Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Basha: Fantazma e Mullah Omarit dhe hijet e imamëve tanë

| E enjte, 10.03.2011, 08:59 PM |


Arid Uka
Arid Uka
Fantazma e Mullah Omarit dhe hijet e imamëve tanë

 

Nga Gëzim Basha

 

Gati dymbëdhjetë vite më parë, për hir të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëhoqën të vetmen ndërhyrje ushtarake në historinë e NATO-s, bombardimin e Jugosllavisë së mbetur. Dymbëdhjetë vjet më vonë, paradoksalisht, të vetmit qytetarë europianë që kanë tentuar të sulmojnë apo edhe kanë sulmuar ushtarët amerikanë kanë qëlluar të jenë shqiptarë. Fakt i hidhur. Dy vëllezërit Duka që u arrestuan ndërsa përgatiteshin të sulmonin një bazë ushtarake amerikane në Fort Dix New Jersey janë shqiptarë etnikë prej Dibrës së Madhe, ndërsa Arid Uka, autori i atentatit terrorist që vrau dy ushtarë amerikanë dhe plagosi dy të tjerë në Frankfurt vjen prej Mitrovicës. Ky fakt i hidhur duhet të ishte një shkundje, një wake up call për shqiptarët, por siç duket qenka më e lehtë mbyllja e njërit sy dhe përsëritja e klishesë se sidoqoftë ne jemi populli më proamerikan i kontinentit, në fakt i globit. As ndezja e qirinjve në një shesh të Prishtinës, as homazhet e parisë politike kosovare në ambasadën amerikane në Prishtinë nuk bëjnë dot atë që duhet, vënien e gishtit në plagë.

 

Këto dy raste tregojnë se edhe një komb “proamerikan” nuk është i imunizuar nga virusi i terrorizmit antiamerikan, virus që është tipar i shoqërive primitive jo tolerante. Dikush mund të thotë se antiamerikanizëm ka pothuajse në të gjitha vendet e Europës, ndaj nuk është ndonjë hata e madhe që edhe ne të kemi hisen tonë në të! Përgjigjja në këtë rast do të ishte se antiamerikanizmi që ndeshet në Europën Perëndimore, kryesisht në segmentet majtiste të politikës, nuk shkallëzohet deri në terrorizëm dhe nuk ka një kredo që të përfundojë me fjalët “Allahu akhbar”. Dikush mund të thotë se ca mollë të prishura mund të gjenden gjithkund… Dakord, por t’i trajtosh këto dy raste si raste të izoluara është miopi e pastër. Vëllezërit Duka apo A. Uka janë produkt i familjeve ku jetojnë dhe i qendrave fetare që frekuentonin. Ata u bënë terroristë, nuk lindën të tillë. A. Uka mund të mos ishte mirënjohës deri në atë pikë sa t’u jepte lule ushtarëve të vendit që shpëtoi të afërmit e tij prej spastrimit etnik, por ai s’kishte pse t’u jepte plumba për luftën në Afganistan! Uka dhe vëllezërit Duka janë raste tipike të të rinjve shqiptarë që e kanë humbur identitetin kombëtar dhe në vend të tij kanë vënë identitetin fetar. Që të ndodhë një dukuri e tillë duhet një proces i shpëlarjes së trurit, proces që e kanë kryer të tjerë, ata janë vetëm viktima të tij. Sa të rinj të tjerë shqiptarë janë viktima të këtij procesi, sa prej tyre po manipulohen për të pasur vetëm një vokacion, vokacionin islamik? Përgjigjja tentativë e kësaj pyetjeje, më e pakta të vë në mendime. Ajo që më shqetëson mua si shqiptar është se shoqëritë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk po shfaqin vendosmëri në përballjen e fanatizmit islamik, po e lënë atë të mahiset dhe në vazhdoftë kështu një Zot e di se me çfarë lajmi të tmerrshëm do ta zgjojmë një ditë veten dhe botën.

 

Gjarpri i integralizmit islamik ka kohë që i ngroh vezët në anët tona. Vehabizmi, dikur i panjohur ndër shqiptarët, është tashmë një rrymë mjaft e fortë në bashkësitë islame shqiptare. Në Shkup vazhdon prej vitesh një betejë mes militantëve vehabistë dhe të moderuarve për kreun e bashkësisë islame. Në Shqipëri kupolat e xhamive të financuara nga sauditët po konkurrojnë numrin e bunkerëve stalinistë, ndërsa numri i atyre që kryejnë studime teologjike në Lindjen e Mesme vetëm rritet. Një Zot e di se çfarë lloj trajnimi marrin ata në Arabinë Saudite, Egjipt apo Libi. Në Kosovë ka imamë që fare hapur atakojnë fetë e tjera, veçanërisht katolicizmin apo simbolet tona kombëtare, veçanërisht Skënderbeun dhe flamurin kombëtar. Që niveli i kësaj ekstazie ka arritur lartësi të papara, kjo duket në përpjekjet e paprera dhe të pafytyra për të përbaltur figurën e Nënë Terezës. Një numër i imamëve shqiptarë për nga intoleranca që shfaqin hapur në sermonet e tyre janë të krahasueshëm vetëm me kreun e talebanëve, Mullah Omarin. Është i njëjti nivel intolerance! Po të kishin mundësi ata do të bënin të njëjtën gjë: vendosjen e sheriatit dhe zhdukjen e çdo gjurme të feve të tjera ashtu siç bëri Mullah Omari duke hedhur në erë statujat e Budës. Që këto konsiderata të mos duken fjalë në erë, ekzagjerime të kota, po sjell disa fakte some food for thoughts. Për një kohë të gjatë në “Youtube” qarkullonte një video nga një imam prej Kosove i quajtur prof. dr. Rexhep Krasniqi. Ky imam, edhe profesor, edhe doktor, i përgjigjej pyetjes së një besimtari mbi Nënë Terezën, shprehimisht duke thënë: “…Ajo (Nënë Tereza) po digjet midis t’xhehnemit nga se Allahi i saj ka të meta. Allahi i saj ka djalë e allahi djalë nuk ka…” Një Rexhep tjetër, edhe ai imam, Rexhep Memishi, në një video që ende gjendet në “Youtube” thotë: “…Më mirë me pas vlla një mysliman serb se sa një qafir katolik shqiptar, një shkja shqiptar… gjynah i madh që pas faljes së Bajramit ta përkujtosh flamurin a Skënderbeun.” No comment! Një propagandë e tillë është në thelb antikuranore, sepse Kurani e shikon njeriun si qenie me din dhe iman që shqip do të thotë me fe dhe komb. Përpjekja për të fshirë identitetin kombëtar të besimtarit është diabolike dhe bëhet për të lehtësuar manipulimin e besimtarëve dhe përfshirjen eventuale të tyre në xhihad.

 

Nuk janë vetëm katolikët në tehun e këtyre lloj imamëve. Përgojimi i shqiptarëve ortodoksë si “grekë” dhe i bektashinjve si “moralisht të prishur” ende është prezent nëpër komunitetet tona myslimane në Europën Perëndimore dhe Amerikë. Dhe kjo është revoltuese. Është revoltuese, sepse ndodh në dekadën e dytë të shekullit XXI, duke rihapur një kapitull të mbyllur 100 e ca vjet më parë. Rilindësit tanë e përcaktuan identitetin tonë kombëtar si një element integrues që ngrihet mbi dasitë fetare, ndërsa sot një soj kokëleckash fare hapur militojnë në favor të një tendence çintegruese që mund t’i japë goditje fatale kombit shqiptar. Në një situatë të tillë duhet që dy shtetet shqiptare të ndërhyjnë energjikisht pa u stepur se mund të akuzohen për përzierje në punët e fesë. Mesazhi duhet dhënë pa ekuivok: diversiteti fetar garantohet me ligj ndaj kush nuk ndihet mirë le të ngrejë plaçkat dhe të niset drejt Rihadit.

 

Duhet ndërhyrje e shtetit ngaqë kritika e këtyre prirjeve prej segmentesh të tjera të shoqërisë nuk është fort e lehtë. Kur dom Anton Kcira i Kishës Katolike Shqiptare të Detroitit për shembull, denoncoi aktin e vëllezërve Duka në Nju Xhersi, ndaj tij u ndërmor një fushatë e egër denigrimi. Në vend që të mirëkuptohej kambana e alarmit të cilës i ra dom Antoni, u përhap një mjegullnajë shpifjesh ndaj tij, ku për fat të keq u përfshinë edhe disa media nga Shqipëria. Intoleranca dhe keqinterpretimi i qëllimtë i fjalëve të dom Antonit krijoi një kakofoni që e mundi jehun e alarmit që donte të përhapte kambana e tij. Rreziku që parapa dom Antoni prej ca “shqiptarëve me bishta dhe ruska” për fat të keq qëlloi real. Ngjarja e Frankfurtit është provë e dhimbshme.

 

Gazeta Shqip