E premte, 29.03.2024, 09:09 AM (GMT)

Faleminderit

Përkujtohet Presidenti Rugova

E hene, 21.01.2008, 10:10 PM


Me rastin e dy vjetorit të vdekjes së Presidentit Rugova, nën organizimin e kryetarit të LDD-së Akademik Nexhat Dacit, u mbajtën një sër aktivitetesh përkujtimore. Fillimisht Kryetari Daci me kryesinë e LDD-së vizituan familjen Rugova.

Kryetari Daci me bashkëpunëtorë u pritën nga znj.Fana Rugova, djali Mendimi me bashkëshorten dhe vajza Teuta. znj.Fana falënderoi Kryetarin Daci për akademinë përkujtimore që kanë organizuar duke thënë se “ju të gjithë keni qenë bashkëpunëtorë të tij dhe kur ju shoh ju këtu me duket se është edhe Ai në mesin tuaj”. Kryetari Daci tha se “ne si LDD do të mundohemi që të ecim rrugës së presidentit Rugova”.

Më pas në orën 11 në selinë e Lidhjes Demokratike të Dardanisë u bë hapja e tubimit përkujtimorë e cila i kushtohej jetës dhe veprës së Presidentit historik të Kosovës dr.Ibrahim Rugova, ku me ç’rast edhe u mbajt 1 minutë heshtje nga shumë simpatizant të filozofisë Rugoviane që kishin ardhur në selinë e LDD-së në Velani. Në këtë tubim përkujtimorë për jetën dhe veprën e Presidentit historik të Kosovës foli edhe kryetari i LDD-së akademik Nexhat Daci i cili ndër të tjera tha:

Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar anëtarë të kryesisë,
Të respektuar bashkëkombas,

Jemi tubuar sot për të përkujtuar me nderim të veçantë njeriun e madh të kombit shqiptarë, ikonën e shtetit të pavarur të Kosovës, Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili dy vjet më parë u nda fizikisht nga ne.
21 janari i vitit 2006 ishte goditje e rëndë jo vetëm për institucionet dhe politiken shtetërore të vendit tonë por mbi te gjitha ishte një goditje e rënd për popullin shqiptarë të Kosovës.

Muajt janar janë treguar gjithmonë muaj të ftohtë e të përgjakshëm në historinë e popullit shqiptarë. Në janar janë vrarë apo kanë ikur nga kjo botë emra të mëdhenj të historisë tonë të lavdishme.
Më 21 janar të vitit 2006 ka shkuar në amshim edhe presidenti historik i Kosovës, burri i madh i kombit dr.Ibrahim Rugova. Ai nuk vdiq, ai vetëm i mbylli sytë dhe shkoi në amshim, shkoi në altarin e burrave të pavdekshëm të historisë së shekullit tonë.

Por filozofia politike e presidentit Ibrahim Rugova edhe sot është e gjallë, është frymëzim për të ardhmen, perspektiven e Kosovës. Presidenti Rugova udhëhoqi Kosovën për 17 vjet me një filozofi origjinale politike drejt lirisë dhe pavarësisë se Kosovës duke artikuluar qëndrimin politik të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
Kjo filozofi politike e strategut të pavarësisë së Kosovës e ndërroi kahjen e zhvillimit të historisë jo vetëm të popullit të Kosovës, por edhe më gjerë. Ai ishte shembull i veçantë edhe për lëvizjet e përgjithshme të viteve 90-ta në rajon, në Evropë dhe në botë. Popujt dhe vendet e botës demokratike kishin një admirim të veçantë për filozofinë politike të presidentit Rugova. Ata besonin në mrekullinë politike të tij, prandaj e përkrahnin, prandaj ai e kishte derën e hapur në të gjitha qendrat diplomatike të botës, në Uashington pritej me respekt të veçantë, në Nju Jork konsiderohej si burrështetas, në Evropë nderohej me çmime e mirënjohje si një lider i shekullit 21.
Presidenti Rugova u nda në kohën kur Kosovës iu desh me së shumti. Ai e nisi i pari rrugëtimin e Pavarësisë dhe kur na duhej që ta nënshkruante Pavarësinë e Kosovës, ai shkoi.

Me shkuarjen në amshim të presidentit Ibrahim Rugova edhe skena politike u varfërua. Në ndërkohë u shtuan orekset e pangopura politike.
Përkrahësit e vendosur dhe të denjët të presidentin Ibrahim Rugova u anashkaluan. Në këtë kohë lindi nevoja e krijimit të një shtëpie tjetër politike e cila do të ruante dhe trashëgonte filozofinë politike të dr.Ibrahim Rugovës.
Lindi Lidhja Demokratike e Dardanisë si nevojë e kohës, parti kjo me koncept të qartë, parti e traditës dhe e vlerave moderne e cila politiken e vet e mbështet në parimet e filozofisë politike të Presidenti Rugova.

Të nderuar dardanë!

Ne sot e kujtojmë me mall por edhe me krenari Anteun e Shekullit tonë, ikonën e Pavarësisë së Kosovës dr.Ibrahim Rugovën. Ne jemi të nderuar që jetuam dhe punuam me këtë burrë të pavdekshëm të historisë tonë.
Ne kemi marrë përsipër që t’ia qojmë në vend vizionin e tij, ta bëjmë shtetin e pavarur të Kosovës.
Pavarësia e Kosovës ka emrin dhe emblemën e Presidentit Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të shpallet me bekimin e Presidentit Rugova.
Lavdi jetës dhe veprës së presidentit Ibrahim Rugova!

Zoti e bekoftë presidentin Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë Pavarësinë e Kosovës!
Zoti e bekoftë LDD-në
Zoti e bekoftë Kosovën

Pas fjalimit të kryetarit Daci të gjithë të pranishmit së bashku me kryetarin e LDD-së dhe kryesinë e saj, bënë homazhe para varrit të Presidentit Rugova.

FJALA E PRESIDENTIT FATMIR SEJDIU NË SHËNIMIN E DYVJETORIT TË VDEKJES SË PRESIDENTIT IBRAHIM RUGOVA

21 janar 2008

E nderuara familje e Presidentit Rugova,
I nderuari PSSP, z. Joachim Ruecker
I nderuari komandant i KFOR-it, Gjeneral Xavier De Marnhac
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi
I nderuar kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi
Të nderuar deputetë, ministra, udhëheqës të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Zonja dhe zotërinj,
 
Jemi mbledhur sot, në dyvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, burrit më të madh të Kosovës, themeltarit të shtetit tonë.  Me veprën e tij politike e kulturën demokratike, me devocionin e pashembullt, pothuajse religjioz, me të cilin ka punuar për pavarësinë e Kosovës, Ibrahim Rugova, i zgjedhur kryetar i Kosovës në katër palë zgjedhje, ka qenë dhe mbetet Zoti i kësaj Shtëpie. Trashëgimtarë të kësaj shtëpie jemi të gjithë ne, mbi dy milionë qytetarët e Kosovës, shtetasit e saj. Do të vinë pas nesh të tjerë trashëgimtarë, ndërsa Ibrahim Rugova, në kuptimin politik të fjalës Ati i Kombit tonë, do të mbetet fryma e këtij vendi.
 
E do puna të përkujtohet se Ibrahim Rugova pati sjellë frymë të re në studimet shqiptare, të dijeve letrare e humaniste shqiptare, në fillim të viteve 1970, para gati katër dekadash. E çoi këtë frymë deri në fund, në dije, në kulturë e në politikë, për të mbetur ai vetë Një dhe i njëjti – aristokrat i fjalës e i sjelljes, fisnik edhe në fushat jo aq fisnike të jetës e të veprimtarisë njerëzore, siç është politika.
 
Kishte krijuar një Republikë të dijeve letrare deri në moshën 45 vjeçare, ndërsa krijoi Republikën politike të Kosovës në çerekun e fundit të jetës. Kijoi kështu ngrehina kulturore e politike që u rezistuan stuhive barbare ideologjike e gjenocidale. Si e pse? Ai hapi rrugën e udhëhoqi, në kohët kur dukej se shqiptarët dhe Kosova kishin humbur rrugën në muzgun e perandorive ideologjike të Evropës Lindore e të ringjalljes së idesë për Serbinë e Madhe në veri. Ibrahim Rugova e nxori Kosovën prej kaosit në organizim, me rend të brendshëm demokratik e me struktura elementare shtetërore: shkollë, financa, rrjet shëndetësor e social, sistem informimi, madje edhe përfaqësim diplomatik në bërthamë. Propozoi edhe himnin dhe flamurin e Kosovës. E ndoqi i gjithë populli i Kosovës, i madh e i vogël, të mahnitur nga njeriu që punonte qetësisht, po me ngulm, për çështjet e mëdha, teksa fliste qartë e thjeshtë duke argumentuar nevojën për mëvetësimin e Kosovës me rrugë politike e demokratike. Ai kishte thithur dijet e thella e kulturën e pastër në librat e vjetër, në jetën e historinë autentike të shqiptarëve dhe në arealin shpirtëror e kulturor të Perëndimit.
 
Mbi këto shtresime Ibrahim Rugova ndërtoi edhe kulturën shtetformuese të Kosovës. Njeriu i librave u bë udhëheqës popullor jo me retorikë të zjarrtë patriotike, as nacionalizëm të vrazhdë, po me pastërti të kulluar të idesë për veprim të organizuar, me nacionalizëm të kulturuar mbi vlera tradicionale e moderne. Veprimi dhe organizimi kanë qenë palca kurrizore e aksionit politik të Ibrahim Rugovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të lëvizjes më të organizuar shtetformuese që kanë pasur shqiptarët në historinë e vet moderne, amën e shtetit të Kosovës dhe, në fund, të pluralizmit e të demokracisë së vendit tonë. Ky veprim i organizuar është ushqyer në kulturën e paqes e të rezistencës, por nuk e ka shtypur frymën e luftës. Sepse, aksioni politik i Rugovës ka qenë vetë lufta totale politike me organizim, i cili, fundja, nuk ka përjashtuar, por ka shtruar rrugën për të mbramen: për luftën me armë për liri e për ekzistencë njerëzore e nacionale. Sepse, siç u pa në rastin e Kosovës, lufta e Ushtrisë tonë Çlirimtare, bashkë me luftën që bëri NATO-ja, qenë në shërbim të paqes e të lirisë, të synimit parësor të udhëheqësit tonë historik, të synimit të fundmë njerëzor universalisht, pas episodesh të shkrurta apo të gjata, të luftës e të mizorisë. Lufta në shërbim të paqes është e pranueshme, thoshte Rugova, kur përpiqeshin t’i atribuonin pacifizimin e përkthyer në një soj ideologjie të dalë boje. Ai nuk u dorëzua kurrë, para asnjë sprove, veç vdekjes, e cila e mori shumë herët, për të na lënë keq në momentet historike për fatet e vendit tonë.
 
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj dite përkujtimore,
 
Ibrahim Rugova, po të flasim tani me fjalorin politik të ditës, është udhëheqës sui generis në Evropë: njeri që u vu në krye të ndërmarrjes më të madhe të një populli – të ndërmarrjes për ndërtimin e shtetit – mbi bazë të një filozofie krejt të veçantë politike për këtë pjesë të kontinentit tonë. U quajt Kolos i Brishtë, Gandi i Ballkanit a i  Evropës. Ka qenë kolos, po jo i brishtë. Ka qenë Ibrahim Rugova i Kosovës, i papërsëritshëm në të gjitha aspektet.
 
Të vijmë tani te situata e ditës sonë, që përmbledh shekullin tonë jetësor e ekzistencial: pavarësia e Kosovës. Ibrahim Rugova dhe pavarësia e Kosovës janë dy anët e medaljes me një emër të thjeshtë: Shteti i Kosovës. Lëvizja për emancipim politik të popullit të Kosovës është e lidhur me projektin jetësor të Rugovës. Ai mbylli sytë sot dy vjet pak para se të realizohej plotësisht ky projekt, që u bë popullor, teksa mbante emrin e Rugovës. E kishte parë të realizueshëm Ai, kur të tjerët e kishin vështirë ta shihnin prej malit të madh të pengesave që duheshin kaluar, rrugës së vështirë e sakrificave që duheshin bërë.
 
Në një ditë krejt të afërt të këtij viti ne do ta rishpallim pavarësinë e Kosovës në bashkëpunim me miqtë tanë, me ata miq që kishte krijuar Ibrahim Rugova dhe populli i Kosovës që ndoqi rrugën e tij me disiplinë, këmbëngultësi e devocion. Presim pastaj, menjëherë, njohjen ndërkombëtare të pavarësisë nga një numër i konsiderueshëm i vendeve në Evropë, në Amerikë, e në kontinente të tjera.
 
Çfarë shteti të Kosovës po krijojmë? Nëse jo në versionin ideal të Rugovës, sepse realiteti shpesh e mund idealitetin e vizionarëve, shteti më i ri në Evropë e në botë do të ndërtohet mbi themelet që kishte vënë Presidenti Rugova me Republikën e Kosovës, të ngjyer me sakrificën e brezave e gjakun e rreth 15.000 kosovarëve që ranë në altarin e lirisë në fund të mileniumit të kaluar, para më pak se një dekade. Kjo Kosovë është shtëpi e të gjithëve, e shqiptarëve shumicë dërmuese dhe e të gjitha pakicave, me paqe të brendshme e raporte miqësore me fqinjtë, pjesë e Unionit Evropian dhe NATO-s dhe me marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte vizioni i Rugovës para se të ishte bërë projekt konkret sot.
 
Vetë Presidenti Ibrahim Rugova udhëhoqi Ekipin e Unitetit të Kosovës në fillimet e procesit ndërkombëtar për përcaktim të statusit të Kosovës në nëntorin e vitit 2005. Dy vjet më vonë, në fund të nëntorit të vititi 2007, kjo punë mbaroi me procesin shtesë të bisedave për statusin e Kosovës, si vazhdim të procesit të nisur nga Presidenti Ahtisari, tani nën autoritetin e Grupit të Kontaktit, udhëhequr nga treshja ndërkombëtare: Union Evropian-SHBA-Rusi.
 
Kemi ardhur tani aty ku Presidenti Ibrahim Rugova e dinte se do të vijmë herët a vonë: tek njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës nga vende të Unionit Evropian e SHBA në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera veç e veç nga i gjithë globi tokësor, nga Lindja e Perëndimi, nga Jugu e Veriu.
 
Prandaj, kërkesa e përsëritur e Ibrahim Rugovës për njohjen ndërkombëtare kumbon sot fuqishëm në veshët e të gjithëve, jo si një frazë e thatë e formale, por si kushtrim për veprimin final në përmbyllje të punës për pavarësinë e Kosovës.
 
E nderuar familje Rugova,
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj dite përkujtimore për Rugovën,
 
Kosova do të gjendet së shpejti në hartën politike të botës, në gjirin e kombeve të lira. Synimi madhor i prijësit tonë historik dhe i popullit të Kosovës do të jetë realizuar. Kështu, njerëzit e vendit tonë nga të gjitha shtresat – nxënës e studentë, punëtorë e nëpunës shteti, qyetarë të zakonshëm, komuniteti i biznesit dhe establishmenti politik – do t’i hyjnë një aksioni të ri: ta bëjmë Kosovën shtet të fortë, të zhvilluar ekonomikisht e kulturalisht, ku secili do të bëjë punën e vet duke kryer një punë të thjeshtë, jomisionare në shikim të parë, pa shpatën e Demokleut mbi kokë. Sepse, statusi i pazgjidhur dhe i panjohur ndërkombëtarisht ka qenë një shpatë e tillë për të gjithë, në radhë të parë për sigurinë fizike dhe shpirtërore të qytetarëve, tani të shtetasve të Kosovës.
 
Ibrahim Rugova, heroi i Kosovës, jetën  e shkurtër dhe veprën e madhe e të përjetshme të të cilit po e nderojmë sot në këtë ditë përkujtimore, do të ishte i lumtur për vete dhe për të gjithë ne po ta mbërrinte këtë ditë për të gjallë të vet.
 
Prandaj, President i dashur, i falemi Veprës Tënde! I falemi përjetë kujtimit për Ty!
 
Ju falemnderit!
 
Presidenti i Kosovës
Dr. Fatmir Sejdiu 


Dega e LDD-së në Nju Jork përkujton kryetarin e ndjerë Ibrahim Rugova

Nju Jork, 21 janar 2008 (Kosovapress) Koha 14:09

Rugova ishte burrështetasi i madh, njeriu dhe heroi i paqes, simboli i pavarësisë së Kosovës, i cili me vizionin e atdhetarit të pashoq, nuk u ndal në përpjekjet për realizimin e pavarësisë, të demokracisë e të sovranitetit të Kosovës, është thënë të hënën në një tubim përkujtimor, organizuar nga Dega e LDD-së në Nju Jork, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të kryetarit Ibrahim Rugova.
Në këtë tubim përkujtimor morën pjesë bashkatdhetarë nga SHBA-të, të cilët kishin ardhur për të respektuar dhe përkujtuar veprat e tij madhore për popullin e Kosovës dhe mbar shqiptarët.
Për veprën e kryetarit të ndjerë Rugova foli para të pranishmëve edhe kryetari i degës së LDD-së Agim Rexhaj nën përkujdesjen e të cilit edhe ishte organizuar ky tubim.
“Askush nga ne nuk e besonte se vdekja do të trokiste në dyert e jetës së njeriut të pavarësisë aq herët, mu në prag të realizimit të saj dhe kur ajo trokiti dhe na e mori njeriun e madh, ai, edhe njëherë, në një mënyrë të veçantë, e sfidoi vdekjen dhe dëshmoi se nuk ka vdekur, se jeton në zemrat dhe në shpirtin e shqiptarëve, të cilët, me dhembjen e tyre kolektive, me pikëllimin dhe dinjitetin e tyre dëshmuan se presidenti i tyre, dr. Ibrahim Rugova, kishte ngritur qysh për të gjallë të tij një përmendore të pavdekësisë në shpirtin e tyre dhe se kishte hyrë në përjetësinë e historisë”, tha ai.
Rexhaj tha se dr. Ibrahim Rugova hyri në historinë më të re kulturore, politike e shtetërore të shqiptarëve e të Kosovës, duke krijuar historinë më të re në Kosovë.
“Rugova, u nda nga ne pa e parë të sendërtuar plotësisht ëndrrën e tij jetësore, të cilës iu përkushtua me gjithë potencialin e tij, por ndarja e presidentit tone mbetet vetëm një ndarje fizike nga ne nëse ne i  përkushtohemi deri në fund rrugës e vizionit të tij, nëse sendërtojmë ëndrrën dhe amanetin e tij për pavarësinë, demokracinë dhe sovranitetin e Kosovës, nëse sendërtojmë ëndrrën dhe vullnetin e Kosovës, të cilës me aq shenjtëri, me aq devocion të pashembullt iu përkushtua”, tha ai.
Rexhaj tha se alternativa e vetme e Kosovës është pavarësia e saj, integrimi në strukturat euroatlantike dhe miqësia e përhershme me SHBA-të.
Po me rastin e dy vjetorit të ndërrimit jetë të kryetarit Ibrahim Rugova, në Hässleholm të Suedisë nën përkujdesjen e LDD-së Dega në Suedi, u mbajt akademi përkujtimore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora