E enjte, 25.04.2024, 09:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Viktoria Xhako

E diele, 20.02.2011, 08:31 PM


Viktoria Xhako lindi më 09.10.1950. Jetën letrare e filloi në klasën e tretë të shkollës fillore. I ra në dorë romani rus „Historia e njeriut të vërtetë“, i lidhur keq, i përkthyer në gegërishte, pak i vështirë për ta kuptuar.I bëri përshtypje të jashtëzakonshme jeta e personazhit Aleksei Meresjev, aviator gjatë Luftës së Dytë Botërore. E frymëzuar nga kjo histori shkroi poezinë e saj të parë. Gjatë adoleshencës dhe rinisë është marrë me muzikë, balet dhe sport, por libri kishte vendin qendror. Me poezinë e mëposhtme fitoi vendin e parë në rrethin letrar të gjimnazit:

 

Nisja

 

Po.

U nis ai.

Me lot në sy vogëlushin puthi.

Me dorën e majtë përqafoi të shoqen,

Ndërsa e djathta shtrëngon maliherin.

Si në ëndërr

Shikon ato mure të nxira,

Dritaren si kafaz,

Pa xhama,

Pa perde,

Mbuluar me karton për të pritur erën

E varfër ish shtëpia e tij,

 

Por e ngrohtë,

Jo nga zjarri,

Se zjarr aty nuk kish,

Po nga hareja që i dridhte ato mure.

Dhe ja tani,

Ai po le gjithçka:

Gruan,

Djalin, loçkën e zemrës së tij.

Por jo!

Ai nuk po i braktis ata,

Se ai për ata do të luftojë:

Që sytë e bukur të Rinës

Të mos derdhin më lot,

Që (….diçka për djalin, ……….por eshte harruar)

Drejt yllit të zjarrtë,

Që rrugën i ndrin si fanar.

 

Mbaroi universitetin për letërsi – gjuhë shqipe dhe u emërua mësuese letërsie në një nga gjimnazet e qytetit, ku punoi për 27 vjet, gjer në largimin e saj në emigracion. Gjatë viteve të punës ka shkruar kumtesa për disa vepra të autorëve shqiptarë, të vlefshme për sesionet shkencore të arsimtarëve. Ka shkruar disa tregime. Vëmendjen kryesore ia ka kushtuar poezisë. Krijimtaria e saj në poezi e prozë ka si tematikë botën e trishtuar shpirtërore të femrës.

 

 

MALLIN , PSE E BERE DALLGE?

 

Eshtra të thara në varr dekompozuar,

Shpirtra që vuajnë të enden në ferr,

Makthe që frymën ta zënë papushuar,

Kufijtë e besës i shkelën për tmerr.

 

Në netët e ftohta të dimrit të gjatë,

Fare pakëz zjarr kërkoj të ngroh gjymtyrët.

Dy bredha ngërthyer mbi mermer të ftohtë,

Përjetësisht tunden në përqafim të thyer.

 

Gjumin tënd të qetë unë ruaj pas derës,

Endrrat vrapojnë, vrapojnë çmendurisht.

Rrugët e thyera shtruar gurë çakëll,

Të mprehta u ngulen brinjëve sërish.

 

Pasqyrën nxirre nga xhepi i shqyer,

Lëmo buzëqeshjen, stoli varfanjake.

Lidh kollaren, të lutem, lidhe shtrënguar,

Pastaj hidh pështymën në çdo kthesë shkalle.

 

Mos vajto sërishmi, ti, për lotin tim,

Lëre të pafajshmin të rrëshqasë ngadalë.

Unë të thashë, të thashë jam pa kthim,

Mallin e zhuritur pse e bëre dallgë?

 

E enjte 9 dhjetor 2010 ora 01:30

 

 

PERSE ME THE.......

 

Përse më the të vij tek ti,

Mbështjellë fort mallin tënd?

Si t`i kaloj këto humnera,

Kur rrugët janë të prera keq?

 

Sa ngrohtë më mban kjo pelerinë,

Zërat e jetës më ftojnë nga larg.

Pena mbi fletë dridhet mendueshëm,

Mëdyshje, mëdyshje më djegin zjarr.

 

Valsi i ëndrrës dorën zgjat tek ti,

Në udhëkryq më thyhen vargjet.

Trishtimin përcjell fëshfërime e erës,

Vrapo, kërko krahë, fluturoji brigjet.

 

Këng` e agimit më fton drejt yjësive,

Ftesa e saj egër kafshohet në zemër.

Guximin mbërthej me kopsa metali,

Ah, këto rrugë qenkan të prera keq!

 

Përse më the se më pret, ti,

Të të vij bashkë me agimin e bardhë?

Përse ma fshin ti, lehtë qerpikun,

Nga loti im i nxehtë valë?

 

Përse më fton, kur rrugë s`ka kund?

Ti, ëndrra ime, e bardhë, e bardhë?

Në tehun e jetës përpëlitesh fort,

Në të thella hone fundosesh ngadalë.

 

Përse më fton, kur rrugë nuk ka kund?

 

E diel 5 dhjetor 2010 ora 19:00

 

 

BLUJA E SYVE TE TU, D.

 

Shtatëmbëdhjetë të pafajshme pranvera

Tundte era mbi kaçurrelat e mi.

Melodia e qeshjes sime gazmore

Preku xhamat e barit ku rrije ti.

 

Në sy u pamë, çuditur, për një çast.

E kafenjta e syve më ngriu hutuar

Në detin blu të thellë të syve të tu.

Pastaj fluturoi mjaft e turbulluar.

 

Sërishmi u ktheva tek i qeti bar,

Por sytë blu kishin nisur udhëtimin.

Treni i jetës i çonte larg me vrap

Duke m`i lënë zemrës pritjen, trishtimin.

 

Kalërova unë në ajrin e ngrirë,

Me krahë të thyer, me ëndrra të vrara.

Gaforreditët ma copëtonin zemrën.

Blun` e thellë kërkoja, ikte përpara.

 

Kanxhat ditëgaforre më morën me vete.

Më zhytën, më nxorën në të çuditshme skela.

Çdo frymëmarrje blunë kërkonte me etje.

 

...Befas vezulloi kur më ikën pranverat.

 

Shpërthyen vullkanet, u thyen horizontet,

Çelën petalet e luleve në dëborë.

Yjtë e qiellit sytë m`i veshën dritë.

Zgjova agimet me zemrën ëndërr në dorë.

 

Sytë laj çdo ditë me blunë qiellore.

I fshi me petalet e lules dashuri.

I lutem lëndinës për pak vend të blertë,

Të mbjell aty sërishmi lastarin e ri.

 

Po ti, D. a më njohe?

 

E hënë 20 dhjetor 2010 ora 12:00

 

 

SI VETH` I NENES SE VYER

 

Me erën e lindjes erdhi pëshpërima:

“E kalofsh mirë, o shpirti im i bukur!”

Ç`perla ujëvarë m`u derdhën mbi supe?

Në tik – take zemre krahët rreh një flutur.

 

Sërish fluturoj drejt qytetit të kaltër,

Ku ëndrra e malltë m`u zgjua në shpirt.

Vrapon makina, kafshim autostrade,

Stinët e jetës rrugën ma bëjnë dritë.

 

 

JETOJ!

 

Dielli shkëlqen, ngroh, por...është kaq larg.

Rrezet do t`ia ndez me zjarrin e zemrës.

D.,ti je kudo në ajrin mbushur jetë.

Minutat nxitojnë marrosur prej dhembjes.

 

Dy retë e zeza përtej horizontesh,

Dikur na degdisën, vetë s`e dinë, ku.

Ndjenjën tonë të thyer bartën me vete,

Lotët derdhur shekujsh na afruan këtu.

 

Mos mendo, i dashur, le të rrjedhë koha.

Pjesa e saj e ndritur je veç ti tani.

Vrundujt stuhiborë, që na vijnë rrotull,

Të pavlerat ditë, bëjnë përjetësi.

 

Hiqmi syzet, D., e sytë puthmi lehtë,

Zgjomi qepallat nga letargji e gjatë.

Kthema sërish jetën me puthjen e nxehtë,

Yjtë zbrit qiellit, mes tufanit të bardhë.

 

Ti, hënë e bukur, që varesh atje lart,

Si vëth` i florinjtë i nënës së vyer,

Dëshmitare ji e erëpëshpërimës:

“E kalofsh mirë, o shpirti im i bukur!”

 

Kafkën mbaj në duar, trurin hedhur tej,

Zgavrat bosh të syve dua t`i mbush jetë.

Buzët t`i ndërtoj me pasion të zemrës,

nis udhëtimin qetë, lehtë, lehtë.

 

E enjte 30 dhjetor 2010 ora 11:58 MD

 

 

TRENDAFILIN TA ÇELIM TE DY

 

Mbi gju mbështes bërrylin, faqen në dorë.

Syzbrazur mbërthehem xhamit, bosh, memec.

Gjethet e fundit mbuloi bor` e bardhë.

Pemët, befas, u plakën menjëherë.

 

Ankthtakimi rëndë gulçon brenda meje.

Mbi gjoksin e ftohtë – trëndafil i ngrirë.

Ngrirë sy e gojë, kumtesh kanunore,

Diellin presin, akullin për të shkrirë.

 

Ç`makthe drithëruese brejnë ngadalë?

Shpirtrat e bukur i gërryejnë egër?

Pse kjo peshë e qiellit u rëndon mbi supe?

Jetëlavjerrës lëkunden në të zbehtën mjegull?

 

Pse një shpirt të vdiska pa njohur gjallimin?

Pse shekujsh kufomë është kthyer ai?

Pse kaq keq kjo botë ka nisur ndërtimin?

Mos gjehet përgjigjja, veç në marrëzi?

 

Lapsin mbaj në dorë. Ah! Natë e ftohtë,

Nxehtësinë e shpirtit shuan pa mëshirë.

Tutje flak mbulesat e shtratit të ngrohtë,

Gjithçka aty është ngrirë, ngrirë, ngrirë.

 

Anijen e vogël me të blertat ëndrra

Ktheje D. sërishmi në bregun e artë.

Shtyje të notojë mbi valë e qetë,

Dashuri përkundur nën rrezen e bardhë.

 

Lermë, ballit tënd, t`ia fshij shqetësimin,

Buzët kyçur mallit t`i mbështes aty.

Rrotullim – botës t`ia ndryshojmë kahun,

Trëndafilin e ngrirë çelim të dy.

 

A mundemi, D?

 

E shtunë 8 janar 2011 ora 23:40

 

 

PA FJALE DASHURIE

 

Nuk ish e çmendur ajo, as profeteshë.

Vetminë gëlltiste nën rreze të thyer.

Në bregun e ëndrrës luante me valën.

Asaj i fliste fjalë zemre gërryer.

 

Sytë ditën lante në të bardhën shkumë.

Supesh hidhte kaltërsinë e qiellit.

Ballin e pastër e freskonte me yjtë.

Paqësisht puthej me rrezen e diellit.

 

Plot gjuhë mësoi pa laps e pa letër.

Klithjen e sirenave, detit të qetë.

Gjuhën e zogjve cicërimë ëmbël.

Hënës i fliste me gjuhë të zbehtë.

 

Tabelën kërkoi që të gdhendte fjalët,

Valën lozonjare e preku pa ndrojtje.

Thellësive erdhi e fuqishmja dallgë,

Në gji e mori dashuri vdekja e bardhë.

 

Të padukshmet fije ia lidhi shpirtit,

Zemrën ia mbërtheu ëmbël, tinëzisht,

Me litar e lidhi rrymash të nënujshme,

Vallevdekjen mësoi të hidhte marrëzisht.

 

Si foshnje e përkundi në të bardhin gjoks,

Qeshjen makabre e përplasi brigjeve,

Torturueshëm ëmbël e tërheq sërish,

Drejt së pavdekshmes ëndërr, thellësive.

 

Pa fjalë dashurie, se dallga nuk flet,

Madhështia e saj e tërheq drejt fundit.

Dhe ajo, e lumtur, zhytet qetësisht,

Gjersa qepallat t`i mbyllë vdekjegjumi.

 

E martë 11 janar 2011 ora 00:15

 

 

HESHTJE KANCEROZE

 

Ra, u thye, u zhduk greminave,

I bardhi kristal i dashurisë.

Ditët zvarriten jetëlëpira

Nga derë e hapur e vetmisë.

 

Ra, u thye kristali i bardhë,

Embëlsisht, paqësisht, qetësisht.

Çdo ditë mërzia fshinte sytë.

Qielli zbriste poshtë çdo ditë.

 

Në dorë prita ciflat e mprehta,

Sytë e përlotur fshiva pastaj.

Kanceroze, heshtje shekullore.

Dukshëm buisën gjurmët pas saj.

 

Ciflat më prenë, më dogjën si prushi,

Të zbehtat faqe dhunuan ato.

Vazhdat e gjakut, gulshe të dhimbjes,

Si kancer mbeten, nuk fshihen dot.

 

Kërkojmë tani një lot të pastër,

Imazhet turbull notojnë aty.

Rrëshqet, tretet ky lëng i ftohtë,

Unazash kobre na lidhi të dy.

 

E martë 12 tetor 2010 ora 22:30

 

 

GJITHKUND FLLAD BLU

 

Shtyhet vjeshta pa kuptuar,

Dimri portën hap kanat`,

Struket ëndrra e mërdhirë,

Zverdhur ethesh, e pafat.

 

Vërma dorën përmbi zemër.

E dëgjon si rreh nga pak?

Regëtin në muzg të mbrëmjes,

Përpëlitet mbushur gjak.

 

Hidhmi duart përmbi supe.

A i ndien? Janë bosh.

Boshësi në muzg të mbrëmjes,

Do të tretet tokës s´ftohtë.

 

Hidhmi sytë përmbi flokë.

I shikon? Argjend janë.

Fijezat në muzg të mbrëmjes,

Do të treten më ngadalë.

 

Lërma puthjen përmbi ballë,

Buzënxehtën, flladi im.

Pastaj krahët kthe ngadalë,

Kur të shkoj gjumit pa zgjim.

 

Do të shkoj pa lamtumirë,

Nuk ta them, nuk ta jap dot.

Shpirt e trup jam veç dëshirë,

Zhytur në oazin plot.

 

Kur të zgjohem kopshtit tim,

Luleve, kur t`u marr erë,

Në aromën kundërmuese,

Ji ti, flladi im pranverë!

 

Do shijoj freski parajse,

Do prek dorën ledhatare,

Do nuhas blu – flladin tënd,

Që më kthen në yll të zjarrtë.

 

Do pres natën kur të zbresë,

Kur të fshihen yjtë reve,

Do kërkoj dritaren tënde,

Sytë e tu blu të thellë.

 

Do nxjerr zemrën kraharorit,

Zjarrin të ta hedh në deje,

Kur t`mbështjell me dritën time,

Në sup hëne do fle qetë.

 

Nata do të jetë e imja,

Do lundroj tek ti pa fund,

Si dikur në blunë e thellë,

Që shoh sot, që ësht` gjithkund.

 

Kur të zgjohesh në mëngjes,

Sytë kur të hapësh fort,

Do ta ndiesh puthjen time,

Po nuk do më shohësh dot.

 

E hënë 10 janar 2010 ora 20:30

 

 

HAP DRITAREN E SHPIRTIT

 

Tik – taket trokitën së bashku dy zemra,

Shigjetat e syve ndezën vetëtimat.

Turfullimë flatra skifterësh gjahtarë,

Sy e zemra shqyen, copash flakëritur.

 

Honesh të thella çuan prenë e tyre,

Atje ku s`ka ajër, atje ku s`ka dritë,

Uri kafshërore gëlltitën kufomat,

Mbeturinat kocka u mbetën në grykë.

 

Stinët e ftohta u zvarritën të mpita,

Egërsi e kohës fshin çdo gjurmë jete.

Po bisku i njomë, delikat, i brishtë,

Thellësive flinte, si dëshmi e vetme.

 

Dritaren e shpirtit po hap për kujtimet.

Mos më presin veç kallkan ëndrra të ngrira?

E vona vjeshtë me trishtimin e verdhë,

Veshur ka trupat, ngjyrosur ka fytyrat.

 

Hapat kalldrëmeve trokasin sërish

Kalldrëmeve larë nga shiu i yjve.

Trokitjet e zemrave ndjehen qetësisht,

Shigjetat e syve zbusin vetëtimat.

 

Me ëndrrën valsojnë, në zemër, në ballë,

Në rrugët gazmore pranverash të arta,

Të kafenjtët sy me argjendin në flokë,

Me blunë e hapësirave të kaltra.

 

Akujt ua shkrijnë kohëve të vjetra,

Por tani valsojnë hapash të ngadalta.

 

E martë 18 janar 2011 ora 03:00

 

 

E SHKULA MENTESHEN E NDRYSHKUR

 

Tingujt e jetës na rrëmbejnë me vete,

Krahëve na hedhin mantelin e bardhë.

Kupës së qartë qesh disku i diellit,

Përdore ne ecim në rrugët asfalt.

 

Dallgëzon qetë liqeni i ëndrrave,

Mjellmat krahëbardha notojnë aty.

Rrjedhin ëmbël shushurimat fjalë uji,

Ulur mbi re lëkundemi ne të dy.

 

Në supin tënd mbështes të lodhurën kokë,

Kaltërsi e qiellit hapet atje lart.

Hapi yt i sigurt dhe dora e fortë,

Portën ia çeli ylberit të artë.

 

I theva vargonjtë e rëndë, të ndryshkur,

Gjoksin i shqeva të burgut gardian.

Honeve ia hodha të zymtën natë,

Ditën e rilindjes dua ta mbaj gjallë.

 

E shkula menteshën e ndryshkur të trurit,

Që biskun e njomë e theu në mes,

E shqeva perçen e zezë të fytyrës,

Që ditën ktheu në natë pa mëngjes.

 

Zemrës do t`ia thyej muret e gurta,

Digat e saj do të shpërthej kat e kat.

Të vërshojë pranvera damarësh gjaku,

Ta shohë diellin e pritur kaq gjatë.

 

E shtunë 12 shkurt 2011 ora 00:30

 

 

ZEMREN NE SQEP IA VURA PELLUMBIT

 

Timin kraharor e hapa me tërbim,

Eshtrat e ftohta i shtyva mënjanë,

Litarët damarë preva me nxitim,

Zemrën në sqep ia vura pëllumbit të bardhë.

 

Pendët e ngrohta i përkëdhela lehtë,

Dorën e ngrirë i mbështeta kurrizit,

Embël i putha sytë e tij të zgjuar,

Lart e ngrita që të marrë fluturimin.

 

Nën sqepin e tij pikon gjak nga zemra.

Fuqitë më lënë, po shuhet dielli.

Krahët rreh pëllumbi, ngrihet në re lart,

Zemrën në sqep, kaltërsive të qiellit.

 

Trupi po ftohet, në deje po ngrin gjaku,

Qepallat e syve rrëzohen të rëndë.

Po zemra fluturon në sqep të pëllumbit,

Drejt horizontesh ku jeta është këngë!

 

E shtunë 12 shkurt 2011 ora 22:30



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora