E marte, 16.04.2024, 11:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Nertila Koka - Ju rrefej dashurite e jetes sime

E diele, 20.01.2008, 07:10 PM


Sapo i ka kapërcyer 40 vitet dhe duket se nuk ka ndryshuar asgjë në lukun e saj.

Nga Arlinda Canaj

Nertila Koka
Bionde, me një rini të përjetshme  skalitur në fizik dhe pamje janë imazhet më të fundit që ajo ka përcjellë tek publiku shqiptar. Në performancën e saj të fundit shqiptare specialistët dhe publiku e vlerësoi për ëmbëlsinë, joshjen dhe freskinë që solli  në skenë. Një freski që nuk ka mundur ta fshikë klima e ftohtë e Suedisë ku ajo jeton prej shumë vitesh…E ndrojtur deri në turpëri, e ndjeshme deri në kockë dhe aventuriere në kërkim të përsosmërisë dhe perfeksionizmit familjar. Këto tipare mund të qëmtosh në përballjen me këngëtaren dhe aktoren  Nertila Koka. Nuk i ka shumë për zemër intervistat ashtu siç urren gënjeshtrën, pabesinë dhe bla-bla-blatë. E megjithatë aventura e saj e jetës i ka kapërcyer lehtësisht kufijtë  e imagjinatës përveçëse atyre shqiptarë për të shkuar në vende me imazhe ekzotike, përrallore, mitike.
Një udhëtim mes të pamundurës bërë realitet mund të quhet jeta e saj.   Vakësia e postdiktaturës  do e shtynte  të zgjidhte një alternativë jetese  më të mirë se Shqipëria. Duke përfituar nga një ofertë që iu bë të shoqit, pedagog në inxhinierinë mjekësore   do të largohet bashkë me të  për në Turqi. Përkrah bashkëshortit që do vazhdojë  profesionin e tij  Nertila do të angazhohet si pedagoge drame në universitetin "Çukurova". Kjo falë rezultateve të larta në studimet dhe pa dyshim dhe angazhimit të Nertilës  në fushën akademike, drejtim që nuk e kishte lënë kurrë pas dore. Këtë periudhë kohe do e cilësojë si të jashtëzakonshme. Një botë të mbushur me qëllime alternativa dhe mirëqenieje. Një perceptim si në ëndërr. Nuk lë pa përmendur që kjo eksperiencë e parë nëpër botë shoqërohej dhe me një dashuri që konsolidohej gjithnjë e më shumë mes dy partnerëve, të lidhur në martesë nga  një ndjenjë e fortë.
Por  aventura  e tyre sapo kishte nisur. Shumë shpejt profesori i saj do të transferohej në vendin më të industrializuar të botës, në Japoni dhe ajo me lehtësinë më të madhe do e shoqëronte  të shoqin në këtë sfidë të re. Një botë tjetër, një mentalitet ndryshe, një vend ku ritmet ishin të çmendura dhe nuk mund t’i aneksoheshe vlimit të pasioneve që flinin brenda një këngëtareje si Nertila. Edhe pse fati e donte që Nertila të bëhej artiste e madhe kur ishte adoleshente, e të provonte veten në shumë fusha ajo me shumë guxim do t’i kthehej pasionit të saj të madh, këngës. Duke përjetuar në vetvete një nga momentet më gjigande të shpërthimit të saj si artiste dhe shqiptare. Ndoshta një nga më pompozet. Do të realizojë një koncert të madh me këngë shqip në Teatrin Kombëtar të Operas në Tokio, me një repertor që përmbante këngë të lehta dhe popullore, këngë që përmbushën dëshirën e shumë kosovarëve që jetonin në këtë vend.  "Një miks superioriteti dhe krenarie" e cilësojnë mediat e huaja atë eveniment, ndërkohë që Nertila e shoqëron kujtimin e atij koncerti me një buzëqeshje modestie. 
Por ndërsa profesioni i bashkëshortit i shtegton nga një vend në tjetrin, familja e tyre ishte zgjeruar dhe ata  ishin  bërë prindërit  e  një vajze, Sarës. Duke qenë një grua tepër e kujdesshme dhe e fiksuar mbas rolit të pazëvendësueshëm që ka nëna në jetën e fëmijës Nertila  do ndryshonte prioritetet e saj. Vendos të mos i  kursejë dashurinë vajzës dhe alternativa për t'iu larguar përkohësisht skenës kthehet në një zgjedhje jete. Do të ndjekë të shoqin nëpër botë dhe do të vendosë  të qëndrojë  afër familjes por larg skenës. Prej nëntë vitesh jeta e tyre është stabilizuar në Suedi ku si gjithnjë partneri vazhdon të mbajë një post të rëndësishëm dhe Nertila është diplomuar për mësuesi. Në Gotteborg do të lindë dhe vajza e tyre e dytë Ani e cila tashmë është 6 vjeç. Nertila e konsideron veten një nënë shumë të lidhur me vajzat, gjithnjë prezente dhe e disponueshme për t’i mësuar rrugën e drejtë të jetës. Nuk e cilëson veten si autoritare përkundrazi është një mami zemërgjerë, tejet pozitive pa e tepruar deri në marrëzi. Zotëron një frymë sakrifice të tejskajshme për familjarët  që në rastin e saj i ka sjellë goxha mbarësi. Mendon se  me bashkëshortin kanë qenë dy modele pozitive për vajzat e tyre. Dhe nuk gabon kur e thotë këtë. Vajza e saj e madhe, Sara 16 vjeç ka trashëguar zërin e Nertilës, edhe pse në një zhanër tjetër muzikor. Ajo është liderja e grupit rrock "Vanic", ku i bie dhe kitarës. Një dashuri që asaj i është trashëguar gjenetikisht, por dhe praktikisht sepse kënga është pjesë e jetës së tyre të përditshme. Herë pas here në kuzhinën e tyre dëgjohen duete të fuqishme…Por muzika është vetëm një pasion, sepse Sara është  nxënëse e shkëlqyer  dhe në të ardhmen mendon t’i përkushtohet diplomacisë.  Ndërkohë Ani, "ëmbëlsira" e familjes është një vajzë tejet e shkathët dhe  akoma  nuk dihet se çfarë prirjesh ka.
Kur i vë në dukje  se për bashkëshortin e saj ka shkuar në fund të botës këngëtarja buzëqesh tërë shpirt. Me çiltërsi rrëfen se dashurinë e saj më shumë se me fjalë e ka treguar në vepra. Ka qenë  për të një jetë e mbushur me sfida, me shumë suksese dhe emocione të mëdha. Por është e lumtur se ka qenë një grua me fat. Sipas saj jo të gjithë njerëzve pozitivë në këtë botë i takon të gjejnë lumturinë. E rëndësishme është se   ka ditur të zgjedhë mirë njeriun e zemrës së saj.  Edhe tani mbas 20 vjetësh njohjeje dhe bashkëjetese lidhjen e saj me partnerin e cilëson si një lidhje solide, të pjekur dhe të bazuar mbi sentimentin reciprok. Thotë se nuk di ta përkufizojë lumturinë e një gruaje, por ajo ndjehet mirë sepse ka një familje të shëndoshë dhe deri më sot ka arritur të plotësojë qëllimet që i ka vënë vetes. Tek bashkëshorti Sokoli e ka tërhequr shumë mençuria dhe sinqeriteti i tij. Ka qenë një model për t’u ndjekur dhe e konsideron si idhullin e saj real. Një njeri që  di ta surprizojë edhe sot, pas kaq shumë vitesh bashkëjetese. Edhe pse e tmerron ideja e vdekjes,  fundin  do dëshironte   ta përjetonte  në një poltronë duke dëgjuar muzikë, e mbështetur në krahët e Sokolit të saj.

Më pëlqen profesioni i mësueses

Vitet e fundit  për t'iu përshtatur jetës në Suedi ajo është diplomuar për arsimtare. Puna si mësuese i pëlqen shumë dhe kontakti me nxënësit e saj të vegjël e mban në formë edhe  pse  mendon se edukimi është një art shumë më i vështirë se kënga dhe aktrimi. Këtij profesioni i është përkushtuar zellshëm sepse i mbush jetën me dashuri. Vërtet mëson fëmijë të një kombësie tjetër por  kontaktin  me ta  e quan  të rëndësishëm  sepse me sinqeritetin e moshës ato e  surprizojnë kur i pëshpërisin me shqiptimin nordik  ndonjë fjalë shqip që e kanë mësuar nga kurioziteti.   I adhuron nxënësit e saj suedezë dhe ato ia shpërblejnë gjithë mundimin e punës dhe përkushtimin e saj.

Në të ardhmen do botoj një libër për gatimin

Bën një jetë si të gjitha gratë shqiptare. Gatuan, hekuros, pastron. Artin e kuzhinës e ka trashëguar nga nëna dhe i kushton shumë vëmendje. E ndjen veten të prirur për eksperimentimin e recetave të reja, pa i rënduar koha e kaluar  mbi furnela e tenxhere. Kur akoma nuk kishte nisur punë si mësuese  një nga interesat e saj ishte eksperimentimi i pjatave të reja dhe ajo kënaqej kur gjithë pjesëtarët e familjes mbeteshin të kënaqur nga cilësia. Ka qenë ajo kohë kur Nertila me pedantizëm ka kërkuar meny jashtë tradicionales  duke u shprehur se sot ka një bagazh të jashtëzakonshëm dhe një ditë mund të botojë një libër kuzhine me recetat e Nertila Kokës.

I jam kthyer skenës me shumë mall

Ka qenë një hapje e pazakontë ajo e hapjes së spektaklit "Këngët e Shekullit" me këngëtaren Nertila Koka. Më së fundi ajo realizoi një ëndërr të sajën, por dhe një premtim që kishte kohë që ia kishte bërë publikut shqiptar. Nertila është e njohur për publikun shqiptar edhe si aktore. Përflitet se ajo do t’i kthehet kinematografisë me një film të dajës së saj, shkrimtarit dhe skenaristit të njohur Vath Koreshi, i cili nuk jeton më, por që ka lënë në shqip vepra të mrekullueshme. Dajën e cilëson si një mik me të cilin ka patur një lidhje të ngushtë dhe që ka ndikuar shumë në formimin e personalitetit të saj.

Më merr malli për të afërmit e mi

Ndonëse jeton në një vend të zhvilluar me standarde ekonomike dhe ndjehet mirë me veten dhe familjen që ka krijuar  shprehet se e merr malli shumë për prindërit dhe për motrën. Të gjithë e mbajnë mend Nertilën dhe Dorotean si  dy karaktere krejt të ndryshme  në pamje. Nertila, një bionde transparente ndërkohë që e motra, një brune  mesdhetare. Dorotea është bashkëshortja e balerinit të njohur shqiptar Ilir Kernit dhe sot jeton në Kroaci ku  punon në bibliotekë dhe është përgjegjëse e sektorit shqip. Kanë kontakte të shumta me njëra-tjetrën por i mundon shumë  largësia dhe mospjesëmarrja në festat tradicionale. Kanë qenë një familje e pandarë. Duke qenë njeri super i ndjeshëm vuan shumë për buzëqeshjen e tyre, ngrohtësinë edhe pse mbas kaq shumë vitesh është mësuar. Fundi i fundit të jesh artist është si të jesh gjithnjë pak endacak.

Pak fjalë për karrierën e Nertilës

E nisi karrierën e saj në moshën 17-vjeçare, moshë në të cilën arriti suksesin e saj të parë. Debutimi i saj i parë në festivalin e Pranverës, në vitin 1983 u kurorëzua me fitore duke marrë dhe çmimin e parë. Po atë vit, në festivalin e Këngës në Radio-Televizionin shqiptar ajo mori çmimin e parë të festivalit me këngën "Çel si gonxhe dashuria". Publiku shqiptar e priti me shumë entuziazëm dhe e vlerësoi zërin e saj të ëmbël dhe të veçantë. Një vit më pas nuk do ti mungonte përsëri skenave të kompeticioneve muzikore duke marrë një çmim të dytë në festivalin e pranverës. I paharruar do të mbetet dhe dueti që ajo këndoi me David Tukiqin "Sagapo" që mbeti në mendjen e adhuruesve të këngës shqiptare duke u bërë shpeshherë lajtmotiv dhe refren i përsëritur dhe në jetën e përditshme. Krahas muzikës performanca e saj do të linte gjurmë dhe në kinematografinë shqiptare. Ndërsa studionte për kanto në lice fytyra e saj do tërhiqte vëmendjen e regjisorëve të filmave. Në momentin që ajo përjetonte suksesin në skenat e festivaleve do të ndjejë dhe suksesin në sallat e kinemave. Do të luajë në fakt në filmin "Apasionata". Dhe më pas do kërkohej në disa filma të tjerë si tek "Duaje emrin tënd", Telefoni i një mëngjesi", "Tre njerëz me guna" etj.

Kam luftuar për dashuritë e jetës

Ishte në kulmin e moshës kur suksesi trokiti në jetën e saj. Kujton se pasi u bë e njohur djemtë e ngacmonin rrugës dhe i hidhnin romuze të këndshme ose ndonjë epitet mirëdashës. Vëmendja e të tjerëve i mungon në jetën e saj aktuale edhe pse është një element që asnjëherë nuk i  ka kaluar në mahni. Nuk ka qenë kurrë vanitoze por ka luftuar  dhe punuar shumë për të arritur dashuritë e mëdha të jetës. Dhe të tilla ka pasur shumë: Familjen, bashkëshortin, vajzat, muzikën. Por dhe  plot pasione të reja  që i ka përqafuar pa ndjerë kurrë frikë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora