E enjte, 25.04.2024, 01:13 PM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Morali i dyfishtë

E enjte, 10.03.2011, 08:58 PM


MORALI  I  DYFISHTË

 

Nga Fadil LUSHI

 

Të nderuar lexues, shkrimin e radhës do ta filloj duke iu referuar një fabule të Ezopit. Ata që merren me krijimtarinë e tij do të thonë se Ezopi i ka të gjitha atributet a tiparet e një fabulisti didaktik të të gjitha kohërave. Njëkohësisht njerëzit duke u fascinuar nga mençuria e tij sarkastike, në vijimësi do mëtojnë  të ndërtojnë opinione për të përcjellë mesazhe nga më të ndryshmet politike a edhe filozofike.

      Ezopi, tok me La Fontenin, njihet nga lexuesit edhe prej fabulës ”Katundari dhe gomari”. Në këtë përrallëz tregohet për një ndodhi të një katundari nga një fshat i largët malor, i cili për të siguruar bukën e gojës ishte marrë me “tyxharllëk”. Ai çdo javë me gomarin e tij kishte bartur mallra nga katundi  në shehër dhe prej shehri në katund. (Në vazhdim të shtjellimit të kësaj meseleje do të bëj përpjekje të mos hetohet asnjë krahasim a paralelizëm mes katundarit dhe ndonjë personaliteti politik, qoftë nga pozita ose opozita joshqiptare)

    “Ky farë katundari  u dërgonte shehërlinjve dhe sherrxhinjve gjësende që nuk i kishin dhe anasjelltas. Një ditë nga bashkëvendësit e tij mori haberin se në katund nuk kishte kripë. Prandaj kishte vajtur në shehër për ta blerë atë. Pasi e kishte blerë kripën dhe pasi e kishte ngarkuar gomarin e tij, kishte marrë udhën drejt katundit. Ai  për çdo ditë bënte “një rrugë tejet të mundimshme” dhe jo rrallëherë ballafaqohej me inatin e gomarit. Një ditë kur po kthehej katundari me gomarin e tij, u del përpara një përroskë i vockël, por e rrëmbyeshme. Gomari me ‘kripë mend’ nga që kishte peshë të rëndë, pengohet dhe bie në një gropë me këmbët përpjetë. I zoti u mundua në çdo mënyrë dhe sa më shpejt ta çonte gomarin në këmbë, vetëm e vetëm që të mos i tretej kripa. Mirëpo pronari nuk po e bënte këtë gjë. Për fat të mirë, dikush ia behu atypari dhe i shpëtoi që të dy. Fatkeqësisht, kripa tashmë ishte tretur. Pasi mori fund ky telash, ata vazhduan rrugën për në katund. Gomari ecte shpejtë dhe shumë i gëzuar nga shkaku se barra e tij u bë shumë më e lehtë. Ndërkaq pronari i tij, të cilit i dridheshin këmbët, ecte shumë më ngadalë. Fytyra e tij ishte e zymtë dhe e trishtuar, kurse mendja rrëmujë nga fakti se “biznesi” i qe bërë çorap.

    Ndonëse morali i kësaj pjese të fabulës është i “dyfishtë dhe i thjeshtë”, nuk përfundon këtu, përkundrazi ky moral do vazhdojë të hetohet në paragrafin e dytë të këtij tregimi. Ky paragraf do të fillojë kësisoj: Një ditë një shehërli sherrxhi dhe leshpunues e kishte porositur “tyxharin” që kur të vijë në shehër t’i sjellë tre thasë me lesh. Katundari në sabah herët e ngarkon gomarin me “lesh ferrash” dhe merr udhën për në shehër.

Rrugës për në shehër, atyre prapë u doli përpara përroska e vockël. Gomarit me “kripë mendje” iu kujtua rrugëtimi paraprak dhe hë për hë i çoi këmbët vetë përpjetë, duke menduar se edhe kësaj radhe do t’i lehtësohet barra, por ama, leshi aq shumë thithi ujë sa që u bë plumb i rëndë!?

    Tani gomari sa nuk e mbyti veten, po edhe pronarin. Për këtë dhe për ndonjë arsye tjetër, kur katundari u ndërgjegjësua se me këtë farë gomari (që nuk vihej dot binarëve) “biznesit” të tij nuk i dilte hesapi, u detyrua ta dërgojë në pazar ta shesë për hiç para dhe të blejë një tjetër. Megjithatë nuk i eci zari, pasi që harroi se edhe tjetri “veshmadh” emrin e kishte gomar.

Morali i dyfishtë i kësaj fabule pavarësisht se “tingëllon si shprehje ezopike dhe lafonteniane”, sot e kësaj dite është aktual në përditshmërinë politike të Maqedonisë.

       Duke e vazhduar këtë shkrim, do të mundohem ta identifikoj moralin e “dyfishtë” të fabulës së lartpërmendur me moralin e  partive politike joshqiptare këtu në Maqedoni. Do të mëtoj të shprehem ashtu thjesht, vullnetshëm dhe alegorikisht duke mos fyer asnjeri e as parti politike, qoftë ajo maqedonase a shqiptare. Në veçanti do të përmend partitë opozitare maqedonase, të cilat duke ndërtuar një filozofi të re politike, do të mëtojnë t’i bojkotojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Parashtrohet pyetja se cilat janë qëllimet e këtij bojkoti sa i përket institucionit kushtetues-zgjedhje parlamentare! A mos vallë pas këtij bojkoti fshihen plane djallëzore, apo ndoshta me këtë qëndrim jopolitik partitë opozitare definitivisht do t’i tretin (si kripa e “tyxharit”) premtimet e tyre të prezantuara para trupit votues ose, në instancë të fundit, këtë politikë “shpresëdhënëse” do t’ua rrëmbejë ajo përroska e vockël, nga njëra anë, dhe a mos vallë me këto truqe politike synojnë t’i fusin partitë politike shqiptare në lojëra të pista, nga ana tjetër. Thjeshtë, do të mëtojnë të krijojnë krizë politike që mandej krejt këtë pështjellim t’ua veshin partive politike shqiptare. Duhet besuar se partitë politike shqiptare kësaj radhe nuk do bien në grackën e “matrapazëve politikë” dhe gjithsesi nuk do të luajnë rolin e “tyxharit” të Ezopit dhe La Fontenit, pasi që nga pikëpamja historike shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë “tyxharë” kripe e aq më pak tregtarë leshi!?

   

    Tani parashtrohet pyetja a do kishte kuptim që sot shqiptarët e Maqedonisë  të vazhdojnë ta ushqejnë ortakërinë politike (me hatër a me zor) me partitë politike maqedonase. Kjo ortakëri e “deritanishme” joparimore, kështu siç është e ndërtuar (me fyerje e akuza, me fjalor djallëzor, me mospajtime) dhe pa një reciprocitet të ndërsjellë, lëre që nuk mund të vazhdojë politikisht të frymojë a të ekzistojë, por edhe, së fundi, nuk mund të jetë natyror. Dhe nëse s’është natyror, atëherë nuk duhet të habitemi se pse po kjo ortakëri nuk do ta shpjerë asnjërën palë as deri në Tabanovc, Deve Bair, Bogorodicë, Qafë Thanë e, po deshe ti, i nderuar  lexues, nuk të çon as edhe deri në Jazhincë e lëre më në Evropë. Nga kjo ortakëri ka kohë që është përjashtuar morali i segmentit ekonomik dhe segmente të tjera që do të ishin në interes të shqiptarëve. Fukarenjtë do të thonë se nga kjo ortakëri në vijimësi kanë përfituar partitë politike maqedonase, fare pak ato shqiptare dhe hiç kurrgjë votuesit jomaqedonas. Ç’është ky moral i “dyfishtë, i thjeshtë dhe i ulët” (si morali i fabulës së Ezopit dhe La Fontenit) i kësaj ortakërie shqiptaro-maqedonase, kur në çdo fillimviti kalendarik kur ndahet “kulaçi financiar”, lista e kërkesave të shqiptarëve anashkalohet poshtërisht, qoftë kjo edhe një listë kërkesash fukarenjsh!? Po të dojë pala tjetër që të vazhdojë kjo “ortakëri politike”, ajo duhet ta ndryshojë rrënjësisht filozofinë i politikëbërjes, ndryshe nuk ka si bëhet, po edhe nëse bëhet, atëherë diçka nuk do të jetë në rregull me higjienën e mendjes së shqiptarit këtu në principatën politike të mëhallës sime dhe në përgjithësi në Maqedoni.

      Nëse katundari tok me gomarin e tij, në vaktin e Ezopit, bënte “tyxharllëk” në relacion shehër katund, politika shqiptare këtu në Maqedoni, qoftë ajo në pozitë a në opozitë, nëse vazhdon të bëjë “pazarllëk politik” në pazarin e kësaj ortakërie joparimore, atëherë rrezikon (vetvetiu) të fundoset a të mbytet në gropat e lumit Vardar, aty diku nga Ura e Gurit. Së fundi, kjo ortakëri nuk mund të kujdestarohet vetëm nga shqiptarët sa herë që vihet në dyshim ruajtja e integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë, qoftë verbas a me sytë çelë!?? Tekembramja, edhe kësaj kujdestarie një ditë do i vijë fundi.

     Politika aktuale maqedonase sot do të duhet të bëjë diplomaci të mirëfilltë e me standarde dhe jo diplomaci biblike a të miti(ë)zuar, jo diplomaci me “moral të dyfishtë dhe të ulët” si ai morali i fabulës së Ezopit. Përkundër shehërliut leshpunues dhe sherrxhi i cili prej katundarit kërkonte lesh, amerikanët dhe evropianët prej maqedonasve nuk po kërkojnë një gjë të tillë (sepse e kanë me bollëk), por ata kërkojnë që të ndërtojnë politikë parimore, politikë ekonomike dhe jo politikë të kulaçit e të grushtit të hekurt a të kërbaçit.

      Të nderuar lexues, a mos vallë jemi në prag të  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe në prag të një ortakërie të re joparimore e me moral të ulët e të “dyfishtë”!? Dikur njerëzit e mençur thoshin: Sikur të ishte i mirë ortaku, atëherë edhe Zoti do të kishte një të tillë!.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora