E enjte, 28.03.2024, 04:45 PM (GMT)

Kulturë

Ilir Sefaj: Familja Moderne- seri monotone

E enjte, 03.03.2011, 08:23 PM


Familja Moderne- seri monotone

 

Nga Ilir Sefaj

 

Më shumë se gjithçka tjetër, në këtë seri shohim t’u bëhen reklama produkteve ushqimore që faktikisht i takon t’i bëjë pjesa publicitare e akëcilit televizion. Nëse ‘Familjen Moderne’ e shohim prej prizmit të profesionalizmit, atëherë gjendja do të bëhet edhe më trishtuese

 

Të dielave në mbrëmje, ama fatkeqësisht bash çdo të diele, diku rreth orës njëzet e dhjetë minuta, televizioni publik i Kosovës (hiç publik e pak i Kosovës!), shikuesve të vet, që pak i kanë mbet, ua ofron një seri më shumë se monotone. ‘Familja Moderne’ ka kohë që shfaqet në RTK (Radio Televizioni i të Korruptuarve), mirëpo kurrsesi të marrë konturat e një serie familjare, e një serie e cila do të na bënte që ditën e fundit të fundjavës të relaksohemi, për ta rifilluar javën paksa më me humor. E vërteta është se në këtë seri janë ndërthurë të gjitha: një skenar i dobët, një lojë e dobët e aktorëve, një ambient i mbyllët, një fjalor i papastër. Gjatë tërë kohës sa zgjatë seria, në duart e “aktorëve” mund ta shikosh Birrën e Pejës, qumështin Vita, e të tjera produkte që reklamohen në një seri që mëton të jetë i natyrës argëtuese. E kam përshtypjen se të shumtën e rasteve, për realizimin e kësaj serie nuk shkruhet skenari paraprakisht. Mendoj se jo rrallë, aktorët futen në një studio të improvizuar dhe flasin ashtu kuturu, çfarëdo që t’ju vije ndërmend. Të flasësh për regjinë, është si të mos flasësh asgjë. Ngase nuk ke çfarë të thuash. Kjo seri nuk ka regjisorë, kjo seri i ka disa kameramanë, të cilët zanatin e të xhiruarit e kanë mësuar në syneti, dasma e konaxhexhe. Mëse nëntëdhjetë e pesë përqind e serisë realizohet në një dhe të vetmen studio, fare pak ka pamje në ambiente të hapura, pra gjithçka brenda kësaj serie reflekton “zi”. ‘Familja Moderne’ nuk përçon as edhe më të voglin mesazh te shikuesi eventual, thjesht nuk zgjon as edhe më të voglin emocion, nuk të bën as të qash e as të qeshesh, të bën ta shikosh me njëfarë indiference të pazakontë, sidomos për një seri e cila mëton të jetë argëtuese. Në fakt më me dëshirë do ta shikoja një film të animuar ta zëmë Tom & Jery se sa “Familjen Moderne’. Më shumë se gjithçka tjetër, në këtë seri shohim t’u bëhen reklama produkteve ushqimore që faktikisht i takon t’i bëjë pjesa publicitare e akëcilit televizion. Nëse ‘Familjen Moderne’ e shohim prej prizmit të profesionalizmit, atëherë gjendja do të bëhet edhe më trishtuese. Nëse gjatë tërë kohës sa zgjat seria, mua si shikues të mundshëm me terrorizon me reklamën për Birrën e Pejës apo çfarëdo qoftë ajo, atëherë çfarë të them se pashë mbrëmë? Asgjë.

Në një bashkëbisedim me një kritik të shquar arti, ramë në përfundim se kjo seri i është dedikuar, më shumë se gjithkujt tjetër, aktorëve të cilën edhe luajnë (jo aktrojnë!) në këtë seri televizive. Do të pyesni; prej nga ky përfundim?! Përgjigja do të ishte e shkurtër; aktorët e kësaj serie, po edhe skenaristi, nëse vërtet ka të tillë, paguhen bajagi mirë, përkundër të vërtetës se kjo seri terrorizon shikuesit e të dielave në mbrëmje, të cilët ulen pranë ekranit të televizionit tonë të ashtuquajtur publik, RTK-së. E për më keq kjo seri edhe reprizohet. Pra, nuk na terrorizon vetëm njëherë në javë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora