E premte, 26.04.2024, 12:55 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Mjedisi kishtar dhe politik i Kuvendit të vitit 1462

E shtune, 19.01.2008, 03:06 PM


Nga Kasem Biçoku

Me paraqitjen e mjedisit kishtar dhe politik synohet të ndriçohet shtrirja gjeografike e dy peshkopatave katolike, të Arbnit dhe të Shtjefnit, gjatë shekujve të mesjetës, si edhe lidhjet e ngushta të tyre me familjen e Kastriotëve, dy pinjollë të së cilës, Gjoni dhe i biri Skënderbeu, kanë krijuar në trojet shqiptare shtetin mesjetar më jetëgjatë, mbi 70-vjet. Përveç këtyre dy peshkopatave, edhe peshkopata e Lezhës ka qenë e lidhur ngushtësisht me Kastriotët, sidomos në kohën e Skënderbeut.

Përcaktimi i shtrirjes krahinore (gjeografike) të Peshkopatës së Arbnit (Episcopatus Arbanensis) është çështje e rëndësishme si për historinë e organizimit kishtar, ashtu dhe për historinë politike të trojeve shqiptare gjatë shekujve të mesjetës. Sipas një dokumenti të fillimit të shek. XV, Peshkopata e Arbnit shtrihej në zotërimet e Gjon Kastriotit. Peshkopë dhe abatë të Peshkopatës së Arbnit përmenden në dokumentet e kohës si misonarë të Gjon Kastriotit dhe, më pas, të Skënderbeut në vendet e tjera.

Për historikun e formimit dhe të shtrirjes gjeografike të Peshkopatës së Arbnit studimi më i mirë është bërë prej Aleksandër Meksit. Shtrirjen gjeografike të Peshkopatës së Arbnit A. Meksi e ka dhënë të ngushtuar, vetëm në kufijtë e rrethit të sotëm të Mirditës. Nga shqyrtimi i të dhënave të burimeve dokumentare mesjetare dhe të periudhës osmane, që janë pasqyruar në punimin “Peshkopata e Arbnit dhe Kastriotët” është arritur në përfundimin se Peshkopata e Arbnit ka përfshirë Mirditën, Kurbinin trevën e Ishmit (Misja mesjetare) dhe trevën fushore që kufizohet me Ishmin, Kurbinin dhe që në veri arrin deri në afërsi të qytetit të Lezhës.

Konfliktet midis Peshkopatës së Lezhës dhe të Arbnit, e kanë çuar A. Meksin në përfundimin e drejtë se, në mesin e shek. XII, prej peshkopatës së parë është shkëputur pjesa lindore e saj dhe për interesat e tyre fisnikët shqiptarë dhe kleri vendas krijuan Peshkopatën e Arbnit. Peshkopatën e Arbnit e krijuan intresat ekonomikë dhe politikë të aristokracisë vendore shqiptare. Zhdukja apo tjetërsimi i kësaj aristokracie si rrjedhojë e pushtimit osman e zhveshi Peshkopatën e Arbnit nga mbështetja politike. Prandaj ajo u shua gradualisht gjatë periudhës osmane dhe pjesë të saj iu bashkëngjitën peshkopatave të tjera.

Për njohjen e Peshkopatës së Arbnit prej Vatikanit fisnikët e klerikët shqiptarë të kësaj treve shfrytëzuan ndarjet kishtare. Ata u shkëputen prej kryepeshkopatës ortodokse të Durrësit, nga varej peshkopata e Lezhës, dhe u konvertuan në katolikë. Vatikani miratoi formimin e Peshkopatës së Arbnit dhe i dha kësaj peshkopate të re katolike një status të veçantë, që ajo të kishte lidhje të drejtpërdrejta me Selinë e Shenjtë. Peshkopata e Arbnit u bë kështu shprehëse edhe e interesave politikë të Vatikanit për përhapjen e katolicizmit në trevat ku vepronte kisha ortodokse.

Për konvertimin nga ortodoksë në katolikë të klerit e të kishave të kryepeshkopatës së Durrësit, si edhe dhe të vetë kësaj kryepeshkopate, Peshkopata e Arbnit ka pasur rol parësor. Ajo ka qenë misionare e përhapjes së katolicizmt në trevat e kryepeshkopatës ortodokse të Durrësit. Prandaj, edhe sikur shtrirja fillestare e Peshkopatës së Arbnit të ketë qenë në trevën e Mirditës së sotme, pa kaluar shumë kohë kufijtë e saj u shtrinë gjithnjë e më shumë drejt jugut, duke zvogëluar kështu, nga veriu drejt jugut, hapësirat e veprimtarisë së kryepeshkopatës ortodokse të Durrësit.

Emërtimi Peshkopata e Arbnit (Episcopatus Arbanensis) është marrë prej një makrotoponimie mesjetare (Arbanum) me shtrirje gjeografike të gjerë dhe që në jug përfshinte trevat rreth lumenjve Ishëm, Erzen e Shkumbin. Në dokumentet e shek. XV është dalluar mirë se Arbni (Arbanum, Albanum, Albano) ishte një trevë e gjerë e Arbënisë (Albania). Arbni ishte poshtë Krujës (l’Albano soto Croia). Sundimtari i trevave përgjatë lumit Shkumbin, Gjergj Arianiti, ishte “zot në Arbën” (dominus in Albano), Andrea Topia “qëndronte në viset bregdetare të Arbënisë” (in partibus maritimis Albanie residet), kurse Skënderbeu “zot i Krujës dhe i Arbnit” (dominus Croye et Arbani) në fillim të veprimtarisë antiosmane të tij.

Peshkopata e Shtjefnit del për herë të parë në vitin 879 dhe përmendet vazhdimisht në burimet historike mesjetare dhe të shekujve të parë të sundimit osman, por shtrirja e saj nuk është bërë objekt studimi dhe ka mbetur e palokalizuar. Kjo peshkopatë shpesh del në emërtimin e dyfishtë “Dhimitri, peshkop i Shtjefnit dhe i Bendës” (Demetrius episcopus Stephaniensis et Bedensis). Ky emërtim i dyfishtë është përdorur edhe për peshkopë të tjerë. Kështu, p.sh., i njëjti peshkop (Andrea) përmendet si peshkop i Shtjefnit dhe pas një viti si peshkop i Bendës dhe i Priskës. Edhe në dokumentet e periudhës osmne del emërtimi i dyfishtë “peshkop i Shtjefnit dhe i Bendës”. Pra është e sigurtë se Shtjefni dhe Benda kanë qenë një peshkopatë.

Dokumentet tregojnë se Peshkopata e Shtjefnit është “përmbi Krujë” dhe si vendbanime të peshkopëve të Shtjefnit janë përmendur Priska, Burani, Kllojka, Mamli etj. Vendbanimi fillestar i peshkopëve, që i ka dhënë emrin peshkopatës, duhet të jetë kështjella e Shën Shtjefnit (Sanctus Stephanus), e cila është përmendur, në mesin e shekullit VI, prej Prokopit të Cezaresë si kështjellë e rindërtuar në Epirin e Ri prej perandorit bizantin Justinianit. Shtjefni (Stephaniacum) shfaqet si qendër peshkopale në shek.IX. Këtë emër sot e mban fshati Shtjefën në Mat. Në juglindje të tij, rreth një orë rrugë më këmbë është kështjella e Stelushit (Kalaja e Varoshit), e cila ruante grykat e Qafë-Murrës dhe të Gurit të Vashës dhe zotëronte kështu rrugën që lidhte Dibrën e Lurën me Matin e me bregdetin. Sot njihet me emrin Kalaja e Varoshit dhe pranë saj është fshati Lis. Ky fshat gjatë mesjetës dhe periudhës osmane ka qenë qendra administrative e krahinës së Matit dhe vendbanimi më i madh i saj.

Gjatë mesjetës Peshkopata e Shtjefnit shtrihej në krahinën e Matit, në malësinë në lindje të Krujës e të Tiranës dhe në veri të Elbasanit. Peshkopi i fundit i saj, Nikollë Mekajshi, e ka pasur selinë e tij në fshatin Mamël. Pas vdekjes së tij u emërua Gjon Kolesi, i cili mori titullin e peshkopit të Arbnit. Kjo ndikoi që emri i Peshkopatës së Shtjefnit të harrohet. Në fund të viteve 30 të shek. XVII emri i saj fillon e zëvendësohet me emrin e Peshkopatës së Lisit (Diocesi Lisiense) dhe që nga vitet 40 të atij shekulli Peshkopata e Shtjefnit nuk përmendet më. Lisi është pranë Stelushit dhe pranë fshatit Shtjefën të Matit. Gjatë mesjetës dhe periudhës osmane Lisi ka qenë qendra administrative e krahinës së Matit dhe vendbanimi më i madh i saj.

Jashtë Peshkopatës së Shtjefnit e të Bendës e në perëndim të saj shtrihet një trevë fushore dhe kodrinore shumë e madhe dhe e pasur. Në këtë trevë të gjerë, gjatë shekujve të mesjetës, ka qenë padyshim Peshkopata e Krujës, por jo e vetme pas krijimit e fuqizimit të Peshkopatës së Arbnit. E sigurtë është që pjesa jugore e kësaj treve ka qenë e lidhur ngushtësisht me Peshkopatën e Krujës. Kurse kjo lidhje nuk mund të thuhet për pjesën veriore, duke përfshirë edhe Misjen mesjetare (Ishmin e sotëm), e cila përmendet që në shek. XV. Pjesë e Misjes ka qenë edhe Kepi i Rodonit, ku gjatë shek. XIV-XV ka pasur të paktën 4 manastire: Shën Nastasia (Sancta Anastasia), Shën Kolli (Sanctus Nicolaus), Shën Mëria (Sancta Maria) dhe Shna Ndou (Sanctus Antonius).

Kjo pjesë veriore e trevës së sipërpërmendur, sipas letrave e relacioneve të shek. XVI-XVII, përfshihej në Peshkopatën e Arbnit. Dëshmia më e rëndësishme për këtë është relacioni i vitit 1610 i kryepeshkopit të Tivarit, Marin Bicit. Gjatë udhëtimit të tij nëpër Rodon (Misje, Ishëm) M. Bici ishte shoqëruar nga peshkopi i Shtjefnit, Nikollë Mekajshi, që ishte i vetmi peshkop në të gjitha trevat e kryepeshkopatës së Durrësit dhe kujdesej për kishat e kësaj treve, si edhe nga peshkopi i Sapës, Nikollë Bardhi. Gjithashtu ai shoqërohej edhe nga klerikë të tjerë, që ishin në varësinë e peshkopit N. Mekajshi e që kujdeseshin për kishat e disa krahinave dhe që dhanë dëshmi për udhëtimin e M. Bicit, si Gjergj Bardhi (vikar i përgjithshëm në trevën e Rodonit), krutani Gjon Kolesi (ministër i Urdhrit të Observancës për Provincën e Arbënisë, Andrea Lopësi (famulltar i Krujës dhe vikar i Durrësit) etj. Në relacionin e M. Bicit janë përmendur edhe emrat e disa klerikëve katolikë të trevës së Rodonit (Ishmit) që ai i ka takuar vetë. Në këtë relacion për Peshkopatën e Arbnit (Dicesi Albanense) është shkruar se kjo peshkopatë “nuk është më, sikurse nuk janë shumë të tjera në Arbëni, ku kanë mbetur vetëm tri peshkopata…e Sapës, e Lezhës dhe e Shtjefnit”. Rrjedhimisht, prej klerikëve që e shoqëruan M. Bicin gjatë udhëtimit nëpër krahinën e Ishmit (Rodonit) apo që ai takoi në këtë trevë, askush nuk kishte interes që të mos tregonte të vërtetën për shtrirjen që ka pasur Peshkopata e Arbnit. Prandaj ato që janë shkruar për shtrirjen gjeografike të kësaj peshkopate janë dëshmi kolektive e klerikëve vendorë që i njihnin më mirë se askush tjetër shtrirjet që kanë pasur peshkopatat e Kryepeshkopatës së Durrësit.

Në relacionin e tij M. Bici ka shkruar: “Arritëm në lumin e Ishmit dhe atë mbrëmje Qullëzin (Chiuresi) në Dioqezën e Arbnit (Diocesi Albanense), ku në kishën e Shën Kollit shërbente D. Gjergj Bardhi, i quajtur maqedonasi dhe i caktuar vikar mbi priftërinjtë e Rodonit prej peshkopit të Shtjefnit…Prej Qullëzit shkuam në fshatin e Muzhllit (Rusili) ku, në kishën e Shenjtëreshës shërbente D. Marku…Në patentet …shënohet se ai fshat është në Dioqezën e Arbnit (Diocesi Albanense)…Nga këto fshatra që ishin përmbi kodrina u kthyem në anën e majtë nga fusha që i rri Krujës përballë…në fshatrat e Bilajt (ville di Belagni). Na doli përpara D. Dedë Vojo, nënprifti i Bilajt të poshtëm… Ndër patentet edhe ai fshat thuhet se është në Dioqezën e Arbnit (Diocesi Albanense), i cili shtrihet për një pjesë të gjatë edhe në malet e Dukagjinit”.

Në mesin e shek. XII, kur u krijua Peshkopata e Arbnit, aristokracia shqiptare ishte e fuqizuar ekonomikisht dhe politikisht. Në këto rrethana fisnikët shqiptarë, nga radhët e të cilëve dilte kleri vendas, u përpoqën të krijonin formacionet e tyre shtetërore. Në këtë hulli është krijimi i Peshkopatës së Arbnit. Përfshirja në të e Mirditës nuk ishte e rastit, por lidhej me pozitën e rëndësishme gjeografike të saj. Shtrirja gjeografike e gjerë dhe përshkimi prej rrugësh tregtare, që lidhnin bregdetin me trojet lindore dhe trevat qendrore shqiptare me trevën veriore, kanë bërë që peshkopët, abatët dhe klerikë të tjerë të Peshkopatës së Arbnit të kishin peshë në jetën politike të vendit.

Studimet më të fundit kanë qartësuar se në trevat perëndimore shqiptare gjatë mesjetës, tregtia më e madhe me drithin (rrjedhimisht edhe me mallra të tjera të kohës si kripa etj.) është bërë në Lezhë dhe në skelat detare e lumore pranë saj. Kjo dëshmon se rruga e karvaneve, që lidhte bregdetin pranë Lezhës (si Shufadanë etj.) me Prizrenin dhe trevat e tjera të Dardanisë (Kosovës e më gjerë), ka qenë shumë e rrahur dhe jetike për banorët e trevave perëndimore e lindore që tregtonin midis tyre. Prandaj përgjatë segmentit më të vështirë malor dhe zotërues të kësaj rruge, që ka kaluar nëpër Mirditë, kanë qenë ngritur manastire shumë të rëndësishme të Peshkopatës së Arbnit. Këto manastire kanë shërbyer edhe si stacione rrugore. Rruga Bregdet-Prizren ka ndjekur rrjedhjen e lumit Fan dhe të Fanit të Vogël dhe nga Kumlla e Fanit ka dalë në Lumë për të arritur në Prizren. Përgjatë saj burimet mesjetare përmendin këto manastire: Shën Aleksandrin e Bregut të Matit (Sanctus Alexander de Collematia), manastirin e Shelbuemit në Rubik (Sanctus Salvator), Shën Mërinë në Gëziq (Sancta Maria di Trafandina), Shën Palin (Sanctus Paulus) në Shënpal dhe manastirin e Shën Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenjtë (Sanctus Alexander de Monte, Sanctus Alexander Maior), që ka qenë qendra shpirtërore, politike dhe ekonomike e krahinës. Përveç këtyre manastireve, gjatë mesjetës ka pasur në këtë trevë edhe shumë kisha.

Rruga shumë e rëndësishme që kalonte nëpër Peshkopatën e Arbnit dhe që lidhte bregdetin me Prizrenin, me të drejtë është emërtuar edhe si “rruga tregtare nëpër tokën e Gjon Kastriotit”. Ajo lindi dhe lidhi ngushtësisht midis tyre dy qytete, Lezhën dhe Prizrenin; po ashtu si rrugët e tjera tregtare, si Egnatia p.sh. që lindi dhe lidhi Durrësin me Ohrin, Selanikun me Manastirin. Nëpërmjet rrugës Lezhë (bregdet) - Prizren, - ka shkruar A. Dyselie, Gjon Kastrioti ka synuar të bënte tregti transballkanike. Për lidhjen e trevave bregdetare me trevat lindore, pas Egnatias (Rrugës Mbretërore), rruga Lezhë-Prizren e më tutje ka qenë më e rëndësishmja në trojet e Arbënisë së Epërme e të Mesme. Prandaj Prizreni, vendkryqëzim i rrugëve kryesore ndërkrahinore, ka qenë qyteti më i rëndësishëm i Rrafshit të Dukagjinit e më gjerë.

Zotërimi i rrugës bregdet-Prizren ka qenë një faktor parësor për krijimin e Peshkopatës së Arbnit dhe për veprimtarinë ekonomike e politike të disa familjeve fisnike, si Kastriotët, Dukagjinët, Jonimët etj.

Në një dokument të viteve 20 të shek. XV Mirdita e sotme përmendet edhe si “vendi i Dukagjinëve”, që mund të lidhet me zotërimin e dikurshëm të kësaj treve prej familjes fisnike Dukagjini dhe me vendorigjinën e saj. Emri i dytë familjar i Dukagjinëve, Perlati, ndoshta tregon prejardhjen e hershme të tyre nga fshati Perlat i Mirditës.

Në fund të vitit 1387 Dukagjinët janë bërë zotër të Lezhës dhe të rrugës tregtare që të çonte në trevat e Kosovës së sotme, siç dëshmohet prej një letre sllavisht të Lekë Dukagjinit drejtuar Republikës së Raguzës më 30 dhjetor të vitit 1387. Nga përmbajtja e letrës del se, me përkrahjen e osmanëve, Dukagjinët kishin dëbuar zotëruesit e mëparshëm të rrugës tregtare që lidhte bregdetin me Prizrenin dhe, siç rrëfen M. Barleci, kishin në dorë edhe këtë qytet. Por prishja me osmanët bëri që Dukagjinët të largoheshin nga këto treva dhe, në vitin 1393, Lezhën ia dhanë Venedikut. Zotërimet e tyre duket se u reduktuan në trevën e Tejdrinit (Zadrimës) dhe Dukagjinët u përpoqën të shtinin në dorë rrugën që, përgjatë rrjedhjes së lumit Drin, lidhte bregdetin me Rrafshin e Dukagjinit. Synimi për kontrollin e qarkullimit nëpër këtë rrugë shpjegon përpjekjet e tyre të herëpashershme për marrjen e Dejës.

Po me përkrahjen osmane, rruga tregtare nga bregdeti e deri në Prizren, në mos tërësisht së paku pjesërisht, kaloi nën zotërimin e Jonimëve, siç e dëshmon emërtimi Dhimitër Jonima i trevës nga Lezha në Rubik. Deri në vitin 1409 Dhimitër Jonima përmendet si zotërues i qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, në grykëderdjen e lumit Mat. Edhe Jonimët nuk e mbajtën gjatë në zotërim rrugën tregtare që lidhte bregdetin me Prizrenin.

Në krahasim me Dukagjinët dhe Jonimët, që e zotëruan për pak vjet rrugën tregtare për në Prizren dhe, bashkë me të, Peshkopatën e Arbnit, Kastriotët janë zotëruesit e vërtetë e të lidhur ngushtësisht dhe për një kohë të gjatë me këtë rrugë, si edhe me Peshkopatën e Arbnit. Zotërimi i kësaj rruge dhe i trevave përqark duhet parë si shkak i mosmarrëveshjeve të njohura midis Skënderbeut dhe Dukagjinëve.

Gjon Kastrioti ka qenë sundimtar i rëndësishëm në fund të shek. XIV, siç e tregon edhe martesa e tij me Vojsavën rreth vitit 1390. Mendohet se Vojsava ka qenë vajzë e familjes së njohur aristokrate Brankoviçi, që në atë kohë sundonte trevën e Kosovës së sotme e të Maqedonisë dhe Shkupin e kishte kryeqendër të saj. Martesa me Vojsava Brankoviçin dëshmon se Gjoni ka qenë sundimtar i fuqishëm dhe se në zotërim të familjes së tij ka pasur treva të gjera dhe qytete. Vojsavën, që kishte jetuar në qytet, prindërit nuk mund ta martonin me një sundimtar të rëndomtë që nuk zotëronte qytete dhe që jetonte në një fshat të humbur të Peshkopisë. Edhe sikur të ishte kështu, sipas traditës së martesave të familjeve sundimtare, nga zotërimet e prindërve të saj Vojsavës i janë dhënë si prikë treva, që kanë pasr edhe ndonjë qytet për të jetuar familjarisht. Është e dokumentuar se Prizreni, vendkryqëzim rrugësh ndërkrahinore dhe qendër e një treve të gjerë fushore e malore, ka qenë në zotërimin e Gjon Kastriotit. Prizreni i fundit të shek. XIV dhe i fillimit të shek. XV ofron të dhëna të mjaftueshme për ta konsideruar atë kryeqendër të shtetit të Gjon Kastriotit, vendbanim të familjes Kastrioti dhe vendlindje të Heroit tonë Kombëtar dhe të motrave e të vllezërve të tij.

Jeta qytetare e pajisi Skënderbeun me kulturë të gjerë humaniste dhe e bëri atë njohës të shkëlqyer të disa gjuhëve të huaja. Skënderbeu “e kupton dhe e flet mirë italishten, si çdo njëri nga ne”, kështu kanë shkruar në dhjetor të vitit 1466 dy ambasadorë milanezë që e shoqëronin Skënderbun gjatë qëndrimit në Romë.

Duke zotëruar Prizrenin dhe trevën shumë të gjerë të tij, Gjon Kastrioti e kishte të domosdoshme daljen në bregdet për të zotëruar rrugën që lidhte Prizrenin me bregdetin, tregtinë që bëhej nëpërmjet saj, si edhe furnizimin e nënshtetasve të tij me mallra jetikë, si kripa etj. Prandaj dalja në bregdet e Gjon Kastriotit është e lidhur ngushtësisht me zotërimin e Peshkopatës së Arbnit prej tij. Për këtë ai ka shfrytëzuar konfliktin e Peshkopatës së Arbnit me Peshkopatën e Lezhës.

Sipas një dokumenti të fillimit të vitit 1407, peshkopi i Lezhës kishte futur nën zotërimin e tij 12 kisha të Peshkopatës së Arbnit. Kjo do të ketë ngjarë në fund të shek. XIV, kur qyteti i Lezhës kishte kaluar në duart e Dukagjinëve. Për t’i siguruar pushtetit të tyre mbështetje shoqërore (sidomos mbështetjen e klerit) në qytetin e Lezhës e në trevën e saj, Dukagjinët kanë përkrahur ambiciet e peshkopit të Lezhës për të zotëruar 12 kishat e Peshkopatës së Arbnit.

Peshkopë dhe klerikë të tjerë të rëndësishëm të Peshkopatës së Arbnit kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjon Kastriotit dhe të Skënderbeut. Ndër ta do të veçonim abatin Pjetër, kushëri i Kastriotëve, dhe peshkopin Andrea. Në korrik të vitit 1439 abati Pjetër qe dërguar prej Skënderbeut dhe nënës së tij në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët raguzanë të drithit kishin ndaj Gjon Kastriotit, i cili kishte vdekur. Në dhjetor të vitit 1447 abati Pjetër qe dërguar si përfaqësues i Skënderbeut pranë Mbretit të Napolit, Alfonsit V. Kurse peshkopi Andrea ka qenë në krah të Skënderbeut gjatë nënshkrimit, më 4 tetor të vitit 1448, të traktatit të paqes midis tij dhe Venedikut.

Në dokumentin e vitit 1407 Gjon Kastrioti është cilësuar prej Senatit të Venedikut si “zot shumë i fuqishëm në trevat e Arbënisë”. Pushteti dhe ndikimi i tij në mjedisin shqiptar të kohës janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për interesat e Venedikut. Në vitin 1408 ai u bë garant i paqes që u nënshkrua në rrethinat e Durrësit midis Venedikut dhe Balshajve. Si zotëruese e Lezhës, Republika e Venedikut normalisht duhej të përkrahte interesat e peshkopit të këtij qyteti për zotërimin e 12 kishave të Peshkopatës së Arbnit. Por nuk ndodhi kështu, sepse lidhjet me Gjon Kastriotin ishin shumë të rëndësishme për Republikën e Venedikut. Pa e përmendur emrin e Gjon Kastriotit, Senati i Republikës i shkroi Papa Grigorit XII që 12 kishat që ishin marrë prej peshkopit të Lezhës, duhej t’i riktheheshin Peshkopatës së Arbnit se ndryshe pakënaqësia e banorëve të atyre anëve do të shkaktonte trazira.

Angazhimi i Gjon Kastriotit për 12 kishat e Peshkopatës së Arbnit ishte lidhur ngushtësisht me interesa vetjake. Ato duhet të jenë kisha të krahinës së emërtuar më vonë “Dhimitër Jonima”, që kishte dalje në det, sepse në vitet 30 të shek. XV Skënderbeu ka pasur aty një timar të madh me 9 fshatra së paku. Po nga dokumentet osmane të asaj kohe del se Gjon Kastrioti ka zotëruar krahinën e Misjes (Ishmit) dhe ka qëndruar aty për shumë kohë. Pas shtypjes të kryengritjes antiosmane të Gjon Kastriotit, i biri i tij, Skënderbeu, si kuadër osman u ka kërkuar autoriteteve të Perandorisë Osmane që Misjen ta zotëronte si zeamet. Siç është treguar më parë Misja ishte pjesë e Peshkopatës së Arbnit.

Krahas Peshkopatës së Arbnit, Kastriotët kanë qenë të lidhur ngushtësisht edhe me Peshkopatën e Shtjefnit. Në zotërim të Gjon Kastriotit ka qenë treva e Matit, që ishte pjesa më e rëndësishme e Peshkopatës së Shtjefnit. Kufiri lindor i kësaj peshkopate ka qenë Drini i Zi, siç e ka treguar Mark Skura për pasardhësen e saj, Peshkopatën e Lisit. Edhe në një letër të vitit 1459 të Papa Piut II nënkuptohet se Drini i Zi mund të konsiderohet si kufiri ndarës i veprimtarisë kishtare të dy peshkopatave katolike (të Arbnit e të Shtjefnit) me trevat në lindje të tyre dhe që ishin kryesisht nën ndikimin e kishës ortodokse sllave. Në trevat e këtyre dy peshkopatave katolike nuk ka pasur ndonjë qendër të mirëfilltë qytetare, ku mund të jetonte familja e Gjon Kastriotit dhe që mund të shërbente si qendër administrative e shtetit të tij.

Përveç trevave perëndimore, ku ushtronin veprimtarinë e tyre peshkopatat katolike të Arbnit e të Shtjefnit, Gjon Kastrioti ka qenë shumë i lidhur edhe me trevat në lindje të tyre dhe që ishin nën ndikimin e kishës ortodokse sllave. Dokumentet mesjetare dëshmojnë se Gjon Kastrioti ka zotëruar Prizrenin, qendër e rëndësishme e kishës ortodokse sllave. Në të ka qenë vendosur administrata qendrore e shtetit të Gjon Kastriotit, prandaj kancelaria e tij ka përdorur kryesisht sllavishten si gjuhë komunikimi me vendet e tjera. Krahas pjesës veriore të maleve të Sharrit, tërthorazi dëshmohet se nën pushtetin e Gjon Kastriotit ka qenë edhe pjesa jugore e tij. Në vititn 1426 ai i dhuroi manastirit të Hilandarit dy fshatra të Rekës, Rostushë (Radostushë) dhe Trebishtë, që janë pranë manastirit Bigorski dhe 25 km në lindje të qytetit të Dibrës. Dhurimi dëshmon se në zotërim të Gjon Kastriotit ka qenë lugina malore strategjike e Radikës. Këtu ishte një vendkryqëzim rrugësh malore që vinin nga lugina e Vardarit, Prizreni dhe Kërçova për t’u lidhur me rrugën e Drinit të Zi dhe për të vijuar nëpër Matin e Kastriotëve drejt bregdetit, i cili u kontrollua prej tyre së paku në fund të viteve 30 të shek. XV, kur Skënderbeu u bë subash i vilajetit të Krujës. Zotërimi prej Kastriotëve i pjesës perëndimore të kësaj rruge, lejon të mendosh se ata kanë kontrolluar edhe pjesën e rrugës që kalonte nëpër luginën e Vardarit.

Kryengritja e përgjithshme antiosmane e nëntorit të vitit 1443, e drejtuar prej Skënderbeut, çliroi të gjitha trevat e Peshkopatës së Arbnit, ato të Kryepeshkopatës së Durrësit dhe shumë treva të tjera shqiptare. Për ruajtjen e konsolidimin e kësaj fitoreje historike Skënderbeu dhe fisnikët e tjerë shqiptarë, më 2 mars të vitit 1444, mbajtën në Lezhë një Kuvend historik, ku krijuan Besëlidhjen Shqiptare, që ishte bashkimi i parë kombëtar politik dhe ushtarak i shqiptarëve.

Ky bashkim politik i vendit përfshiu edhe klerikët shqiptarë. Këta i shuan grindjet midis tyre për zotërimin e kishave, siç kishte ndodhur midis Peshkopatës së Arbnit dhe Peshkopatës së Lezhës në kohën e Gjon Kastriotit, i cili kishte përkrahur të parën. Edhe për këtë qëllim Skënderbeu e mbajti kuvendin e bashkimit kombëtar në kishën katedrale të Shën Kollit të Lezhës.

Peshkopi Andrea i Lezhës, gjatë viteve 50-60 të shek XV, ka qenë bashkëpunëtor i Skëndereut dhe përkrahës i politikës së tij. Ky peshkop dhe peshkopi Nikolla i Pultit u shkëputën nga sundimtarët separatistë të trevave të peshkopatave të Lezhës e të Pultit ose kufitare me to, që kanë qenë Dukagjinët, dhe u bënë përkrahës të politikës centralizuese të Skënderbeut. Gjatë viteve 50 të shek. XV Dukagjinët u afruan me osmanët dhe hynë në mosmarrëveshje të thella me Skënderbeun. Përballë një situate të tillë, peshkopi Andrea i Lezhës dhe peshkopi i Pultit, Nikolla, u radhitën në krah të Heroit tonë Kombëtar, zbatuan porositë e papa Kalistit III për shkrishterimin e Dukagjinëve dhe, më pas, ndikuan për largimin e tyre prej osmanëve dhe për rivendosjen e lidhjeve të Dukagjinëve me Skënderbeun.

Në mesin e viteve 50 të shek. XV, kur kisha e Shën Kollit të Lezhës u dëmtua rëndë dhe u shkatërrua, Papa Kalisti III miratoi kërkesën e Skëndërbeut që të lëshonte indulgjenca për ata që do të ndihmonin për rindërtimin e kishës së Shën Kollit të Lezhës, që u bë më pas edhe vendvarrim i tij.

Lezha gjatë kohës së Skënderbeut u lidh ngushtësisht me Heroin tonë Kombëtar, aq sa ajo dhe rrethinat e saj mund të thuhet se zotëroheshin prej tij edhe pse ato juridikisht ishin zotërim venecian. Gjatë konfliktit ushtarak me Venedikun ushtria e Skënderbeut ka kaluar pa asnjë pengesë nëpër trevën e Lezhës dhe, me përjashtim të këtij qyteti, ai ka sulmuar qytetet e tjera shqiptare që ishin nën zotërimin venecian, si Durrësin, Tivarin, Shkodrën, Drishtin, Dejën etj. Gjithashtu pranë Lezhës ka qenë kampi i Heroit tonë Kombëtar, kur u nëshkrua traktati i paqes midis tij dhe përfaqësuesve të Venedikut. Shumica e letrave të Skënderbeut, që njihen deri sot, janë shkruar në Lezhë. Kjo tregon se ai ka banuar kryesisht në këtë qytet për të ushtruar veprimtarinë e tij politike dhe ekonomike.

Peshkopata e Lezhës ka qenë e lidhur ngushtësisht me Skënderbeun, prandaj peshkopi Andrea u vu në krah të Pal Engjëllit në kuvendin kishtar që u mbajt më 8 nëntor të vitit 1462 në kishën e Shën Trinisë të Matit.

Në këtë kuvend filloi shkrimi i gjuhës shqipe dhe procesi i shqiptarizimit të Kishës Katolike në trojet shqiptare. Ky kuvend është ngjarje e rëndësishme historike, sepse parapriu procesin e reformimit të Kishës Katolike në Shqipëri.

Në aktet e këtij kuvendi është shkruar: “Nën të ndriturin zotin Skënderbe, zot i Arbënisë, dinjiteti kishtar gëzon të gjithë lirinë dhe mbrojtjen…Klerikëve u lejohet të mbajnë armë, të plagosin dhe të vrasin”. Prandaj klerikët shqiptarë kanë qenë pjesëmarrës aktivë në luftën antiosmane të Skënderbeut. Ata kanë mbështetur pa lëkundje politikën e brendshme të tij për krijimin e shtetit të bashkuar shqiptar dhe kanë pasur rol parësor në trojet e këtij shteti për vënien në jetë të vendimeve e të urdhëresave të Skënderbeut si kryetari sovran i shtetit shqiptar.

Krahas klerikëve të sipërpërmendur dhe klerikëve të Peshkopatës së Arbnit, si abati Pjetër e peshkopi Andrea (peshkopatë kjo e lidhur me Kastriotët që në kohën e Gjonit), Heroi ynë Kombëtar pati si bashkëpunëtorë e ambasadorë të tij edhe klerikë të tjerë të shquar të trevave të largëta, që nuk u përfshinë në shtetin e bashkuar shqiptar. Ndër ta duhet veçuar Gjergj Pelini, abat i manastirit të Shën Mërisë së Rotecit pranë Tivarit, që ishte nën zotërimin venecian. Ky abat për gati 20 vjet ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Heroit tonë Kombëtar dhe ambasadori i tij më jetëgjatë në këtë detyrë. Vendin e Gjergj Pelinit, pas vdekjes, e zuri denjësisht Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit dhe hartues i Formulës së Pagëzimit.

Me emrat e këtyre klerikëve të ndritur, bashkëpuntorë të ngushtë të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbut, është lidhur ngushtësisht procesi i lindjes së shkrimit në gjuhën shqipe dhe i shqiptarizimit të kishës katolike në trevat shqiptare. Kuvendi i 8 nëntorit të vitit 1462 është një ngjarje historike shumë e rëndësishme, sepse parapriu procesin e reformimit të Kishës Katolike në trojet shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Dialogjet e Alise me intelektualet ne '90 Prelë Milani, studenti i parë shkodran që i shkruan Ramiz Alisë për mjerimin migjenian të kohës Si u krijua Këshilli Presidencial në vitin 1991 Shqiptari që i mbijetoi mbytjes së Titanikut Kur themelohej PD-ja Kur u krijua "shërbimi i msheftë" Vissarioni, paraardhësi i Janullatosit që kacafytej me Greqinë Ushtria shqiptare, bëmat më të mëdha i ka me veten?! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Në vend të parathënjës Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - S'kam fuqi te kthehem ne vendlindje Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta ma këtheu shpinën atëherë, e tash vetëm e shikoj atë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju lutem, me lini te vdes! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - E vetmja gjë që më ka mbetur janë fëmijët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Jeta e saj përfundoi në valët e Adriatikut Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tragjedi në një familje Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Tmerri në ditën e “gënjeshtrave” Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Nënës i plasi zemra Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Prova e burrërisë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Plagët e cigares Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Do të doja të harroja çdo gjë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora