E shtune, 20.04.2024, 03:10 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Hapat e ndjenjës për poezinë

E premte, 18.02.2011, 08:59 PM


 

HAPAT  E  NDJENJËS  PËR  POEZINË

 

Në Elbasan, në promovimin e vëllimit poetik "Regëtima e gjethes" të  avokatatit me banim në qyetin e Durrësit Sami Velçani.

 

Nga PËLLUMB GORICA

 

Jeta ikën por libri mbetet dhe bashkë me të edhe kënga e shpirti i poetit. Në vitet më të bukura të jetës i përkushtohemi, penës, muzës për të lënë emrin tonë edhe mbi kopertinën e një libri. Botimi i një libri të ri është një festë për autorin dhe komunitetin krijues, por edhe për kulturën dhe shoqërinë që e përfaqëson. S’ka gjë më të bukur kur krijuesit mblidhen, diskutojnë e promovojnë krijimet e tyre. Është kënaqësi të jesh pjesë e gëzimeve të tilla. Ato janë si flakë të ngrohta shpirtërore. Krijuesit e klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” në Elbasan kanë krijuar një traditë të bukur në organizimin e promovimeve të librave. Sigurisht meritojnë fjalë përgëzuese për këtë traditë të tyre. Do të theksoj një veçori interesante për këtë klub, të promovimit të librave edhe të autorëve nga qyteteve të tjera si Ulqini, Shkupi, Pogradeci, Durrësi, Tirana, Librazhdi, madje, dhe nga Spanja. Kujtojmë këtu promovimet e suksesshme të shkrimtarit Resul Shabani nga Shkupi, poetit Hajro Ulqinaku nga Ulqini, shkrimtarit Rifat Dajti nga Tirana, poetëve Eduart Sulollari nga Pogradeci, Ymer Nurka nga Durrësi, Artan Almeta nga Librazhdi e të tjerë.

  Në një mjedis të bukur të periferisë së Elbasanit, në një nga këto ditët e shkurtit, Sami Velçani, poet me banim në Durrës, mes miqsh e dashamirës, me magjinë e fjalës, promovoi vëllimin e dytë poetik “Regëtima e gjethes”.

 - Zgjodhëm Elbasanin e kulturës për të promovuar këtë libër të shkruar me pasion nga Samiu, - tha autori midis të tjerash.

   Natyrisht fjala e parë  në këtë takim mbresëlënës e Nikolla Spatharit, kryetarit të Unionit shkrimtarëve të Durrësit ishte një përgëzim kuptimplotë për  Elbasanin me tradita kulturore dhe  krijuesit e këtij qyteti, por edhe mesazhin përçues që ka libri në kulturën e shoqërinë tonë.

   Promovimi i vëllimit poetik “Regëtima e gjethes” i Sami Velçanit ishte një festë e bukur ku nuk munguan vështrimet poetike rreth risisë së autorit, urimet, por edhe kënga, vallja, bisedat, humori që i bëjnë këto takime interesante. Përshtypjet dhe mbresat janë të shumta sa është e vështirë t’’i përmbledhësh në pak radhë. Do të përshkruajmë çastet më kulmore, duke shprehur edhe njëherësh kënaqësinë mes miqsh të penës e fjalës. Ndihesh tejet i ngazëllyer e i mbushur me emocione në kësi takimesh e mjedise të ngrohta, sa që s’ka se si të përshkruhet sidomos kur njihemi fizikisht me të tjerë krijues, botues, kur mësojmë për pasionet e tyre, shkëmbejmë libra, mendime për poezinë  e artin në përgjithësi.

   Poetë, shkrimtarë e studiues shfaqën mendimet e tyre për stilin dhe rrafshet gjuhësore të vëllimit poetik “Regëtima e gjethes” të Sami Velçanit. Thuajse të gjithë, në fjalët e tyre, vlerësuan, përgëzuan autorin, por edhe recituan poezi nga krijimtaria e tij. Ata nuk ngurruan që të shprehin edhe ndjesitë që kishin marrë për secilën poezi të këtij vëllimi, duke vlerësuar shpirtin poetik të autorit dhe forcën shprehëse të metaforave. Por shfaqën edhe kritika të natyrshme, të cilat ishin të pakta në krahasim me vlerën e librit. Kryesorja çmuan pasionin e Samiut me fjalë zemre, se fjalët asnjëherë nuk duhet të mungojnë dhe se zakonisht ato janë interesante edhe duke e uruar për suksese të mëtejshme në rrugën e vështirë e të bukur të artit.

   Vëllimi poetik “Regëtima e gjethes”  i poetit Sami Velçanit vjen pas vëllimit me poezi “Kënga e Arabasë së vjetër” dhe është një prurje tjetër e këndshme e tij me vargje prekëse e plot me ndjenja. Profili i poetit bëhet më i plotë në tematike, në stil dhe në rritjen artistike edhe me botime të tjera dhe vëllimi i ri i gërshetuar artistikisht me një larmi, shpreh emocione të tjera poetike të autorit. Vëllimi është shkruar me vargje të bukura, të strukturuara me ndjeshmëri të lartë, të rrjedhshme dhe me ëmbëlsi shpirtërore. Poezi me intensitet mendimi, ngjyrime, ndjenja, reflektime jetësore dhe unike. Me ngarkesën emocionale dhe pasionin për të vargëzuar mrekullisht, poezitë e Samiut, të japin me të vërtetë kënaqësi kur i lexon, por sigurisht edhe të  nguliten në mendje për të mos i harruar. Është pasqyruar ajo ç’farë e ka trazuar botën e poetit.

E veçanta e këtij vëllimi është se poeti me vargje prekëse e qartëson dhe e bën më  të ndjeshme dhimbjen në shpirt.

Nëse vërtet ka një jetë pas kësaj, unë do të gjej aty në parajsë. S’besoj të lodhem shumë sepse do të gjej menjëherë nga sytë e tu të bukur që harkonin ylbere”.

   Me këto fjalë nis autori vëllimin poetik “Regëtima e gjethes”. Dhe dhimbja e poetit është po aq e madhe sa ç’është dhe dashuria për njerëzit që kemi dashur e janë ndarë nga ne.

  Një vështrim stilistike të vëllimit poetik “Regëtima gjethese” të Sami Velçanit  e paraqiti Agim Bajrami, i cili shpalosi aftësinë artistike e poetike të autorit. Janë poezi të mrekullueshme me figura, simbole, krahasime e ngarkesa të veçanta lirike. Ai ndalet gjatë edhe në vlerat e librit dhe i uron që ai të njohë vlera të reja të krijimtarisë së tij letrare. Duke mbyllur fjalën ai recitoi  një nga poezitë  e këtij vëllimi që i kishte lënë më shumë mbresa.

   Poetesha Beatriçe Balliçi me fjalë të zgjedhura, i bën një vlerësim të veçantë librit. Ajo theksoi se poezia e poetit Sami Velçani  është një prurje me vlera të mëdha estetike dhe stilistike. Nuk mund t’i qasesh poezisë pa pasur aftësi për të vargëzuar dhe Samiu është një poet që imazhet e ngulitura në mendje i ka sjellë në format e dëshiruara.

   Si përherë në takime të tilla poetike, shkrimtari Kujtim Agalliu shpërfaqi edhe këtu tërësi mendimesh për mesazhet që japin librat dhe organizimi i promovimeve të tilla mes krijuesve. Në endjet e tyre, duke lëmuar ndjenjat, poetët gërmojnë në labirinthet e shpirtit të tyre. Çdo poezi Samiu e ka veshur me ndjenja ku depërton mendimi i thellë, ngrohtësia e zjarrit të shpirtit.

   Fatmir Musaj vlerëson prirjen e autorit drejt fabulës poetike, mesazhin, deduksionin, ritmin, që sipas tij diku le edhe për të dëshiruar.  Vëllimi poetik  ka detaj motivin e gjethes e që është konkretizuar me titullin “Regëtima e gjethes”. Po ashtu ai vlerëson ndijimin poetik, brendinë e metaforave të shumta të këtij vëllimi poetik si: “brenda vetes ngre stuhi”, “qeshja e tyre si pasqyrë e thyer”, “me mushkërinë e gjetheve do marr frymë”, ’ky fllad që vdes”, “edhe në ëndërr je mbret”etj.

  - Janë bashkuar njerëz të mençur e po flasin për poezinë. - Kështu e nisi fjalën e tij poeti e studiuesi Namik Selmani. Më pas me një analizës së hollësishme përmblodhi vlera të tjera të këtij botimi. Samiu është një poet që di të qëmtoj të bukurën. Një detaj që bën ta vlerësosh është se poezitë kanë gjeografi. Aty është Kumanova, Ohri, Tetova, Berati, Durrësi, Lezha, Korça, Sharri… Ai veçoi krijimet që ja kushton Çamërisë si poezitë më të bukura të këtij vëllimi dhe si një lidhje shpirtërore e autorit me këtë dhimbje. Në fund të fjalës për kënaqësi i dhuroi autorit librin e tij “Pesha e qiellit të vendlindjes”

  Shkrimtari pogradecar Istref Haxhillari, ndër të tjera, tha se krijimtaria e Samiut ka një lirshmëri befasuese. Poezitë e Samiut të emocionojnë. Janë të ngrohta, mbresëlënëse.

  Studiusi dhe shkrimtari Daut Hoxha në fjalën e tij të thjeshtë e të bukur radhiti përkushtimin, vlerat e poetit edhe si qytetar. Pastaj siç e ka zakon me tonin e tij plot inteligjence e finesë shprehu një lum fjalësh përgëzuese për librin. Veçoi poezinë “Varrezë mjerane”. -Pavarësisht nga nota e dhimbjes,- theksoi ai - poezia është realizuar me gjetje.

  Kanë evidentuar më tej vlerat e poezisë së Sami Velçanit dhe vëllimit të tij poetik  studiusi Ilir Mborja,  poetët Eduart Sulollari, Alfred Molloholli, miqtë e poetit Murat Protoduari, Naim Kërçuku. Në çdo fjalë të tyre me pasion dhe konsideratë u shprehën mendime, vlera, përgëzime, ndjenja dhe emocione nga leximi i librit. Recitimet e poezive nga Alfredi i japin freski ambientit dhe fitojnë duartrokitje të tjera.

  Autori me fjalët e tij të thjeshta e emocionale flet shkurt. Falënderon miqtë krijues, mendimet e tyre për librin e tij, kënaqësinë e takimeve të tilla, që janë një shprehje e mirëkuptimit, dashurisë, respektit dhe tolerancës, mesazhe këto që japin njerëzit e penës dhe u premton se së shpejti do të jetë përsëri pranë tyre me krijime të tjera.

  Këngëtari Naim Kërçuku nis e këndon. E shoqërojnë e Nikolla, Joani, Beatriçja e me respektin që të imponon interpretimi i këngëve ndjen emocione të tjera. Një moment tjetër i bukur i takimit është kur nën ritmin e muzikës u ngritën të vallëzojnë në ambientin e lokalit.

  Koha kalon gëzueshëm dhe pasditja na largon me urimin për t’u mbledhur në takime të tjera të gëzueshme me sa më shumë promovime librash.  

  Mbyllet sipari i kësaj feste me foto në mjediset e lokalit, që i shtojnë të tjera vlera promovimit. Ato janë kujtime të vyera. Mbresa të paharruara.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora