Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Cinari: 'Kur mbaron humori fillon banaliteti'

| E marte, 15.01.2008, 08:45 PM |


Eksluzive/ Humori, është sektor i artit që bazohet vetëm te talenti.

nga Besi Bekteshi

Besnik Cinari
15 Janar 2007 - Gjithmonë në humor dhe me batutën gati, Besnik Çinari pa fjalë është një nga aktorët më të mëdhenj të humorit shkodran dhe teatrit “Migjeni”. Ai nuk rezervohet kur jep mendimin e tij. Ai ka shumë për të thënë dhe shumë për të kritikuar, por gjithsesi krijon edhe situata humori.

Besnik Çinari është një nga humoristët më të njohur jo vetëm në Shkodër dhe është gjithashtu edhe një skenarist tashmë i sukseshëm i komedive të cilat kanë mbushur teatrin “Migjeni” dhe sallat e teatrove të tjerë në Shqipëri dhe jashtë vëndit.

Çinari është një improvizues i mrekullueshëm dhe gjithmonë në biseda për artin, ai kujton aktorët dhe humoristët e talentuar dhe të njohur shkodranë.

Besnik Çinari ka qënë protagonisti i mrekullueshëm i “Sofrës Shkodrane” të fundit e cila është një krijim tradicional i teatrit “Migjeni” dhe “Buna-1” dhe humori i tij ka sjellë një hare të jashtëzakonshme në këtë “SHOW”. Çinari thotë se e kemi organizuar shumë shpejt këtë shfaqe dhe shton se “nga një herë gjërat shpejt, bëhen më mirë se sa të bësh shumë prova”.

Te “Sofra “ thotë Besa, sikundër i thonë në Shkodër, ne luajmë traditën shkodrane me bejtat krejtësisht në humorin tonë ku ka spikatur “Hila i Files”, ose “Osja i Fallxhores” dhe shumë bejtaxhi të famshëm të kohës. Besa përmënd edhe humoristët e bejtaxhitë e më vonshëm si Pjetër Gjini, Mërgim Mujën por edhe Tano Banushin, Paulin Prekën, Zef Dedën “dhe ne duhet të kultivojmë çfarë kemi marrë prej tyre dhe do të vijë koha që të tjerë të mësojnë nga ne, deklaron zoti Çinari”.

Pyetjes tonë në se Besnik Çinari në disa shfaqe i ka “ikur skenarit” dhe ka futur batutën e tij ai i përgjigjet: Po është e vërtetë, por “i ka mosha dhe njeriu vjen tuj u plakë” dhe vjen ndonjë batutë por harron se partneri do të ndjekë. Ka pra raste, pranon Besa dhe sqaron se “në përgjithësi aktorët e bëjnë këtë gjë”.

Çinari duke folur për teatrin “Migjeni” kalon në një respekt të tillë për këtë qëndër të madhe kulture dhe arti sa thotë: Të gjithë aktorët dhe instrumentistët, këngëtarët në përgjithësi nuk duhet të hyjnë me këmbë në teatër, por në “vertikale” dhe të puthin ato shkallët e teatrit.

Për sa i përket skenarit dhe vendosjes në skenë të shfaqeve të tija, aktori humorist i madh shkodran deklaron se në fillimet i tij, i ka arritur me amatorët e grupit “Thumbi”.

Besa sqaron se “është kollaj të japësh shfaqe me profesionistë si Zef Dedën dhe Zyliha Milotin. Por me amatorin ka një dallim, sepse ajo që i ndan si në humor dhe bie fjala në këngë amatorin nga profesionistin është se “skena të jep vetëm 3 minuta”, mundësi dhe nuk të jep më shumë. Nuk është si në “dasëm ku do 10-të këngë me u nxe” deklaron Besnik Çinari.

Unë kam vendosur në skenë një komedi që mendoj se është e bukur dhe titullohet “Binjakët” ku kanë luajtur si profesionistë dhe amatorë, vazhdon zoti Çinari. Kjo komedi ka pasur shumë sukses dhe është dhënë 6-të net me rradhë. Pastaj Çinari thotë se: Kam vendosur edhe një komedi tjetër të quajtur “Milioner pa asnjë Kacidhe” me regjizor Elez Kadrinë. Çinari përmënd edhe dy komedi të tjera njëra e Fadil Krajës dhe tjetra e Qazim Çelës. Gjithsesi Çinari për tu treguar modest sqaron edhe për gazetën “SOT” se “nuk duhet të nisemi shumë se kush e ka shkruar komedinë”.

Çinari mbasi kujton disa pjesë të tij dhe interpretime me Zyli Milotin dhe Mondin, kujton edhe këngën që ka kënduar me aktorin tashmë në Durrës, të cilin e mban në kurriz dhe këndon këngë partizane, biles tregon se frazën “me këto kangë na kanë vu me fjetë për 50-të vjet” vërtetohet se pikërisht kjo është një nga ato shtesa që aktori shkodran i ka bërë vetë. Zoti Çinari tregon se shtysë për estradë dhe humor në fillimet e tij ka qënë Pjerin Ashiku i cili nuk jeton më. Besa tregon se atëherë ka qënë në “Parkun e Mallrave” të Shkodrës. Në këtë rast Besa, lëvizjen amatore e konsideron shumë të rëndësishme dhe sidomos për humorin, aktori shkodran deklaron se “në fushën tonë, shkolla nuk ka dhënë prova”. Ky është një sektor i artit që ecën në bazë të krejtësisht talentit, thotë Besa. Humori është i trashëgushëm thotë Besa dhe tregon se “ai e ka pasur gjyshen antikë” dhe sipas tij, nuk mund të ndodhë ndryshe. Dikur është bërë në Shkodër “festivali i estradave” dhe sot me vjen keq, por ka humbur sensi në përfaqësimin amator i humorit.

Besa këtu tregon edhe pa mundësinë për rinovim të profesionistëve në teatër dhe deklaron se grupi jonë atje, ka një moshë mesatare prej 50-të vitesh. Është më mirë që të përgatisim të rinj dhe falas, ti marrim në provë për të vazhduar trashëgiminë propozon Besnik Çinari.

Për problemet e jetës dhe shtetit të lidhura me popullin, Çinari ka sqaruar por me mënyrën e tij të humorit duke thënë: Popujt e “mirë” nuk dinë me ba shtet. Ne dihemi se jemi pak të lodhur, por ne jemi shumë të mirë, sepse pikërisht nuk bajmë shtet ngaqë merremi sa me njenin dhe tjetrin, marrin kte apo marrim atë apo bani ky apo bani ai dhe prandaj “jemi të mirë dhe nuk bajmë shtet”. Prandaj them se “jemi njerëz të mirë sepse nuk dimë me ba shtet” ka përsëritur sërish idenë zoti Çinari.

Çinari ka shumë problem mungesën e kujdesit për humorin dhe humoristët e rinj dhe deklaron se “duhet të shpërndahemi” në shkolla dhe të gjejmë talente dhe nuk ka nevojë të kemi 100-të të tillë, sepse mjaftojnë tre katër thotë ai.

Besnik Çinari jep leksione se si qytetarët duhet të jenë “taksapagues” dhe për këtë thotë ai kamë bërë edhe një pjesë. Çinari thotë se “çdo taksë e paguar nga qyteti kthehet në një lule për fëmijën tënd” dhe shton se po ashtu kthehet në një trotuar apo lulishte.

Besnik Çinari përmënd edhe shifrat që merr një libretist zyrtarisht në “shtet” dhe përmënd faktin e një libreti të Fadil Krajës duke i shtuar shifrën prej 1 milion të vjetrave.

Pastaj Besa tregon se për shfaqen “Surpriza” ai vetë kishte marrë 270 mijë lekë të vjetra në total si honorar dhe po ti peshoje rrobat tona vinin “nja pesë kile ma tepër prej djersve” shton ai.

“Ma e bukra asht se shteti na ka dhanë 5 milion lekë të vjetra për një shfaqe dhe ka marrë prej shfaqes 4.7 milion“, shton me vërtetësinë e të provuarës aktori i teatrit “Migjeni”. Pra imagjinoni se shteti na financon 5 milion dhe ne i kthejmë atij 4.7 milion lekë dhe shton se: Se si i parashikojnë këta artin dhe mbajtjen e tij këtë askush nuk e merr vesh. Tanimë kemi kaluar edhe te Bashkia thotë ai dhe “unë e kam rrogën 190 mijë lekët të vjetra dhe jam vetë i pesti në shtëpi”. A ju vjen turp këtyre që japin 19 mijë lekë të reja në muaj dhe nuk më besojnë as në bankë që marr kaq lekë sa kujtojnë se mos është ndonjë kredi në mes dhe më kanë mbetur vetëm kaq.

Ne japim një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm brënda por edhe jashtë në emigracion me kasetat tona dhe bëjmë atë që ky shtet nuk e kryen vetë. Për më tepër se kërkojnë edhe llogari. Me sa duket kanë qëllim që të lejmë punën dhe shton se “mund të thuash ti, lëre fare këtë punë”. Po mor thotë Çinari, por ato që duan të na bëjnë të lëmë punën “janë uji dhe ne jemi rana”. I kujton kush kryetarët e Bashkive për gjatë viteve në Shkodër, pyet Çinari. Jo nuk i kujton e as i di fare, përgjigjet vetë, por ne dhe humori kujtohemi dhe përmëndemi.

Këto kërkojnë llogari dhe nuk kanë kopetenca. Kur kërkon llogari thotë Çinari, duhesh të keshë kopetenca në xhep, por këto nuk kanë. “Ne jemi ba me ikë natën” prej atij vënd, shton në shkodrançe Besa. Megjithatë thotë ai, “kujt po i bajmë dam”? Ne nuk i bëjmë dëm as vetes dhe as këtyre, por i bëj dëm qytetit dhe humorit.

Unë nuk rri për Bashkinë, por për pleqtë dhe ato që nuk kanë mundësi të vijnë në teatër apo për emigracionin tonë. Më e bukura është, vazhdon Çinari se në institucionin që na administron “diskuton një njeri kot për artin”. Në Bashkinë e Shkodrës diskutojnë jo vetëm kundra shtimit të pagave, por për të na shkrirë krejtësisht. Ka individë të posaçëm në këtë linjë në këtë institucion dhe ndoshta këto mund të mallkohen për këtë koncept që kanë, vazhdon aktori i humorit shkodran. Qyteti i Shkodrëa ka disa pika ku krenohet dhe njëra shumë e rëndësishme është pikërisht humori, vazhdon Çinari. Kush e bën humorin, ato në bashki, pyet Besa.

Në fakt në fillimet e para ne nuk vendosëm kioska sepse doli Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi dhe na tha: Mbani rreth 90-të përqind të të ardhurave të sallës mjafton të bëni shfaqe të bukura. Mirëpo na erdhi një farë “Anastas Angjeluci” dhe na e bëri 3 përqind këtë gjë. Unë po çuditëm se pse tani nuk e kthen këtë gjë Sali Berisha, deklaron Besnik Çinari.

Tani ja kanë lënë Bashkisë dhe unë po ju them se me 5 milion që financojnë dhe 4.5 milion që mbledhin, le të bëjnë ndonjë rrugë në Shkodër ka sygjeruar Çinari. Artin po e bëjmë pa pare sepse jemi popull artist.

Në këtë rast te administrata e Bashkisë Besnik Çinari kritikoi jo thesht kryetarët e Bashkisë të cilët ai i kishte parë në shfaqe. Çinari akuzoi “shkresaxhijt” e Bashkisë që i çajnë kryet kryetarit të Bashkisë të cilët nuk vijnë as në shfaqe dhe bëjnë si “bylbyli” në vesh, ka sqaruar mendimin e tij zoti Çinari. Këto njerëz krejtësisht kot, që nuk kanë idenë qëndrojnë vetëm në shkresurina dhe unë i them që të dalin prej vorbullës së tyre ka vazhduar aktori shkodran. Të tillë njerëz edhe atë të shkretë rrogë na e “trujnë” ka deklaruar humoristi tashmë shumë i njohur i humorit shkodran.

Pastaj Çinari propozoi që të administrohet edhe fondi prej më tepër se 800 këngë popullore qytetare shkodrane që është fondi më i madh në Shqipëri dhe ja kalon i vetëm të gjithë fondit në pjesët e tjera jashtë Shkodrës. Ai edhe këtu i bëri thirrje Bashkisë për tu kujtuar për këngën shkodrane.

Kurse për humorin e sotëm Besnik Çinari deklaron se “ku mbaron humori fillon banaliteti”. Dikur kanë bërë me qeshë mjeshtra si Tano Banushi kur komiteti i partisë i shkurtonte me “gërshanë shamasheku”. Hiqnin kaq shumë se nuk kuptoja se çfarë po mbetej , por përsëri mbetej dhe bahesh humor.

Nga një herë fliten të tilla banaliteta se po turpërohen brënda shtëpisë dhe po afron një kohë kur nusja po shkon me qeshë në banjo, prej turpit që ka në sy të vjehrrit, ka precizuar zoti Çinari.

Gjithsesi ai ka treguar se ka në plan edhe disa inisiativa të reja dhe bashkëpunime po ashtu të reja dhe kjo do të jetë një vazhdueshmë ri e tij.

Çinari në fakt ka uruar që qyteti i tij të vazhdojë humorin dhe të nxjerrë artistë të rinj, por ka kërkuar akoma më shumë vëmëndje edhe për pamjen e qytetit dhe ka pranuar se kohët e fundit teatri ka pasur arritje.

© www.hermesnews.org