E marte, 23.04.2024, 10:18 PM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: Mutacioni i demokracisë

E marte, 08.03.2011, 08:58 PM


Mutacioni i demokracisë

 

Nga Arbën Xhaferi

 

Bota sërish vlon. Shtetet që pretendonin se ishin demokratike filluan të rrënohen njëri pas tjetrit, ashtu si paraprakisht shtetet të ndërtuara mbi parimet e komunizmit. Kjo krizë ngulfatëse u shfaq në shtetet arabe me tendencë që të shtrihet gjithandej ku jetojnë popuj të besimit islam.

 

Për se dështojnë këto shtete, cilët janë arsyet dhe si do të përfundojë i gjithë ky proces që rrënon jo vetëm shtetin, por edhe shoqërinë, sidomos parimet etike? Pyetja është e lehtë, por përgjigja vazhdon të mbetet shumë e rëndë.

 

Sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për dështimin e shteteve jo funksionale.

Në fillim të shekullit XX, përmes revolucioneve, dhunës së egër u rrënuan shtetet perandorake kapitaliste, Rusia Cariste, Perandoria Otomane dhe ajo Austro-Hungareze. Në gërmadhat e tyre u krijuan shtete të reja perandorake të formatit të BRSS-së, mini-perandorake (Jugosllavia,Çeko-Sllovakia etj.) si dhe shtetet nacionale, Austria, Hungaria, Turqia, Polonia, Shqipëria etj.

 

Siç dihet ky formacion ideologjik shoqëror, BRSS-ja, në fillim akumuloi dhe stimuloi të gjitha kapacitetet krijuese individuale edhe grupore (regjisorë, letrarë, piktorë, kompozitorë, shkencëtarë...) që të japin kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit, më human dhe më solidar ndaj varfanjakëve, ose proletarëve, siç quheshin në atë kohë. BRSS, në ato fillime pat sukses të jashtëzakonshëm. I gjithë populli ishte i mobilizuar në kuadër të projektit për krijim të shtetit dhe njeriut të ri.

 

Ky mobilizim e bëri BRSS-në superfuqi që, gati 8 dekada ishte bashkërendëse e denjë e SHBA-ve në të gjitha fushat, pos në ekonomi. Të gjitha utopitë në fillim llamburitin, por në fund zhyten në errësirë.

 

Ndeshja ndërmjet tregut të lirë dhe tregut të kontrolluar, të planifikuar përfundoi me fitoren definitive të konceptit të tregut të lirë. Kjo fitore ishte epilog i pritshëm ngaqë analizat në vazhdimësi tregonin se koncepti sovjetik do të pësojë kolaps.

 

Por, shkak i implozionit të formacioneve komuniste shoqërore nuk ishte vetëm dështimi i faktorit ekonomik, por edhe i një vargu të faktorëve që i takojnë korpusit të të drejtave dhe të lirive të njeriut, vrasjet masive, pastaj rritja e pakontrolluar e burokracisë, mos respektimi i ligjit, represioni i vazhdueshëm, internimet, pastrimet etnike të elementëve jo luajalë ( jo sllavët) etj.

 

Konceptet ideologjike të ashtëruara komuniste humbën betejën historike nga koncepti i shoqërive të hapura liberale.

 

Kjo humbje ishte spektakolare, e menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse. Komunizmi jo vetëm që humbi betejën nga bashkërendësi më i fortë, liberalizmi, por njëkohësisht humbi edhe besueshmërinë dhe kohën.

 

Orvatjet për ta kompensuar kohën e humbur përfunduan me rënien e institucioneve që u bënë pre e makutërisë së pasanikëve rishtarë që korruptuan çdokënd. Tranzicioni politik i shoqërive postkomuniste përfundoi me rrënimin e moralit dhe krimin e organizuar, me shkelje drastike të drejtave të njeriut.

 

Politikologu amerikan F. Fukujama, si vazhdues i filozofisë eskatologjike të Hegelit, A. Kozheevit, sidomos Osfald Shpenglerit dha shpjegimin filozofik të këtyre proceseve, fillimisht në esenë "Fundi i historisë" , pastaj në librin " Fundi i historisë dhe njeriu i fundit"("The End of History and the Last Man"), botuar në vitin 1992.

 

Në këtë libër, Fukujama i mahnitur nga shpërbërja e papritur e formacioneve totalitare moniste shoqërore, konstaton se në garën historike ndërmjet modeleve të ndryshme shoqërore doli fitues koncepti i demokracisë liberale. Me këtë fitore, sipas tij procesi historik merr fund. Autori i këtij shpjegimi, në mënyrë implicite sugjeron idenë se vetëm qytetërimi perëndimor krijon histori, procesin që shënon ndryshimet e koncepteve për rregullim sa më të përsosur të shoqërisë.

 

Këto koncepte ngjallën shumë debate, jo vetëm në qarqe intelektuale, por edhe në ato politike që dëshmon se në shoqëritë perëndimore ekziston një ndërveprim, bashkëpunim ndërmjet klasës politike dhe asaj intelektuale.

 

Pushteti megjithatë ka kujdes se si do të sillet ndaj vlerësimeve të qarqeve intelektuale që i hulumtojnë thellësisht tendencat shoqërore-politike, ekonomike, për t'i parandaluar krizat që u kanosen shoqërive të hapura. Intelektualët perëndimorë ende janë të bindur se mendimet e tyre kanë ndikim në politikë.

 

Ndërtimi i shtetit mbi parimet e lirisë është, megjithatë projekt sa i vështirë po aq mahnitës, ngaqë në kushte të lirisë arrihet ndërtohet stabiliteti i shtetit dhe siguria e qytetarëve, siç është rasti me SHBA-të. Nga ana tjetër është shumë lehtë të ndërtohet shteti dhe siguria mbi premisat e dhunës, frikës, sipas standardeve tipike për shoqëritë e mbyllura. Por, këto formacione shoqërore dështojnë në mënyrë tragjike.

 

Rrënimi i formacioneve jo demokratike shoqërore, kushtimisht të quajtura komuniste, megjithatë dallon nga mënyra e ndërtimit të shtetit. Rrënimi gjithmonë është më i lehtë sesa ndërtimi. Koncepti demokracisë liberale, mbase ishte faktori kryesor i dështimit të formacioneve të mbyllura shoqërore, por ndërtimi i shtetit mbi parimet liberale sipas të gjitha gjasave do të mbetet proces i vështirë.

 

Popujt që nuk kanë tradita demokratike në përzgjedhjen e përfaqësuesve, në respektimin e ligjit, hasin në vështirësi të shumta në ndërtimin e shtetit. Shpeshherë demokracia shndërrohet në procedurë formale ngaqë strukturat e vjetrat shoqërisë manipulojnë me zgjedhjet.

 

Përmes një inzhinjeringu perfid elektoral, ose përmes presioneve, frikësimit, vjedhjes apo blerjes së votave rregullohen rezultatet, kështu që në skenën historike shfaqen mutantët politikë që tregojnë imunitet ndaj kërkesës për respektim të standardeve demokratike. Kjo aftësi për mutacion të formave të vjetra të politikës, rrënon shtetin ligjor, demokracinë, prodhon korrupsionin, krimin e organizuar, modifikimin e lojalitetit.

 

Në shoqëritë shumë-etnike shfaqet fenomeni i jo luajalitetit të bashkësive të mënjanuara etnike ndaj shtetit, ndërkaq në shoqëritë një-etnike kjo dukuri shfaqet në trajtën e jo luajalitetit të grupeve të ndryshme të interesit, prej atij familjar e deri tek ai partiak.

 

Fitorja përfundimtare e konceptit demokracisë liberale që me aq entusiazëm e përuroi Fukujama, megjithatë do të duhet të presë deri sa të krijohet ndërgjegjia për liri. Përvoja historike dëshmon se liria e prodhon demokracinë, ndërkaq kjo e zgjeron hapësirën e lirisë.

 

Fundi i shekullit XX u karakterizua me kolapsin e papritur politik, ekonomik dhe moral i formacioneve të ashtuquajtura komuniste.

 

Dekada e parë i shekullit XXI paralajmëron rrënimin kaotik të shteteve me popullsi dominuese myslimane. Kriza e legjitimitetit të shtetit fillimisht u shfaq në Algjeri, ku me procedura demokratike verdiktin e popullit morën forcat politike të proveniencës radikale islamike që nxiti luftën qytetare. Derisa në Algjeri lufta qytetare thellohej, regjimet e shteteve të tjera arabe shndërroheshin në monarki trashëguese.

 

Presidentët e zgjedhur nga populli shndërroheshin monarkë, ndërkaq fëmijët e tyre në pretendentë të fronit.

Trazirat aktuale në Algjeri, Libi, Egjipt, Jemen etj, paralajmërojnë një krizë të veçantë, që nuk mund të cilësohet as si krizë sociale, as fetare, madje as politike. Protestuesit ende s'kanë dalë me një platformë politike, sociale apo fetare. Kjo sidomos vlen për Libinë, ku, falë burimeve të naftës siguria, mirëqenia sociale ka qenë në nivel.

 

Analistët, qofshin ata me bindje islamiste apo liberale pajtohen formalisht në një pikë: radikalët islamikë shkaqet e krizës shohin te fakti se këto shtete s' janë në masë të duhur islamike, ndërkaq analistët perëndimorë shkakun e gjejnë te ndërhyrja e fesë në çështjet politike.

 

Sidoqoftë, kriza në këto shtete zgjatë një kohë të gjatë. Ajo buron nga mendësia patriarkale, autoritare e shoqërisë. Kjo mendësi nuk mund të prodhojë politikë liberale dhe e kundërta: mendësia e shoqërive perëndimore është liberale dhe inkluzive, e tillë është edhe politika, praktikimi i fesë, raportet familjare etj.

 

Kriza e shfaqur në këto shtete u paralajmërua që më herët. Autori i librit "Fundi i historisë", Fukujama, duke analizuar krizat në shtetet e formatit të Somalisë, Haitit, Kamboxhias, Kongos, Timorit Lindor, Afganistan, por edhe në Bosnje dhe Kosovë konstaton se problemi qëndron te (pa)aftësia për ndërtim të shtetit.

 

Në librin e tij parashikues "Ndërtimi i shtetit-Qeverisja dhe rendi botëror në shekullin XXI ", Fukujama analizon mënyrën se si ndërtohet shteti, përkatësisht si dështojnë disa shtete që përhapin krizën në rajone të ndryshme.

 

Në këtë kontekst ai analizon njëherësh ndërhyrjen e shteteve perëndimore për qetësimin e krizave të kësaj natyre. Fukujama fenomenin e dështimit të shteteve e ndanë në tri faza: paraqitja e krizës, mosfunksionimi i institucioneve, paaftësia e tyre për ta qetësuar krizën dhe kaosi që përhap krizën në rajon.

 

Po ashtu, Fukujama idenë e ndërhyrjes e ndanë në tre pjesë: ndërhyrja për ta penguar kaosin, rimëkëmbja e institucioneve dhe shndërrimi i një shteti të dështuar në shtet funksional.

 

Nëse për shkaqe të ndryshme nuk funksionojnë institucionet atëherë këto shtete duhet trajtuar si të dështuara.

 

Kosova sipas kësaj analize duhet të trajtohet si shtet në ndërtim e sipër, përkatësisht si shtet në fazën e ndërtimit të institucioneve të cilat nëse do të funksionojnë do ta stabilizojnë edhe shtetin. Bisedimet, siç thuhet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, do ta verifikojnë jo vetëm kapacitetin negociues të dyja palëve, por edhe atë funksional të institucioneve.

 

Negociatorët kosovarë duhet të marrin parasysh faktin e ndryshimit të kontekstit politik. Tanimë vendin e premisës kryesore të legjitimitetit ndërkombëtar të shtetit nuk e ka kategoria e respektimit të të drejtave të njeriut, as standardet e Westfalisë (respektimi i integritetit të shtetit, barazia në mes të shteteve, mos ndërhyrja në çështjet e brendshme të shteteve), por funksionimi i shtetit, i institucioneve të tij, pra stabiliteti i tij.

 

Ky ndryshim strategjik është rrjedhojë e konstatimit se terrorizmi, korrupsioni, krimi i organizuar, trafikimi i drogës, ekstremizmat fetarë, radikalizmat e tjerë janë pasojë e mosfunksionimit të shtetit.

 

Së këndejmi pala serbe në këto negociata, nuk do të potencojë kërkesën për respektim të standardeve të traktatit të Westfalisë, por, në mënyrë të pahetueshme do të parashtrojë kërkesa"teknike" që do ta bëjë Kosovën shtet jo funksional, burim endemik i të gjitha këqijave të botës moderne. Kjo tashmë është shumë e qartë.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora