E marte, 16.04.2024, 06:39 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Shtyhet regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare

E diele, 27.02.2011, 08:08 PM


Të rinjtë në protestë kundër regjistrimit të popullsisë

Shekulli Online

Qindra të rinj kanë protestuar dje përpara Parlamentit duke e cilësuar këtë proces si një makth vrastar

 

TIRANË- Qindra të rinj u mblodhën dje përpara Parlamentit në një protestë kundër nismës së qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Protesta e organizuar nga Klubi i Patriotëve të Rinj mblodhi të rinjtë me sloganin "për të mos heshtur ndaj dëmit që po tentohet t'i bëhet kombit". Të pranishmit në këtë aktivitet mbanin pankarta kundër regjistrimit si "Ndal regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare", "Shqipëria nuk është shtet multietnik", "Shqipëria nuk është për t'u shitur", etj. Me parullat "O sa mirë me qenë shqiptar", "Rroftë Kosova, Rroftë Çamëria, Rroftë Shqipëria", etj., protestuesit kërkuan shtyrjen e regjistrimit dhe hapjen e dialogut publik mbi të.

 

Kërkesa kryesore e të rinjve ishte heqja nga pyetësori e pyetjeve mbi kombësinë dhe fenë me vetëdeklarim. Një tjetër alternativë e paraqitur prej të rinjve ishte edhe vendosja e deklarimit të kombësisë, por kjo të bëhet në bazë të dokumenteve dhe jo në bazë të preferencave. Koordinatori i Klubit të Patriotëve të Rinj, Jetmir Salaj, akuzoi politikanët shqiptarë se po bëjnë një vesh shurdh dhe një sy qorr dhe kërkoi prej tyre që të tregojnë përgjegjshmëri për atdheun.

 

"Jemi këtu sot për t'i thënë mbarë vendit e botës që të na dëgjojnë mirë: Sot në këtë vend, në këtë shesh bëhet betimi ynë jo kompromis me këtë politikë të vogël, jo kompromis për demokracinë. Liria vlen më shumë se gjithçka tjetër. Apeli im për shqiptarët është: Ngrihuni e tregojuni sa burra e gra fisnike jeni, bëjani shërbimin atdheut, na ndihmoni në misionin tonë. Na ndihmoni deri në largimin e një makthi vrastar si ky",- tha Jetmir Salaj. Të rinjtë, me megafonë në duar, kanë kënduar në kor himnin kombëtar dhe pasi i bënë apel klasës politike që të mos qëndrojë indiferente, por të kundërshtojë këtë nismë, u larguan nga sheshi përpara Parlamentit.

 

Nisma e qeverisë për regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë bazuar në vetëdeklarim ka hapur një debat të gjerë në shoqërinë civile. Të gjithë aktorët politikë dhe të shoqërisë civile janë shprehur haptazi kundër kësaj nisme, e cila mbështetet vetëm nga qeveria dhe partitë që përfaqësojnë minoritetin grek. Presioni i shumtë i ushtruar nga media dhe shoqëria civile duket se ka vënë në pozitë qeverinë, e cila ende nuk ka nisur procesin e regjistrimit. Ajo ka punësuar rreth 400 njerëz që do të merren me këtë çështje, por deri më tani duket se procesi ka mbetur pezull.

 

_____

 

Shtyhet regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare

Shekulli Online

 

 

Genc Pollo

 

Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare do të shtyhet. Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, këtë fakt e konfirmon Ministria për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit e Komunikimit, sipas të cilës shkak për këtë është bërë afrimi i zgjedhjeve lokale. Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare parashikohej të fillonte në prill, por është shtyrë zyrtarisht për në nëntor të këtij viti.

 

 

Sipas kësaj ministrie, kryerja e procesit të regjistrimit të popullsisë para zgjedhjeve mund të sjellë probleme në terren, pasi komunat e bashkitë, kryetarët e administratat e tyre kanë përgjegjësi kryesore në administrimin e censusit në terren. Periudha e regjistrimit të popullsisë në një kohë me zgjedhjet lokale mund të linte hapësira për të dhëna jo të sakta.

Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare ka qenë object debate gjatë ditëve të fundit, të cilat filluan që pas deklaratave të konsullit grek në Korçë.

 

 

**********

Dhjetra të rinj kanë protestuar sot përpara godinë së Parlamentit të Shqipërisë ku kërkojnë shtyrjen e regjistrimit të popullsisë mb baza etnike dhe fetare. Aktivistë të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet të mbështetur nga Klubi I Patriotëve të Rinj, ata kanë paraqitur sot publikisht tre kërkesat e tyre.

 

 

"Shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, hapjen e një debate publik rreth regjistrimit, dhe më pas kryerjen e regjistrimit pas ezaurimit të dy pikave më lart.

10-tja të rinj

 

Sipas PDI dhe Klubit të Patriotëve të rinj, regjistrimi me baza etnia dhe feje, shkel hapurt të drejtat e njeriut.

 

Të rinjtë kaë hedhur thirrje dhe parrulla patriotike gjatë gjithë protestës.

 

***

 

Sipas Ministrit të Shtetit, popullsia shqiptare përmes një pyetësori do të regjistrohet mbi baza etnike dhe fetare

 

TIRANË - Popullsia shqiptare për herë të parë do të regjistrohet mbi baza etnike dhe fetare. Kjo u bë e ditur dje nga ministri i shtetit, Genc Pollo, i cili kryesoi mbledhjen e komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, që do të kryejë edhe regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.

 

Pyetësori që përbën elementët ku do të bazohet regjistrimi i popullsisë, u miratua dje në parim, ndërsa vetëm pas një konsultimi 6-mujor, do të marrë edhe miratimin përfundimtar. Lidhur me këtë pyetësor, ministri i Shtetit, Genc Pollo theksoi se risia e pyetësorit, është se pas shumë vitesh, ai përfshin përkatësinë etnike dhe atë fetare. "Sot do të miratohet në parim nga Komisioni pyetësori për regjistrimin e popullsisë dhe pas një konsultimi 6-mujor do të miratohet përfundimisht.

 

Por risia këtë vit në këtë pyetësor është që përmban, për herë të parë pas shumë dekadash, përkatësinë etnike dhe fetare. Ky proces do të kryhet në mënyrë shumë profesionale, nga INSTAT dhe me një mbështetje të madhe ekspertësh nga BE-ja dhe agjenci të tjera ndërkombëtare. Është një operacion që vërtet kushton shumë financiarisht, por na jep një bazë të dhënash deri tani të padisponueshme dhe të domosdoshme për të ecur përpara", - tha dje Pollo.

 

Sipas Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, një nga synimet kryesore të regjistrimit të popullsisë, duke u bazuar në elementët e sipërpërmendur, është edhe krijimi i një realiteti demografik, ekonomik dhe social të saktë.

 

Krijimi i realitetit demografik të saktë, sipas drejtuesve të Komisionit, është mjaft i nevojshëm, duke parë se, që prej Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave në Shqipëri të vitit 2001, ka pasur lëvizje të vazhdueshme të popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane, por edhe në drejtim të vendeve të tjera.

 

Këto lëvizje kanë sjellë ndryshime demografike të mëdha, njëkohësisht ndryshime të të dhënave statistikore. Projekti i Regjistrimit, synon gjithashtu edhe sigurimin e informacionit bazë, për të dhënat elektronike individuale të qytetarëve shqiptarë, që do të regjistrohen mbi bazën përkatësisë etnike dhe fetare. Por, regjistrimi po shikohet edhe si një pikënisje për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të statistikave që disponohen aktualisht për popullsinë e vendit tonë.

 

Projekti për regjistrimin e popullsisë dhe banesave në bazë të përkatësisë etnike dhe fetare, financohet nga qeveria shqiptare si edhe nga disa donatorë të ndryshëm siç janë Komisioni Evropian nëpërmjet IPA, UNFPA, UNDP dhe Statistikat Suedeze etj.

 

Buxheti total për këtë projekt, është parashikuar në vlerën prej afro 15 milion euro, ku qeveria shqiptare mbulon rreth 5 milionë, IPA 8 milionë, UNFPA 1 milion euro si dhe financime të tjera të UNDP-së dhe Statistikat Suedeze etj. Ndërkohë, Komisioni Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave (REPOBA), përbehet nga 12 ministra, si dhe zyrtarë e specialistë të fushës. Detyra e këtij komisioni është të drejtojë Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe të Banesave të vitit 2011.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora