Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: Disa probleme në punën e mësuesve të gjuhvs për përvetësimin e gjuhës letrare në shkollë

| E hene, 28.02.2011, 08:59 PM |


DISA PROBLEME NË PUNËN E MËSUESVE TË GJUHËS PËR PËRVETËSIMIN E GJUHËS LETRARE NË SHKOLLË

 

Nga Prof. dr. Avzi MUSTAFA

 

Gjuha është ajo që jemi ne. E ne jemi ata që kërkojmë që nxënësit e studentet në shkollë e në institutet përkatëse të përgatiten sa më mirë për përdorimin dhe zbatimin e gjuhës sonë. Ne e kemi borxh që nga fillimet, kur gjuha jonë shkruhej me gjakun e dëshmorëve, brezave të tërë lëvruesish e studiuesish të gjuhës, arsimtarësh e atdhetarësh që janë përpjekur pareshtur për një gjuhë letrare kombëtare, ta mbrojmë këtë strumbullar të kombit tonë. Përkitazi me këtë patriotët shqiptarë të kohës qysh moti e kishin kuptuar fare mirë se çfarë rëndësie ka gjuha amtare në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Gjuha ishte ajo që i bashkonte shqiptarët pa dallim krahine e besimi fetar. Ajo çdoherë ishte tipari dallues i jetës shoqërore e kulturore të popullit tonë, që nga Rilindja Kombëtare deri në ditët e sotme. Ajo  është rezultat dhe kurorëzim i një procesi të gjatë e të ndërlikuar gati në të gjitha hallkat e strukturës së saj.

Nëse ne sot e parashtrojë pyetjen “Ku është gjuha jonë, në cilin stadium gjendet ajo në momentin e tanishëm?” dhe, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje mbështetemi në përcaktimet e sociolinguistëve amerikanë për stadet e zhvillimit të gjuhëve, Fishaman, Furguson dhe Das Gupta, do të arrijmë në përfundimin se ekzistojnë tre stade të zhvillimit të një gjuhe, e cila kalon nga: “përzgjedhja dhe përsosja e kategorisë së shkrimit, pastaj vijon normalizimi i drejtshkrimit dhe në fund vjen modernizimi i fjalorit”.(1)

Kongresi i Manastirit, që para dy vitesh i mbushi njëqind vjet, e kishte zgjidhur problemin e alfabetit, kurse në Kongresin e Elbasanit, që vitin e kaluar ui bën 100 vjet, e kishte shtruar problemin që në terminologjinë sociolinguistike quhet planifikim gjuhësor – si kërkim dhe evidentim i mjeteve të nevojshme në aplikimin e një politike gjuhësore. Kjo do të thotë se në këtë kongres gjuhës ia dha statusi i një “përfaqësie mbarëkombëtare të institucionalizuar, aty u përcaktua një linjë e qartë e politikës gjuhësore për kohën”.(2). Nga ky kongres për herë të parë u vendos që “gjuha shqiptare të jetë gjuh’ e mësimeve në mësojtoret e para ene të dyta (d.m.th edhe në ciklin e parë po ashtu edhe në ciklin e dytë të shkollave në gjuhën shqipe-A-M) të qeverisë që gjendet në Shqipinie”.(3)

Kjo që u parashtrua në Kongresin e Elbasanit ka të bëjë me shqipen e shkruar që mësohet në shkolla dhe që përdoret në vepra letrare. Një ndikim të fuqishëm në formësimin e gjuhës së shkruar shqipe më së miri do të realizohet pas disa viteve nëpërmjet të Komisisë Letrare të Shkodrës për drejtshkrim. Komisia Letrare e Shkodrës, që veproi në Shkodër nga viti 1916 deri në vitin 1917,(4) në broshurën "Rregulla mbi ortografinë e gjuhës shqipe" e dha kodifikimin e parë të drejtshkrimit tonë. Në nenin e parë të saj thuhet: "Ortografia e gjuhës do të jetë fonetike, d.m.th. do të shkruhet ashtu si flitet sot prej popullit". Në këtë broshurë bie në sy edhe përpjekja graduale që do të bëhej në të ardhmen për afrimin sa më tepër të dy dialekteve. Sipas sociolinguistëve amerikanë, pikërisht këtu do të kërkohen fillimet e stadit të dytë të zhvillimit të gjuhës.

Konsultat e kongreset, sidomos Konsulta e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit që u mbajt në vitin 1972, në historinë e gjuhës sonë do të mbeten datat më të shënuara dhe më të rëndësishme në historinë e gjuhës letrare shqipe. Ndonëse edhe sot e kësaj dite kemi zëra të ndryshëm, mbajtja e Kongresit të Drejtshkrimit do të mbetet data e njësimit të drejtshkrimit, por edhe e njësimit të gjuhës sonë letrare, “norma kombëtare e së cilës është kristalizuar në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore”.(5). Prej këtu fillon të realizohet faza e dytë.

Caktimi i normave dhe njohjes së tyre, si në formën e shkruar, ashtu edhe në të folur, ndihmojnë që në kodifikimin e normës letrare, si në gramatikat normative ashtu edhe në fjalorët, të japin pasqyrim sa më të drejtë të ligjeve dhe rregullave objektive që e përbëjnë këtë normë.

Edhe pse gjuha shqipe e ka bërë caktimin e normave, shtrirjen e gjuhës, i ka përcaktuar stilet e ndryshme dhe e ka bërë mënjanimin e asaj që nuk është normative, përsëri në praktikë ndeshemi me probleme të ndryshme, sepse ende nuk kemi arritur suksese, sepse ende nuk u përmbahemi disa parimeve të përgjithshme teorike, që janë katër(6).

1. Normëzimi duhet të ndihmojë e jo ta rrënojë ose ta thyejë atë stabilizim që e ka arritur gjuha;

2. Normëzimi nuk duhet ta frenojë evolucionin e gjuhës letrare, por duhet t’i ketë parasysh tendencat dhe prirjet e zhvillimit të saj:

3. Normëzimi nuk duhet t’i thellojë dallimet në strukturë midis gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar në rast se këto nuk kanë vlerë funksionale:

4. Në normëzimin e gjuhës letrare është krejt e padobishme ajo që privohet nga të gjitha variantet leksikore e gramatikore. Nga një pikëpamje kjo mund të shihet, ashtu siç përfundon profesori i gjuhës Emil Lafe, si e paarsyeshme, sepse synimi drejt stabilizimit nuk duhet të çojë në një nivelim d.m.th. në fshirjen e dallimeve të nevojshme funksionale e stilistike.

Unë nuk dua të hyj në sqarimin e normës gjuhësore, por dua të tregoj se termi normë përdoret në dy kuptime. Njëri kuptim ka të bëjë me përdorimin e mjeteve gjuhësore, ndërsa i dyti ka të bëjë me tërësinë e rregullave sipas të cilave përdoren mjetet gjuhësore në ligjërim. Kështu, sipas gjuhëtarit Ali Dhimo, ekziston dallim ndërmjet normës dhe kodifikimit të gjuhës: kodifikimi është ngulitja, pasqyrimi i normës në gramatikat dhe në fjalorët normativ. Nga kjo mund të kuptojmë se norma ekziston objektivisht (krahaso sistemin e lakimit e të zgjedhimit ose ndarjen e emrit në gjini), kurse ngulitja ose kodifikimi ka të bëjë me lakimin, zgjedhimin ose ndarjen e emrave në gjini në tekstet (7). Prandaj punën me kodifikimin e gjuhës do ta lëmë për fazën e tretë bashkë me modernizimin e fjalorit.

Përvetësimi i normës gjuhësore letrare është detyrë parësore e mësimit të gjuhës shqipe në shkollë. Të mësuarit e gjuhës amtare, e shkrimit dhe e leximit, të folurit të saktë dhe të qartë, si dhe ngritja e kulturës gjuhësore mbi bazën e rregullave themelore të gramatikës dhe të normës së gjuhës së sotme letrare, mbetet detyrë kryesore e shkollës sonë.

Për përgatitjen e mirë gjuhësore të nxënësve në shkollë rëndësi të madhe ka lënda e gjuhës shqipe që e ka për detyrë të patjetërsueshme përvetësimin sa më të mirë të normës letrare nga nxënësit. Nxënësit në shkollë ndeshen me gjuhën letrare nëpërmjet teksteve shkollore dhe librave të ndryshëm që krijojnë mundësi që nxënësit ta flasin gjuhën shqipe pa gabime si në të shkruar ashtu edhe në të folur. Gjithashtu rol të rëndësishëm luajnë edhe disa faktorë të tjerë, siç është mësuesi, i cili duhet të veprojë në dy drejtime: në drejtimin e përvetësimit të drejtshqiptimit dhe drejtshkrimit, si dhe në drejtim të funksionit didaktik të saj. Nuk duhet harruar se rol shumë të rëndësishëm për të vënë bazat e shqiptimit letrar luajnë edhe mjetet e komunikimit masiv, siç janë: radioja, televizioni, filmi, teatri, shtypi etj. Të gjithë këta faktor e luajnë rolin e tyre. Edhe pse ka përparime, përsëri ne nuk mund të jemi të kënaqur me atë që e kemi sot. Kam përshtypjen se kohëve të fundit po e humbim ose, më mirë të themi, po e dhunojmë gjuhën tonë. Si duket aspak nuk jemi të vëmendshëm ndaj gjuhës së shkruar dhe asaj të folur. Askush nuk përgjigjet dhe askush nuk turpërohet: as ai që e flet, as ai që ua mëson e as ai që e shkruan gjuhën.

Meqenëse tema ngërthen një mori çështjesh që kanë të bëjnë me mësimin e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimit të saj në shkollë, pa pretenduar për një shqyrtim të hollësishëm të tyre, aq më tepër se ato përgjithësisht janë të njohura, këtu kryesisht do t’i ritheksojmë e vlerësojmë disa nga rrugët nëpër të cilat duhet të ecë mësimi i gjuhës letrare shqipe.

Duke e pasur parasysh se tani kemi një gjuhë kombëtare të përbashkët me normat e saja të njësuara, përvetësimi i normës së gjuhës letrare dhe i drejtshkrimit i mbetet shkollës si një nga detyrat më të rëndësishme për formimin gjuhësor të brezit të ri.

Ç’thotë praktika e deritanishme nga shkollat tona? Këtu do të mundohem të jap disa probleme të natyrës objektive dhe subjektive të vështruara nga orët e hospitimeve në shkollat e rajonit të Shkupit dhe më gjerë. Duke u nisur nga ajo se nxënësit shfaqin dobësi në zbatimin e normave të gjuhës letrare, si dhe duke e pasur parasysh se bazë për kulturën e të folurit në shkollë janë puna dhe fjala e mësuesit dhe gjuha në tekstet shkollore,  krahas fjalës dhe gjuhës së mësuesit, vendimtare për përdorimin e normës së gjuhës letrare shqipe rëndësi ka edhe puna, zelli dhe këmbëngulësia e tij në ngulitjen dhe zbatimin e normës letrare.

Me gjithë përpjekjet që janë bërë për një konceptim më të drejtë e më të gjerë të mësimit dhe të përvetësimit të normës letrare, ende ka vend për ta rritur efikasitetin e mësimit të gjuhës shqipe në shkollë, që kështu të realizohen synimet e kësaj lënde mësimore.

1. Shumica e mësuesve të gjuhës nuk i kanë të qarta kërkesat e programit, nuk e njohin mirë në tërësi programin e lëndës së vet ose synimet dhe kërkesat për çdo kapitull e temë. Ndërsa mosnjohja e programit nga ana e mësuesve të gjuhës sigurisht nuk lejon të bëhet një raport i drejtë midis teorisë dhe ushtrimeve. Nëse i vështrojnë planet tematike të mësuesve të gjuhës shqipe, menjëherë na bie në sy mosplanifikimi i orëve për punë të pavarur e krijuese me nxënësit ose, siç thotë metodisti i ynë Ali Shashai, “orë për ushtrime me karakter konstatimi dhe karakter ndërtimi”.(8)

2. Nuk ka ndërvarësi ndërmjet përmbajtjes dhe formës në përcaktimin e metodave dhe formave të punës.

3. Orët e përsëritjeve dhe të ushtrimeve kryesisht kthehen në analizë gramatikore duke i anashkaluar kërkesat e tjera. Kjo shpesh kuptohet nga nxënësit se mësimi i gjuhës është mësim i mërzitshëm dhe mësimi i rregullave, pra vetëm si mësim gramatike – i pa lidhur me zhvillimin e të folurit, me pasurimin e fjalorit etj.

4. Gati në të gjitha shkollat kemi gjendje të njëjtë te mësuesit e gjuhës kur ata e ligjërojnë lëndën e sintaksës dhe kështu shkëputen nga problemet drejtshkrimore.

5. Shumë mësues të gjuhës i lejojnë vetes gabime gjuhësore nga pakujdesia, si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Disa mësues janë kërkues vetëm ndaj normave gjuhësore në të shkruar, kurse në të folur nuk kanë fare kujdes.

6. Disa mësues nuk kërkojnë punë sistematike për ngulitjen e normës drejtshkrimore dhe të shqiptimit, që ato të kalojnë në shprehi.

7, Në mësimet e gjuhës sa herë që të jepen për të analizuar një fjali ose periudhë, nuk kërkohet nga nxënësit që të bëjnë edhe analizë drejtshkrimore.

8. Disa mësues ende nuk janë zhveshur plotësisht nga e folmja e tyre dialektore, ndërsa synojnë t’ua mësojnë nxënësve gjuhën letrare.

9. Gjuha dhe të folurit në shkollë më shumë vështrohet si lëndë mësimore e veçantë, por jo edhe si mjet themelor didaktik i përdorshëm për të gjitha lëndët e tjera mësimore.

10. Nuk kemi ende një lidhje të drejtë organike midis gjuhës dhe leximit.

11. Në tekste shkollore nuk ka më pjesë të plota të stileve të ndryshme të zgjedhura nga krijimet më të mira të letërsisë sonë që do të shërbejnë si modele për nxënësit etj.

Dobësitë e ndjeshme, sidomos forma e folur e gjuhës letrare, e cila po zë vend gjithnjë më të madh në jetën shoqërore, por edhe ajo e shkruar, kërkon që mësuesit e gjuhës bashkë me specialistët e gjuhës të bëjnë një gramatikë të gabimeve,(9), që t’u ikin pyetjeve kategorike kush? dhe si?, por të krijohet një gramatikë didaktike, ashtu siç thotë Emil Lafe, “që do të na e tregojë modelin e gjuhës që do të na e mësojë atë që është e rregullt, që është e drejtë”.(10)

Siç shihet, shkollës i mbetet për detyrë që t’i edukojë nxënësit, edhe mësuesit e gjuhës por edhe ato të lëndëve jogjuhësore, që të gjithë të përpiqen ta shqiptojnë e ta shkruajnë drejt fjalën shqipe.

Meqë kohëve të fundit si në libra, revista, gazeta dhe edicione informative kudo hasim një shqipe të pakontrolluar, sidomos këtu në Maqedoni, detyrë ngutshme e jona mbetet që të ngrihet një këshill i përhershëm i përzier nga mësues të gjuhës e metodistë pranë Institutit Albanologjik në Shkup i cili do ta ndjekë punën, do të interesohet drejtpërdrejt për gjuhën letrare të shkruar e të folur dhe do të ndjejë përgjegjësi ndaj gjuhës së njësuar letrare.

______________

 

Referencat

[1] “Language Problems et of the Devolping Nations”, Wily, 1968,fq 168

2 Tomor Plangarica, Kongresi i Elbasanit në problematikën e zhvillimit të shqipes letrare, Normalja në traditë, Elbasan, 1995, fq.57

3 Tomor Plangarica, vepër e cituar

4 Themelet e drejtshkrimit të sotëm u hodhën ne shek. XIX, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Ai që ka luajtur një rol me rëndësi në këto përpjekje ka qenë Ndre Mjeda. Nën ndikimin e K. Kristoforidhit ai e përpunoi një sistem për afrimin e të dy dialekteve. Po kështu edhe L. Gurakuqi, i cili në një artikull botuar me 1905 të titulluar "Themeli i gjuhës letrare", flet për përpjekjet e njësimit të gjuhës në fushën e ortografisë. Krijimi i shoqërisë kulturore "Bashkimi" (1899) dhe tjetrës "Agimi" (1901) në Shkodër, krahas problemit të alfabetit, i dhanë një hov të madh edhe diskutimit për gjuhën letrare, kryesisht për drejtshkrimin e shqipes.

5.Rezolutë e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, 1973, fq. 15

6 Cituar sipas Emil Lafe, Probleme dhe detyra në fushën e kulturës së gjuhës, Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës I, Tiranë, 1973, fq.13

7 Ali Dhimio, Norma dhe kodifikimi, Gjuha jonë, nr. 1/1981, fq.50

8Ali Shashai, Realizimi i lidhjeve organike në lëndën e gjuhës shqipe,Gjuha shqipe dhe letërsia në shkollë, Tiranë 1977,fq.44

9.Deri tani në Maqedoni me artikuj rreth drejtshkrimit të gjuhës shqipe janë paraqitur: Remzi Nesimi, Fadil Sulejmani, Halil Zendeli, Qemal Murati etj. Shih Librin: Drejtshkrimi i shqipes dhe kultura gjuhësore, Shkup 1996: Shih: Palok Daka, Studime dhe artikuj të zgjedhur për normën gjuhësore të shqipes së sotme letrare 1981-1985 .

10.Emil Lafe, Gramatika e gabimeve, Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës I, Tiranë 1973, fq. 192.