E enjte, 25.04.2024, 03:12 PM (GMT+1)

Mendime

Romeo Gurakuqi: Kosova pas 10 dhjetorit 2007

E premte, 18.01.2008, 07:38 PM


Kosova pas 10 dhjetorit 2007

Nga Romeo Gurakuqi

Më 1 nëntor 2007, Nënsekretari amerikan i Shtetit, i treti në rangun e këtij institucioni, Nicholas Burns, zhvilloi një leksion të hapur publik në një nga auditorët e London School of Economics and Political Sciences, një ndër shkollat pararojë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Perëndim në fushat e Studimeve Europiane, në të cilin ai foli për prioritetet e politikës së jashtme amerikane. Një vend të veçantë në tërësinë e çështjeve të trajtuara, zuri çështja e Kosovës. Në gjykimin tim, ato çfarë ambasadori Burns tha për çështjen më të nxehtë të Europës së vitit 2007, përbëjnë një zhvillim të ri që hap para politikës europiane një sprovë të re, të cilës ky bashkim do të duhet t'i bashkëngjitet. Nga ana tjetër, konteksti i prezantimit të ambasadorit Burns për aktorët e politikës kosovare dhe shqiptare krijon "detyra të ngutshme" për lexim të kujdesshëm dhe për trajtim po aq të matur të periudhës pas datës 10 dhjetor 2007. (Shih për këtë: http://london.usembassy.gov/ukpa_press64.html).

Më konkretisht, ambasadori Burns fillimisht deklaroi se, "në qoftë se bisedimet e parashikuara për të përfunduar me 10 dhjetor nuk arrijnë në një marrëveshje, atëherë ne duhet të përgatitemi për lëvizjen e radhës. Por SHBA, natyrisht, do të mbështesin planin e propozuar nga Mr.Ahtisaari, ish-president i Finlandës, plan që përfaqëson një këndvështrim shumë definitiv për të ardhmen". Më pas, duke folur për politikën konstante amerikane të aleancës dhe përkrahjes së lirisë dhe paqes në Europë, ai u shpreh se, "interesat tona më të thella, në kuadrin e interesave globale amerikane, janë këtu në Europë: dërgimi i 50000 trupave amerikane dhe europiane nga presidenti Klinton në qershorin e vitit 1999, për të shpëtuar një milion kosovarë shqiptarë nga pastrimi etnik, është një tregues për këtë... Ndërhyrja në Bosnjë dhe Kosovë, është një gur themeltar i aleancës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës dhe aleancës sonë Trans-Atlantike".

Burns shtoi më pas, se: "Europa është kontinenti i parë në botë që po gëzon paqen dhe frytet e saj… Një prej mrekullive të epokës sonë është krijimi i Bashkimit Europian dhe zhvillimet që ka bërë ky bashkim në 25-30 vitet e fundit. Ne besojmë... se jo çfarë ne do të duhet të bëjmë së bashku me ju, është të mbështesim këtë progres në Europë dhe të sigurohemi dhe kujdesemi për të përfunduar këtë biznes të papërfunduar në Ballkan, në mënyrë që e gjithë Europa të jetë e lirë dhe në paqe: pjesa perëndimore, pjesa qendrore tani të përfshijë edhe Ballkanin, dhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, ose kështu pak a shumë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, si anëtarë të ardhshëm të BE dhe anëtarë të ardhshëm të NATO-s. Ajo çfarë po ndodh është ajo që Ronald Reagan, Margareth Theacher, François Mitterrand dhe Helmut Kohl, me vizionin e tyre kishin projektuar në fund të viteve 1980' dhe fillim të viteve 1990': Një Europë e tërë e lirë dhe në paqe, është duke u krijuar tani".

Sfidës së një pyetjeje të bërë nga të pranishmit mbi mundësinë e një çarjeje të aleancës mes BE dhe SHBA, për shkak të presionit rus në sfidat e politikës globale, posaçërisht për rastin kosovar, Burns iu përgjigj: "SHBA nuk do të bëjnë asnjë hap përpara në çështjen e Kosovës pa bashkëpunimin me aleatët europianë të NATO-s dhe në këtë drejtim, nuk ka asnjë ballafaqim. Në rastin e Kosovës, aktorët drejtues të forcave në fushën kosovare të veprimit janë: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, SHBA, Italia, ata që kanë forcat e tyre dhe kanë financuar zhvillimin dhe paqen e Kosovës për 8 vite e gjysëm. Rusia e lëshoi Kosovën tetë vite më parë. Shtetet kryesore të NATO-s janë ata që i drejtojnë bisedimet. Në qoftë se bisedimet mes palëve deri me 10 dhjetor nuk arrijnë në një përfundim, atëherë zgjidhja e problemit është më së shumti një çështje, një projekt amerikan dhe europiano-perëndimor".
 
Sa më sipër përbëjnë pak a shumë linjat e përgjithshme mbi të cilat drejtohet Uashingtoni në çështjen kosovare. E solla të plotë fjalën dhe diskutimin e ambasadorit Burns, sepse në këndvështrimin tim prezantimi i tij përbën një lajm të mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe më gjerë për rajonin. Pa dashur të bëj sqarime mbi këto thënie krejt të qarta, më duhet të nënvizoj se vizioni amerikan për Kosovën dhe Ballkanin edhe pas 10 dhjetorit është vizioni i një Kosove të lirë dhe i një Ballkani në paqe. Rindërtimi institucional i Kosovës do të jetë i kornizuar sipas projektplanit të propozuar prej presidentit Ahtisari. Në hapjen e këtij procesi njohjeje ndërkombëtare dhe rindërtimi të orientuar proevropian, rolin kryesor do ta luajnë SHBA-ja dhe BE-ja. E ardhmja e këtij entiteti dhe perspektiva e këtij vendi do të orientohet mbi të njëjtën rrugë me të gjitha shtetet ballkanike (pra edhe e njëllojtë me ato nga pikëpamja statusore), që ecin në linjën integruese në BE, përfshirë edhe Serbinë.

Me pak fjalë, SHBA do të ndjekin edhe më tutje rrugët e tjera ligjore të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare në njohjen e shtetësisë së Kosovës. Por bazuar në kriteret ligjore të së drejtës ndërkombëtare, kush do ta bëjë njohjen e shtetësisë së Kosovës? Fillimisht, pretendimin e parë për ekzistencën e shtetit de facto të Kosovës do të duhet ta bëjë vetë Kosova, nëpërmjet organeve të saj të ligjshme, të zgjedhura demokratikisht në zgjedhjet e fundit, organe të cilat do të duhet të shpallin se Kosova është de facto shtet dhe dëshiron të konsiderohet i tillë edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Organet përfaqësuese të Kosovës, me kohë e kanë bërë një gjë të tillë dhe e kanë vullnetin për ta përsëritur serish, por janë përmbajtur në këtë drejtim nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar. Ky faktor, nën frikën e precipitimit të situatës ballkanike, vazhdon ta mbajë të frenuar rishpalljen dhe kërkesën, në pritje të ezaurimit të mundësive për marrëveshje dhe për të kontrolluar situatën nëpërmjet hapave të kujdesshëm. Domethënë, pozicioni ligjor për sa i përket çështjes së njohjes, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, nuk ndryshon nga çështje të tjera ligjore: d.m.th, vendimi fillestar duhet të bëhet nga secili shtet individualisht në mirëbesim, në një kohë që njohja kolektive nëpërmjet OKB-së mbahet në mënyrë të pajustifikuar, e bllokuar nga Rusia. Mirëpo, në rastin e Kosovës ndodh që një shtet, Serbia, ka një qëndrim të kundërt me entitetin pretendues mbi ekzistencën e shtetësisë. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare hapi i parë për ta zgjidhur këtë ndryshim qëndrimesh, është rruga e paqtë e bisedimeve. Bisedimet për këtë çështje mbyllen më 10 dhjetor 2007-të dhe sipas të gjitha gjasave, qëndrimet e ndryshme nuk kanë shanse të përafrohen. Pas datës 10 dhjetor, afatit i fundit i lënë nga bashkësia ndërkombëtare, hapet mundësia ligjore e shteteve perëndimore për ta njohur Kosovën individualisht, ose nëpërmjet një deklarate të njëkohshme SHBA, BE, të cilës, sipas të gjitha gjasave mund t'i bashkëngjiten shumë shtete të tjera, përfshirë Republikën e Shqipërisë. Nga ky moment çështja e zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis Kosovës dhe shtetit të interesuar për të kundërtën, Serbisë, do të mund të orientohet drejt mekanizmave institucionalë ligjorë ndërkombëtarë që merren me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Një mundësi e tillë është përdorur shumë rrallë në praktiken e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare, por gjithsesi ekziston si mundësi hipotetike. Kjo zgjidhje e marrëveshjeve në rrugë ligjore përdoret shumë rrallë për shkak të mungesës së mekanizmave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe mungesës së kritereve të përgjithshme zbatuese për përcaktimin e shtetësisë, për rastet specifike. Kështu po mendojmë se Serbia i ka të gjitha shanset, pas këtij momenti, për t'iu drejtuar një gjykate ndërkombëtare me juridiksione mbi shtetet. Mirëpo, a mund ta bëjë një gjë të tillë ky shtet, kur mbi atë (pavarësisht se aktorët e sotëm drejtues janë të tjerë) rëndojnë përgjegjësi të mëdha për masakra shtetërore kolektive ndaj shqiptarëve të Kosovës, për shpërngulje të mbi një milionë banorëve të këtij entiteti më 1999? Udhëheqja e sotme e Serbisë ka pak shanse për të bërë një recurs të tillë ligjor në një gjykatë ndërkombëtare, për të ndaluar ligjërisht procesin e mëvetësimit të Kosovës, mbasi çështja normalisht do të ishte një çështje, që me pak kujdes profesional juridik prej palës së qeverisë kosovare, mund të shndërrohej në një çështje kundër shtetit të Serbisë. Këtu kam parasysh jo vetëm reperkusionet në çështjen e integritetit të Serbisë mbi Kosovën, por edhe dëmshpërblimet individuale dhe kolektive që do të duhej të paguante për dëmet humane dhe materiale të luftës së zhvilluar atje më 1998 dhe 1999. Mjafton të kujtojmë rastin e statusit të Kroacisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për Jugosllavinë, kur çështja e shtetësisë së Kroacisë u ngrit si një çështje incidentesh dhe u shndërrua në një precedent për njohjen e shtetësisë së këtij vendi. Kësisoj, Serbia edhe më tutje mund të jetë e shtrënguar të përdorë jo mekanizmat ligjorë për t'i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjes, por vetëm mekanizmin e presionit politik, mbështetur në vicklat hapësinore të lëna në mënyrë të papërcaktuar në të drejtën ndërkombëtare, mbështetur nga aleati i saj historik, Rusia. Mekanizmi politik mbështetet para së gjithash në veton ruse në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo tashmë, votimi në Këshillin e Sigurimit mund të jetë një fazë e kapërcyer dhe hapi i ardhshëm i bashkësisë ndërkombëtare do të jetë pranimi individual pavarësisë së mirëfilltë. Në këtë rast, Plani Ahtisari nuk do të ishte gjë tjetër veçse një instrument perfekt tashmë për implementimin e përshtatshëm dhe të gjithanshëm të kësaj pavarësie.

Një aspekt tjetër shumë delikat për Serbinë është edhe dobësia që ajo ka në lidhje me ndryshimin e vazhdueshëm të statusit të saj ndërkombëtar në një periudhë që fillon me inicimin e procesit dezintegrues jugosllav më 1990-të dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Madje çështja e Jugosllavisë, pjesë e së cilës barazimisht nga pikëpamja konstitucionale federative ka qenë Serbia edhe Kosova, përbën një casus të tejzgjatur kundërshtish në trajtimin e të drejtës ndërkombëtare. Në fillesë, Serbia dhe Mali i Zi pretenduan se përbënin të njëjtin shtet si ish-Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, por tani thirrur ndryshe: Republika Federative e Jugosllavisë. Ky pretendim u hodh poshtë prej shteteve të tjera dhe prej OKB-së, të cilët këmbëngulën se Republika Federative e Jugosllavisë (Serbia e Millosheviqit ndërkaq kishte hequr përdhunisht statusin federal të Kosovës, ndërsa Kosova kishte shpallur pavarësinë nga ish-Jugosllavia dhe kishte ndërtuar organet e veta të pavarura të qeverisjes) ishte një prej pesë shteteve pasuese, deri më tani, të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Madje përfaqësuesit e qeverisë qendrore të Beogradit, nuk u lejuan të zinin vendin e Jugosllavisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York. Republika Federative e Jugosllavisë u pranua në OKB në vitin 2000 me statusin e një shteti pasues. Duhet të kujtojmë serish në këtë kontekst, se me Rezolutën 1244 të vitit 1999, OKB-ja kishte krijuar tashmë paraprakisht një regjim të posaçëm të protektoratit ndërkombëtar mbi Kosovën. Më pas Republika Federative e Jugosllavisë ndryshoi kushtetutën dhe emrin e saj në Serbi dhe Mali i Zi. Pas këtij ndryshimi fshiheshin pikëpyetje serioze të identitetit, pyetje të cilat shkaktuan mjaft mëdyshje edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në vitin 2006-të, pas referendumit të mbajtur në Mal të Zi, edhe ky vend u shkëput nga Bashkësia dhe të dy shtetet janë tashmë të pavarura nga njëri-tjetri dhe zënë vende të ndryshme në OKB.

Pra, siç shihet, kemi të bëjmë me një periudhë 18 vjeçare krejtësisht të paqëndrueshme të statusit ndërkombëtar të Serbisë dhe të territorit mbi të cilin ky shtet e ka shtrirë sovranitetin. Dezintegrimi mund të themi se është një punë ende e papërfunduar. Vjecka e fundit juridike e këtij ndryshimi mbetet Kosova (e cila u integrua nga Fuqitë e Mëdha më 1913, në këtë shtet së bashku me Maqedoninë Veriore që sot është shtet më vete), që është një territor de facto i shkëputur dhe de jure protektorat i OKB-së, protektorat që nuk mund të zgjasë pambarimisht, por që normalisht do të ndjekë shembullin e të gjitha protektorateve të tjera, d.m.th. do të shkojë drejt pavarësisë. Njohja e kësaj dialektike të dezintegrimit deri në elementin e fundit zhvillimor nga ana e shtetit të sotëm demokratik të Serbisë do të mund të përbënte një shans shumë të rëndësishëm përshpejtues të procesit të vendosjes së lirisë dhe paqes në mënyrë të qëndrueshme në Evropën Juglindore dhe rrugës së njëkohshme të të gjitha vendeve të rajonit në proceset integruese evropiane dhe atlantike. Por aksioni i ndërtimit të paqes dhe lirisë së vërtetë nuk përfundon këtu: udhëheqësia legjitime e Kosovës ka nga ana e saj mbi vetë përgjegjësinë historike të ndërtimit të themeleve të sigurta të një shteti të njëmendtë evropian, të hapur dhe të lirë për të gjithë shtetasit e Kosovës, pa dallim kombësie dhe religjioni, të orientuar nga Perëndimi dhe të mbyllur ndaj mbrapshtive të Lindjes, të pangjashëm me atë çfarë pasqyrohet nga shteti amë. Do të më duhet të them se Kosova e sotme dhe e nesërme, me një sipërmarrje aq të rëndësishme historike për mëvetësim paqësor dhe rindërtim të vërtetë demokratik, nuk mund të drejtohet më nga udhëheqës diletantë të pashkolluar, por nga një brez i ri iluministësh kosovarë të edukuar në kolegjet më të mira perëndimore dhe që ky vend i ka me shumicë. Kosova do të duhet të ruhet medoemos nga sëmundjet postdiktatoriale që kanë kapërthyer shtetin amë, që e kanë origjinën në një sërë faktorësh ekonomikë, politikë, socialë e kulturorë, por edhe në mungesën e burrave të shtetit, të cilët do të duhet të punonin për lehtësimin dhe orientimin e përshtatshëm drejt lirisë, demokracisë, laicizmit të pastër dhe Perëndimit. Liria mund të themi që ka ardhur tashmë për Kosovën. Por lirinë nuk mjafton që ta fitojmë, por atë do të duhet ta dimë që ta mbajmë me dinjitetin e një populli të lashtë të kontinentit të vjetër. Kjo është pjesa më e vështirë e biznesit të ardhshëm shtetformues.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora