E premte, 29.03.2024, 07:44 AM (GMT)

Mendime

Isa Mulaj: Duam ambasador me duar të pastra, në vend të “Kryezotit”

E hene, 07.03.2011, 07:59 PM


Duam ambasador me duar të pastra, në vend të “Kryezotit”

 

Reagim ndaj dy artikujve të botuar në ‘Kosova Sot’ më 04 mars 2011, faqe 11

 

“Të huajt të shqyejnë, ndërsa qentë e vendit t’i nxjerrin zorrët e barkut” – Faik Konica

 

Nga Isa Mulaj

 

Tandemi Riza (G)Re(a)içevci (i mungon “G” në fillim, dhe “ai” e ka shkruar në gjermanisht “ei”!) dhe Safet Krivaça kanë botuar dy mendime, secili veç e veç në të njëjtën faqe të gazetës, i pari me titullin “Shqiptari s’e pati adet me pre mikun n’sofër”, ndërsa i dyti “Sulmet ndaj ambasadorit Dell, dëshpërim i atyre që humbën më 12 dhjetor”. Përshtypja e parë për lexuesit, vetëm nga titujt, është se një ambasador, nganjëherë i etiketuar si “Kryezoti” i Kosovës në kuptimin negativ, qenka në rrezik të madh, dhe se gazeta po bënë fushatë në mbrojtje të tij.

 

Si artikulli i njërit, ashtu edhe tjetrit autor, përmbajnë propagandë emocionale dhe dezinformim për lexuesit tepër të paktë që i shohin gjërat jashtë realitetit si Riza e Safeti, sepse lexuesit normalë, e kuptojnë se i kanë humbur 10 minuta të jetës së tyre duke lexuar diçka sikur të ishte për një shtet dhe botë tjetër, e jo këtë që quhet Kosovë dhe botë. Meqenëse lexuesit janë më tepër të interesuar për personazhet reale e jo ndonjë UFO, atëherë po zbresim në planetin e quajtur tokë dhe vendin e njohur si Kosovë ku vepron “Kryezoti”.   

 

“Të ngrehesh dorë ndaj ambasadorit Dell, ke ngrehur dorë ndaj Amerikës...!” thotë Riza, duke vazhduar me disa broçkulla të pakripa, për të mos thënë rrena të padurueshme, të cilat letra e gazetës rrallë herë se do t’ia mbante fytyra t’i botojë! Shprehje si “për ta hidhëruar dhe anashkaluar, haj medet, një ambasador të shkëlqyeshëm, një bir të shtetit nga i cili erdhën drita, buka, dielli, liria, pavarësia, shteti i pavarur...haj medet kush janë ata, kush janë ata dikushët që shohin vetëm zi Kosovën, flasin parashikojnë, ndjellin, thërrasin rebelime, pështjellime, dhe dëshirojnë vetëm zi e më zi për Kosovën, për shtetin dhe për ardhmërinë e saj”, janë hamendje të pa baze kundër realitetit. Më tutje ashpërsohet gjuha e Rizës: “Këtë e kanë zanat të pjekur nga nostalgjia për të djeshmen e shokut Tito”, dhe evoluon në terme të pakuptimta deri në paragjykime raciste si “përgjime tinëzare e bizare e qyqare, të cilat, a thua, adet i kujt ishin dhe janë? Të Rusisë! Të rodit sllav – Serbisë!”.

 

Diçka të ngjashme dhe shqetësim të njëjtë përcjellë edhe mendimi i Safetit për aferën e zgjedhjes së kryetarit të Kosovës, në përpjekje për ta mbrojtur dhe zhbërë të bëmat faktike të “Kryezotit” të Kosovës në të “martën e zezë” më 21 shkurt 2011. Edhe gjuha e Safetit me përgojime dhe etiketime të pabaza është po aq “e pasur” sikur e Rizës: “Karakteri i qarqeve të caktuara politike në rastin e sulmeve ndaj diplomatit Dell ka treguar zero kulturë politike dhe lidhet kryesisht me të humburit e 12 dhjetorit. Në këtë luftë të ndyrë për etiketimin e Ambasadorit të nderuar të SHBA-ve sot janë lëshuar edhe disa media...”.    

 

“Mikun tonë në sofër” deshi dhe mund ta prejë Thomas Countrymann!

 

Personalitetin e kultit kontrovers të Rizës ose “Kryezotin” e Kosovës deshi ta presë zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-ve, Thomas Countrymann. Fillimisht i dha një shuplakë publike për mënyrën se si është sjellë deri më tani në shtetin mikpritës, pra në Kosovë, dhe për diskreditimin e rolit të SHBA-së në Kosovë. Ndonjë zyrtar më i lartë në hierarkinë e Stejt Departmentit po të kishte kohë të merrej realisht dhe si duhet me kultin e Rizës dhe Safetit, me siguri do t’ia kishte zuzë shuplakë n’birë t’veshit, sa që “Kryezotit” i kishin qitë sytë kalanica t’verdha. Por, politika e jashtme e SHBA-ve është shumë e zënë nëpër botë, sidomos me revolucionet në botën arabe, për largimin e diktatorëve. Këtë kohë ose vakuum po e shfrytëzon “Kryezoti” dhe një numër jo më i madh se dy, eventualisht treshifror, ku përfshihen Riza dhe Safeti, për të ndërtuar diktaturë në Kosovë.

 

Shokun Tito nuk e kam sjellë unë në pushtetin e Jugosllavisë, ndërsa Titon e Kosovës e solli ilegalisht kulti i Rizës dhe Safetit. Ai bënte thirrje për “Qeveri dhe udhëheqësi me duar të pastra”, kurse vetë u angazhua ilegalisht për të sjellë në pushtet ata që i humbën zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe me duar të përlyera jo vetëm në Kosovë, por në shumë shtete tjera. Çka është më interesante, as “Kryezoti” nuk ishte me duar të pastra, sidomos në vendin ku shërbente dhe po shërben.    

 

SHBA-të kanë ndihmuar dhe ndihmojnë Kosovën, “Kryezoti” po na shqyen!

 

Ngado që t’i hedhësh sytë për veprimtarinë e “Kryezotit” në Kosovë, pasojat kanë qenë shkatërruese dhe e kanë sjellë shoqërinë kosovare këtu ku është sot. Kjo pashmangshëm e detyroj z. Countrymann t’ia ngreh veshin. Po marrim vetëm një ngjarje që solli shkatërrimin e Kosovës, ku arkitekt ishte “Kryezoti”. Autostrada e kombit!

 

Forca shtytëse e kësaj autostrade (nuk po e përmendim aeroportin) ishte “Kryezoti”, përkundër se institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore nuk e përkrahnin.  Nga pikëpamja ekonomike, autostrada me çmim të fryrë ishte varri i ekonomisë dhe mirëqenies të shoqërisë kosovare. Burimet e financimit nuk ekzistonin, por kryezoti me kryeneçësi ishte përkushtuar të shes çdo gjë të Kosovës për financimin e saj. Organizoj komplotin e shitjes ilegale të PTK-së dhe në start i mori 209.000 dollarë për lobim tek grupet dhe kompanitë e dyshimta pasi nga interesimi i blerjes së PTK-së ishin tërhequr kompanitë prestigjioze amerikane, që në një far forme mund të përfaqësonin popullin amerikan dhe interesat e tij, e kurrsesi grupet e dyshimta të “Kryezotit” për llogari të tij personale nga të cilët i priste, dhe ende i pret, 35 milionë dollarë si shpërblim nëse ua shet PTK-në atyre. Me urdhrin e tij u kontrabanda “strategjia e privatizimit të PTK-së” në Kuvend. Deputetët u shqetësuan nga ky komplot. Pasoj prishja e koalicionit dhe zgjedhjet e parakohshme të jashtëzakonshme.

 

Pas zgjedhjeve, “Kryezoti” vazhdoj të godas me armë strategjike kundër lirisë, demokracisë, dhe pavarësisë së Kosovës, në favor të, pikërisht atyre që i akuzon Riza, “Rusisë, rodit sllav”, dhe strukturave paralele në veri të Kosovës, të cilave u ka premtuar “status special” jashtë pushtetit të Prishtinës.

 

Sipas rregullave njerëzore, edhe në takimet private, telefoni celular duhet të jetë i fikur. Këtë rregull jo vetëm që nuk e respektoj “Kryezoti” në Kuvendin e Kosovës ku ishte i ftuar vetëm si mysafir, por shantazhonte e kërcënonte me SMS deputetët që  nuk do të votonin për Titon e Rizës dhe Safetit, Kalin Rus e Trojës në pozitën e kryetarit të Kosovës. “Kryezoti” u turr t’i sulmoj disa media dhe kërkoj nga Komisioni i Mediave ndërmarrjen e masave kundër tyre, në bazë të asaj që thoshte, sipas Kodit Penal të Kosovës. Komisioni i Mediave i hodhi poshtë pretendimet e “Kryezotit” për ta fundosur lirinë e mediave si në kohën e Titos, dhe mbrojtën raportimet shumë të drejtave të mediave që ky donte t’ua mbyll gojën. I ra pishman “Kryezoti” dhe deshi ta bëjë rolin e tij duke e mohuar se kishte dorë në atë të “marte të zezë”. Pasoj ragimi i fuqishëm dhe i serrtë i Reporterëve pa Kufij dhe ia bëri bajat. Vazhdon “Kryezoti” sulmet kundër partive tjera politike (për njërën tash nuk po guxon pas shuplakës që ia dha Countrymann) duke i fajësuar për zgjedhjen e ilegale të Titos së Rizës dhe Safetit. Ia rikujton dhe kritikon rolin e tij në atë “të marte të zezë” edhe Bashkësia Evropiane (eurodeputetja Ulrike Lunaçek) për cenimin flagrant të demokracisë në Kosovë.

 

Zgjedhjet e 12 dhjetorit i fituan vetëm “Kryezoti” dhe ortaku i tij, i Titos së rusëve, dhe ish-drejtori i fondeve të USAID-it për Veriun e Kosovës dhe strukturat ilegale serbe (të cilat Riza i quan “rod sllav”), Esad Pushkar. Humbës ishin të gjithë ata që votuan, sepse në listat zgjedhore nuk ekzistonin “Kryezoti” dhe Pushkari që vrënin e kthjellnin në Kuvendin e Kosovës. Unë nuk kam votuar, jam me popullin që nuk votoj, dhe “demokraci” do të “sundim i popullit”, kurse “Dellokraci” do të thotë formë unikate e tiranisë.

 

Ne duam një ambasador amerikan me duar të pastra, i cili nuk do të ishte kurrë prezent në Kuvendin e Kosovës pos në ndonjë rast të jashtëzakonshëm, dhe atë pa telefon mobil dhe asistentë të programeve për struktura paralele ilegale të cilave “Kryezoti” u ka premtuar “status special”. Duam edhe komente më kokë të pastër nëpër gazeta dhe pa paragjykime, të ndryshme nga këto të (G)R(a)eiçevcit dhe Krivaçës! Përndryshe, nëse lexuesve do t’i servohen shumë shpesh në mediat kryesore të Kosovës këso marrëzira si të Rizës e Safetit pa u sfiduar, nuk ia vlen të lexojmë gazeta, sepse realiteti është tjetër.  SHBA-të na kanë ndihmuar. “Kryezoti” po na shqyen, kurse disa shkurt pamës duan të na nxjerrin zorrët nga barku për hatër të tij, të cilit tash ju kanë turrë edhe institucionet prestigjioze (sepse me një shuplakë nga Stejt Departamenti ky nuk e ka gajle) si Reporterët pa Kufij, BE, e këtu brenda Kosovës, mbi të gjitha, kategoria më simpatike dhe liridashëse – POPULLI. Populli duhet të kërkoj nga Stejt Departamenti të fus në përdorim shqelmat e grushtat kundër “Kryezotit”. Me shuplaka, ky duket se nuk merr vesh, dhe s’i han palla fort! 



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora