Juridik duke mos u pajtuar me normat e shtetit «vetëqeverisës» dhe regjistrohet aty ku i flinte zemra – në Fakultetin Filozofik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Më 1968 punonte si sufler në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës. Kështu i jepet rasti që nëpërmjet të TPK-së të bëjë një vizitë, (vizita e parë dhe e fundit e këtij lloji nga TPK) të burgosurve shqiptarë në burgun e Nishit ku luajti në pjesën teatrale «Duke pritur Godon» të Samuel Beketit. Ai e shfrytëzoi këtë rast duke ia hedhur një letër shokut të tij, të burgosurit politik, Afrim Loxhës, me këto fjalë: »- Mbahuni! Mos u mërzitni! Nuk jeni vetëm, të gjithë jemi me ju. E ardhmja është e jona. Liria po vjen… » Pas disa ditësh Jusufi arrestohet nga organet e UDB-së në Prishtinë. E akuzonin si organizator dhe pjesëmarrës në demonstratën e nëntorit të vitit 1968, për pjesëmarrje në manifestimin e madh që u bë mbi varrin e Murat Mehmetit, të vrarë në demonstratë. E kërcënonin me burg të rëndë, të përjetshëm e deri në vdekje. Të gjitha këtyre akuzave e shantazheve ai iu përballoi ashtu siç i ka hije një atdhetari të pamposhtur dhe në mungesë të fakteve për akuzë lirohet. Por, siç do të shihet Jusufi do të përcillet nga UDB-ashët deri në vdekje si njeri shumë i rrezikshëm për «vëllaznim-bashkimin» e shtetit jugosllav. Në këto rrethana edhe TPK e kishte larguar nga puna. Kështu edhe Jusufi do ta përjetoi varfërinë e madhe studenteske bashkë me të shoqen dhe të birin e sëmurë dhe do të vuaj për kafshatën e gojës. Më 1971 do të vendoset në Shkup, ku do të punësohet si përkthyes në «Flakën e Vëllazërimit». Aty iu dha mundësia për të botuar edhe punimet e veta, si poezi, tregime, reportazhe etj. Pas vitit 1973, pas kryerjes së shërbimit ushtarak pranohet për gazetar «Rilindje», ku do të punojë deri në fund të vitit 1979 kur detyrohet të largohet jashtë atdheut.
Krahas këtyre angazhimeve legale që do të t’i ketë në punë e shoqëri të përditshme, Jusufi punën më të madhe do ta bëjë në veprimtarinë ilegale, në veprat e nisura nga rilindësit tanë, nga Lidhja e Prizrenit e këndej. Ai do të vazhdojë të kryej punën e nisur për liri e pavarësi nga bashkëvepruesit e tij më me përvojë që tashmë ishin nëpër burgje (Adem Demaçi me shokë) dhe të tyre që kishin rënë dëshmorë për atdhe (Fazli Greiqevci, Shaban Shala etj).

Këtë aktivitet do ta përsos me ardhjen e tij në «Komitetin Qendror» të Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe të Viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi ( LNCKVSHJ), bashkë me Metush Krasniqin, Sabri Novosellën, Shefqet Jasharin dhe Ramadan Pllanën. Jusufi u pranua në «Komitet» të LNCKSHVJ në vitin 1978 me pseudonimin Sokoli, po më i njohur u bë në mesin tonë ilegal si Gazetari i Lëvizjes. Qysh nga ky vit angazhohet shpirtërisht për ngritjen ideo-politike në frymën kombëtare e shkencore të punëtorëve, studentëve, fshatarëve, si dhe të gjitha shtresave të tjera popullore. Ai, në bashkëpunim me shokë brenda e jashtë Lëvizjes sonë, luajti një rol shumë të madh për t’i treguar popullit tonë të robëruar shtigjet më të përshtatshme kah bashkimi e çlirimi kombëtar, në veçanti e kishte tehun te edukimi i shëndosh i rinisë studentore e shkollore ; mu për këtë rëndësi edhe kishte propozuar formimin e Komitetit Qendror të LNCKVSHJ prej 5 anëtarësh, gjë që realizohet më 12 mars të vitit 1979 në Prishtinë. Pas burgosjes së disa anëtarëve të Lëvizjes, në nëntor të vitit 1979, si dhe të vëllait të tij Hysen Gërvallës, Jusufi detyrohet të dalë jashtë atdheut - strehohet në Gjermani.

Ai nuk do të pushojë kurrë së vepruari në dobi të çështjes madhore të atdheut - të çlirimit të Kosovës me viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi dhe të bashkimit me nënën Shqipëri. Jusufi shkruante në organet «Bashkimi», «Lajmëtari i Lirisë», «Liria» dhe «Zëri i Kosovës». Me shkrimet e tija u dëshmua si luftëtar i pa kompromis për liri e pavarësi, angazhohet për aspiratat e drejta të popullit të vet duke kristalizuar drejt kërkesat që u shtruan për Kosovën Republikë. Me argumente dëshmoi para Evropës për shtypjen dhe shfarosjen që po i bëhej kombit shqiptar, qysh nga viti 1978, nga shovinizmi serb, me faktografi tregohej se këto shtypje të egra po i bëheshin edhe sot popullit shqiptar nga shovinistët fqinjë dhe disa herë edhe nga diplomacitë evropiane të kohës.
Në prag të ngjarjeve të mëdha historike, të demonstratave të marsit dhe të prillit të vitit 1981, Jusufi, nëpërmjet revistës «Lajmëtari i Lirisë» do të shkruaj: «po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe! (…) Do të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë e mbi tradhtarët e çdo ngjyre. Dita e lirisë po afrohet. Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë…Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt… »

Jusufi punonte ditë e net për bashkimin dhe shkrirjen e të gjitha organizatave, si jashtë ashtu edhe brenda atdheut, në një Lëvizje gjithëkombëtare. Për këtë kishte punuar më së shumti me Kadri Zekën, udhëheqësi i Grupit Marksist Leninist të Kosovës, OMLK-në. Ata si udhëheqës arritën që të organizojnë demonstrata në qytete të ndryshme të Evropës Perëndimore. Më 11 prill të vitit 1981 para ambasadës jugosllave në Bernë, më 18 prill në Cyrih, më 25 prill në Shtutgart, më 9 maj në Mynih, pastaj janë mbajtur demonstrata para përfaqësisë së OKB-së në Gjenevë, në Suedi, Francë, Belgjikë, e në vende të tjera.

Përveç shkrimeve, fjalimeve, peticioneve, memorandumeve, parullave dhe materialeve të ndryshme në gjuhë të huaja bashkëpunimi i Jusufit me Kadri Zekën do të shihet edhe me publikimin e revistës «Liria». Në kohën kur bisedimet rreth çështjes së bashkimit, Jusufi fillon të publikojë revistën «Zëri i Kosovës», (numri i parë i saj doli organ i LNÇKVSHJ-së) në nëntor të vitit 1981, numri i dytë në janar të vitit 1982, botohet pas vrasjës së Jusufit, Kadriut e Bardhoshit. Ky angazhim dhe biseda për bashkim mes Jusufit dhe Kadriut do të ndërpritet vetëm me vdekjen e tyre. Vrasja ndodhi më 17 janar të vitit 1982, rreth orës 22.15 minuta në Untergrupenbach afër Shtutgartit në Gjermani. Nga plumbat e armikut mizor mbetën të vdekur Kadriu dhe Bardhoshi, i cili e drejtonte automobilin, i plagosur për vdekje me tre plumba në gjoks qëndron gjallë dhe i fortë Jusufi edhe pesë orë të plota. Në pyetjen e policisë sekrete gjermane se kush kishte shtënë mbi ta, ai me vetëdije dhe bindje të plotë ishte përgjigjur se ata i kishte vrarë policia sekrete jugosllave, e quajtur UDB-ja. Edhe në spital kur u shtrua e kishte ndjekur hija e zezë gjakatare e cila ndillte vdekjen e Jusufit , kirurgu Vidiq, që ishte me origjinë jugosllave bënte çmos që pacienti të mbetej nën mëshirën e plumbave që e kishin goditur në gjoks, ashtu edhe ndodhi. Jusuf Gërvalla vdiq më 18 janar të vitit 1982 rreth orës 03.00 të mëngjesit.

Sot duke përkujtuar këto figura të ndritshme kombëtare, të nderojmë emrat dhe veprat e tyre duke u përpjekur për ta jetësuar detyrën e madhe që na e shtruan ata, si të gjithë dëshmorët tjerë para e mbas tyre, sepse kështu duke përmbushur këtë obligim historik atyre ua mundësojmë që të pushojnë të qetë në gjirin e tokës mëmë. Them këtë sepse edhepse Sebia e larguar, me forcë nga UÇK-ja e nga forcat e NATO-s më 1999, nuk ndalet së kërcënuari për luftë të re në Kosovë, gjithnjë mbreh dhëmbët dhe shantazhon haptas para neve e para faktorit ndërkombëtar për një luftë për ta rikonolizuar Kosovën. Uji fle armiku nuk fle!
Se Jusufin dhe Kadriun nuk e dallonin as nuk e pengonin asnjë ngjyrë a pikëpamje politike, «dallim» që mundohen ta trumbetojnë edhe sot ca zëra të mekur pseudopatriotë, e vërtetoi edhe vdekja e tyre. Ja se çka thonë pishtarët e kohës për ngjyrat dhe dallimet e tyre:
- Kosova nuk ka nevojë për disa zëra të ngritur, po ka nevojë për një zë të fuqishëm. (Jusufi)
- Vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. T’i bashkojmë grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë. (Kadriu)

Pra kjo dëshmon se ata kishin një mendim që dëshmon se ideal thelbësor i të gjithë luftëtarëve ishte çlirimi kombëtar. Ky shembull dhe kjo rrugë mbetet gjithmonë aktuale. Emri dhe vepra atdhetare e Jusuf Gërvallës me shokë mbetën yje të pashuara për liri e bashkim kombëtar dhe do t’i kujtojmë gjithmonë, si të gjallë, në kujtesën dhe shpirtin tonë!

Jusuf Gërvalla me shokë – yje të pashuara!

Shkruar nga Ramadan PLLANA



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora