E enjte, 18.04.2024, 09:14 PM (GMT+1)

Mendime

Sabri Godo: Jeta ime, nga lufta me partizanët tek takimet me Berishën

E diele, 20.01.2008, 01:38 PM


Përmes një interviste për gazetën “SOT” republikani Sabri Godo, një fëmijë e rritur në kohën e Mbretit Zog, një adoleshent i rritur mes çetave partizane, një burrë i fortë dhe rezistues nga sigurimit të regjimit komunist dhe një i moshuar që tashmë thinjat e bardha mbi ballin e rrudhur tregojnë se kanë kaluar shumë vite rrëfen rrugën e gjatë të jetë së tij. E ka një strehë ku dhe shpreh luftën dhe rezistencën, lodhjen dhe dhimbjen, trimërinë dhe frikën, urrejtjen dhe dashurinë, zhytet dhe humbet thellë me librat dhe letërsinë...

Ku keni lindur dhe cila është fëmijëria juaj?

Sabri Godo
Jam lindur në Delvinë, një ditë gushti të vitit 1929. Aty mbarova dhe shkollën fillore. Këto janë dhe kujtimet e mia të para që bëhen e gjithmonë e më të largëta, madje shpesh herë edhe të habitshme. Kureshtjet në qytetin e Delvinës nuk mund të më mbanin gjatë, e prita me gëzim faktin që prindërit më dërguan në Tiranë për të vazhduar gjimnazin. Hapej një jetë e re për mua, megjithëse nga gjimnazi nuk kam shumë kujtime për të të treguar. Deri aty nga viti i dytë, isha një nxënës i mirë, pastaj filloi lëvizja në rininë studentore dhe në Shqipëri. U angazhova me lëvizjen dhe kështu mësimet i lashë pas dore. Isha i prirur për tu marrë me më tepër gjëra sesa ato që më ofronte shkolla. Në vitin e tretë  të gjimnazit u largova nga shkolla. Familja ime ishte e lidhur e gjitha me luftën, vëllai dhe motra ishin në ilegalitet, dhe dukej se ngjarjet po përshpejtoheshin. Sapo u ktheva në vendlindje, fillova të merresha me lëvizjen e rinisë, por dhe kjo nuk zgjati shumë. U detyrova të largohesha bashkë me nënën pasi na kërcënonte internimi. Më pas na dogjën shtëpinë dhe shkuam dhe ne në arrati....Pak më vonë në korrikun e atij viti, në 1943 u bashkova me çetat partizane, gjatë gjithë asaj kohe qëndrova në luftë, deri me kapitullimin e Gjermanisë. Kam qëndruar në repartet të ndryshme, në veri të Shqipërisë, në Mal të Zi, Në Bosnje dhe në Kosovë.

Në cilën moshë u bashkuat me çetat partizane dhe si e përjetuat faktin që do të luftonit?

Isha fare i ri, isha vetëm 14 vjeç. Isha në moshën më të rrezikshme, në kohën kur të zien gjaku dhe nuk përmbahesh, kërkon aventura, kërkon të përballesh me rreziqet. Sikundër dhe thashë, ishin rrethana familjare ato që më tërhoqën më fort dhe iu bashkova pastaj rrymës së përgjithshme të rezistencës dhe të luftës për tu çliruara nga diktatori. Lufta është një kapitull më vete, vërtetë kanë qenë 22 muaj gjithsej, por për shkak të intensitetit të ngjarjeve që përjeton njeriu, ato muaj të rrënjosen thellë në kujtesë. Lufta është një provë e madhe për këdo, nuk është vetëm aksion luftarak, është e gjithë jeta të cilës i nënshtrohesh gjatë luftës. Marshimet, të fjeturit në dëborë, të ftohtët, etja, uria, mungesa e kushteve për të patur një higjenë trupore, të gjitha këto e bëjnë luftën një brengë të jashtëzakonshme për njeriun. Aty formohen dhe shoqëri më të forta dhe aty fillon dhe burrërohet njeriu parakohe. Unë kam shkruar për luftën dhe ndoshta do ti rikthehem sërish ndonjë libri që ka të bëjë me të. Është një përvojë unike, lë gjurmë në jetën e njeriut.

Duke u ndalur ende në muajt e luftës. Vlen të theksohet se keni kaluar një pjesë të adoleshencës atje, kishit frikë...

Jo nuk kisha frikë, në përgjithësi djaloshi në atë moshë nuk ka frikë, pasi nuk e njeh rrezikun. Kjo nuk është trimëri, është budallallëk, është mosnjohje. Mua gjithmonë më dukej se lufta bëhej më e ashpër jo aty ku ndoshta unë por pak më tej...dhe unë përpiqesha që ta arrija atë. Isha gjithmonë në ballafaqim me më të ashprën. Kjo gjendje më ndodhte në vitin e parë të luftës, por që të jem i drejtë me vetveten duhet të them se provova edhe disa anë të tjera të luftës. Provova se çfarë ishte plumbi, u plagosa dhe pastaj fillova të mendohem pak më tepër. Atëherë që duhet të bëhesha më trim, me kalimin e kohës u bëra frikacak dhe nuk se si u bëra frikacak.

Kur u plagosët?

Kur kaluam në Malin e Zi. E dija që në Shqipëri, festohej fitorja dhe çlirimi. Kisha dy vjet pa u takuar me familjen, motrën dhe vëllanë. I gjithë ky mall, kishte një tërheqje të fortë, dhe jeta aty në Malin e Zi bëhej gjithnjë e më e ashpër. Racioni i ushqimit ishte shtatë kokrra patate në ditë. Ishim të dislokuar në malësitë e larta të atij vendi të ashpër. Nuk kam për ta harruar asnjëherë dëborën e madhe të vitit 1944. shumë njerëz vdiqën nga të ftohtët, shumë të tjerë vdiqën nga tifua e mortit, ishte një vuajtje e madhe për të gjithë për mungesë të ushqimit, veshmbathjeve, madje edhe për mungesë të fishekëve që ishin një domosdoshmëri asajkohe. Vetëm ai që ka qenë në luftë e di se sa i çmuar është fisheku, mund ta këmbeja atë edhe me një copë bukë edhe pse isha i uritur. Ajo ishte kohë e vështirë dhe e padurueshme për mua. Ishte kohë të cilën nuk e doja më, as luftën nuk e doja më, as aksionin e saj. E vetmja gjë që dëshiroja ishte të kthehesha në vendlindje, të shihja njerëzit e mi. Për fat, pas një udhëtimi të ashpër nëpër rrugët e Bosnjës dhe në Sanxhak, në muajin prill u kthyem në Kosovë. Mund të them se ishte një kalim nga ferri në parajsë. Krahasimi duket i tepërt por është e vërtetë. Pas asaj dëbore të madhe ku verbuan shumë njerëz, madje u ranë thonjtë e këmbëve dhe të duarve, iu rop lëkura, ramë në një fushë të gjelbër dhe të ngrohtë, aty mund të hanim çfarë të na donte zemra.       

Mbresat e fëmijërisë...

Një rëndësi të veçantë për mua në atë kohë kishte fakti që fillova të lexoja libra. Në përgjithësi ma kishte ëndja të provohesha si njeri i librave, ndonjëherë dilja të luaja me shokët duke marrë me vete dhe ndonjë libër, edhe pse nuk isha në gjendje ta lexoja. Më pëlqente të hiqesha si njeri i ditur, i dhënë pas librave, por në të vërtetë atëherë mu krijua shija e të lexuarit që më pas më ka ndjekur tërë jetën, sepse unë kam qenë një lexues shumë korrekt. Lexoja libra të ndryshëm, të letërsisë botërore. Por, duke u kthyer te ajo koha e fëmijërisë, ajo ngjarja në familjes që më bëri më tepër mbresa, ishte fakti që dajat e mi bënë një kryengritje që përfundoi në mënyrën më tragjike me vdekjen e të treve.  Ne ishim shumë të lidhur si familje, kështu që atëherë e përjetova me tërë dinjitetin. E ndjeva thellë në shpirt atë që po ndodhte. Them se të njëjtën përshtypje do t’i bënte çdo fëmije në atë moshë, shikoja që në shtëpi kishte zemërim, ka inat ka dhe pikëllim dhe hidhërim të thellë. Në një mënyrë komike, efektet u ngjallën edhe në jetën time sepse në shkollë duhej të këndohej himni i “Naltmadhnisë së tij” , prej dhimbjes që kisha nga tragjedia në familje, nuk çohesha të këndoja, ashtu më thoshte mëndja, nuk çohesha me shokë të këndoja himnin në formë proteste. Ndoshta ajo ka qenë si dita e parë që unë fillova të bëhem opozitar dhe në një farë mënyre kam qenë opozitar gjatë tërë jetës. Më tërhiqnin lojërat, futbolli të gjitha, kisha një pasion të veçantë për kuaj, vrapoja me kuaj, doemos që bëja dhe të gjitha gjërat e tjera që bënin të tjerët, të vidhnim ndonjë kumbull. Këto janë gjërat e jashtëzakonshme që i përjeton secili, sidomos në një qytet provincial siç është Delvina.

Si ka qenë adoleshenca për një djalosh të atyre viteve?

Kjo është një periudhë që gjithashtu, lë mbresa të forta në jetën e gjithkujt, sepse atje fillon në një farë mënyre të dalësh diku në jetë. Të hapen horizontet e reja të dijes, fillon shoqëri të reja, fillon një farë interesi për vajzat. Them që është një nga moshat më të rrezikshme të marrjes së një drejtimi në jetë, është koha që duhet t’i gjendet dikush pranë për t’i dhënë këshillat e duhura, dhe këtë nuk e bën gjithmonë rrethi familjar. Unë atëherë fillova të merrem me lëvizjen komuniste, pata rast të njihja një njeri të shkëlqyer ishte dhe përgjegjësi im në vijë partie, Skënder Berderja. Me atë kisha shpesh biseda, ai tregonte një interesim të veçantë për mua, ishte njeri që na jepte udhëzime se çfarë lëvizjesh duhet të organizonim në shkollë, dhe ishte me të vërtetë një njeri i sertë, sedërmadh dhe i dashur. Kishte një lloj ndikimi në jetën time, ishte një periudhë e shkurtër dhe që arriti të ndikojë në formimin tim, më la mbresa. Ndofta ky njeri nuk e ka ditur ndonjëherë së çfarë ndikimi ka patur tek unë, sepse është mosha e fëmijërisë shumë e ekspozuar ndaj ideve që vijnë nga jashtë. Më pas, në fakt patën njerëz të tjerë që ndikuan në jetën time, të cilët sipas rrethanave që përjetoja unë, për vërtetësi them se sidomos mosha nga 12-20 vjeç njeriu është më i hapur ndaj kontaktit me të tjerë, dhe është më i disponuar të marrë nga të tjerët, të mësojë prej tyre, të ndjekë fjalën e tyre ose edhe ta refuzojë në rastet kur nuk i përshtatet. Mund të them se në përgjithësi unë kalova shpejt nga mosha e adoleshencës në atë që mund të quhet si “djali që përgjigjet për veten e vet” sepse, duke filluar që nga mosha 14 vjeçare unë u shkëputa nga rrethi familjar dhe i dola për zot vetes time, dhe kjo vazhdoi dhe më pas, kur u ktheva nga Kosova në Shqipëri u mundova të krijoja jetën time pa patur ndonjë synim në të vërtetë, por duke u endur pas asaj që më dilte para.

Ku i keni ndjekur studimet e larta?

Unë kam nisa dy herë studimet e larta, një herë në një kurs dy vjeçar kur isha drejtor i Ndërmarrjes së fruta-perimeve në Tiranë, ishte dhe ajo një periudhë e vështirë. Komiteti i Partisë kërkonte që doemos të shkonim në shkollë, unë kisha shumë shokë atëherë që ishin pedagogë në Universitet që ishin të gatshëm të më jepnin një dëftesë.  Por kundërshtimi ishte një nga mënyrat e mia që t’i bëja rezistencë regjimit, ishte një budallallëk. Nuk doja të merrja një dëftesë të universitetit komunist, dhe këtë e kam vuajtur dhe sot e kësaj dite. Më në fund shkenca është shkencë dhe prej saj, njeriu nuk e merr atë që do, dhe ajo mësohet në Universitet, jo në mënyrë individuale, siç jam përpjekur të bëj unë. Është një nga budallallëqet që kam bërë në jetë, isha krejt i bindur se për të mbetur i pastër nuk duhej të përfitoja duke mos merrja asgjë nga regjimi komunist.

Një përshkrim të periudhës kur ju u përfshitë me Partinë e Punës?

Mund të them se deri në vitin ’46 isha pothuaj një komunist fanatik. Shoqëria partizane ishte një shoqëri e bukur, e rrallë, sepse ajo filloi të degradonte kur dolën në shesh gradat dhe rrogat. Atëherë u prish ai moraliteti i madh i shoqërisë partizane. Erdhi koha që njeriu të bëhej një farë ujku, të shikonte për veten e vet se çfarë mund të përfitonte. Unë them se kam ndjerë dorën e sigurimit që në vitin ‘46, ishin disa rrethana të mia, u pushkatua daja im i katërt, ishte në grupin e deputetëve që u pushkatuan nga regjimi.  Të gjitha këto i jepnin të drejtë sigurimit të më shikonin si një njeri që duhet mbajtur në vrojtim. Pastaj erdhën pasojat, u përjashtova nga ushtria në ’48 si element i padëshiruar, u çmobilizova si oficer. Deri sa u bë i famshmi Kongresin i Parë i Partisë, jetova pothuaj si i papunë si njeri i braktisur, në këtë kongres u bë një farë liberalizimi i një lloj autokritike i asaj që kishte ndodhur dhe kjo më përfshiu dhe mua, u bëra nëpunës në Ministrinë e Drejtësisë, dhe kështu jetova deri në vitin ‘52. Kisha rezervat e mia ndaj  komunizmit si sistem dhe sidomos ndaj atij në Shqipëri. Këto rezerva u kristalizuan pas vitit ’52, kur u përjashtova nga partia. Një i përjashtuar nga partia e kishte jetën të vështirë. Ishte një njeri i cënuar me ligj dhe përjashtimi nga partia të krijonte jo vetëm probleme me qeverinë por dhe me rrethin familjar. Për mua kjo nuk ishte një gjendje e paduruar dhe e pamundur. Unë e shikoja si një lloj rrethimi  që më ishte bërë, e shikoja me një lloj kënaqësie, me një lloj përbuzje, të gjitha këto vetëm të jetoja për bukuri, nuk e kisha problem. Veç për të siguruar si i thonë fjalës “bukën e gojës”. Më vonë, fillova të shkruaja, shkrova disa libra që patën mjaft sukses, sikur këto t’i kishte shkruar dikush tjetër ai do të kishte patur përfitimet më të mëdha, dhe unë fillova të shkruaja për të kaluarën historike, në mënyrë që të mos implikohesha dhe të mos kisha probleme me aktualitetin. Dhe atëherë mund të them se kalova në një farë pjekje të jetës time, kur u mora me letërsi.

Cilat ishin vlerësimet që merrnit atëherë nga letërsia?

Unë punoja ndërkohë dhe në punë shtetërore, punoja në tregti, dhe punoja fort, doja me domosdo të isha në rregull sepse, kisha përgjegjësi të rënda familjare. Kisha 8 veta në shtëpi që vareshin vetëm nga rroga ime, i kam shtrënguar dhëmbët fort për të qenë në rregull që të mos më kapnin gjëkundi. Duke mbrojtur veten nga çdo anë, dhe kësaj në një farë mënyre ia dola. Pata disa herë probleme dhe rrethanat politike ishin të atilla në ’53 dhe në ’56 u rrezikova me të vërtetë, them që tamam në atë kohë mu gjend letërsia, që më krijoi një lloj mbrojtje, sepse ai që ka jetuar komunizmin e di që partia nuk e kishte problem që të hiqte një ministër, qoftë dhe ta fuste në burg. , ndërsa punët ndërlikoheshin prapë më vinin ndërmend librat e ndaluar të ndonjë shkrimtari,  të një artisti, sepse atëherë dënoheshin. Këta të krijonin një lloj mbrojtje, jo deri në fund por deri në një farë mase, dhe këto libra që botova atëherë të Sami Frashërit, të Skënderbeut, këto më ndihmuan që të mbetem gjallë, megjithatë botova një vëllim me tregime që nuk i konfirmoheshin realizmit socialist, partia nuk mund të duronte më, ishte në të drejtë të saj të më ndëshkonte. Kështu më çuan të punoja në një uzinë për 10 vjet, duke më hequr dhe të drejtën e bashkimit. Ishte përsëritja e një serie gjuajtjeje, dhe prita me durim të kalonte, sepse ndërkohë kishin filluar dhe ngjarjet e mëdha në Evropë, pak shpresa kishte se komunizmi do të jetonte përjetë, u ngjall shpresa se gjërat do të ndryshonin, me doemos që jetoja me këtë shpresë ashtu si pjesa dërrmuese e Shqiptarëve. Të presësh që për çdo muaj apo vite me radhë të ndodhë diçka, ishte një moment i tejzgjatur për të cilin e di vetëm ai që e ka përjetuar. Them se ishte e durueshme, meqenëse nuk ishte një problem individual por ishte një mënyrë jetese e çdo Shqiptari.

Si jeni njohur me bashkëshorten juaj?

Krejt rastësisht, në atë kohë isha transferuar në Durrës, e ëma e saj banonte në një shtëpi në të njëjtën rrugicë me mua. Pastaj erdhi koha që e bija mbaroi gjimnazin dhe erdhi dhe ajo të jetonte me të ëmën, atëherë u njohëm. Dhe kundër të gjithëve vendosëm të martoheshim, sepse të them të drejtën i kisha të gjithë kundër, dhe sa më tepër më kundërviheshin aq më shumë e doja. Partia pastaj më vuri përpara alternativën që të mbaj gruan ose atë, dhe mbajta gruan. Kishte një lloj rrethimi i përgjithshëm që na u bë, por që e kaluam bukuri, asnjëherë nuk na ra ndërmend se çfarë bëmë. Kjo nuk ishte vetëm për shkak të karakterit tim që mbaj përgjegjësi për atë që kam bërë, por edhe them se e doja shumë.

Thatë se survejoheshit nga sigurimi i shtetit, tashmë që ka kaluar shumë kohë a e dini se kush u survejonte?

Kjo ka filluar që herët dhe nuk më është ndarë kurrë, në  të tëra periudhat e jetës, gjithnjë dikush ka qenë i ngarkuar të merrej me mua. Unë këta që më survejonin i di se kush janë, i identifikoj shumë mirë. Për fat të keq nja dy janë nga ata që mund të konsideroheshin si miqtë e mi të ngushtë. Ishim shumë njerëz të afërt, më vjen keq për ta, se e di që kanë qenë të detyruar ta bëjnë, unë e di shumë mirë cilët janë, emrat e tyre nuk kam për t’i thënë kërkuat dhe do ti marrë me vete në varr, nuk kam pse të jem armiqësor ndaj tyre.

Cilat kanë qenë lëvizjet juaja në vitet ’90, kur u rrëzua regjimi?

Unë doja të merrja pjesë, fillimisht iu ofrova Berishës, i thashë që doja të hyja në Partinë Demokratike. Meqenëse ai e vonoi këtë për disa javë për arsyet e tij, atëherë morën iniciativën disa njerëz të jashtëm dhe më thanë për të krijuar një parti më vete. Meqenëse aty për aty, nuk u mora vesh me Berishën të cilin e njihja dhe më parë në jetën shoqërore. E pashë të udhës të krijoja këtë Parti Republikane më vete. Ishte një faqe e re në jetën time, unë isha me mendimin që do të ishte një punë e përkohshme, sa të rrëzohej pushteti komunist dhe të vendosej Demokracia. Por, të dyja këto nuk mund të bëheshin aq shpejt, është një rrugë e gjatë rruga e Demokracisë, dhe unë mbeta brenda në politikë. Për shumë kohë në mënyrë aktive, duke qenë për 7 vjet kryetar i partisë Republikane, tani edhe pse jam tërhequr disi mënjanë prapë jam në aktivitetin politik por, jo me atë intensitet si më parë.

Kur jeni njohur me Berishën?

E kam njohur që më parë kur nuk kishte krijuar ndonjë lëvizje, e kam njohur në vitet ’85 mund të konsideroheshim miq, takoheshim bisedonim, pinim kafe, ai dhe më ka ndihmuar nga mjekësore, madje shumë. Nga ’90 e tutje ndryshuan gjërat. Në fillim ’91- ’93 kemi patur marrëdhëniet më të mira, megjithëse nuk më ndihmoi të bëhesha deputet, më pengoi, nuk e di përse. Kishim marrëveshje që ne nuk do ti vinim kandidat njeri-tjetrit, ai nuk i përmbajti këto, u vendos  kandidat përball meje dhe normalisht që do të fitonte ai i Partisë Demokratike. Pavarësisht nga këto unë vazhdova të kisha marrëdhëniet të mira me të deri në vitin ’93, pastaj pashë që disa gjëra nuk shkonin në drejtimin e duhur, nuk i shërbenin demokracisë, shkonin drejt një sundimi personal, me deformime, me shpërdorime të pushteteve, dhe fillova të shkëputem prej tyre. Dhe në ’94 në Kongresin e tretë të partisë, mbajta një fjalë të ashpër, deklarova shkëputje nga koalicioni tre partiak. Në një lloj opozicioni me Berishën kam qenë deri në vitin 2005, kur mendova se duhej bërë se çdo gjë që të rrëzuar atë pushtet të korruptuar socialist. një pushtet i degraduar deri në fund. Çdo gjë tjetër që do të vinte do të ishte e preferuar,  dhe unë mendova se e vetmja forcë që mund të shërbente vendit në atë kohë ishte Partia Demokratike e Berishës dhe dhashë mbështetjen time.

Po marrëdhëniet tuaja me Nanon?

Unë nuk kam patur ndonjëherë marrëdhënie me Nanon, sa herë që ai ka dashur të bëjë humor me mua unë i jam përgjigjur po me humor. Kemi patur vetëm një herë bisedë serioze me njëri-tjetrin këtu në Rogner, ai më propozoi mua që të pranoja rolin e Presidentit të Republikës, doemos unë do të refuzoja se nuk mund të zgjidhesha President me vota e së majtës.

Po sot sa prezent jeni në politikë?

Unë jam prezent në politikë siç jam dhe sot, sa herë që kërkohet mendimi im, kur më duhet jap kontributin tim.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora