E enjte, 25.04.2024, 11:57 AM (GMT+1)

Mendime

Lorenc Rabeta: A duhet dënuar Ramush Haradinaj?

E hene, 21.01.2008, 01:03 PM


A duhet dënuar Ramush Haradinaj?

Nga Lorenc Rabeta

Ramush Haradinaj
Shkruante Volteri më shumë se 200 vite më parë: "Të vrasësh është e ndaluar; kështu që të gjithë fajtorët dënohen, në mos kanë vrarë në masë e nën ritmin e trumbetave". Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy shekuj nga koha kur u shkrua nga dora e filozofit të madh, fraza e famshme nuk e ka humbur aspak aktualitetin. Përshkruante më së miri kufizimet e sistemit të atëhershëm të drejtësisë, por mund t‘u përshtatet më së miri edhe atyre kufizimeve që mund të vërejmë sot, dhe sidomos në atë që duhet të jetë institucioni i drejtësisë më i moralshëm në gjithë rruzullin: Gjykata ndërkombëtare e Hagës.

Ligjet janë ligje e morali është moral, dhe ndoshta është e palejueshme të përzihen në sallën e gjyqit, por a është e drejtë që në atë bankë të akuzuarish, ku janë ulur dikur kriminelë psikopatë si Slobodan Milosheviç, gjenerali Radislav Krstiç apo gjenerali Stanislav Galiç, të qëndrojë sot një luftëtar për liri si ish-kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj? A mund të vishet ish-kryeministri kosovar me të njëjtat akuza - për krime lufte - dhe sidomos të etiketohet me të njëjtat terma që janë përdorur për kriminelë që i kanë kallur datën njerëzimit? E gjithsesi, për prokurorët e Hagës, zoti Ramush Haradinaj është fajtor e duhet dënuar me 25 vjet burgim për akte - të supozuara - të kryera gjatë luftës së Kosovës.

"Krimi është krim, qoftë kur bëhet fjalë për një fshat të vogël, ashtu edhe kur jemi përpara një rasti si ai i Srebrenicës. Nuk mund t‘i ndaj krimet në një apo dy kategori, apo më shumë. Viktimat i nënshtrohen të njëjtit krim dhe unë nuk kam ndër mend të klasifikoj viktimat", tha Karla Del Ponte, gjatë një interviste të dhënë rreth një javë përpara se të largohej nga detyra në fund të dhjetorit të shkuar. Intervistë e përcjellë në atë kohë edhe nga gazeta "Shqip". Ish-kryeprokurorja i referohej gjeneralit boshnjak, Rasim Deliç, i cili është nën akuzën e krimeve të luftës për shkak të mosparandalimit të kapjes, rrahjes dhe ekzekutimit të ushtarëve serbë në Kampin e Kamenicës, pranë qytetit boshnjak, Zavidovic.

Fjalë të thëna nga ish-kryeprokurorja që për një jurist mund të jenë më se të ligjëruara, por që për gjithë të tjerët nuk mund të perceptohen pa përfshirë brenda tyre dimensionin moral. Pra, nga pikëpamja juridike duhej akuzuar për vrasje edhe një i hebre i Aushvicit që guxonte të ngrinte dorën kundër ushtarit që e shoqëronte drejt dhomave të gazit.

Paradoksi i Hagës mbërrin kulmin, sidomos kur vërejmë përpjekjen absurde për dënimin e zotit Ramush Haradinaj, ndërkohë që prej 12 vjetësh gëzojnë lirinë përbindësha si Ratko Mladiç, gjenerali famëkeq i serbëve të Bosnjës, apo lideri i tyre, Radovan Karaxhiç. Që të dy fshihen sot e kësaj dite në Serbi, e cila ka kthyer mbrapsht çdo kërkesë të gjykatës dhe të instancave të tjera ndërkombëtare për dorëzimin e tyre. Krejt e kundërta e qëndrimit burrëror të ish-luftëtarit shqiptar, i cili, pa asgjë për t‘i fshehur drejtësisë, pranoi të përballej drejtpërdrejt me çdo akuzë, duke u dorëzuar me vullnetin e vet përpara Gjykatës së ndërkombëtare të Krimeve.

Por vërtet e papranueshme, sidomos për opinionin publik shqiptar, është fakti se përpjekjet për dënimin e ish-komandantit të UÇK-së përkojnë me lajmin e dhënë nga disa media evropiane se krimineli më famëkeq i spastrimit etnik, i njohur me pseudonimin Arkani, nuk ka vdekur, por fshihet diku në Amsterdam. Sipas disa mediave holandeze, Zhelko Razhnjatoviç, emri i tij i vërtetë, fshihet diku në kryeqytet dhe po kërkohet nga agjentët e Interpolit dhe të Europolit. Lajmi u publikua në dhjetorin e vitit të shkuar nga gazeta "Telegraf", dhe po gjen jehonë edhe në shtypin grek, ku televizioni "Mega" bën me dije se Arkani e ka regjistruar vetë "vrasjen" e tij, duke u larguar jashtë shtetit.

Vetëm një Zot e di se si Haga po kërkon të vërë drejtësi mbi një njeri që luftonte për mbijetesën e vet (z. Ramush Haradinaj humbi dy vëllezër të vrarë nga forcat ushtarake serbe) dhe të gjithë popullit të tij nga zhdukja e plotë, në një çast kur kjo mbijetesë vihej seriozisht në dyshim, ndërkohë që asnjë arkitekt serb i krimeve të përbindshme në Kosovë nuk është vënë përpara drejtësisë. Deri tani, Gjykata e Hagës ka dhënë 53 dënime, shumica e të cilave për ushtarakë (urdhërues dhe ekzekutues) serbë që kanë kryer krime kryesisht në Bosnjë.

Kështu, përveç Slobodan Milosheviçit, i cili me vdekjen e tij të parakohshme la me gisht në gojë Hagën - por edhe vetveten, pasi nuk mundi të shpaloste gjithë spektaklin e vet politik - praktikisht nuk kemi asnjë autoritet të lartë serb të gjykuar dhe të dënuar specifikisht për krime të kryera kundër popullsisë civile të Kosovës gjatë përpjekjeve për spastrim etnik. Për tragjedinë që pllakosi pa mëshirë popullin e Kosovës nuk ka asnjë përgjegjës serb, por sipas sentencës së dhënë nga prokurorët e Hagës, të dënuarit e vetëm duhet të jenë kosovarë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarë të tij Idriz Balaj dhe Lahi Brahimi.

Ndërkaq, edhe shtypi botëror është ngacmuar nga çështja e Ramush Haradinajt. Sipas një artikulli të publikuar gjatë fundit të dhjetorit të vitit të shkuar për francezen "Le Mond", procesi kundër ish-liderit të UÇk-së mund të përfundojë me disfatën e prokurorëve. Madje, sipas gazetës parisiene, për Ramush Haradinaj, i cili gëzon mbështetjen e UNMIK-ut, nuk do të vonojë shumë edhe rikthimi në skenën politike, në një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e pavarësisë së Kosovës. Gazeta franceze citonte edhe ish-prokuroren e Përgjithshme të Gjykatës ndërkombëtare të Krimeve, sipas së cilës, "kjo është një çështje të cilën shumë njerëz as që donin ta shihnin të zhvillohej në sallat e gjykatës, çështje për të cilën kishim pak mbështetje, qoftë në nivel lokal, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora