E enjte, 28.03.2024, 05:14 PM (GMT)

Kulturë

Vullnet Mato: Ngatërresa e pandreqshme

E shtune, 19.02.2011, 06:36 PM


Vullnet Mato

 

NGATËRRESA E PANDREQSHME

 

Tregim

 

Shkurtimi ka qenë kurdoherë mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë e shqiptimit të emrave, për të mos lodhur gojën me zgjatime rrokjesh të panevojshme. Por jo gjithmonë kjo mënyrë thirrore ka gjetur mirëkuptim mes njerëzve.

           Dy kushërinjtë e parë me emrat Gracen dhe Hysen, thirreshin shkurtimisht “Cen”, nga të gjithë në fshatin Prevallë të Çermenikës. Fjala vjen: O Cen ! - ou !- njëri. O Cen ! - Eu bre! - tjetri.  Kushërinjtë Cen, si djem të baballarëve vëllezër, kishin pamje të ngjashme, por karaktere krejt të ndryshëm.

             Cen - Graceni tridhjetëvjeçar ishte bari me një tufë dhi. Përveç cilësive të tjera, njihej nga të gjithë për sjellje të ngjashme me një cjap përçor të shkathët e të harbuar nëpër rrëpira shkëmbinjsh e përrenj të mbuluar me shkurre të gjelbëruara. Duke qenë kësisoj edhe pak allçak në përgjigjet që u jepte të tjerëve, ai dukej sikur i priste fjalët me latoren që mbante në dorë për të prerë degë të gjethuara, me të cilat ushqente dhitë. Fshati e mbante në gojë për shpotitë e tij me të cilat shkuleshin gazit. Një bari që ruante dhitë e shtëpive të lagjes së poshtme, i kërkoi cjapin e madh për të ndërzyer kopenë. Cen Graceni ia dha dhe i tha me ironi: “ Për këto punë në lagjen tuaj, unë s’kam kursyer veten time, jo të kursej cjapin!...” 

              Krejt ndryshe Cen - Hyseni njëzetegjashtëvjeçar ishte një pendar i urtë dhe i pa djallëzuar, që me majën e hostenit nxiste lehtas vithet e qeve për të hapur brazdat e taracave në lartësitë malore të fshatit. Kur ai mbaronte plugimin e tokave të familjes së vet, u ndihte me pagesë edhe fshatarëve të tjerë që nuk kishin pendën e qeve te dyzuar. Madje hakun e punës nuk ua kërkonte me para në dorë, por me një sasi të arsyeshme bereqeti, kur ata vilnin prodhimin.

             Erdhi koha kur i ati i Cen - Hysenit, dërgoi mblesin në fshatin Zdrajshë të anës perëndimore të vargmalit të gjerë. Dhe pasi Cen bujku i hodhi një sy të shpejtë nuses bukuroshe të lavdëruar nga mblesi dhe i gjithë farefisi, u lidh fejesa. Ndërsa për Cenin bari, megjithëse ishte më i madh në moshë, ende nuk po gjendej nuse. Vonesa kishte ndodhur, jo për shkak se ai ishte disi allçak, pasi në fshat ishte martuar edhe ndonjë torollak me torollaken që meritonte të njëjtin fat. Por sepse Cen bariu nuk kishte pëlqyer çdo lloj vajze. Ai thoshte se e donte nusen, përveçse tepër të bukur, edhe të mos kishte hipur asnjëherë në makinat apo autobusët që përshkonin rrugën automobilistike përfund luginës. Pasi qarkullonin fjalë, se të rejat bukuroshe të fshatrave të thellë malorë u besonin paksa si tepër shoferëve, me të cilët shpresonin se mund të martoheshin në qytet.

             Pas gjashtë muajsh fejesë, pa arritur të shkëmbehen takime të dhëndrit me nusen e largët nga Zdrajshi, u pre dita e dasmës më 14 shtator. Së fundi ishin plotësuar gatitjet familjare dhe nusen e sollën në Prevallin majë malit me një kalë të bardhë, të cilit i kishin shtruar mbi samar një velenxë të leshtë me xhufka. E shoqëruar me pak krushq, ajo ishte stolisur fund e krye me një mori xhingla minglash, të cilat tringëllinin hareshëm, sa herë kali hidhte hapat nëpër rrugët e ngushta drejt majëmalit. Kishte veshur xhoke leshi të hollë me ornamente shumëngjyrëshe, jelek të punuar me fije ari dhe ishte mbuluar me një shami mëndafshi të shtrenjtë. Nusja u prit në shtëpinë e Cen bujkut me tri daulle zhurmëmëdha, me lëkura dhie të shtrënguara fort, që jehonin deri tutje luginës. Më pas ajo u vu pranë oxhakut në konakun e grave të nusëronte siç ishte zakoni e mbuluar me napë të bardhë.

Rretheqark shtëpisë, burrat e ftuar kërcenin valle dyshe dhe ngjanin me ato luhatjet e tyre krahëhapur, sikur çifte shqiponjash provonin fuqinë e flatrave të njëra-tjetrës nën klithmat e pipëzave dhe kumbimin e daulleve që gufonin pareshtur mbi gjokset e tyre. Prapa shtëpisë piqeshin në hell tri dhi dhe katër kecër të njomë për meze. Terjaqinjtë e rakisë prej kumbulle te dhoma e burrave, të shtruar këmbëkryq, përcillnin te njeri tjetri dollitë me shume shëndete dhe këndonin me fytyra të kuqëluara.

           Dy baballarët vëllezër, kishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që dasma e Cenit të parë në familjet e tyre vëllazërore të mbahej mend nga i tërë fshati. Dhe ashtu po ndodhte vërtetë, sepse ushqimi i bollshëm, rakia që derdhej lumë dhe hareja gjëmimtare, nuk pushuan deri vonë. Me afrimin e mesnatës, kur kumbimi i daulleve dhe rakia kumbullore ua kishin bërë dasmorëve kokën daulle, dy burrat e ngarkuar nga i zoti i shtëpisë, shkuan të futnin dhëndrin te konaku, ku do të flinte me nusen. Ata u ndalën te korridori i errët para derës, ku pritej Cen bujku të provonte plorin e parmendës së vet te nusja e re dhe e thirrën çakërrqejf:

        - Or Cen !

        - Ou ! - u gjegj Cen bariu, i ndodhur aty pranë me gojën e lëngëzuar, pasi kishte hedhur një sy te e çara e derës, në çastin kur nusja e kushëririt po zhvishte rrobat e rënda të dasmës, duke zbuluar kofshët e rrumbullta për të veshur këmishën e natës. 

        - Eja këtu, or qafir, se s’kena lanë vend pa të kërkue!  - Dhe me sytë të turbulluar e pa i kërkuar shpjegime më tej në atë errësirë korridori, ata e kapën për krahësh dhe e shtynë me forcë brenda dhomës me dopjoshtratin e shtruar të nuses. Pastaj njëri nga burrat çakërrqejf, që kishte drynin në dorë, mbylli derën, futi çelësin në xhep dhe i tha Cenit nga e çara mes kanatave:

          -Veni rezen e hekërt derës nga brenda dhe hajt me nji kokorroç mashkull në krye të vitit!

Pastaj të lehtësuar për detyrën e kryer, ata shkuan të vazhdojnë orgjinë e shëndeteve që kishin lënë pa përfunduar.

          Daullet jehonin pa pushim dhe njerëzit nën çatitë e dy shtëpive gëzonin. Pas kalimit të mesnatës, njëri nga burrat çakërrqejf, që futën dhëndrin te nusja, shkoi te zjarri ku piqej keci i fundit për sofrat kryesore të konakut të burrave. Dhe kur dalloi aty Cen bujkun, teksa përtypte një copë mish të ofruar nga pjekësit para se te futej te nusja, gati sa nuk i plasën sytë e nuk luajti menç! Një çast dyshoi se mos ai kishte dalë i zhgënjyer nga dëlirësia e vajzës, me të cilën ishte martuar. Por kur pa se dhëndëri po përtypej me oreks të madh e pa kurrfarë shqetësimi në fytyrë, e pyeti me ankth: 

           -Cen, mor jahu, pse paske dalë prej konakut të nuses?

           Cen bujku hapi sytë para zjarrit bubulak, sa iu dukën kokërdhokët si dy qershi të kuqe nga habia.

           -S’kam shku ala ke nusja, or burrë i dheut, ça je tue thanë?...

           Burri i u mendua një çast duke u bërë krejt esëll nga tronditja dhe pa lënë shkak për sherr mes dy Cenëve, vrapoi te dera e nuses. 

           - Or, Cen !?

         Heshtje. Asnjë pipëtimë brenda konakut nusëror.

          - Or, Cen, dil shpejt, se të kena fut kabim !

          Heshtje....

          - Dil, or Cen, se për atë zot, je tue ba gjynah, nusja nuk ashtë jotja, po e kushërinit tat!      

         Asnjë përgjigje.

         - Çil rezen e derës, or budall, se kena lan nam pa dashun!

        Më në fund zëri i Cenit allçak u dëgjua si përmes një qypi:

        - Ku di gja unë, vetë më keni futë!...

        - Kena hangër, me nder, m...

        - Ju baftë mirë, pra!- u gjegj ai me gjuhën e vet allçakçe.

        - Dil, shpejt, po të thona, or damaluk, se po na merr në qafë kotnasikot!

        - Nuk dal, për atë zot, jo!... Na të dy me nusen i kena ba adetet të tana e s’kena faj!... Vetë na keni bashkue me forcë. Kjo nuse tash ashtë fati i em dhe unë fati i saj!...

            Pa menduar të shqyej derën në mënyrë skandaloze, ai shkoi i pëshpëriti në vesh të zotit të shtëpisë për hatanë e madhe që kishte ndodhur:

           -Ça ka ba katuni që i ka thirr të dy çunat Cen e ça kena ba na dy budallët që i patëm lanë sytë ke faqorja e rakisë...

            - Hë, pra fol, ça keni ba!?- shqeu sytë nga habia babai i dhëndrit.

            - Ka dy sahat kena fut ke nusja Cenin tjetër, që na shpëlaftë mortja!...

            - Ku ashtë Ceni im? - pyeti ai i tronditur.

            - Te zjarret, tue hang mish!...

Dy baballarët vëllezër u tërhoqën mënjanë krejt të mahnitur dhe e pleqëruan ngjarjen me gjakftohtësi vëllazërore. Së fundi, mes gjëmimit të daulleve i dhanë dorën njëri-tjetrit, pa alarmuar dasmorët dhe thirrën dhëndrin pa fat. E bindën atë, se kjo ishte një ngatërresë që nuk mund të ndreqej kurrsesi me sherr e mëri në vëllazëri. Por do të zgjidhej shpejt, duke i gjetur atij një nuse tjetër brenda vjeshtës. Dhe i thanë të vazhdonte tani të hante mish të pjekur, se këtë nuse e paskish pasur fat Ceni që pëlqente mishin e gjallë. 

          Dasmorët festuan të kënaqur dhe në të gdhirë u shpërndanë pa marrë vesh se në atë dasmë ishte martuar Cen allçaku i shkathët. Ndërkaq, bariu ndjehej i lumturuar fund e krye, me bindjen e plotë të provës, se nusja nuk kishte hipur në asnjë mjet me katër rrota. Por atij i kishte ardhur keq vetëm se nga ajo dasmë iu pakësua tufa e dhive.

          Nusja syzezë e vetullzezë u tha grave të nesërmen në drekë, se nuk do të kishte dashur një Cen ndryshe nga ai që pati fat dhe nuk i kishte mbetur merak për të parin, përderisa atij nuk ia mbante mend as fytyrën.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora