E premte, 29.03.2024, 03:35 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

“Sekretet” e menysë së diabetikëve

E enjte, 09.03.2006, 05:59 PM


Endokrinologu Malo Minga: Ja ushqyerja e shëndetshme

Çfarë ushqimesh mund të konsumojë? A ekzistojnë ushqime kategorikisht të ndaluara? Sa herë në ditë duhet të ha? Këto janë disa nga pyetjet që një diabetik ia bën vetes çdo ditë. Por në të vërtetë a këshillohen ëmbëlsirat dhe pijet alkoolike?

Si mund të jetë regjimi ditor i një diabetiku? Ja se çfarë thotë në një intervistë për “Panoramën” mjeku endokrinolog, Malo Minga:

A ekzistojnë ushqime kategorikisht të ndaluara për diabetikët?
Nuk ka ushqime të ndaluara kategorikisht. Kohët e fundit rekomandohet një dietë e shëndetshme, që do të thotë se mund të ushqehet me gjithçka, por me masë. Për t’u bindur për këtë mund të them se diabetikut i lejohet që në disa raste të hajë dhe ëmbëlsira, p.sh. pasta, por me kusht që kaloritë që ka ëmbëlsira të llogariten brenda kalorazhit ditor të përcaktuar që më parë. Madje në bazë të këtyre koncepteve të reja, diabetikut i lejohet të pijë dhe pije alkoolike, por natyrisht brenda kalorazhit ditor të përcaktuar që më parë. Dua të theksoj se pijet alkoolike nuk e rrisin gliceminë, sepse nuk përmbajnë sheqerna, veçse në sasi të mëdha ato mund të çojnë në hipoglicemi, pasi është përcaktuar shkencërisht se hipoglicemia vjen nga alkooli i marrë në sasi të mëdha. Natyrisht që ëmbëlsirat dhe pijet alkoolike nuk rekomandohen të merren përditë. Marrja e ëmbëlsirave apo dhe e pijeve alkoolike brenda kalorazhit të lejuar bëhet për të pasur variacion në marrjen e ushqimeve dhe për të hequr frikën e ushqimeve “të ndaluara” në mënyrë kategorike për diabetikët. Te diabetikët me diabet të tipit 2, që në shumicën e rasteve janë dhe obezë, ku makroangiopatia diabetike (arteroskleroza diabetike) është më e shprehur se te diabetikët me diabet të tipit 1, kërkohet përdorimi i kufizuar i yndyrnave shtazore, gjalpit dhe të verdhës së vezës. Natyrisht kjo për të frenuar në maksimum përparimin e procesit aterosklerotik që zhvillohet në mënyrë të ngadaltë dhe të “fshehtë”. Këtyre personave u rekomandohet të përdorin vajë misri.

Sa herë në ditë duhet të hanë diabetikët dhe si shpërndahen llojet e ndryshme të ushqimit?
Diabetikët këshillohet që ushqimin ditor të llogaritur në bazë të kalorazhit të mos e marrin tre herë në ditë, por 6 herë në ditë dhe konkretisht në mëngjes, në orën 10:00, në drekë, në orën 16:00, në darkë dhe në orën 22:00 para gjumit.
Ushqimi i marrë në orën 10:00, 16:00 dhe 22:00 si rregull është i pakët dhe quhet vakt i vogël ose “kafshatë”. Në këto orare zakonisht rekomandohen frutat, biskotat apo dhe ushqime të tjera, që i merr në sasi të pakët. Marrja e ushqimit 6 herë në ditë, siç u tha më lart bën që diabetiku “ të jetë i ngrënë” gjatë gjithë ditës, çka bën të mundur shmangien e hipoglicemisë nga mjekimi me insulinë apo me kokrrat e sulfaniluresë:
Buka përdoret në të tre vaktet kryesore, mëngjes, drekë dhe darkë. Ushqime të tjera rekomandohen si më poshtë:
Në mëngjes: djathë, qumësht, gjizë, vezë, sallame, salçiçe etj.
Në drekë: mishi dhe produktet e tij, peshku, sallame të ndryshme, gjellë me zarzavate jeshile, frutat etj.
Në darkë: djathë, gjizë, kos, qumësht, salçiçe, sallame, gjellë me zarzavate etj.
Mënyra e mësipërme e ndarjes së ushqimeve është relative dhe natyrisht ka në bazë traditën popullore, si dhe kulturën sociale të diabetikut.

A mund të jetë mjekimi diabetik mjekimi i vetëm i diabetit të sheqerit?
Pa respektuar dietën, mjekimi medikamentoz me insulinë, me kokrra apo dhe i kombinuar midis tyre nuk ka efekt ose ka efekt “të pakët”, sepse dieta realizon dhe korrigjon shumë çrregullime metabolike, që qëndrojnë në bazë të diabetit të sheqerit. Mjekimi diabetik mund të ketë vlera të mëdha dhe të jetë i vetëm pa u shoqëruar me medikamente, vetëm kur është fjala për diabetikët me tip diabeti tip 2, që janë në mbipeshë apo shumë obezë. Megjithatë duhet thënë se edhe kur jepet i vetëm, mjekimi diabetik nuk vazhdon përgjithmonë gjatë gjithë jetës, sepse me kalimin e kohës për arsye të ndryshme dhe komplekse lind nevoja që ky mjekim të kombinohet domosdo dhe me mjekimin medikamentoz, pasi është e pamundur që i vetëm të mbajë në ekuilibër diabetin e sheqerit.

Si mund të përfitohet pesha ideale?
Përfitimi i peshës ideale realizohet duke dhënë ushqime me pak kalori kur është fjala për diabetikët me mbipeshë dhe me shumë kalori kur është fjala për diabetikët me nënpeshë trupore. Për këtë duhet që të shmanget përdorimi i atyre ushqimeve që shkaktojnë rritje të shpejtë dhe të menjëhershme të glicemisë. Dhe së dyti, duke përcaktuar dhe respektuar dieta përkatëse për çdo diabetik, në bazë të veçorive dhe kushteve që paraqet secili prej tyre.

Produkti Sheqernat në gr Proteinat në gr Yndyrnat në gr

Mish lope - 21 7
Mish viçi - 19 10
Mish viçi (tul) - 20 5
Mish qengji - 16 10
Mish derri - 15 18
Mish pule - 20 10
Mëlçi 4 19 5
Kremviçe - 18 18
Sallam - 19 23
Proshutë - 20 10
Peshk 26 8 -
Sardele në vaj - 25 11
Karkaleca deti - 27 2
Qumësht i paskremuar 5 4 4
Kos 4 4 2
Gjizë - 23 3
Djathë i bardhë 5 18 25
Djathë kaçkavall - 25 30
Gjalpi - - 81
Margarina - - 81
Majoneza 3 1 78
Qershi, mollë, dardhë,
hurma, kajsi, pjeshkë,
portokallia 14-15 - -
Shalqi, pjepër, mana toke 5-8 - -
Fiq të njomë 18 - -
Fiq të thatë 70 3 -
Rrush i freskët 20 - -
Rrush i thatë 72 2 -
Kumbulla të thata 55 2 -
Arra 15 15 64
Bajame 10 18 54
Mjalti 76 - -
Reçeli 70 1 -
Pastat 75 6 13
Biskotat 75 10 3
Çokollata 63 2 30

STUDIMI
Çaji, i mirë kundër infeksioneve


Nëse pini çaj rregullisht, mund të “stërvitni” sistemin imunitar të përgjigjet më shpejt ndaj infeksioneve dhe ndoshta edhe ndaj kancerit. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga “Brigham and Women’s Hospital” dhe “Harvard Medical School”, i publikuar në revistën “Proceedings of the National Academy of Science”. Sipas ekspertëve, çaji përmban substanca të veçanta kimike që mund të individualizohen në disa bakterie, qeliza tumorale, parazitë dhe kërpudha. Duke pirë çajin, i jepet mundësi sistemit imunitar të mësojë “të njohë” dhe të reagojë nëse këto substanca do të shndërroheshin në rrezik. Në studim ekspertët amerikanë kanë vërejtur efektet e antigenëve të alkilaminës, substancës së përbashkët te të gjitha llojet e çajrave dhe agjentëve pathogjenë, mbi qelizat T gama-delta të sistemit imunitar, linja e parë mbrojtëse e organizmit ndaj infeksioneve.

Pyetje-Përgjigje

Kam njolla në lëkurë, çfarë duhet të bëj?

Përshëndetje! Jam një vajzë 21-vjeçare dhe doja të pyesja rreth një problemi që më është shfaqur para 10 javësh. Në disa zona të trupit më janë shfaqur disa njolla të vogla, me ngjyrë të errët, të cilat më shkaktojnë të kruara dhe më pas zhduken plotësisht. Dua të di se nga se shkaktohen dhe nëse kanë lidhje me stresin.
ANISA
Për shqetësimin tuaj ne kemi pyetur dermatologen, Suzana Hoxha:
“Së pari do t’ju rekomandoja të shkonit sa më parë te një mjek specialist, sepse nga sa shpjegoni mund të jeni prekur nga ndonjë formë e lehtë urtikarieje (një formë dermatiti). Kjo sëmundje mund të ketë origjinë të ndryshme dhe shumë rrallë lidhet drejtpërdrejtë me stresin. Për këtë arsye ju duhet të bëni një sërë analizash, në mënyrë që të mund të mësoni origjinën e problemit dhe më pas të trajtoni si duhet sëmundjen. Veçse këtë duhet ta bëni vetëm nën rekomandimin e dermatologut”.

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose
postës elektronike në adresat e mëposhtme:
Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës
“Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
Tel.00355 4 273 207|08|09
E-mail:panorama_shendet@yahoo.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora