E premte, 29.03.2024, 09:57 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Si të mbash “nën kontroll” gripin

E diele, 05.03.2006, 06:03 PM


Flet mjekja patologe në Poliklinikën e lagjes 9, Lida Gjoçi

Mbrojtja, konsumimi i vitaminës C, që rrit rezistencën


Çdo vit, ai “kokteil” virusesh i njohur si grip na detyron të rrimë me ditë të tëra në shtrat me temperaturë, dhimbje muskujsh, mungesë oreksi, kollë dhe dhimbje koke.
Mjekja patologe, Lida Gjoçi, jep disa këshilla, se si duhet të veproni nëse jeni prekur nga gripi, çfarë mund të përdorni dhe si të shmangni antibiotikët:

Ditët e fundit duket se janë shtuar rastet e gripit. Mos kemi të bëjmë me një epidemi?
Së pari, doja të sqaroja se nuk kemi të bëjmë me grip, por me viroza ose siç njihen katare stinore, që në këtë ndërrim stine janë pothuajse normale. Shenjat janë thuajse të njëjta, dhimbje koke, dhimbje fyti, të kollitura e temperaturë. Por nuk është grip. Madje edhe nëse përsëritet, sërish nuk kemi të bëjmë me grip. Shpesh njerëzit e ngatërrojnë, por gripi është tjetër gjë, ka shtrirje dhe përhapje më të gjerë nga katari stinor. Së dyti, është e vërtetë se ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve që paraqiten me shenjat e mësipërme, por nuk mund të themi se kemi epidemi. Situata duket e rëndë, sepse përveç rasteve me katara stinore, paraqiten dhe raste të alergjive dhe bronkiteve kronike, që në këtë periudhë të vitit rishfaqen. Janë pikërisht këta kontigjentë që i japin trajtën e një epidemie, por që në të vërtetë nuk mund të quhet e tillë. Duhet të preket më shumë se 50 –60% e popullsisë që të mund të deklarosh se kemi të bëjmë me një epidemi.

Nga se shkaktohen këto katare stinore?
Shkaqet janë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, luhatjet e theksuara të temperaturës, lagështia, ndotja e ambientit, të cilat shkaktojnë probleme në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, në faring dhe laring.

Kush janë më të predispozuar të shfaqin të tilla probleme?
Shkaqet që përmenda më sipër gjejnë më tepër hapësirë për t’u shfaqur te personat alergjikë, të cilët janë më të ndjeshëm nga ndryshimet klimaterike dhe cilësia e ajrit. Por nuk përjashtohet asnjë njeri. Të gjithë jemi të rrezikuar për t’u prekur nga të tilla viroza.

Cilat janë shenjat kryesore të këtyre virozave?
Këto viroza shfaqen me teshtima, bllokim e kullim hundësh, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, temperaturë të lartë. Madje mund të them se karakteristikë e këtyre katareve stinore ka qenë temperatura e lartë, deri në 40 gradë. Pacienti në të njëjtën kohë shfaq mungesë oreksi, dhimbje koke dhe kollë.

Duket se këto viroza zgjasin disa ditë, është normale një gjë e tillë?
Po, është normale. Këto shqetësime mund të zgjasin deri dhe në 4-5 ditë dhe më pas shenjat kryesore zbuten, deri sa pas një jave zhduken plotësisht dhe mund të mbetet vetëm kolla.
Nëse kalon mbi këto ditë mund të mendojmë për komplikacione. Këto mund të jenë një trako bronshiti, bronshiti difuz dhe bronkopneumonie.

Kur duhet të mendojmë se ka komplikacione?
Shenjat e komplikacioneve janë mjaft të dukshme. Kështu, nëse temperatura më pas është qetësuar dhe rishfaqet sërish e lartë, duhet të mendojmë se ka komplikacione. Kur kolla është me sekrecione, shtohet dhe bëhet më e fortë kur pacienti ka dobësi të përgjithshme, dhimbje kraharori, humbje të oreksit kemi të bëjmë me komplikacione dhe sa më parë duhet bërë kontrolli te mjeku, për të marrë trajtimin e duhur me antibiotikë specifikë.

Këto katara shoqërohen me temperaturë të lartë. A është normale dhe kur duhet ndërhyrë me antibiotikë?
Tri ditët e para është normale që temperatura të jetë e lartë dhe mund të zgjasë deri në 5 ditë. Por kurrsesi nuk duhet ndërhyrë me antibiotikë, sepse i duhet lënë kohë organizmit që të reagojë. Thjesht ajo duhet mbajtur nën kontroll dhe vetëm nëse ajo ripërsëritet, pra nëse pas një periudhe qetësie rishfaqet, vetëm atëherë duhet përdorur antibiotiku.

Çfarë mund të përdoret për të ulur temperaturën?
Medikamenti më i mirë për uljen e temperaturës është paracetamoli, veçse që të ketë efekt ai duhet përdorur një herë në 4 orë.

Ju thatë se virozat në raste të rralla mund të kërkojnë trajtim me antibiotikë. Kur rekomandohet përdorimi i tyre?
Unë jam kundër përdorimit të antibiotikëve për trajtimin e virozave. Kjo sëmundje kërkon trajtim sintomatik dhe vetëm në raste të rralla mund të rekomandohen antibiotikë të lehtë. Kjo rekomandohet kur mjeku mendon se pacienti mund të ketë infeksion, pra kur pacienti, përveç shenjave të mësipërme, ka bajame të skuqura, e ka fytin shumë të skuqur apo ka zë të ngjirur.

Pra, zëri i ngjirur duhet parë si sinjal i komplikacioneve?
Po. Shpesh ngjirja e zërit mund të jetë në sinjal i pranisë së infeksionit të faringut.

Çfarë këshilloni për dhimbjen e fytit?
Për dhimbjen e fytit zakonisht rekomandojmë karamelet e mentolit, ose në kushte shtëpie mund të bëhen avuj me mentol.

Po për kollën, çfarë mund të përdoret?
Për kollën mund të përdoren çajrat, ndërsa te alergjikët rekomandohen dhe antihistamikët.

STUDIMI
Pas tumorit në prostat, ndoshta një virus


Një virus i pagjetur më parë te njeriu, mund të jetë një ndër shkaqet e shfaqjes së tumorit në prostat. Fakt për këtë është bërë prania e tij në kampionet e marra nga indet prostatike të pacientëve me tumor. Zbulimi është bërë gjatë një eksperimenti të drejtuar nga Joe De Risi i “Howard Hughes Medical Institute” dhe Eric Klein i “ Glickman Urologic Institute” në Kliveland. Përfundimi është prezantuar në simpoziumin e shoqërisë amerikane të Onkologjisë mbi tumorin në prostat, të mbajtur në San Francisko. Bëhet fjalë për një retrovirus të pahasur më parë te njeriu, por tipik te minjtë. Virusi i ri do të jetë objekt i një shkrimi në revistën shkencore “ PLoS Pathogens”. Në mjaft raste të tumoreve në prostat rezultojnë mutacione në ngarkim të genit “RNASEL”, që ka rol mbrojtës kundër virusit. Për këtë arsye, prej vitesh mjaft studiues këmbëngulin për rolin e një infeksioni viral në gjenezën e tumorit, ose të paktën në ato raste kur funksioni i “RNASEL” është i komprometuar. Ekspertët kanë ekzaminuar 86 kampione tumoresh në prostat dhe kanë arritur të gjejnë retrovirusin e ri në pjesën më të madhe të tumorit, si dhe në rastet kur dy kopjet e “RNASEL” nuk funksionin më.

Këshilla

Si të mbani nën kontroll virozat

• mbani nën kontroll temperaturën. Çdo 4 orë duhet të përdorni paracetamol

• përdorni avuj për hundët e bllokuara

• përdorni shumë çajra

• përdorni sa më shumë lëngje

• përdorni vitaminë C, sepse rrit rezistencën e organizmit

• kontroll te mjeku për çdo lloj simptome të re


PARANDALIMI
Si mund të mbrohemi?


Mbrojtja më e mirë dhe më efikase është konsumimi i sa më shumë lëngjeve, çajrave të llojeve të ndryshme dhe vitaminës C, e cila ndikon në rritjen e rezistencës së organizmit. Njëkohësisht rekomandohet qëndrimi në ambiente të ngrohta, në mënyrë që të parandalohen komplikacionet

PYETJE-PËRGJIGJE
“Pllakëza” të bardha në bajame


Përshëndetje! Jam një nënë 30 vjeçe dhe doja të pyesja për një shqetësim të vajzës sime 5–vjeçare. Para disa ditësh i kanë dalë disa “pllakëza” të vogla të bardha në njërën prej bajameve. Doja të dija se nga se janë formuar dhe çfarë duhet të përdorë? ALKETA
Për shqetësimin tuaj ne kemi pyetur mjeken pediatre Suela Gjokutaj.
“Mesa përshkruan në letër zonja, mendoj se bëhet fjalë për një formë myku që prek faringun. Në shumicën rasteve ky problem nuk shfaqet me temperaturë apo probleme të tjera. Unë do t’ju rekomandoja të bënit një vizitë te specialisti për të parë mundësinë e trajtimit me antimykotik. Ndërkohë do t’ju këshilloja t’i bënit vajzës gargare me kripë, sepse ndihmojnë në qetësimin e acarimit të bajameve”.

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë,
mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose postës elektronike në adresat e mëposhtme:
Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës “Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
Tel.00355 4 273 207|08|09; E-mail:panorama_shendet@yahoo.com


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora