E enjte, 28.03.2024, 08:23 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Fjalë dhe hapa kuturu...

E diele, 20.02.2011, 07:56 PM


Fjalë dhe hapa kuturu...

 

Nga Blerim Rrecaj

 

E çdo gjë fillon me zgjimin. Nga gjumi. Atëherë kur edhe e merr vesh e kupton se Zoti ka vendos t’i jap leje frymë-marrje-daljes tënde. E shikon orën sidomos në telefonin për të cilin ekzistojnë një larushi emërtimesh: celular si i thonë në Shqipëri, mobil në Kosovë, handy i thonë shumica e mërgimtarëve dhe i dorës siç i thotë ndokush. Pyet veten si zakonisht me një “çfarë të bëj...” nëse nuk ke paracaktuar ndonjë takim me ndokë. Nëse vëren se mjekra ka lëshuar shtat atëherë mund të marrësh ndonjë vendim për fatin e saj. Për të mësuar për kohën e motin që mbretëron mund të dalësh në ballkon ose të hapësh për pak çaste dritaren. Ndërkohë mund të bije edhe zilja. Del hap derën dhe kthehesh përsëri në mbretërinë e mureve të dhomave, korridorit. Do hedhësh hapa sikur të Baltazarit, atij që emrin nuk ia ke harruar por për pamjen dhe gjëra tjera që kanë të bëjnë me të nuk je aspak i sigurtë. Pastaj diçka të bije në mend e diçka të kujtohet. U jep një shtysë duke i bërë të kërcasin gishtat e mëdhenj të këmbëve sikur ky të ishte ndonjë specialitet i posaçëm i yti. Shikon plafonin. Dëgjohen dha ca rrapëllima. Gjendja sociale po thonë se po rëndohet. E se po egërsohen njerëzit dhe ata njerëz që mbajnë titullin pushtetarë. Teshtijë. A thua të jetë një vulosje e kësaj të vërtete. Ngre hundët. E më pas kokën për të parë se deri ku ka shkuar dita e sotme. Shumë hipoteza dhe shumë hamendje. Ngatërrim fjalësh për incizimet e fshehta me kamera përgjuese, për skuqje parlamenti dhe skuqje rektorësh. Për festë dikush dikujt ia dërgon këtë urim me sms: “Urime pavarësia e Kosovës, ama pa ngjyrë të kuqe, hahaha...”. E festa si festa. Grumbullon në një thes të madh mëdyshjet dhe të largon larg tyre. Por pas mbarimit të saj rikthehemi te temat, te kryetemat. Me diç duhet të merremi. Puna, koalicioni, qeveria, Kosova, Shqipëria, shpiqtarët, rajoni, futbolli, bastoret, Egjipti... tash edhe Libia, revolucionet...Fjalë kuturu e hapa kuturu. Këtë natë na lag ky shi imtak. Mbase më komod ndihen ata që bartin ombrella ose kapela në kokë. Në këtë rast kush ban’ nuk kan’. Po në rastin tjetër kush ban’ kan’ e s’ka çka ban’... E gjindemi mes rrugëve, qorrsokaqeve, udhëkryqeve...mes dallgëve dëshpëruese dhe besimit në njeriun e njerëzit dhe në sytë e tyre të etur. Jeta vazhdon. Dilemat vazhdojnë. Dikush shkruan e dikush merret me montazhe filmash. Dikush...

Dikush shfrytëzon nënkalimin për të dal ne anën tjetër të rrugës...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora