E enjte, 18.04.2024, 11:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Antika Myrtaj: Bilali rron në shpirtin tim

E marte, 22.02.2011, 08:57 PM


Bilal Xhaferri
Bilal Xhaferri
BILALI RRON NË SHPIRTIN TIM

 

Dialog me zonjën Antika Myrtaj, motra e vogël e Bilal Xhaferrit

 

Nga Shefki HYSA

 

- Më në fund, zonja Antika, ja ku jemi në Amerikë, në Çikago, në shtëpinë e Selfo Hoxhës dhe të Jetes, motrës tënde të madhe. Si ndihesh, si në realitet a në ëndërr?!…

- Lamë pas Shqipërinë e vogël… Kaluam gjysmën e botës nëpër qiell me aeroplan dhe vetëm pesë vjet pas përmbysjes së komunizmit në vëndin tënë, Shefki, dhe të më duket gjë reale kjo, thua ti?!… E pabesueshme më duket, ëndërr më duket… Më bëhet se trupin e kam akoma në Shqipëri dhe mëndja më ka fluturuar nëpër botë në kërkim të të ziut vëllait tim të vetëm, Bilalit… Sikur nuk e kam mëndjen në vend… Trupin atje e mëndjen këtu, veç e veç… Si zog, si qyqe… Si ajo motra e legjendës që u bë qyqe në kërkim të vëllait…

- Nuk ndihesh e kënaqur që t’u dha mundësia prej Shtetit Shqiptar për të ardhur në Amerikën e lirë, ku mërgoi e punoi shkrimtari i shquar Bilal Xhaferri si gjithë disidentët për një Shqipëri të çliruar prej sundimit komunist, si Shqipëria e sotme demokratike?

- Falenderoj natë e ditë shtetin demokratik shqiptar që po e nderon Bilal Xhaferrin, vëllain tim, që po ia kthen eshtrat të prehen në atdheun e lirë dhe që mua më dha mundësinë të vij vetë në Amerikë për të parë ku punoi e jetoi vëllai im dhe të jem pjesë e një ceremonie kaq të rrallë! Të falenderoj edhe ty, Shefki, si nismëtar i kësaj veprimtarie që e nderon dhe e lartëson emrin dhe veprën e vëllait tim! Po të them të drejtën nuk kam si ndiej asgjë tjetër veç brengës së përjetshme për humbjen e vëllait… E ç’kënaqësi mund të ndjejë motërzeza në kërkim të eshtrave të vëllait të saj të vetëm të vdekur.?!… Do të marr një thes me eshtra në krah e do të kthehem mbrapa për t’i rivarrosur në Shqipëri, pa besuar asnjëherë se ato janë të vëllait tim?!… Do të pres e përcjell miqtë që do të më vijnë për ngushëllim e do të shoh midis tyre se mos më zënë sytë Bilalin… Dhe përsëri do të pres e pres me sytë nga dera e shtëpisë se mos duket ai… Nuk mund të quhet kënaqësi, kjo besoj… Kjo do të thotë sfilitje… Zog qyqe në kërkim të vëllait… Çikagon me tërë këta qiellgërvishësa le ta gëzojnë motra ime, me burrë e fëmijë… Le ta gëzojnë nipat e mbesat e Bilalit…

- Ti, Antika, je motra e vogël e Bilal Xhaferrit dhe më e dashura për të, mesa thonë. Madje ju ka kushtuar edhe një poezi me titull: "Antikës". Emrin tuaj e përdorte si një nga pseudonimet e shumta në shkrimet e tij në revistën e Lidhjes Çame "Krahu i Shqiponjës" që ai botonte këtu, në Çikago. A e kujtoni shpesh tani që ka vdekur?

- Bilali për mua nuk ka vdekur. U’ akoma nuk e besoj dot vdekjen e tij, megjithëse kanë kaluar kaq e kaq vite që nuk e kam parë. U’ as atëherë kur më sollën mandatën nuk e besova. Nuk e besoja dot se Bilali kishte vdekur, nuk mund ta besoja, ndaj mundohesha të merrja informacione nga të mundesha. Nuk e di pse po kisha bindjen se Bilali ende jetonte. Nga Amerika na erdhi haberi se ai kishte vdekur që në vitin 1986 dhe se e kishin varrosur njerëzit tanë me duart e tyre e unë prapë nuk mund ta besoja. Thosha me vete se Bilali ashtu siç iku papritur, ashtu edhe do të kthehej papritur e pakujtuar. Ja që e kisha një shpresë të tillë dhe kjo shpresë më ka ushqyer shpirtin për kaq e kaq vite… E kam pasur dhe e kam parasysh gjithnjë të gjallë e të shqetësuar për mua… Ja që më donte shumë…

E di se më ka kushtuar edhe një vjershë ku thoshte: "Erdhi përsëri vjeshta/ me shira,/ me fletra./ Të iku motër jeta/ me rënkime dhe brenga"… E di dhe se emrin tim dhe emrat e disa miqve që i donte shumë, i ka përdorur si pseudonime në revistën që botonte këtu, në Çikago… Janë fakte që më shtyjnë të besoj jo vdekjen, por pavdekësinë e tij…

Tani së fundi mora vesh për hapjen e Shtëpisë Botuese "Bilal Xhaferri" dhe ndjeva një kënaqësi që s’di ç’të them, një kënaqësi të veçantë, aq sa m’u duk se e kisha Bilalin gjallë dhe ja më në fund pas kaq e kaq vitesh harrese po kujtohej përsëri emri i tij, ashtu siç ma donte zemra mua. Ç’të të them, Shefki, fluturoja nga gëzimi dhe m’u ngjallën prapë shpresat se Bilali ishte diku gjallë dhe se unë do ta takoja përsëri. Eh, ndihesha shumë e gëzuar dhe u vija veshin me shumë kujdes lajmeve në televizor e në radio dhe më bëhej zemra mal kur dëgjoja të flitej për shtëpinë botuese "Bilal Xhaferri", pavarësisht se nuk e dija se kush e kishte ndërmmarrë një nismë të tillë. Për të thënë të drejtën mendoja se këtë gjë e kishte bërë shteti, nisur nga psikoza se çdo gjë e bënte shteti në vendin tonë.

Kur mora vesh se ishe ti, Shefki, që e hape shtëpinë botuese me emrin e Bilalit për të ngjallur e lartësuar emrin dhe veprën e tij dhe kur mora vesh se ishe patriot nga tanët, nga zona jonë e Çamërisë, thashë se njeriu yt, sido që të vejë puna, ta shtrin dorën dhe të ngre lart në të mirë e në të keq dhe të them të drejtën të vlerësova njëlloj si vëllanë, si Bilalin e vetëm. Zoti ta shpërbleftë! Se për mua rron vepra e Bilalit, rron edhe Bilali…

- Megjithëse Bilali të donte shumë, jeta e shpuri shumë larg teje. Kaluat bashkë vetëm një pjesë të fëmijërisë. Ç’ju kujtohet nga e kaluara? Keni qarë më shumë a keni qeshur? A jeni grindur ndonjëherë me Bilalin?

- Ndonjëherë edhe kemi bërë fjalë, për një arsye shumë të thjeshtë. Atij i pëlqente që unë të mësoja ndaj dhe kërkonte prej meje të lexoja edhe natën. "Jeta e njeriut nuk është gjumë, është studimi", - më thoshte ai. Po ja që unë nuk u shtrohesha dot mësimeve ashtu siç donte ai. Më dukej se më kishte marrë nëpër këmbë jeta dhe nuk do të çlirohesha ndonjëherë nga kthetrat e mosbesimit. Nuk e di po ndihesha shumë e lënduar. Mbaj mend se kur isha e vogël qaja shumë, qaja e qaja. Kujtoja se të vdekurit ngjalleshin dhe vinin përsëri në shtëpi dhe kur shihja që të gjithë fëmijët e tjerë jetonin të qeshur e të lumtuar me prindërit e tyre, mërzitesha që mamaja dhe babai ynë nuk po vinin përsëri. Dhe qaja e qaja. Për këtë arsye Bilali më këshillonte e kritikonte herë – herë.

- Ke vëllain këtu, - më thoshte.

- Dua mamanë! - ia ktheja e ligështuar.

- Mamanë tonë e ka marrë Zoti dhe nuk e ngjallim dot më.

- Po ku është Zoti? - e pyesja unë.

- Ai është në qiell dhe është aq i madh sa sundon mbi gjithçka.

- Po babain? – pyesja unë sërish.

- Babain do ta ngjall unë, - më përgjigjej. - Unë mbaja shpresë se vërtet ai do ta ngjallte babain, ashtu siç më premtonte. Mirëpo një ditë ai u largua nga fshati ynë dhe ne motrat mbetëm vetëm. Na e largoi jeta e vështirë vëllanë. E çoi larg në Veri. Kaluam disa vite pa u parë dhe një ditë nga ditët më ra në dorë libri i tij i parë "Njerëz të rinj, tokë e lashtë". Se kush ma solli e ma tregoi… Më ngjan, një nga shoqet e mia që ia kishte marrë mësuesit të letërsisë… Pashë atë libër dhe kur lexova emrin "Bilal Xhaferri" në kapakun e tij atëherë kuptova se im vëlla e kishte mbajtur fjalën, e ngjalli vërtet emrin e babait tonë. Se babai ynë quhej Xhaferr dhe megjithëse ishte i pushkakuar si armik i shtetit komunist, Bilali pati kurajën ta nxirrte atë emër në një libër. Ky ishte një veprim shumë i guximshëm, pasi askush nuk guxonte t’i përmendte njerëzit e pushkatuar në atë periudhë.

- Me sa duket, Antika, u ke rezistuar jashtëzakonisht mirë vështirësive të jetës se e ke arsyetimin dhe logjikën top si rrallë kush nga ish-të persekutuarit, dhe jo vetëm logjikën, por edhe kujtesën e ke të fortë… Çfarë kujtimesh të tjera ruani nga Bilali?

- Në kohën kur jetonim bashkë, mbaj mend se hidhnim pak sheqer në një tas me ujë dhe hanim bukën me të. Bukën e merrnim me racion, 500 gram merrte Bilali e 400 gram merrja unë. Ne ishim të rinj dhe kishim nevojë për më shumë ushqim. Bilali priste sa të haja unë dhe për vete hante ç’të mbetej…

Më kujtohet si tani kur vinte natën nga Saranda, i lodhur e i rraskapitur dhe here-herë i lagur e i përbaltur. Na përkëdhelte e na ushqente si të ishim foshnja dhe të nesërmen nisej që pa gdhirë…

- Kur u largua nga vendlindja, Ninati e Saranda, Bilali u vendos në rrethin e Durrësit. Një periudhë të vogël, në mos gaboj, të mori me vete. Po nga jeta në Durrës a mban mend ndonjë gjë?

- Në Durrës na qëllonte të bisedonim shpesh si më të rritur që ishim. Mbaj mend se më thoshte: "Motra e vëllait, në jetë duhet të përpiqesh të jesh njeri që bën vetëm të mira"…

"Po ç’duhet të bëj?!" - e ndërprisja u’.

"Të jesh e sjellshme, e rregullt, të mësosh, të bëhesh njeri i mirë, sepse një ditë kur të vdesësh, pasi të gjithë do të vdesim, dhe kur të varrosin dikë në krah të varrit tënd, do të thonë: "Ajo është e bija e filanit… Bravo i qoftë, kishte karakter të fortë!"… Dhe kjo nuk të nderon vetëm ty, por edhe mua, edhe prindërit tanë", - më këshillonte ai…

- Pra, edhe në Durrës nuk të ndaheshin këshillat e tij. Besoj se të kanë bezdisur nga pak se adoleshentëve nuk u pëlqejnë aq shumë këshillat e të rriturve… U duket se i dinë vetë të gjitha…

- Nuk është aspak për të qeshur, po të them se edhe mund të jem bezdisur ndonjëherë, por pa të keq. Asnjëherë nuk ia kam marrë llafin për keq. I ngjiste llafi atij. Atë pak kohë që ndenja me Bilalin, ai qe për mua mama, baba dhe vëlla. Më ndiqte kudo me këshillat e tij. Ai qe njeri shumë shpirtbardhë, sa u’ nuk krahasoj dot askënd me shpirtin e tij.

- Po në Durrës a jeni grindur ndonjëherë?

- Njëlloj si në fshat. Vetëm për problemin e mësimeve për asgjë tjetër… Mbaj mend që gjishi, baba Feriku, më tregonte shpeshherë një përrallë: "Qe një herë një kalë i ngarkuar me dy thasë me kashtë dhe e morën e shkuan udhës. Rruga qe e ngushtë e poshtë qe një përrua i madh dhe kali nga kaballëku që kishte u kthye e u rrotullua për poshtë e për poshtë"…

"Po kali, ngordhi kali?" - thoja unë.

"Kali u rrotullis në të poshtë e në të poshtë, por nuk pësoi gjë se thesët qenë kaba e të lehtë e nuk e lanë të vritej".

"Po tani ku është kali?" - e pyesja u’.

"Tani s’është, më thoshte ai, por do të vijë dita që ai të kthehet përsëri… Ai qe i vogël, por do të rritet e do të vijë"…

"Ah, qe i vogël, prandaj e hodhën!" - i thoshja u’…

Kur kthehej Bilali nga Saranda, natën vonë, i tregoja për prrallzën që më kishte thënë babai dhe ai më përgjigjej: "T’i dëgjosh e t’i mësosh ato që të thotë babai dhe ta duash shumë atë e t’i bësh ysmet se është i vjetër dhe është gjunah dhe ka pleqërinë e tij edhe ai"…

Kur Bilali ikte u’ mërzitesha, ndaj ai më thoshte se për dy ditë do të vinte përsëri, por ai nuk vinte as për dy ditë as për dy javë… vinte një herë në muaj, kur merrte triskën, por na mbante ne me shpresë…

- Kur ndiheshe e lodhur, e mërzitur e në siklet prej halleve të jetës, a e ke sharë ndonjëherë Bilalin?

- Kurrë në jetën time nuk kam thenë gjysmë fjale të keqe për të as në fëmijëri e as më vonë kur na interrnuan për shkak të arratisjes së tij. As nuk e kam menduar një fjalë të keqe… nuk thashë njëherë se si u arratis ky njeri e neve na la pa mbrojte dhe hoqëm gjthë ato vështirësi… Nuk kam menduar kurrë keq për të, vetëm ndieja brengë në shpirt e në zemër… Më vinte keq për të që ishte arratisur dhe jo të kisha urrejtje pse ne humbëm të drejtat tona. Për urretje nuk është diskutuar ndonjëherë në familjen time as me fëmijët e mi e as me dhëndurët që erdhën më pas…

- Po burri yt, Hamiti, vajzat a djali, nuk janë shprehur ndonjëherë shenja pakënaqësie ndaj Bilalit që iku për vete matanë kufirit, në botën e lire dhe juve ju la në telashe?

- Kurrën e kurrës! Ata kanë qënë vetëm krenarë për të. Fotografia e Bilalit dhe e babait nuk janë hequr kurrë nga shtëpia ime. Ne kemi qënë vetëm kryelartë për këtë njeri. Pavarësisht se nuk kishim mundësi ta zinim në gojë me të tjerët, ai ka jetuar në shtëpinë tonë… Fëmijët e mi dhe burri im nuk thanë kurrë: "Nuk fituam asgjë nga ky njeri, vetëm humbëm!"...

- Çfarë humbët ju pas ikjes së Bilalit?

- Shumë gjëra. Së pari shkollën e fëmijëve, sepse ata ishin shumë të zgjuar në shkollë, por nuk u dha kush mundësi të studionin më lart… Shkollat nuk i humbën vetëm nga Bilali, por që nga babai, sepse edhe vetë Bilali e pësoi këtë fat, mbeti pa shkollë për hater të babait… Ishte i biri i një të pushkatuari, i një armiku klase… Nga zemrat tona nuk ka ardhur asnjëherë urrejtje as për babain, as për Bilalin…

- Kush mbeti i fundit në familjen tuaj, pas arratisjes së Bilalit?

- I fundit mbeti gjish Feriku, sepse mua më mori motra e madhe, Jetja, në familjen e saj. Atë e martoi gjishi tjetër, babai i mamasë, kurse motrën tjetër, Bekon, e mori halla që ishte në Shijak, e shpuri vetë Bilali. Ne ishim dy vajza, që dalëngadalë po rriteshim dhe s’na linin dot vetëm në fshat. Gjishi mbeti një vit e gjysëm-dy vjet pa askënd…

- Gjatë periudhës që ju vajzat u larguat, kush kujdesej për gjysh Ferikun?

- Eh, mor Shefki vëllai!… Gjishi atë kohë ka jetuar një katastrofë që nuk mund të ketë shkuar njeri tjetër mbi dhe. E kam brengë në zemër edhe sot dhe aq sa përpiqem për të vënë në vend figurën e vëllait tim, aq përpiqem edhe për gjishin. Ai i shkreti ka vuajtur sa s’thuhet, ka vdekur nga uria për një copë bukë.

Një Niko Zhupali, i Sigurimit të Shtetit, vinte e pyeste nën derë:

"O Ferik Bilali! Kush ta solli drekën sot?!"

"Ma solli Sheqir Salikua"!

"Po darkën kush ta solli?!"

"Ma solli Hadër Zequa"!

"Ata që janë më të mëdhenjtë e fshatit, more maskara?!"

"Ata ma sollën! Ti më pyete kush ma solli dhe unë t’u përgjigja"...

Domethënë nuk linin asnjeri nga fshati që t’i shpinte as edhe një copë bukë… Të tillë ishin komunistët për ne… Gjishi duhet të kishte ruajtur ca para për pleqërinë e tij dhe nuk e di, mos më shkroftë Zoti për gjynah, a ia morën lekët a qish i bënë, nuk e di... Gjishin e kanë varrosur natën e bija e tij, Hasua, dhe tre burra të tjerë. Nuk e kanë varrosur në varrreza si të tjerët, por në mes të një pylli, se qe kulak…

- Të rrënqethet mishi kur i dëgjon këto që po më rrëfen, le t’i shohësh me sy a t’i përjetosh vetë… Ta thashë se kujtesën e ke të hatashme, Antika!… Të kujtohet ndonjë gjë tjetër nga gjyshi?

- Më kujtohet se kishim ca rroba të mira që i kishim ruajtuar, rroba nga ato të babait… Dhe më kujtohet shumë mirë që erdhën ca njerëz dhe kërkuan t’i blinin. Sako i thoshin atëherë, një pallto e mirë që kam parë te anglezët. E mori gjishi dhe e preu me sopatë përjashta… Nuk ka burrë që ta veshë këtë tha ai. Këtë do ta veshte o Xhaferri, o Bilali. Nuk e përcaktoj dot sa gjë e bukur qe, një gjë e rrallë artisitike me ngjyrë të verdhë…

- Po me pasuritë e shtëpisë çfarë u bë, ku përfunduan?

- Pasuritë e shtëpisë sonë i sekuestroi shteti. Nuk na mbeti më asgjë nga shtëpia… Dhe ne ikëm… Nuk jetohej më atje… Deri në vitin 1969 ishte akoma më këmbë shtëpia, por pas aratisjes së Bilalit e prishën dhe me gurët e saj shtruan xhaden.

- Me urdhër të kujt u bë kjo punë?

- Me urdhrin e kryetarit të fshatit. Vunë rininë dhe e prishi shtëpinë… Mburreshin komunistët e thoshnin:

"Ja, erdhi një ditë që t’i mposhtnim këta kriminelë që i dolën kundra pushtetit tonë. Kështu do ta pësojnë gjithë ata që na vënë pengesa nëpër këmbë!...

- Pasi u larguat nga Ninati, më vonë jeni kthyer atje?

- Kam shkuar vazhdimisht në Ninat se kam teton time atje. Shkoja e rrija nga di-tri ditë… Mundohesha të mbroja me mënyrat e mija truallin ku kishim pasur shtëpinë. Doja që askush të mos bënte shtëpi atje ku kishim pasur ne shtëpinë… Mos kërko pasuri, moj vajzë, më thoshte tetua, se do të futesh në burg. Jo, i thoja, nuk dua pasurinë, por shtëpi në vëndin e Ferikut e të Xhaferrit nuk do ta ndërtojë njeri… Dhe përfundimisht atje nuk u ndërtua shtëpi. Mbaj mend që babai dikur kishte shkruar një letër…

- Po babanë, Xhaferrin, pse e arrestuan?

- Babain e arrestuan si antikomunist, si nacionalist që përpiqej për Çamërinë dhe për Shqipërinë e madhe. Në Filat vanë ca partizanë, një Saliko Istrefi, një Izet Osmani e ca të tjerë. I thanë:

"Eja e lufto me ne se je i ngritur e me shkollë.

Ai u tha:

"Plumbin e marr dhe yllin e kuq në ballë nuk e vë"…

- Ç’shkollë kishte babai yt, Xhaferri?

- Akademinë ushtarake, të cilën nuk e mbaroi për shkak të luftrave.

"Unë nuk bashkohem kurrë me partinë komuniste se ajo nuk i pështatet shtetit tonë", - thoshte shpesh babai, Xhaferri...

Në vitin 1945 e pushkatuan dhe fjalët e fundit që tha:

"Poshtë Enver Hoxha, poshtë Partia komuniste! Do vijë një ditë që edhe ju që e krijuat do ta tërhiqni zvarrë"…

- Kush e pushkatoi Xhaferrin?

- Të thashë se e arrestuan partizanët, emrat e të cilëve nuk m’i kanë treguar… E morën nga Vërva dhe e shpunë në Markat, në Theollogo, në Gjirokastër… Gjigjin ia bënë në Delvinë së bashku me disa të tjerë që komunistët aso kohe i quanin kriminelë e tradhtarë… Pra, e pushkatuan komunistët se ishte nacionalist, antikomunist, një jetë i përpjekur për Shqipërinë dhe Çamërinë… Atdhetar i patundur njëlloj si i pari i tij, Hoxhë Tahsini…

- Vërtet tronditëse dhe e dhimbshme historia e familje suaj, Antika! Një tragjedi e rrallë… Do të doja të më tregoje edhe më shumë rreth jetës së Bilalit… A të kujtohet gjë tjetër?

- Më kujtohet koha kur kemi qënë në fermë, në Durrës, ku kemi ndenjur nja shtatë a tetë muaj bashkë. Më parafytyrohet mbrëmjeve kur vinte me atë lopatën e tij gjithë baltë dhe në xhepin e këmishës mbante lapsin dhe një fletore. Një laps të vogël sa një gisht dore… Po pse nuk shkruan me bojë, i thoshja unë?

"Sikur të m’i zërë shiu, po të shkruaj me bojë, do të më prisheshin të tëra", – ma kthente ai me të qeshur.

Ashu i meruar, i dobët e i zverdhët, shkruante e shkruante ato vjersha e tregime aq të bukura, siç thoni ju që i dini mirë këto punët e të shkruarit, pa harruar asnjëherë të kujdesej vetëm si të haja unë dhe si të isha sa më mirë…

- Pra, prej Bilalit po më rrëfeni kujtime të bukura, me ç’po dëgjoj prej gojës suaj… Po kujtime që ju prekin e ju lëndojnë shpirtin?… A ruani të tilla kujtime?…

- Eh, mor vëlla, Shefki!… Kujtoj atë momentin e fundit kur u ndamë bashkë, momentin që do të kisha dashur të vdisja edhe vetë… Bilali po largohej në drejtim të kufirit… Unë i bëja me dorë edhe një mijë metra larg e ai më bënte me dorë e as i flisnim dot njëri-tjetrit... U ndamë nga njëri-tjetri pa thënë asnjë fjalë, me një komb në grykë që ma zinte frymën… Sikur e kam edhe sot atë komb, ja, këtu në gjoks dhe mezi mbushem me frymë… Iku e u tret matanë kufirit për të mos e pare më…

Thonë se të nesërmen ata të Sigurimit gjetën në kufi një copë letër me shkrimin e tij…

- Di gjë ç’kishte shkruar Bilali në atë letër?

- Ai kishte shkruar diçka vetëm për Enver Hoxhën. Sqaronte se e kishte shkruar jo në kartë të hollë e të zakonshme, por në një copë kartoni të trashë, sepse edhe ai që do e merrte do e kishte kokën të trashë… Kështu flitej…

- Pra, sa i vuajtur dhe antikomunist, Bilali?!…

- Eh, mor Shefki, sa ka vuajtur i gjori Bilal, mos vuajtë as guri i varrit!… Ishte antikomunist në shpirt si i ati, Xhaferri… Dhe krenar e i paepur, njëlloj si ai… Kujtoj se ai gjithmonë vinte e ikte në këmbë…Njëlloj në Sarandë, në Durrës e kudo ku shkonte nuk ua përtonte këmbëve… Edhe puna e tij qe një vuajtje e madhe… Iknim nga Sukthi e venim në Shijak te halla në këmbë, të uritur e të pangrënë. Ajo nusja e hallës i lante këmishën e ia hekuroste… E donte shumë… E donin shumë që të gjithë…

Bilali, i shkreti, kursente nga pak e nga pak dhe mbaj mend se më bleu mua një kostum me kuadrate dhe sa kohë isha unë në shkollën e Sukthit, kam qënë një nga vajzat më të veshura se më të shumtat ishin zbathur. Ai më veshte mua me rrogën e tij të vogël prej punëtori krahu dhe me ato rroba u martova më pas…

Nuk më harrohet edhe që vajti në këmbë nga Durrësi në Lushnjë dhe takoi motrën, Jeten… Ishte e internuar atje motra jonë…

Ja, kështu me vështirësira të jashtëzakonshme që nuk mund t’i përcaktosh dot i iku jeta të varfrit Bilal në Shqipëri dhe këtu, në mërgim, në Amerikë… Se edhe këta të mërgimit nuk ia dhanë dorën miqësore siç e meritonte, mesa më kanë thënë…

 

Shefki HYSA

SHBA, Çikago, më 25.4.1995

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora