E premte, 19.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Përvjetori i një masakre të paramenduar

E hene, 21.02.2011, 08:59 PM


Gjashtëdhjetë vjet më parë

 

Përvjetori i një masakre të paramenduar

 

Nga Reshat Kripa

 

Në këtë përvjetor jubilar të masakrës së pashembullt që rregjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve.

            I vendosën të pesë familjet në një depo qymyri. Mendonin t’i linin aty vetëm për pak ditë, pastaj t’i dërgonin në Tepelenë apo një Zot e di se ku. Një urdhër i dytë anulloi të parin, i lanë aty. Midis tyre edhe një plakë e moshuar, nëna e Tefik Shehut, apo siç e thërrisnin “Nana kosovare“. Nënës së ngratë nuk i kishin treguar për birin e pushkatuar. Nusja e djalit, Sevdija, për t’i hequr vëmendjen këndonte me të këngën “I kam hyp vaporit“. Por zemra e nënës e kishte ndjellë mandatën që e kishte pllakosur. I mbylli sytë shumë shpejt. Ishin plotësisht të izoluar nga bota. Vetëm disa kurajozë, njerëz të shtresës së tyre, vinin fshehurazi natën dhe u sillnin sende me të cilat ato mbijetonin.

            Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche, që një shekull më parë shkruante:

            Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku….

            Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi.

Para dhjetë vjetësh, në takimin e organizuar për pesëdhjetë vjetorin e kësaj ngjarje, së bashku me mikun tim, Cane Agaj, takuam Ida Temalin, që tashmë ishte plakur.  Përqafohemi  me  mall  dhe  nga  sytë  e saj shohim të rrjedhin lotë. Me një zë të dridhur më thotë

            - Kam nostalgji për Vlorën. Mendonim se atje do të gjenim vetëm bisha të etura për gjak, por gjetëm njerëz të thjeshtë e të ndershëm, që na ndihmuan në ato çaste të vështira.

            E pyesim për motrat dhe njerëzit e tjerë. Zëri i saj që duket sikur vajton vazhdon:

            - Jeta që kaluam na shkatërroi. Greta është e sëmurë, ndaj nuk erdhi. Po ashtu edhe Lili me Zanën.

            Nuk e ngacmuam më tej. Çdo pyetje tjetër do t’i hapte një plagë të re.

            Takova Brunilda Herrin. Në karakterin e saj dallova krenarinë që kishte trashëguar nga e  ëma  fisnike,  e  cila  për  vite    tëra  nuk  u  përul  para  presioneve 

vazhdueshme      bënte  sigurimi  i  shtetit.    fytyrën  e  Brunës  dallova  Liri  Herrin, 

simbolin e fisnikërisë dhe krenarisë.

            Takoj shpesh herë Hysenin. Bisedojmë për tema të ndryshme. Një ditë e pyeta për Xhonin krenare, me të cilën kam punuar në ndërmarrjen bujqësore. Kishte dëshirë të vinte për të punuar në brigatën e ndërtimit, ku isha edhe unë, pasi aty kishte shumë persona nga shtresa e jonë, por nuk e lejuan. Ishte e dënuar të punonte në bujqësi. Hyseni heshti për një çast, pastaj foli me një zë të dridhur:

            - Xhoni  e ka mbyllur jetën e saj!

            U trondita tepër. Si ishte e mundur që Zoti të merrte pranë vetes një yll bukurie si ajo?

            Takohem me Lulin. Ai më tregon se Violeta dhe  Rexhepi nuk jetojnë më. Po ashtu më thotë se edhe Adhurimi i Jegenëve i kishte mbyllur sytë. Të gjitha këto më bënë të mendoja:

            - Sa veta hëngri diktatura? Sa të tjerë po shuhen njeri pas tjetrit? Mirë njerëzit që nuk po kujtohen, po Zoti i madh si nuk mëshiroi për këta njerëz të përvuajtur? Apo mos ndoshta edhe vetë Zoti kishte nevojë për fisnikërinë e tyre dhe i mori pranë vetes së tij?

            Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër.

            Para syve më del rezoluta e miratuar para disa vitesh nga Këshilli i Europës. Në njërën nga pikat e saj shkruhet:

Asamblea  beson    viktimat  e  atyre  krimeve    u realizuan nga rregjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara.            

            Lidhur me këtë rezolutë edhe parlamenti shqiptar ka miratuar një të tillë, ku solidarizohet me atë të Këshillit të Europës. Por çfarë është bërë deri tani? Si në asnjë nga vendet e tjera ish totalitare, në Shqipëri nuk ka asnjë burg apo kamp të punës së detyruar që të jetë kthyer në muze. Nuk ka asnjë lagje, rrugë apo shesh, institucion kulturor apo shëndetësor që të ketë marrë emrin e ndonjërit prej viktimave të shumta të genocidit komunist. Si në asnjë vend tjetër në Shqipëri nuk ka një varrezë për viktimat e komunizmit, nuk ka një përmendore apo pllakë përkujtimore për mijrat e të rënëve që akoma nuk u dihen as varret. Shteti komunist i mblodhi eshtrat e dëshmorëve dhe u dha një varr ashtu si e meritonin. Po shteti demokratik a nuk ka mundësi t’u jap një varr eshtrave të të rënëve nga plumbat e rregjimit totalitar?

            Deri në vitet 70-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

            Me vendim të qeverisë amerikane, në Washington është ngritur madhështor monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë monumentin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky monument? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më e theksuar sot, kur kremtojmë njëzetvjetorin e rrëzimit të atij monumenti. Ky do të ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

Mendoj se qeveria demokratike shqiptare do  të marrë të gjitha masat për vënien në vend të kësaj padrejtësie shoqërore. Një gjë e tillë duhet bërë sa më parë. Mendoj se është detyrë e Komisionit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, Shoqatave të të Përndjekurve Politikë, Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Qendrës Kombëtare Kundër Traumës dhe Torturës,  dhe Organizatave të të Drejtave të Njeriut, ta ngrejnë zërin deri në kupë të qiellit, deri në realizimin e këtyre kërkesave.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora