E enjte, 18.04.2024, 04:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Poni - Ju rrëfej të vërtetat e jetës sime private

E shtune, 19.01.2008, 06:36 PM


E ndërsa prej kohësh është bërë subjekt i faqeve rozë të gazetave, duket se vetë Poni ...

Nga Manjola Bregasi

Poni

..asnjëherë nuk ka preferuar të flasë për jetën private, apo më tej akoma të komentojë ato ç’ka janë shkruar rreth saj. Impenjimet e shumta në fushën e muzikës dhe koncertet, si mënyra më e mirë për të qenë pranë fansave e kanë bërë, që shpesh të ndjejë dëshirën për të qenë e shkëputur nga jeta mediatike. Megjithatë duke qenë personazh publik, gjithsesi ajo nuk ka mundur t’i shpëtojë lajmeve, që me ose pa dëshirën e saj shkruhen në faqet e shtypit. Këngëtarja pranon të tregojë të vërtetat në lidhje me thashethemet rreth saj.  

Prej një kohë të gjatë nuk e shohim Ponin në skenën shqiptare. Çfarë ka ndodhur me karrierën tënde?

Nuk do të thoja për një kohë të gjatë. Pas Top-Festit unë kam nisur të punoj intensivisht për një album, të cilin mendoj se publiku im e pret çdo ditë. Në adresën time të e-mailit apo edhe në telefonatat, që më bëjnë pyetja e parë është pikërisht për albumin. Pra ka qenë një strategji dhe një largim i qëllimshëm nga aktivitetet muzikore në Shqipëri.

Ky është albumi yt i dytë?

Ky është albumi im i tretë me bashkëpunëtorë emra të njohur si, Edi Balili, Darko Dimitrov, Genti Lako dhe Stine. Është një album, ku do të vij ndryshe.

Ka kaluar dy vjet, që nga dalja e albumit tënd paraardhës. Mund të cilësohet një kohë relativisht jo e shkurtër?

Nuk është mirë të dalësh çdo muaj me klipe të rinj. Të paktën kjo është një këshillë profesionistësh dhe të njëjtën gjë mendoj, se bëjnë edhe artistët e suksesshëm në botë. Këtu tek ne nuk funksionon shumë kjo strategji, por besoj se ndodh ngaqë shumë këngëtarë e ndiejnë veten pa treg dhe tentojnë çdo muaj të kapin tregun duke u hedhur nga një rrymë në tjetrën.

D.m.th. ti mendon se e ke të stabilizuar tregun tënd?

Sigurisht, pa treguar egoizëm dhe mendjemadhësi dua të them se i kam hedhur themelet fort, falë punës dhe mbështetjes, që më ka dhënë publiku shqiptar.

Po me koncertet si ka qenë viti, që lamë pas?

(Qesh) Ti duhet ta dish mirë, sepse gjatë verës jemi takuar shpesh në diskot bregdetare, ndërsa për dimrin dua të them, që nuk kam pasur asnjë fundjavë të lirë. Dhe për këtë arsye ofertat në Shqipëri nuk kam mundur t’i realizoj, sepse të gjitha koncertet i kam pasur jashtë vendit. Koncerti i fundit ka qenë në Athinë më 31 dhjetor, krahas artistëve të njohur shqiptarë si Rita Lati, Gazmend Paja, Behar Mera, etj, në një sallë prej një mijë vetësh.

Kjo sepse jashtë paguhesh më mirë?

Jo. Kanë qenë data të përcaktuara më parë për koncertet. Dhe kam vënë re se publiku jashtë këngën popullore e ka vlerësuar dhe e ka mirëpritur. Nuk është çështje pagese, por kanë qenë gjëra të planifikuara. Edhe kjo është një lloj strategjie, sepse gjatë verës kanë qenë në Shqipëri, ndërsa gjatë dimrit jashtë saj. Me albumin tim të ardhshëm do të kem turne në qytetet kryesore shqiptare dhe një koncert recital në Athinë.

Do të jesh këtë vit pjesëmarrëse në Top-Fest, duke qenë se vitin e kaluar rezultuat e pëlqyer?

Jo, albumi më merr pjesën më të madhe të kohës, dhe siç e thashë do të jem e impenjuar me punën për të. Por do ta ndjek Top-Festin.

Mos ndoshta për ndonjë arsye je ndjerë e zhgënjyer nga viti i kaluar?

Jo absolutisht. Do të ndjehesha e zhgënjyer nëse publiku nuk do të më kishte mbështetur, ose do të më kishte rënë numri i koncerteve. Por kudo ku kam qenë, sallat e mia kanë qenë plot dhe për këtë falënderoj publikun dhe Zotin.

Të dalim pak nga koncertet dhe të shkojmë tek e përditshmja. Thashethemi më i fundit, që kam dëgjuar është se ke lënë shkollën…

Absolutisht  jo. Jam mënjanuar paksa, për shkak të koncerteve dhe impenjimeve, jam shumë aktive me provimet gjatë gjithë kësaj periudhe dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë. Sigurisht më kanë dhënë mundësinë edhe dekania Zamira Çavo e Mentor Nazarko. 

Është krijuar përshtypja që Poni është një labe e egër, sidomos shfaqet agresive me gazetarët. I tillë është karakteri yt i vërtetë?

E egër me ata, që thjesht dezinformojnë publikun. Jam natyrë, që nuk di të shtirem dhe i them gjërat troç. Ndoshta këtë fakt, ata që mund të më cilësojnë të tillë e quajnë agresivitet. Natyra ime është shumë e ndjeshme, shumë miqësore. E kam të vështirë të cilësoj veten, por këto dy tipare jam e sigurt që i kam dhe do i kem gjithmonë.

Meqë dolëm tek miqësia, cilat janë marrëdhëniet e tua me kolegët këngëtarë?

Më shumë kam miq në zhanrin e muzikës popullore. Me ta më ka rastisur më shumë të kem koncerte, të udhëtojmë, të hamë bashkë. Veçoj këtu Valbona Memën, Valbona Halilin dhe Sinan Hoxhën. Ka shumë këngëtarë të tjerë të cilët i respektoj për marrëdhëniet që kam me ta, por edhe për arritjet e tyre skenike.

Po armiq ke?

S’do doja t’i quaja të tillë. Por kudo ka bërryla, kudo ka njerëz që nuk duan të të shohin në shkallën ku je, por ky është problem i tyre dhe nuk do të doja t’i quaja armiq.

Ndërkohë nuk të shoh shpesh në rrugët e Tiranës apo edhe në lokalet e natës…

Nuk i kam frekuentuar asnjëherë lokalet e natës. Mundohem që kur kam pushim, të iki sa më larg zhurmës, në Vlorë, në Llogaora, në Pogradec, në Korçë ose në Voskopojë.

Dhe kush janë shoqëruesit e tu në këto udhëtime?   

Me shoqërinë dhe miqtë e mi më të mirë.

Ke ndonjë mik të veçantë mes tyre?

Edhe nëse do të kishte nuk do të ishte diçka e keqe, por ende jo.

Një zgjedhje e jotja kjo?

Pas albumit të premtoj, që do të jap diçka ekskluzive. (qesh)

Kjo do të thotë që ka diçka, por ti nuk do ta pranosh?

Jo, por ka diçka në projektet e mia. Nuk do të doja të isha gjithmonë vetëm. Edhe impenjimet kanë bërë të tyren. Pastaj ti e di se si janë burrat shqiptarë, që nëse marrin një grua duan ta kenë gjithmonë pranë vetes.

Dhe e ke menduar se çfarë do të bësh kur të kesh një burrë në krah dhe ty të duhet të lëvizësh nëpër koncerte?

Atëherë do të jem më e rezervuar. Do ta bëja një sakrificë të tillë për një marrëdhënie serioze.

Cila është gjëja që ty mund të të bëjë të dashurohesh pas një mashkulli?

Mirësia dhe sinqeriteti.

Po vetë si je në raportet në çift?

I kam të dyja këto cilësi.

Të shqetësojnë thashethemet, që thuhen për ty?

Shumë, sepse janë tendencioze. Nuk e kuptoj se çfarë fitojnë këta njerëz duke u përpjekur të dëmtojnë një imazh. Por thashetheme ka gjithandej. Mua më ka shqetësuar fakti, që kanë qenë të qëllimshme. Në media nuk është pasqyruar pjesa e arritjeve të mia muzikore, që gjithçka e kam falë punës, por janë marrë me shtrembërime dhe të pavërteta.

I tillë ka qenë edhe lajmi për shtatzëninë?

I tillë ka qenë edhe thashethemi për shtatzëninë, i tillë është lajmi i një jave më parë, që unë nuk kam qenë e ftuar në asnjë koncert, e të tilla gjëra të ngjashme.

Njëkohësisht kanë qarkulluar fjalë se ke pasur lidhje me një politikan shqiptar...

Nuk kam pasur nevojë për një lidhje të tillë. Këto janë thashetheme të shëmtuara, që i fabrikuan të paaftët dhe dashakeqët, por prapë nuk më ka interesuar. Gjithmonë kam parë përpara dhe i kam shkelur me këmbë thashetheme të tilla. Më duhet të mendoj se me çfarë do ta surprizoj publikun këtë verë. Nuk kam kohë për të humbur. Një gazetë që shpifi në këtë drejtim është në proces gjyqësor me mua. Dua që këtyre gazetarëve që shkruajnë të pavërteta për mua t’u them që herë tjetër të më pyesin mua për lajmet rreth Ponit.Do t’i informoja me kënaqësi. 

Kanë ndikuar këto gjëra në karrierën tënde?

Do të shqetësohesha më tepër nëse do të ndikonin tek publiku dhe fansat e mi. Por ata, që më njohin nga afër më kanë vlerësuar dhe më kanë dhënë vendin që meritoj. Nuk dua që fansat e mi të zhgënjehen nga të tilla shkrime, sepse janë të shtrenjtë për mua.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora