E premte, 29.03.2024, 02:29 PM (GMT)

Faleminderit

Ali Këlcyra

E shtune, 19.01.2008, 12:45 AM


Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi

Një vepër nga Tanush Frashëri për demokratin patriot, figurë qendrore e Ballit Kombëtar. Pinjolli i Këlcyrave, parë përtej legjendës së historianëve të PPSH-së

Nga Elsa Demo

Ali Këlcyra
Kush është Ali Këlcyra? Një vepër e historianit Tanush Frashëri përmbush qëllimin për ta parë figurën e demokratit patriot përtej legjendave të PPSH-së që deri dje e ka futur në historiografinë e saj si “tradhtari”, “kolaboracionisti”, “bajlozi”. Shumë vite jetë i kaloi në mërgim, një dënim me vdekje u nënshkrua për të nga organet e gjyqësisë së monarkisë, PKSh donte ta shiste tek Aleatët si kriminel lufte, dhe që nga dita e instalimit të diktaturës komuniste deri kur mbylli sytë jashtë atdheut, në Itali në 1963 e më pas, fushata anti Ali Këlcyra është endur si hije. Edhe një vepër kushtuar kësaj figure, tanimë sipas burimeve arkivore, në dritën e të vërtetës, promovohet jashtë Shqipërisë. Sot në mbrëmje për të dhe “Lahutën e malcisë” të at Gjergj Fishtës përkthyer anglisht nga Robert Elsie dhe botuar nga “IB Tauris Publisher”, një pritje do të mbahet në dhomën e komunave të Parlamentit Britanik në Londër. Kjo u arrit nga bashkëpunimi i shoqatës gjithëpartiake Shqipëri-Britani, pranë parlamentit britanik me Qendrën për Studime Shqiptare e cila drejtohet nga publicisti Bejtullah Destani. Shtëpia botuese “Çabej” drejtuar nga Brikena Çabej bashkë me këtë Qendër sjellin shqip “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi”, kërkimin disavjeçar të studiuesit Tanush Frashëri.
Ali Këlcyra u lind në Këlcyrë më 28 maj 1891. Mësimet e para i merr në vendlindje. Ndjek liceun “Gallata Saraj” në Stamboll. Studion në Mulqije, shkollë e lartë e shkencave politiko-administrative e ekonomike. Me shpërthimin e Luftës I Ballkanike kthehet në Këlcyrë, dhe shpallja e pavarësisë e gjen në atdhe. Gjatë ripushtimit të Jugut nga ushtritë greke largohet me muhaxhirët e tjerë në Vlorë. Në emër të tyre përshëndet Princ Vidin e princeshën Sofi që erdhën të vizitonin të ikurit nga zonat e pushtuara. Lë atdheun dhe vendoset në San Demetrio Korone, tek arbëreshët e Italisë. Në 1915 vazhdon studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Romë kohë kur përqafon idetë e socialdemokracisë, miqësohet me Avni Rustemin dhe shokun e betejave Stavro Vinjau.
Kthehet në atdhe një vit më pas dhe bashkë me Themistokli Gërmenjin e të tjerë, ndërmerr nismën e krijimit të çetave kombëtare shqiptare. Në 1918 kthehet sërish, shkon në Vlorë ku në një mbledhje të fshehtë themelohet organizata që u quajt “Mbrojtja Kombëtare”. Komanda italiane e dëbon nga territoret nën administrimin e saj. Komitetet e MK-së kishin tashmë për qëllim organizimin e luftës së armatosur kundër italianëve që ndodheshin këtu për “mbrojtjen” nga ushtritë greke që ishin vendosur rreth kufirit. Merr pjesë në Kongresin e Lushnjes, zgjidhet në Kuvendin Kombëtar si deputet i prefekturës së Gjirokastrës dhe qysh në seancën e parë propozon që në apelin e deputetëve të hiqet titulli “bej”. Lëvizja e Qershorit shënon mërgimin e tij të parë larg atdheut për 15 vjet. Në 1925 themelohet në Bari organizata BASHKOMB, ku zgjidhet në komitetin drejtues dhe sekretar i saj. Një vit më vonë, gjyqi i hetimeve politike në Tiranë lëshon një “Letër përdhuni” kundër tij për t’u hetuar nën akuzën e “propagandës kundër shtetit, regjimit e kryetarit të Republikës”. Në Fletoren zyrtare botohet vendimi i dënimit me vdekje dhe i konfiskimit të pasurisë.
Gjatë qëndrimit në Paris, Ali Këlcyra bën raporte për gjendjen në Shqipëri dhe për politikën profashiste të Mbretit Zog, duke shkruar në të përditshmet “Le Quotidien”, “Le Matin” etj. Në 1939 bashkë me Mehdi Frashërin është në krye të Frontit të Rezistencës që kthehet në “Nacionalizma shqiptare. Balli Kombëtar”. Në 1944 nga tribuna e Kongresit të Ballit Kombëtar shtron edhe një herë nevojën për t’u bërë thirrje komunistëve të heqin dorë nga lufta civile. Në këtë moment hedh idenë e krijimit të një Fronti Kombëtar për t’i bërë ballë luftës në dy krahë.
Në nëntor të atij viti, bashkë me familjen të hipur në një varkë mbërrijnë në Bari dhe dorëzohet me tjerë tek Aleatët. Mbyllet në kampin Santa Fara.
“Nga formimi akademik Ali Këlcyra ishte jurist, një jurist me prirje politike, pikëpamjet e të cilit kanë për bazament veprën e Didëroit “E drejta natyrore”, traktatin historiko-politik të Monteskjesë “Fryma e ligjeve” dhe posaçërisht traktatin politik “Mbi kontratën shoqërore” të Rusosë”. Një figurë që kishte një vizion dialektik për vendosjen e demokracisë e shtetit të së drejtës, në përputhje me alternativat që shtronte praktika politike e statuore e vendit të tij”, shkruan Tanush Frashëri. Autori pohon se e njohu Ali Këlcyrën e vërtetë dhe u magnetizua prej kësaj figure sidomos kur pa tek ai “gatishmërinë, vullnetin dhe durimin për të debatuar me kundërshtarët e vet politikë, në momentet e luftës vëllavrasëse, lidhur me nevojat e vendit e popullit në çastet tragjike që kalonte ai (1943); paanësia në gjykimin e qëndrimin që mban për ngjarjet që shkruan në pjesën më të madhe të të cilave ai ka qenë pjesëmarrës aktiv”.
Frashëri nuk nguron të vërë theksin tek ata historianë të djeshëm, po ata të sotmit që po rishkruajnë historinë, të cilët u bënë pjesë e fushatës anti Ali Këlcyra në linjën e qëndrimit të PPSH-së që e quante “vegël e fashistëve”, “tradhtari”, etj. Ky qëndrim ndaj njërit prej udhëheqësve të Ballit Kombëtar e kishte fillin në kohën kur PKSH e nxiste Aleatët në Itali që opozitarët duke i quajtur kolaboracionistë kërkonte t’ia dorëzonin si kriminel lufte.
“Jam përpjekur të shkruaj pa zemërim e me paanësi të them të vërtetën, pse e vërteta nuk fyen njeri, aq më tepër kur “Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër është një kriminel”- shkruan autori duke cituar njëherësh Bertold Brehtin. Kjo vepër historike është mbështetur në punën e hollësishme e të lodhshme arkivore në Arkivat e Republikës Italiane, ato angleze, sigurisht arkivat shqiptare dhe fondi arkivor i Këlcyrave.

Shekulli - 26/10/2005

Prof. Ernest Koliqi flet ndërsa trupi i Ali Këlcyrës përcillet në 29 shtator 1963 në varrezat Acatolico di Testaccio, ku varrosen personalitetet e shquara të huaja

Ata qi do të kenë fatin me këthye n’atdhe

Nga Ernest Koliqi

Edhe nji tjetër Atdhetar shpirtmadh u zhduk nga mesi ynë. Edhe nji udhëhjekës i palodhun qi ecte në krye t'aradhve të Liris humbi ndër hijet e mëdhaja të dekës. Edhe nji pohues i ides së Shqipnisë së lirë, çerdhe e vokët e shqiptarvet të vëllaznuem sipër paragjykimeve të çdo lloji, në ditët kur ma fort ndihej nevoja e ndërhymjes së Tij ndërtuese, po e len shprazët vendin e vet në barrikadën e luftimit kundra dhunuesave të traditave shejta qi janë palci jetësuer i atdheut t’onë. Ali Këlcyra shkoi: nuk do t’a kemi ma trupnisht për bri në përpjekje t’ashpër për shpëtimin e Shqipnis. Ai Shqipnis s’onë qyshë në moshë ma të blerë i kushtoi fuqin e nji mendjeje së ndritun nga kultura dhe zjarrmin e nji zemre qi rrahte përherë në plotëni ndiesish bujare. Në Lindje e në Perëndim, ku filloi e ku sosi pregatitjen e Tij kulturore, Ai thithi nga burimet e ditunis ato mendime, ato parime, ato piknisje qi vyejshin për t’a realizue idealin kombëtar. U ushqye me at kulturë të shëndoshtë qi mëson me themelue jetën vetjake dhe kombëtare mbi nderë, mbi besë e mbi burrni, mbi kët granit trikandësh të shpirtit shqiptar, ku përjetësohet trashigimi i shuguruem me gjak fisnik prej stërgjyshave. Por trashigimin e etnicizmit t’one ma të çmueshëm, Ai nuk u orvat t’a mpronte në qindrime statike por dinamikisht t’a përtrinte me fuqi krijuese me idenat ma të reja të kohës. Kur në vend t’one nji mendësi mesjetare, tepricë damcore e nji robnije shekujsh, ngujonte shumicën e popullit shqiptar në mendime e rendime shoqnore anakronike, Ali Këlcyra, ndonse pinjuell i nji dere feudale, doli papritmas si flamurtar i demokracis. Në luftën e ideve, qi i hapi kombit horizonte të reja, gojtaria e Tij jashtëzakonisht prekëse e tërhjekëse vringëlloi si shpatë e mprehët. Me at gojtari lartushtuese Ai thei e shpartalloi perde errsije, kundërshtoi çdo trajte tyranie, lëshoi kushtrime për liri e rilindje. E nuk qe prej atyne qi nxisin të tjerët në përleshje luftarake tue ndejun larg rrezikut: në Të fjalën e shoqnonte veprimi. Në kryengritjen e Vlonës Ai mori pjesë si luftëtar i thjeshtë; në luftën kundra komunizmit Ai u fut guximtarisht mu në strofull të dërmuesave të Shqipnis Etnike e të shqiptarizmit qi mbetën shtang me armë të ngrime ndër duer, të çuditun nga trimnia e Tij e pashoqe. Shum punoi Ali Këlcyra për liri, pamvarsi e naltësim shoqnuer të Shqipnis dhe Shqipnija, e rrëmbyeme në nji shakulluer ngjarjesh orëzeza, nuk mujt me ia shpërblye ndryshej mundin e zellin veçse me mërgime, vuajtje e salvime. Krejt jetën e vetit Atdheut ia kushtoi dhe nuk pat prej si as pozitat zyrtare, as kënaqësit morale qi meritonte. Kët vrejtje jam kah e baj unë, sepse fisnikija e natyrshme e këtij Atdhedashësi të rrallë, ndjenja vetmohuese, qi i a pajiste shkëlqimtarisht shpirtin, nuk lanë kurr asnji ankim m’u vizatue në buzë të Tija.
Ai ruente në zemër, edhe në moshën e shtyeme, nji hov ndiesish atdhetare qi ishte për Të shpërblim i mjaftueshëm. Veprimtaria patriotike ishte për Të e natyrshme si frymëmarrja qi mban gjallë trupnisht njeriun. Prendvera e përpjekjeve të para kombëtare lulëzonte përherë freski-plotë në gjak të Ali Këlcyrës dhe përhapte dalldi atdhedashëse rreth e rrotull tue thekë këdo qi kishte fatin t’a afrojë.
Ai po zhduket sot nga mesi ynë, por po na len nji testament shpirtnuer, qi duhet t’a ruejmë në mendë e në zemër mbi udha të vështira të mërgimit deri sa t’agojë dita qi të mundemi me i a dorëzue djalërisë shqiptare n’atdhe të liruem. “Bashkohuni me nji ndiesi vëllaznore e në nji qëllim të vetëm epruer. Bashkohuni n’emën të Nanës Shqipni dhe shkrini fuqi t’uaja në nji përpjekje kompakte për çlirimin e Saj nga zgjedha zvetnuese qi po i a than e po i a shkymbe në gji tharmet ma të thella autoktone.”
Ali!
Hija ka më na pri edhe mbas sodit n’udhë qi Ti burrnisht e bujarisht ke rrahë drejt plotësimit t’idealeve ma të larta të kombit. Në vrullin e traditave, urtisht të njomsueme nga fryma e kohës tue u shtye në përtrimje shoqnore deri aty ku të mos preket palci qenësuar ethnik, ashtu si Ti na mësove me fjalë e me vepër, na do t’a vazhdojmë veprën epike t’Ande e të Rilindsavet të mëdhenj. E ndër çaste dyshimi, lodhjeje, ngurrimi, do të ngjallim në mbamendjen t’onë shembullin t’And qi ruejtë të pashkimun në mes mjerimeve e padrejtësive të fatit e të njerzve nji dritë ndiesish agimore.
Ali!
Kur Perendia, qi nuk do ta lajë pa shpërblim gjakun e derdhun për të drejtat e shenjta t’ona, do të çeli në qiellin e atdheut agimin e Liris, ata qi do të kenë fatin me këthye n’atdhe, kanë me pa në rrezet e atij agimi, tue xixëllue e lumnue edhe shpirtin t’And bujar, tekembramja të qetësuem e të kënaqun.

Shekulli - 26/10/2005

Ali Këlcyra, aristokrati ballist

Ka një dritëhije kaq të madhe ky personazh potent i historisë sonë, saqë të duhet të mendosh mirë, kur të pasqyrosh figurinën e tij. Nga historia jonë, ka mbetur i skalitur keq për Marrëveshjen e njohur të Dalmazzo-Këlcyrës, e cila në vetvete i vuri dhe “damkën” Ballit Kombëtar. Ndoshta, kjo ka qenë një nga elementët, nga ku ka filluar grishja e Z. Tanush Frashëri te “Çabej” për të zbardhur staturën e shumëpërfolur të Ali Këlcyrës... me librin “Aristokrati kuqezi”

Nga Ben Andoni

A mund t’i kesh zili jetën një njeriu të tillë? Familje me oxhak, shkollim perfekt i huaj, emigrim i stërgjatë, antizogist, antifashist, demagog i rrallë, përsëri emigrim…vdekje e nderuar. Ndoshta po, por më shumë jo. Ali Këlcyrës, njeriut që u ngrit në Parlament për të hequr titullin “Bej” (ai vetë e posedonte), duhet t’i ketë pëlqyer së shumti kjo jetë. Në një foto të jetës së pasluftës, sikur mos t’i mjaftojë ajo stërbredhje, të shikon i ngrefosur, sikur të ketë fituar të gjitha. Faktikisht nga lufta ka dalë i humbur, i rraskapitur, pa pasuri... dhe ca më shumë ka humbur dhe atdheun…Pikërisht, këtë figurë kaq me dritë-hije, që historiografia komuniste na e nguli në kokë me traktatin e famshëm Dalmazzo-Këlcyra (momenti që hapi rrugën e shikimit ndryshe Ballit Kombëtar), i ka kushtuar një punim të fundit shumë serioz, Z. Tanush Frashëri tek “Çabej”. Mbase, edhe falë mbështetjes së Brikena Çabejt, për ta përfshirë studimin historik në kolanën e librave të saj të zgjedhur të historisë…

Nën vështrimin e historianëve

Një vështrim interesant për Këlcyrën na vjen nga Bernd Fisher, në punimin, që ai i ka bërë situatës shqiptare të Luftës Dytë Botërore. “Komiteti Qëndror, i krijuar për të drejtuar vijën politike, përfshinte edhe disa anëtarë më të moderuar për të drejtuar vijën politike, edhe disa anëtarë më të moderuar dhe të rinj, por meqënëse këta elementë u arrestuan shpejt nga italianët, drejtimi i Ballit u mbeti anëtarëve konservatorë më të vjetër në moshë-të prirur nga kolaboracionizmi. Këtu përshiheshin një numër individësh nga i ashtëquajturi “grupi i Parisit”, antizogistë, të cilët kishin kaluar gjatë periudhës midis dy luftrave disa vjet mërgimi në Francë dhe ishin kthyer vetëm pas pushtimit Italian. Më i shquari në këtë grup, ishte Ali Këlcyra, i cili kishte paraqitjen dhe gojëtarinë e traditës së Partisë së dikurshme radikale franceze, por mbetej gjithsesi një politikan i shkollës së Zogut dhe Rexhep Mitrovica, i cili më pas do të kryesonte në qeverinë kolaboracioniste nën pushtimin Italian…”. Kaq të mjafton, për të formuar një opinion të parë për Këlcyrën në skenën historike shqiptare.

Protokolli Dalmaco-Këlcyra

Kuptohet se, ajo që e ka mbajtur të gjallë në historinë e Shqipërisë është roli i tij në Protokollin e njohur si Dalmaco-Këlcyra. Autori Frashëri ka meritën se ka bërë një punë shumë qëmtuese për të qepur pa fund ngjarje, duke na dhënë rolin e tij të vërtetë në këtë qerthull. Në vitin 1943, në Shqipëri, situata ishte krejtësisht jashtë kontrollit, ndërsa grupimet e atëhershme kanë shumë e shumë probleme, më së shumti mes vete. Rënia e pritshme e qeverisë të Mustafa Krujës duket se është pritur mirë. Por, për fat të keq- nuk pritet gati asgjë- nga ata të cilët mendohet se do ta zëvendësojnë. Kabineti i ri i Maliq Bushatit, ashtu si edhe pritet, nuk mund të sjellë asgjë të re. “Me programin e tij thjesht kombëtar” sjell një “thellim të mëtejshëm të përçarjes mes interesave italiane dhe shqiptare”, ankohen forcat italiane…Gjenerali Dalmazzo duke ndërmarrë shumë veprime në jug- mendon që do të tkurrë shumë forcat e rezistencës për ti dhënë pastaj një goditje shumë të egër me Operacionin “Delta”. Por, në kokë, ka një ide që e mundon shpesh: Po sikur të fillojë kryengritja në jug, çfarë mund të ndodhë. E ka gjithsesi një rrugëdalje, që mund t’u interesojë të gjithëve. Nuni i këtij mendimi, në botimin e fundit të “Çabejt”, shihet qartë se është vetë Jakomoni e merr vetë situatën në dorë. Ky thërret kryeministrin dhe i kërkon mundësinë e një takimi mes përfaqësuesve të rezistencës dhe përfaqësuesve të italianëve, por në rrethana private.”Forcat e rezistencës nacionaliste e komuniste në fillim të pranverës 1943, vuanin nga mungesa e armatimeve të nevojshme dhe nuk duhet ishin në gjendje të bënin ballë për një kohë të gjatë sulmeve të trupave fashiste, që kishin epërsi sidomos në armatime”, thuhet tek “Aristokrati kuqezi”... Më 4 mars 1943, Maliq Bushati, shtron një drekë intime për një rreth të ngushtë miqsh prej katër të ftuarish, ku gjenden gjeneral Dalmazzo, N.Vlora dhe A.Këlcyra. Dy ditë më vonë bisedohet normalisht dhe konkretisht. Dalmazzo shkruan se “nacionalistët ekstremistë” nënvizuan pëlqimin e tyre “të marrin kontakt me karakter politik me autoritetet ushtarale në vend të autoriteteve politike kopetente”…Kurse Këlcyra, anëtari më potent i nacionalistëve, vazhdon t’i përmbahet rrugës së tij që: “Programi i nacionalistëve shqiptarë është ’Shqipëri e shqiptarëve’. Nga ana tjetër, vazhdon të mëtojë se “synimet tona nuk kufizohen vetëm me rimëkëmbjen e xhandarmarisë dhe ushtrisë me karakter tërësisht kombëtar…Bashkëpunimi nuk zë fill nga një orientim i vetvetishëm psikologjik, por vetëm nga detyrimi moral për të ndalur pushtimin e Shqipërisë së jugut nga ana e trupave bullgare ose sidoqoftë të pengojë gjakderdhjen dhe rrënimet që do të shkaktojë operacioni i paralajmëruar i policisë..”. Kjo bën që të ketë shumë keqkuptime, ndërsa përfaqësuesit e Ballit premtojnë të përpilojnë një projekt- deklaratë të re në mbledhjen tjetër. Ali Këlcyra paraqiti bocën me titull “Protokoll- Nderi”….Ajo që erdhi më pas dihet. Komunistët jo vetëm nuk u bindën por Mehmet Shehu veproi egër me çetën e tij, duke bërë që italianët t’i përgjigjeshin me pushkatimin e qindra vetëve, sidomos në të gjithë krahinën e Vlorës…Ndërkohë që Ali Këlcyra këmbëngul dhe madje pas lidhjeve me Nacional-Çlirimtaren nxjerr nevojën e një xhandarmërie shqiptare, roli i të cilës ishte mbrojtja e kufinjve. Por, nuk mund t’i bindë komunistët, që pas kësaj, tashmë e kanë të përcaktuar si një armik për vdekje...

Shkurt...për Ali Këlcyrën

Ky armik i komunistëve, zogistëve...etj është një figurë, që ndoshta e ka merituar më parë studimin....I lindur në Këlcyrë më 1891, Ali Këlcyra shpejt do të binte në sy për cilësitë e mira të inteligjencës natyrale. Që i vogël flet përveç gjuhës kombëtare, frëngjisht, greqisht e turqisht. Në shtator 1904, familja e tij- një nga familjet më të njohura të Shqipërisë e ka dërguar për të studiuar djalin në Gallata Saraj…. Ai do të mbetet po kaq i suksessëm dhe në një nga shkollat më elitare të kohës. Në vitin 1909 do të marrë diplomën e pjekurisë me ‘Bachalier es-lettres-es sciences’. Vitin tjetër e ardhmja e tij dihet: vazhdon shkollën në Mulqije, shkollë e lartë turke të shkencave politiko-administrative-ekonomike. Ky është dhe vendi që për herë të parë njihet me ndikimet komuniste. Ndërkohë ka ardhur Lufta e Parë Botërore, ku ai do të rikthehet në Këlcyrë. Më 1912 do të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës, ndërsa pushtimi i vendit të tij prej grekëve do të thotë privim nga shumë gjëra. Arrin të dalë më 1914 nga zona e luftës dhe fillon e merr pjesë vetë në kaosin e luftës së kohës. Shfaqet në jetën e vendit teksa përshëndet ardhjen e Vidit me një fjalim në frëngjisht. Një vit më vonë do të shkojë te arbëreshët në San Demetrio Korone, ku studion në drejtimin e Mehdi Frashërit dhe thellon edhe njohuritë e letërsisë shqiptare dhe italiane. Një vit më vonë është në Fakultetin e Drejtësisë në Romë, ku do të njihet me Avni Rustemin dhe Stavro Vinjaun, por edhe me kryeredaktorin e “Avanti” organit të PSI-së, Treves. Nuk humb lidhjet me Shqipërinë, dhe një vit më vonë- vjen në Gjirokastër dhe fillon bisedat për krijimin e një fronti të përbashkët kundër grekëve. Bashkëpunon me Gërmenjin, Butkën etj. Kthehet në Itali dhe mbaron studimet universitare, por biografët e tij thonë se do të rikthehet prej gjendjes në Shqipëri. Një vit më vonë e hasim në Kongresin e Lushnjes…Në luftën e Vlorës, caktohet të shkojë në Itali ku futet në bisedime me autoritetet të njohura të vendit për luftën. Merr pjesë në Luftën e Vlorës në grupin që hapi luftën në Tepelenë dhe është një nga funksionarët që merret me procedurat e lëshimit të qytetit. Pas vdekjes së Avni Rustemit largohet në dhjetor 1924 nga vendi, një mërgim që do të zgjaste 15 vjet. Në këtë kohë merr titullin Dr. i shkencave juridike dhe vendoset në Bari, ku do të themelojë organizatën BASHKOMB, me atribute si sekretar i saj. Ka një jetë shumë aktive, ndërsa endet nëpër Evropë i përndjekur nga serbët dhe nga italianët. Ca më tej akoma, Riza Cerova orvatet që ta vrasë. Në këtë kohë shkruan për “Kotidien” dhe “Matën”,”Ymanite” “La Rypublikë”, “Liberte” etj dhe ka shumë aktivitet. Në tetor-dhjetor 1939, tashmë i kthyer në vend, krijon me një grup intelektualësh të kohës “Frontin e Rezistencës”, ku Frashëri, Dosti dhe ai vetë krijojnë tezat e programit që titullohen “Nacionalizma shqiptare, Balli Kombëtar”. Përfundimisht më 1941 internohet, ndërsa në 1942 në Tiranë krijohet Balli Kombëtar, ku Frashëri paraqet “Dekalogun” e tij. Më 1943 takohet me gjeneral Dalmazzon, takim i cili më 13 mars do të lindë projekt-protokoll marrëveshjen për fundin e gjakderdhjes. Episodi më i hidhur për të është koha, kur në qershor të këtij viti e kapin komunistët që e lirojnë më pas, të detyruar nga një presion i madh…Bën një jetë aktive dhe vazhdimisht bën thirrje për një luftë jo vëllavrasëse. Kjo nuk mjafton, sepse komunistët fitojnë, ndërsa ai në nëntor 1944 i duhet të lerë vendin, për të mos u kthyer më... me një peshkarexhë.

Epilogu

Vuan shumë në kampet ku i fusin aleatët, ngaqë i duhet të justifikojë dhe akuzën e PKSH për “krime lufte”. Endet nëpër Evropë dhe në 1947 përfundon në Kajro, ku fillon rezistencën në mërgim. Shkon andej-këndej, derisa për mbijetesë kërkon të punojë si mësues në Egjipt. Rezistenca e kërkon të udhëtojë dhe të luftojë sërish, ndërsa kthehet në Romë, ku do fillojë përgatitjet në shumë plane. Në vitin 1953 është anëtar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, kohë kur ushtrohet përsëri fjala e tij si orator i shkëlqyer. E gjen duke folur me Zavalanin, ku ky i fundit i kërkon ndihmë dhe kudo ku ka shqiptarë. Pajtohet dhe me Zogun. Në fund, kjo figurë kaq e përfolur dhe shumë aktive i afrohet zgripit të jetës. Më 24 shtator të vitit 1963, eksponenti i lartë i Ballit Kombëtar bie në koma. Varroset në Akatoliko di Tesaçio, në një vend ku janë figurat më të njohura të Italisë dhe përfundimisht i ndarë dhe së vdekuri larg Shqipërisë së tij...ndoshta për të riardhur me këtë përpjekje shumë serioze dhe lavdëruese të Tanush Frashërit me “Çabejn” me titullin që e meriton më së vërteti “Aristokrati kuqezi”.

Kundërshtari

Sejfi Vllamasi, si e portretizon
Ali Këlcyra dallohej midis shokëve të tij si ambicioz dhe si një demagog shkatërrues. Ai nuk ishte ashtu si mundohej të tregohet. Me të kam qenë katër vjet koleg në parlament dhe 14 vjet në emigracion, bashkëpunëtor në një organizatë në “Bashkimin Kombëtar” më 1924-1939 dhe më ka takuar ta njoh në të gjitha aspektet e jetës së tij politike. Aliu nuk ka qenë i sinqertë në propozimet e tij në fillim të hapjes së parlamentit më 1921, kur tha: “Të mos përdoret emri ‘bej’ në parlament”. Këtë propozim e bëri me qëllim që të thoshte se vetëm ai është një demokrat dhe se vlerën personale e konsideronte më superiore nga çdo paragjykim tjetër. Kurse konstatimet e mia, gjatë një bashkëpunimi aq të gjatë kanë qenë në kundërshtim të plotë me pretendimet e tij. Ai e luftonte Zogun, pse atë në rangun e vet e konsideronte rival, i cili abuzivisht i kishte zënë vendin, që i përkiste jo vetëm atij si “oxhak”, por edhe se kishte plus edhe diplomën e drejtësisë nga Universiteti i Romës. Ai kritikonte bejlerët për arsye se këta, në personin e Aliut, nuk konstatonin cilësitë e një udhëheqësi as edhe cilësitë si burrë shteti. Aliu s’mund të duronte ndikimin e personave jooxhakë në punët e shtetit, të cilët me mënyra të tërthorta e të mshefta i luftonte për vdekje…
Ali Këlcyra ishte aktiv, energjik, guximtar dhe dispononte një lehtësi gjuhe speciale, por negative përveç agjitacionit. Eshtë mjaft i zoti si orator, kur ai flet mbi situatën e përgjithshme, ku e ka fushën e lirë e të gjerë e ku mund të flasë çdo gjë që mund t’i ikë logjikës së të vërtetës. Atij i pëlqen më tepër forma e dukshme sesa esenca e vërtetë që s’vlen për reklam... Me një fjalë për kohët anormale është pozitiv, por për kohët normale negativ dhe shkatërrues...
Vllamasi, ka qenë një kundërshtar i tij ideor

31.10.2005



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora