E shtune, 20.04.2024, 03:34 PM (GMT+1)

Speciale » Karanxha

Ilia S. Karanxha: Dy shqiptarë në fillimet e editorisë veneciane

E enjte, 24.02.2011, 09:00 PM


 

DY SHQIPTARË NË FILLIMET E EDITORISË VENEZIANE

 

Nga Ilia S. Karanxha

 

1         – Hyrje

 

Dy vëllezër tipografë  në Venetik  më 31 mars  1498,  Bernardino e Mateo de Vitali,  në botimin e veprës të Marco Antonio Coccio ndryshe Sabellco (1436-1506) : Enneades  ab orbe conditio  venë  colophon  si prezantim pas emrit të tyre epitetin me të cilin populli i quante ata  si ’shqiptarë’ ((Impressum Venetiis : per Bernardinum et Mattheum Venetos, qui vulgo dicuntur li Albanesoti). Nisur nga kjo deklaratë, në se me të vërtetë ishin shqiptarë, duhej të ishin vendosur në qytetin lagunar aty nga fundi i shekullit të XV e ndoshta me valën e shqiptarve të vajtur aty pas dorëzimit të Shkodrës më 1479. Fakti që në popull  ishte akoma i freskët kujtimi për ta si ’shqiptarë’ kur ndërkohë e quanin vehten edhe si venedikas të bën të mendosh për një qytetari jo shumë të hershme. Idenë e mësipërme si një mundësi e të qënit shqiptarë e gjejmë të shprehur edhe në enciklopedia e madhe Treccani në botimin e parë(1937) mirëpo në ribotimet e më vonëshme(1961) ky fakt nuk përmëndet më. Është gjithashtu e vërtetë që në gjithë veprimtarinë e tyre të mëtejshme editoriale vëllezrit Vitali nuk e përmëndin më faktin që njerzit i quanin dhe i njihnin si shqiptarë por  ndërkohë duken të përpiktë, të shkruajnë  e të mburen kurrdoherë në të gjtha botimet se janë venedikas. Mirëpo ajo që mungon  për momentin nga të dhënat biografike kompletohet në një farë mënyre nga veprimtarija e tyre editoriale.

    Nuk mund të jetë  thjesht një rastësi,  se këta dy editorë, e më shumë Bernardino de Vitali, janë gjithashtu botuesit e veprave të mirënjohura të historiografisë  shqiptare    Rrethimi i Shkodrës(1505) dhe  Historia e Skënderbeut (1522) të cilat kanë dalë me emrin e fshehtë Marin Barleti prift shkodran  prapa të cilit fshhej  Marin Beçikemi. Po për  Beçikemin prej këtyre  editorve janë  ribotuar  gjithashtu edhe dy vepra të tjera:  Në tetor të viti 1506 kemi një ribotim të panagjerikës të  Beçikemit drejtuar dozhes të Venedikut Leonardo Loredan  së bashku me një sërë veprash të tjera(Hoc libro continentur haec opera Becichemi. Panegyricus serenissimo principi Leonardo Lauretano et illustrissimo Senatui Veneto dictus... (Venetiis  impressum fuit a Bernardino Veneto de Vitalibus, M.D.VI.,  VIII Idus Octobris) ndërsa më 1522  ribotojnë një  vepër të autorve të ndryshëm(Francesco Maturanzio(1443-1518); Antonio Manicelli(1452-1505); Bade Joze(1462-1535) dhe Mario Fabio Victorino) me komentet mbi retorikën e Ciceronit dhe të Gaio Erenios(Herennium) ku edhe Marin Beçikemi si profesor i retorikës  kishte dhënë  kontributin e vet me komente e si kujdestar i  kësaj vepre.  (M. T. Ciceronis Rhetoricorum ad C. Herennium libri quos alii non esse Ciceronis asseuerant. De inuentione libri duo...Venetijs  per Bernardinum Venetum de Vitalibus, 1522)

   Vëllezërit  de Vitali janë gjithashtu edhe botuesit e veprës më të rëndësishme të humanistit tonë  Nikolla Leonik Tomeos  mbi  Aristotelin(384-322 para K.) botuar më 1523 ( Aristotelis Stagiritae Parua naturalia. De sensu & sensili. De memoria  &  reminiscentia.... Omnia in Latinum conuersa & antiquorum more explicata a N. Leonico Thomaeo.((Venezia) : codicem hunc ex impressione representauerunt Bernardinus & Mattheus fratres Vitales Veneti, Anno D.n  MD XXIII  Mense Iunii). Kemi këtu një përshtatje me kopetencë  nga greqishtja në latinisht e komente mbi këtë autor të  shquar të  anikitetit për të cilin Tomeu  ynë u bë i famshëm në Venedik. Më  23 shkurt 1525 botohet përsëri nga Bernardino de Vitali akoma edhe një vepër tjetër e Tomeos me tekste të  Aristotelit, Platone-s e Proclo-s  (Nicolai Leonici Thomaei: Opuscvla nvper in lvcem aedita - Quorum nomina proxima habentur pagella. Cum Priuilegio. (Ex Venetiis : opusculum hoc ex impressione repraesentavit Bernardinus Vitalis Venetus, Anno  Domini MCCCCCXXV  die XXIII Februarii)

 

Mirëpo afrimiteti i vëllezërve  De Vitalit me ambientin ballkanik duket edhe në botimi i veprave të humanistit  të shquar dalmat Marco Maruli(1450-1524) i cili me gjallje botoi 6 vepra (kemi edhe një ribotim)  prej të cilave  4 u botuan nga Bernardinoja. Ndërsa më 1533 do të publikonte një  vepër me poezi (Libero de Rado Stizuxo)të një farë Giovanni Paulovichio  (ndoshta Jaovan Pauloviq)  që mendohet se ishte nga Raguza. Në  Vendik  ky personazh recitonte nëpër rrugë kanconete komike e dramatike duke i shoqëruar me instrumenta muzikore. Kështu fitonte bukën e përditëshme duke shitur edhe librin që i kishte botuar Bernardinoja. Këto këngë ishin hartuar nga vetë Jovani në një përzjerje dialektesh. Përshkrimin e një ksomble të këtij libri me poezi popullore na ka lënë G. Melzi (1829) i cili mes të tjerave shkruan se:  shënimet e veçanta në këtë libër...lexohen detaje shumë të çuditëshme mbi autorin mbi poemën e tij dhe mbi përzjerjen e gjuhëve dhe dialekteve në të cilën ishte shkrojtur...  (G. Melzi: Bibliografia dei Romanzi di Cavalleria in versi e in prosa italiana..1829). Më pas një libër tjetër që është botuar po nga ky atuor G. Paulovicho(Libro delle vendete) pa datë, pa vendin dhe pa emrin e tipografit studiuesi C. Rava sugjeron si editor B. de Vitalin dhe si vit botimi vitin 1540.

  Vëllaj tjetër Mateo de Vitali boton një libër në italisht të Tommaso Rangonit (rreth 1493-1577) nga Janina.  Ky ishte  profesor më 1519 në universitetin e Padovës e u bë i  njohur si filozof, mjek dhe astrolog i shquar. U vu në shërbim të markezit të Modenës Guido Rangoni prej të cilit adoptoi edhe mbiemrin e vet.   Vepra që mban emrin e Mateos si editor  (Pronostino  di Thomaso philologo Gianotho da Rhauenna doctore de le arte & medicina publico lectore nel preclarissimo studio de Padua de lo anno 1519.)  është sot shumë e rallë dhe vetëm një ksombël  e saj ruhet    bibliotekën Colombina të Siviglias (Spanjë) Një botim i mëparshëm i  po  kësaj vepre  të Tomaso Janotit është pa emrin e editorit. 

 Informacionet e tjera  që marim mbi jetën e këtyre dy tipografëve dhe editorve shqiptarë  sot për sot mund të refrojmë ato që vijnë nga colophone-t e botimeve të tyre. Kështu p.sh. në fillim të veprimtarisë ata na komunikojnë më 25 mars 1506 se banojnë në kontradën (zonën) e Shën Marinës, ndërsa më 17 shtator 1517 familja është trasferuar në afërsi të  famullisë të  Shën Xhuljanit. Më 1525 banonin akoma aty dhe na preçizojnë se ishin prapa kishës. Në një mosmarveshje  gjyqësore në lidhje me çmimin e numurin e kopjeve që u shitën nga vepra e Sabellicos që përmëndëm më lart   në aktet  gjyqësore  përmëndet  edhe emri i Bernardinos në kualitetet e Mjeshtrit  gjë të cilën do ta gjejmë edhe në ndonjë botim të vonshëm. Në në një tjetër rast  Bernardinoja  na cilësohet se ishte edhe calcograph që në atë kohë korespondonte me grafistin në dru e më vonë mbi bakër për stampa të ndryshme.  Me emrin e Bernardino de Vitalit është e lidhur në një farë mënyre edhe vendosja e censurës në Venedik në janar të vitit 1527.

     Mirëpo mbi të gjitha  neve duhet t'i njohim  Bernardino de Vitalit  jo vetëm  meritën që diti të maskonte veprën e Beçikemit mbi Historinë e Skëndërbeut por edhe si botuesi i portretit të parë të heroit tonë. Prezenca e tij dokumentohet  në Romë më 1507, 1508 për botimin e ribotimin e veprës madhore  të Ptolemeut mbi Gjeografinë (Ptolemaeus, Claudius (100-178 p.K.), In hoc operae haec continentur Geographiae Cl. Ptolomaei a plurimis uiris utriusque linguae doctiss...) dhe  më 1522 për nxjerjen e lejës për botimin e veprës të mirënjohur  mbi Skëndërbeun e botimin e një letre-apel (maj 1522) të humanistit dalmat Marko Maruli me anë të së cilës i bëhej thirje papës të sapozgjedhur Adriano VI që të bashkonte forcat e krishtera për t'i bërë ballë invazionit otoman në Evropë. Kështu të dyja  këto vepra kishin një fill logjik që i lidhte. Njëra ishte thirje për bashkim dhe për luftë kundra invazionit otoman  që përparonte nga Ballkani drejt Evropës, tjetra ishte një model i kësaj lufte nën udhëheqjen e princit shqiptar Gjergj Klastriotit Skënderbe. Mirëpo ndërsa letra e Marulos rezulton sot shumë  e rallë (njihen vetëm dy ksombla: Romë BNC e Cremona) vepra e Historisë të  Skënderbeut  editio princips na ka aritur deri sot në një numur shumë të madh kopjesh (vetëm në Itali referohen mbi 20 ksombla nga biblioteka të ndryshme). Ky fakt të bën të mendosh se Roma, e cila në vitin 1522 ndodhej në një gjëndje anarkije të plotë, për shkak të pakënaqësive që ngjalli zgjedhje e papës së ri,  duhet të ketë shërbyer vetëm për nxjerjen e lejës.  Në atë moment aty nuk ishin konditat e përshtatshme për një punë voluminoze që kërkonte botimi i Historisë të Skëndërbeut kështu pavarsisht se në të shkruhet botuar në Romë ka shumë të ngjarë që  radhitja e  shtypja e saj  të jetë bërë  në mënyrë ilegale  në Venedik në pranverën dhe verën e vitit 1522.

      Duke u nisur thjesht nga përmbajtja dhe nga raportet që ndërlidhnin Skënderbeun me Venedikun eruditi i shquar venecian i shek. XIX Emmanuele Cicogna(1789-1861) e regjiston  veprën e Historisë të Skënderbeut  si një përjashtim  mes botimeve të tjera veneciane me një shpjegim të veçantë se Veprat e Skënderbeut (ose të Gjergj Kastriotit) lidhen me mijëra fije me venedikasit...Ja pra, arsyeja përse e renditim këtë Jetë midis të tjerave që neve na përkasin..” Mirëpo në fillim të shekullit të XX një tjetër studiues i shquar i editorisë veneciane Pronc Essling  duke u nisur jo nga përmbajtja por  nga pikpamja editorale, tipografike dhe ikonografike e reshton  edhe ai  veprën e Historisë të Skënderbeut mes botimeve Veneciane.  Pra si një produkt që i përkiste ambientit venecian dhe jo atij roman.

 

    Ka shumë të ngjarë që edhe botimi i variantit të shkurtuar i veprës të Historisë të Skëndërbeut (“Commentario de le cose de Tvrchi, et del S. Georgio Scanderbeg, Principe di Epyrro.....”) e cila u botua për herë të parë më 1539 pa emrin e autorit, pa emrin e editorit, pa datën dhe pa vendin e botimit  të jetë botuar qëllimisht në këtë formë përsëri nga Bernardino de Vitali. Ai që maskovi veprën e madhe të Skenderbeut  maskovi edhe variantin e shkurtuar të saj.  Kjo vepër  ka mbritur tek ne herë si vepër e Paolo Xhovios herë si vepër Dhimitër Frankut apo si vepër e Maria Giovanni Bonardos.  Mbi atë  në mënyrë violente është ndërhyrë nga nipi i Pal Ëngjëllit,  Paolo Pietër Ëngjëlli  për lartësimin e familjes së vetë por edhe ajo, siç e kemi argumentuar gjetkë, ka qënë një vepër e Marin Beçikemit (Ilia S. Karanxha: Barleti apo Beçikemi?..Tiranë: Kumipress 2010)  

 

 Deri më sot nuk ekziston një monografi e botuar mbi jetën apo veprën e vëllezërve de Vitali dhe as ndonjë studim i veçantë i botuar  që të analizojë në mënyrë të pavarur vetëm veprimtarinë e tyre. Një tezë disertazioni e mbajtur më 1994 nga ish-studentja E. Bellotti në Universitetin e Milanos mbi veprimtarinë tipografike të B.  de Vitalit rezulton në një kopje të vetme pranë bibliotekës të këtij  universiteti të cilën nuk patëm mundësi ta konsultonim për qëllimet e këtij studimi. Sidoqoftë  mungesa e botimeve monografike apo studime të veçanta  plotësohen deri diku nga një shumicë botimesh të tjera monografike të karakterit gjeneral  apo specifik. Në këtë kontest një vend të parë sot mban   puna e bërë nga Instituti   Qëndror për Katalogun e Përbashkët të Bibliotekave italiane e në veçanti për ato të shek. XVI të vëna në rjetë si frut i një  pune kolosale të bëra nga mbi 1300 biblioteka të ndryshme(Shih në rjetë:  ICCU edit16). Ndërsa si studiues më të shquar që kanë publikuar vepra bibliografike  mbi edtitorinë italiane që nga fillimet e saj në veçanti mund të përmëndim  Ludwig Hain(1891),  Dieterich Reichling (1953) Max Sander , Carlo Enrico Rava, katalogun e  botimeve italiane që ndodhen në bibliotekat e Amerikës të Veriut,  Herbert Mayow Adams mbi botimet italiane të shek. XVI që ndodhen në bibliotekat e Kambrixhit, editori Frans Gistelinck për botimet e viteve 1501-1540 që ndodhen në Universitetin Katolik të Louvenit (Belgjikë)   por edhe shumë e shumë të tjerë. Ndërsa vetëm për editorinë veneziane qysh nga fillimet e saj mund të përmëndim kontributet e shquara të  Princin d'Essling ndryshe Victor Massèna, Emmanuele Cicogna (1847), E. Pastorelli(1924) ndërsa studiuesit që kanë anlizuar nga  këndvështrime të ndryshme editorinë veneziane apo atë italiane janë të panumurt por ndëkohë përmëndim vetëm  disa të cilët do t'i citojmë më shumë  edhe në vazhdim të këtij studimi.  Kështu Francesco Barberi ka analizuar frontespicion në librin italian në shek. XV-XVI.  Carlo Castellani ka trajtuar futjen e censurës në editorinë veneciane më 1527.  F.J. Norton ka trajtuar editorët kryesorë  italianë në vitet 1501-1520; Denis Rohds ka bërë studime mbi publikimet më të hershme  në editorinë italiane si dhe mbi gërmat e ksilografuara të përdorura në këto publikime; Claudio Sartori ka tjatuar editorët tipografët dhe grafisët në veprat me karakter muziokr. Emerenziana Vaccaro ka trajtuar markat tipografike të editorve italjanë në shek. XVI ndërsa Giuseppina Zappela ka bërë objekt të studimeve të saj portretin në editorinë italiane të rilindjes.

 

 Në bazë të literaturës së sipërpërmëndur kemi mundur të regjistrojmë 263  botimet të karakterit të ndryshm të   bëra nga vëllezrit De Vitali duke filluar nga viti 1493 e deri më 1539. Shumica e studiuesve e konsiderojnë vitin 1539 si vit  i ndalimit të veprimtarisë së tyre ndërsa C. Sartori e shtyn këtë datë deri më 1543.  Emri i Mateos më vehte del vetëm në dy  botime  ndërsa si vëllezër emrat e tyre dalin bashkarisht në 10 botime. Në gjithë të tjerat ështe  vetëm emri i Bernardinos por kuptohet se ata kanë vepruar bashkarisht. Marka tipografike më e përdorur prej tyre ka qënë një katërkëndësh (herë i kuq e herë i zi) brënda së cilës mbi një sferë qëndron një kryq në të dy anë e të cilës gjenden gërmat B.V. E gjitha kjo është e zbukurar me gjethet e ardhisë dhe frutin e rushit që korespondonte me mbiemrin e tyre vite = pjergull.

     Tani në dash për merita apo në dash për të metat  e Bernardino de Vitalit dhe vëllajt të tij Mateos në lidhje me këto publikime,  e në veçanti    botimet mbi Skënderbeun, del një detyrë shumë e ngutëshme  që e bën po aq  të rëndësishme  e të nevojshme analizimin e gjithë veprimtarisë së tyre tipografike  editoriale duke e parë këtë jo vetëm në tërësinë e publikimeve të tyre por edhe në kontekstin e përgjithshëm të editorisë veneciane në fundit të shek. XV e fillimit të shek XVI kur  ata kryesisht vepruan.  Kjo  veprimtari editoriale e tipografike  që përfshin një hark kohor gati 50  vjeçar paraqet një problematikë mjaft të gjërë si nga pikpamja filologjike, ikonografike po ashtu edhe  editoriale. Në këto kushte  na del e pa mundur që brenda një shkrimi gazetaresk  të shterohen të gjitha këto argumenta prandaj për një informacion sa më të plotë do të vazhdojmë t'i trajtojmë ato një nga një në shkrime të tjera të ardhëshme sipas këtij rendi:

 

2-  Vëndi i vëllëzërve Vitali në editorinë veneciane.

 

3- Frontespizio në botimet e vëllezërve De Vitali

 

4- Portreti

 

5- Përmbajtja e ballinës  në veprën Historia e Skënderbeut.

 

6- Mbi vitin e botimit të Historisë të Skënderbeut. Mendime, debate e pseudodebate.

 

7- Filigramet e monogramet- një aspekt gati i injoruar në filologjinë shqiptare.

 

8- Botime të shquara nga vëllezrit Vitali ne rilindjen italjane

 

9- Markat editoriale. Ilustrimi i veprave. Ikonografia origjinale dhe e riqarkulluar.

 

10- Vlerat e botimev të vellëzërve Vitali.

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora