E merkure, 24.04.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Kur historiani bizantin Efremi shkruante për shqiptarët

E diele, 20.01.2008, 08:17 PM


Nga Dr. MOIKOM ZEQO

Historiani bizantin Efremi, që ka jetuar në fundin e shekullit XIII, është krijuesi i një kronike në formën e një eposi me 10392 vargje. Tema e kronikës nis me periudhën e Jul Qezarit e mbaron me rimarrjen e Kostandinopojës nga bizantinët më 1261. Burime kryesore për këtë vepër janë jo vetëm vëzhgimet e Efremit, po edhe të autorëve të tjerë paraardhës e të njohur si Akropoliti, N. Honiati e J. Zonara. Në këtë kronikë poetike ka njoftime e fakte me interes të veçantë për Shqipërinë e shqiptarët, për ngjarjet e mëdha të kohës. Efremi shënon - fakt ky tepër kuptimplotë - krahinën e madhe Arbanon dhe banorët e arbanoit, d.m.th. shqiptarët. Por krahas këtyre emërtimeve mesjetare përmend dhe emrin antik ilir, për të njëjtën popullsi etnike, duke bërë një lidhje logjike e vazhdimësie të ilirëve me shqiptarët. Efremi ka shkruar për ngjarjet e shekullit XIII, që i përkasin periudhës së Despotatit të Epirit, kryesisht gjatë viteve të sundimit të Teodor Engjëllit e Mihal II Ëngjëllit. Mihali i Engjëll Komneni si sundimtar i Despotatit të Epirit ndenji në pushtet nga viti 1204 deri më 1216. Ai u mbështet edhe te feudalët arbër e sidomos te Dhimitri, sundimtari i Arbërisë, kundër Venedikut. Më 1213, duke u mbështetur në pakënaqësinë e bujarëve vendas, i shkëputi Venedikut qytetin shumë të rëndësishëm të Durrësit. Despotati i Epirit përfshinte një pjesë të madhe të viseve të Shqipërisë së sotme. Është kjo një epokë me lëvizje e pushtime të ndryshme. Ballkani sidomos trojet e shqiptarëve, si urë strategjike drejt Kostandinopojës, tërheqin vëmendjen e sundimtarëve të Evropës perëndimore, të Venedikut e të Papatit. Efremi jep një pasqyrë të epokës. Përshkruan dhe vdekjen e Mihalit I Ëngjëll Komnenit:
Meqenëse Mihali u ther çnjerëzisht me shpatë nga një burrë i quajtur Romeo natën kur ishte duke fjetur në malet e Beratit dhe papritur e la këtë jetë sundimin e të vëllait e merr Teodori.
Teodor Engjëll Komneni (1216 -1230) qe tepër energjik. Më 1217 zbarkon në Durrës perandori latin i Bizantit, Pjerr dë Kurtënë, i shoqëruar me 160 feudalë e 5000 kalorës.
I shtyrë nga Venediku, ai u përpoq të merrte me sulm e rrethim Durrësin. Banorët e Durrësit u mbrojtën deri në fund. S’e dhanë qytetin. Atëhere ushtria frënge vazhdoi rrugën nëpër luginën e Shkumbinit. Por pikërisht në këtë luginë Teodor Engjëlli Komneni e sulmoi dhe e shpartalloi, duke e zënë rob vetë perandorin, Pjerr dë Kurtënë. Kjo qe një fitore e madhe që bëri shumë bujë në Evropën perëndimore e drejtohej kundër Venedikut, pretenduesit të vjetër të tokave shqiptare e Papatit. Efremi tregon në vargje:
Pjeri duke qenë dhëndër nga motra
i perandorëve, Erikut dhe Boduinit,
u kurorëzua nga papa sundimar i latinëve.
Me vdekjen e Erikut u dërgua në Bizant,
mbasi sulmoi e s’e mori qytetin e epidamnasve,
përmes vendit të shqiptarëve nxitoi të
pushtonte Kostandinopojën
me një ushtri të armatosur shkëlqyeshëm.
Por e arriti më parë Teodori,
e vuri ne ikje dhe e mundi plotësisht.
Natyrisht, në këtë fitore, që u bë më truallin shqiptar, qe vendimtare ndihmsa e forcat e vendasve. Efremi jep të dhëna dhe për viset tona. Jep shumë shpejt emrin e vëndit Arbanon dhe në vargun 8093 zë në gojë ‘’pllajën ilire’’. Durrësin e emëron edhe me emrin e lashtë Epidamn. Përmend Beratin; qytetin e Krujës, Dibrën, Ohrin, krahinat e Kunavisë dhe të Matit, Devollin etj.
Teodor Engjëlli Komneni ndërton në vitin 1225 një kryekullë në Durrës. Me këtë rast vendos edhe një pllakë me vargje jambikë, në greqisht, me lëvdata panegjeriste për vehten; ku krahasohet me Briarin (Njëqinduarshin mitologjik). Për këtë poezi mesjetare të Durrësit flasin shumë autorë si G. Hahn, Arvanitoi; Hezei etj. Këtë pllakë monumentale e ka parë me sytë e tij dhe arkeologu i famshëm Artur Evans gjatë ardhjes së tij në Durrës në vitin 1878. Interesant është të vihet në dukje se dy vargje të këtij mbishkrimi poetik ngjajnë shumë me vargjet 7660- 7661 të kronikës së Efremit. Dhe Efremi e krahason Teodorin me figurën e Briarit. Kjo na shtyn të mendojmë se Efremi e ka ditur përmbajtjen e pllakës poetike të Durrësit e vargjet e saj i ka futur në kronikë përafërsisht. Sipas kronikës del qartë se shqiptarët kërkonin pavarësi nga sundimi i Teodorit e nga pasardhësit e tij. Krerët e feudalëve shqiptarë krijonin aleanca të ndryshme për të manovruar, për të përfituar natyrisht për vete. Kështu, në vitin 1253 në konfliktin midis perandorit të Nikesë dhe despotit Mihali II shqiptarët kalojnë në anën e perandorit. Me këtë rast përmendet sundimtari shqiptar Goleami nga Arbanoi. Efremi thekson:
Goleami, një prej të nderuarve të shqiptarëve,
Irenën, mbesën e mirëfilltë të perandoreshës,
si peng të miqësisë e mori bashkëshorte.
Fakti që perandori i Nikesë i jep për bashkëshorte mbesën e gruas së tij tregon se Golemi shqiptar kishte shumë peshë, qe shumë i përfillshëm për forcat që dispononte dhe rolin që luante në skenën politike të kohës.
Ky sundimtar shqiptar i shekullit XIII është një figurë paraprijëse e atyre princërve vëndas, që do të fuqiqoheshin aq shumë një shekull më pas, si Balshajt, Muzakajt, Topiajt, Shpatajt etj. Në vargjet 9156- 9160 flitet në kronikë për kështjellën shqiptare të Kaninës së Vlorës, kurse në vargjet 9385- 9837 Efremi shkruan për Kostandin Kabasillën, njeri shumë i ditur për kohën, që ka qenë edhe kryepeshkop i Durrësit.
Kronika poetike e Efremit është një vepër e njohur e shekullit XIII, vepër që ka qenë e përdorur dhe në bibliotekat e Shqipërisë mesjetare. Një dokument i vitit 1399 i igumentit Daniel, të manastirit të Perondisë së Beratit regjistron 20 libra të çmuar të bibliotekës së manastirit si dhe sende të tjera me vlerë artistike dhe të kultit, të cilat i dorëzohen për ruajtje nga “frika e turkut” princit shqiptar Teodor Muzakës. Midis librave është dhe libri në vargje i Efremit, krahas atyre të Anastasit, Zonarës, Antihout etj. Kjo flet për një jetë intelektuale të kohës për njohje të literaturës e autorëve që kanë shkruar në shekuj për temën shqiptare, për viset tona, për ngjarj e persona të historisë sonë etj. Të tëra këto fakte dëshmojnë se Shqipëria mesjetare ka qenë e përmendur në analet e kohërave, ka marrë pjesë aktive në ngjarjet historike e ka luajtur përherë rolin e saj të rëndësishëm. Gjithashtu, viset shqiptare s’kanë qenë të izoluara nga informacioni kulturor e shencor i bashkëkohësve; i dijetarëve qoftë të Perëndimit, qoftë të Lindjes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora