E marte, 19.03.2024, 08:34 AM (GMT)

Editorial

Adnan Abrashi: Presidenti jokushtetues!?

E marte, 01.03.2011, 08:00 PM


PRESIDENDI JOKUSHTETUES!?

 

Nga Adnan Abrashi

 

Jam më se i bindur se, edhe sikur të jemi një komentues sado i zakonshëm, mund të vërejmë se tek procedurat e fundit të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës nga ana e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë flagrante është bërë shkelja e rëndë e dispozitave kushtetuese.

Edhe pa qenë ndonjë ekspert juridik, mjafton që, me një përsiatje më të theksuar t’i qasemi interpretimit logjik të pikës 4 dhe 5 , të nenit 86, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (zgjedhja e presidentit), dhe do të bindemi se këtu ashiqare kemi të bëjmë me shkelje të kushtetutshmërisë. Pika 4 e po këtij neni të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, thotë: “Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të gjithë deputetëve të kuvendit” A thua, kur nga ligjvënësi kështu është formuluar kjo pikë e këtij neni (86), a është menduar me 2/3 e prezencës obliguese apo supozuese të deputetëve në momentin e zgjedhjes së presidentit në Kuvend? Ta zëmë se në esencën e kësaj pike, aludohet në prezencën e supozuar (imagjinare) të deputetëve me pjesëmarrje prej dy të tretave (2/3), dhe, se, konkretisht tek rasti Pacolli, në momentin kritik të votimit, Kuvendi ka pasur kuorumin e duhur për vazhdimin e vendosjes me mbi 50% të deputetëve (67 deputet). Të shkojmë më tutje në citimin e pikës 5 të po këtij neni:“Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës” Pjesa e dytë e kësaj pike, precizon një situatë ku si propozim kemi 2 kandidatë për President, por as procedura e ngjashme në situata të kur ka vetëm një kandidat, nuk duhet të merret si shkelje, sepse aty askund nuk precizohet se detyrimisht në votimin e presidentit duhet të vendoset me dy kandidatë të propozuar.

Pra, sikur mund të shihet dhe kuptohet nga ky definim, pjesa e parë e kësaj dispozite  kushtetues na thotë shumë qartë se,“ Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë... “ .Pra, ligjvënësi këtu e  përdor nocionin “nuk merr”,  e jo “nuk ka mundësi të merr”(!?). Tashti, në vijim, të parashtrojmë pyetjen tjetër kureshtare: nga kush “nuk merr” 2/3 e votave?

Pa dyshim, si përgjigje më logjike në këtë pyetje do të ishte:”nga më shumë se 2/3 e deputetëve të cilët gjatë votimit janë ( duhet të ishin) prezentë në sallë!

Ta zëmë, edhe sikur në pikën 5,  të net 86, të Kushtetutës së Kosovës, në vend të konstatimit “Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para...” , të ishte shkruar: “Nëse asnjëri kandidat  “nuk ka mundësi të merr”shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para...”, atëherë e tërë procedura e paraparë vetëm me kuorum në dy votimet e para po na del si lojë “xhixhimonash” apo ritual i tepruar pa kurrfarë kapshmërie logjike! 

Po pse na u dashka të votohet dy herë me mbi 50% të deputetëve prezent në sallë (67 sa ishin atë ditë) , kur dihet se me ta kurrsesi nuk arrihet kuota e kërkuar prej dy të tretave (2/3) kushtetuese (80 deputet) ?!!  S’ka se si ndryshe të kuptohet kjo veç se,  “hajgarellëk” dhe “maskarallëk”!  Nëse vërtetë nga ligjvënësi është menduar ashtu sikur është vepruar, atëherë, këto praktika të palogjikshme të formuluara normative, nuk do t’i duronte as një akt sekondar më i thjeshtë juridik, e mos të flasim për  kushtetutën si akt më të lartë konstituiv të një shteti.

Sikur atë ditë kritike, kjo shkelje e kushtetutshmërisë të mbetej vetëm me kaq!

Nga vetë Presidenti, i porsazgjedhur, menjëherë u bë një shkelje tjetër edhe më flagrante e kushtetutës. Vetëm pas disa minutave, Behxhet Pacolli, tanimë edhe zyrtarisht si president, me ngritjen e gishtërinjve (saktësisht dorës që simbolikisht i përngjante një përshëndetjeje të dyshimtë), edhe vetë votoi për zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar.

Për këtë shkelje flagrante të kushtetutës nga Presidenti, ekzistojnë shumë dëshmi filmike ku duket ashiqare ky votim i tij jokushtetues në Parlament. Pas asaj që ndodhi, Presidenti mund të arsyetohet sa të dojë, kinse këtë gaf e ka bërë nga mosdija, ose me fajin e dikujt tjetër nga protokolli i Kuvendit , por, as “gafi” nga mosdija dhe as faji i protokollit të paaftë, kurrsesi nuk mund ta rehabilitojnë faktin e ekzistimit të shkeljes së kushtetutës nga ana e tij dhe përgjegjësinë individuale që duhet të ketë për këtë veprim! 

Edhe pse, kuptohet,  fjalën meritore rreth kësaj çështjeje duhet ta jep Gjykata Kushtetuese e Kosovës, para së cilës, nga opozita, veç është iniciuar një procedurë e vlerësimit të kushtetutshmërisë për këtë çështje, reagimi i fundit i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), mbi tendencat e shprehura, veçanërisht nga ndërkombëtarët, për të bërë presion ndaj kësaj gjykate, seriozisht duhet të na brengos të gjithëve.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora