E enjte, 28.03.2024, 09:29 PM (GMT)

Mendime

Ardian Ndreca: Të varrosun mes plehnash

E hene, 21.01.2008, 03:56 PM


Të varrosun mes plehnash

Nga Ardian Ndreca

Mes vorreve të Pashko Vasës, Luigj Gurakuqit, Migjenit dhe Shqipnisë asht ngrit nji perde e randë dhe helmuese tymit me qëllim me pengue që kujtimi i veprave dhe i idealeve të atyne burrave të mund të ndikojë sadopak në jetën e sotme të gjymtueme të shqiptarëve.Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi dhe Migjeni  
Në lashtësi te vorret e të mëdhajve të kombit mbasardhësit kanë djegë kem dhe aroma të kushtueshme, kurse ne te vorri i të mëdhajve të kombit djegim plehnat e nji qyteti mbarë.

Mjafton me shkue tek të ashtuquejtunat "vorreza të dëshmorëve" në Shkodër, ku prehen eshtnat e Pashko Vasës, Luigj Gurakuqit dhe Migjenit për me pa degradimin e plotë të atij që duhet të ishte altari i kombit.

Ai që pat këndue "O moj Shqypni e mjera Shqypni, kush të ka qitun me krye në hi" – sot gjindet vetë me krye në pleh.

Ai që shpalli në Vlonë pamvarsinë e që ma vonë stigmatizoi me forcë veset e politikës shqiptare në parlamentin e viteve '20 – sot prehet vetëm pak metra larg plehnave të qytetit të vet.

Ai që pat shkrue "Poemën e Mjerimit" dhe Novelat e qytetit të veriut gjindet sot i rrethuem me male plehnash gjithfarësoji që lëshojnë drejt qiellit nji erë të qelbt, të athët e të padurueshme.

Mes atyne maleve me plehna kullosin derra të zhigatun e lopë krymçale e fëmijë gabelësh mbledhin shishe e hekura, ndërsa pak ma tej kope qejsh të unshën sillen në kërkim të ndonji gjaje për me hangër.

Ato male me plehna gjinden para atyne vorreve në shenj përbuzjet ndaj idealizmës së tyne e në shenj të triumfit të gjithmonshëm të plehnave ndër ne.

Duhet thanë se pranë vorreve të këtyne tre njerzve të shquem prehen edhe disa dhjeta të ramë të luftës nacional-çlirimtare. As për këta kurrkush nuk e çon zanin me kërkue nji trajtim ma dinjitoz. Të ramët, pamvarsisht se cilit krah politik i përkasin, meritojnë respekt dhe nderim, nemos tjetër për faktin që kanë flijue jetën e tyne për nji ideal.

***

Në muzeumin e qytetit ruhen reliket e Gurakuqit që nji dorë e përshpirtshme i mblodhi në Bari dhe i vendosi në nji valixhe: pantallonat, kravatat, çorapët, teshat e nji të vorfnit që u sakrifikue për atdheun e vet. Pranë atyne relikeve ruhen edhe dorëshkrimet e Migjenit, librat, letrat, dëshmitë.

Kurse shtëpia e Luigj Gurakuqit asht shembë dhe shkatrrue me themel nën shikimin e pafuqishëm të atyne që kanë ba demek se po qeverisin Shkodrën për vite me rradhë.

Përpara syve të nji qyteti të paralizuem prej mjerimit shpirtnor asht shembë nji shtëpi-muzeum, jo nji prej atyne kasolleve ku rastësisht nji natë kanë hangër pilaf dhe pula do gjysëm kaçakë e gjysëm banditë, jo, asht shembë shtëpia e atij që i ka vu themelet Shtetit shqiptar.

Sado pallate të reja të ndërtojnë ata që kanë në dorë politikën e sotme, sado çimento e beton të derdhin tue shpërfytyrue qytetet – asnji prej tyne nuk do të jetë moralisht ma i madh sesa shtëpia me çardak ku pat lindë Luigj Gurakuqi.

Në këto vite kujdesi i vetëm i politikës sonë ka qenë me marrë prona, me ruejt pushtetin, me bashkue thesare (të ligjshme e të paligjshme), me konsolidue vetveten dhe me kujdesue interesat e ngushta personale.

Askush nuk e ka hedhë nji sy për me pa se ku ndodhej vorri i këtyne kryeparëve të kombit tonë.

Ndërkaq nji masë me xhuxhmaxhuxha e shtyme prej nji instinkti primitiv jepet me mish e me shpirt tue i ndërtue buste, monumente, përmendore pushtuesve të huej apo disa feudalëve vendas që për arsye të kuptueshme s'kanë pasë kurrfarë lloj ideje e ndjesije kombtare.

Ndoshta jemi vendi i vetëm në botë që i ngrehë përmendore pushtuesit dhe len të parët e vet me u prehë mes grumbujsh plehut dhe mes qejsh të tërbuem.

E me mendue se Pashko Vasa deri në vitin 1978 kur iu sollën eshtnat në Shqipni prehej në nji vorr monumental në Beirut, të denjë për veprën dhe për kontributin e tij politik dhe letrar.

Edhe Luigj Gurakuqi në Bari kishte nji vorr dinjitoz mbi të cilin miku i tij besnik Gjon Kamsi kishte vu nji shkamb të marrun prej Tranit (vendi i gjykimit të vrasësit) dhe kishte shkrue nji epitaf latinisht.

Edhe Migjeni prehej në nji vorr të prujtun e të ruejtun mirë nën hijen e selvive të Torre Pellice-s.

Deri kur mos të kemi mësue me i nderue të mëdhajt e kombit nuk do të kemi ba shumë hapa drejt qytetnimit.

Mes vorreve të Pashko Vasës, Luigj Gurakuqit, Migjenit dhe Shqipnisë asht ngrit nji perde e randë dhe helmuese tymit me qëllim me pengue që kujtimi i veprave dhe i idealeve të atyne burrave të mund të ndikojë sadopak në jetën e sotme të gjymtueme të shqiptarëve.

Të gjithë janë nga pak përgjegjës për at' tym të zi që helmon përditë tokën dhe ajrin dhe fshin me forcën e padukshme të helmit ndjesitë e mira prej shpirtit shqiptar tue i ndjellë nji gjumë vdekjeprusë e tue ba që plehnat të mos jenë fatkeqsia por vetërruga jonë.

Në pamundësi me ba diçka ma shumë, qyteti i tyne duhet të ketë guximin me pezullue të gjithë titujt dhe nderimet që jep në emën të bashkësisë, pse pa i heqë plehnat te kryet e Pashko Vasës, Luigj Gurakuqit dhe Migjenit ai qytet asht i çnderuem dhe e ka humbë të drejtën me nderue kend. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora