Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Rama: Kalvari i shqiptarëve që nuk donin të tjetërsoheshin

| E merkure, 16.02.2011, 08:48 PM |


Kalvari i shqiptarëve që nuk donin të tjetërsoheshin

 

Nga Luan Rama

 

Jean Faveyrial është bërë tashmë i njohur me botimin në frëngjisht dhe shqip të librit të tij Historia e Shqipërisë, në sajë të punës së palodhur të studjuesit të njohur Robert Eltsi, i cili pas kërkimeve në selinë e Lazaristëve të “Saint-Benoît” në (Stamboll), Konstantinopojë, e gjeti dorëshkrimin e tij në selinë qëndrore të “Urdhërit të Saint Viecent de Paul” në Paris. Unë pata fatin të njihem me drejtuesin e arkivit Claude Lautissier, i cili me një përkushtim të veçantë më hapi dyert e arkivit për të studiuar jetën e këtij personaliteti të Kishës lazariste në trojet ballkanike. Dhe ja, në duar, një tekst i shkruar nga Faveyrial, më befasoi për historinë që ai tregonte dhe që hidhte dritë rreth përpjekjes së shqiptarëve në mesin e shekullit të XIX-të që të islamizuar dikur me forcë kërkonin tashmë të riktheheshin përsëri në fenë e origjinës: kristianizmin. Tragjedia e tri fshatrave të veriut shqiptar, (zona Mbishkodrës) i tregoi Perëndimit të asaj kohe këtë pjesë të identitetit shqiptar, të cilët njerëzit e thjeshtë luftonin ta ruanin si gjënë më të shenjtë, duke e paguar dhe me jetën e tyre. Histori rrënqethëse, e denjë për një film, çka dëshmon atë që pak evropianë e kishin kuptuar në atë kohë, kur ata gabimisht e konsideronin Shqipërinë si tokë të Islamit. Edhe pse me emra islamë, shqiptarët i ruanin ritet e kishës latine, festonin festën e Shëngjergjit, Shën Markut, etj, madje dhe festat e tyre pagane, çka ishin rrënjosur në identitetin shekullor të tyre. Ritet e vjetra, kanunet dhe besytnitë e tyre, ishin pjesë e një kulture pellazgjike dhe paralele të “Homeriadës” së Homerit të madh, të cilën do ta kërkonte gjatë udhëtimeve të tij në veriun shqiptar, studjuesi i madh francez Albert Dumont, në vitin 1871. Përse ata shqiptarë pranuan më mirë kalvarin se sa tjetërsimin? Ja si e ka rrëfyer këtë ngjarje historike At Faveyrial më 1 janar tê vitit 1870, me atë shkrimin e tij të vogël, që vështirë ta deshifrosh menjëherë.

 

Kujtesë historike

 

“Kujtesë historike mbi familjet shqiptare të persekutuara dhe të syrgjynosura për shkak të fesë, më 1845-1846”. Për këto shënime që duhej t’i plotësoja, m’u desh të kem një korrespondencë të gjatë me kolegët tanë dhe “motrat” (“suorat”) që ende janë gjallë, të cilat ishin dëshmitare të fakteve që do të tregojmë. Tani që i kam këto dokumente, po i rendis të gjitha. Për këtë do të përdor dhe disa fakte të përmëndura nga vepra e të ndjerit z. Hecquart, konsulli francez i Shkodrës, të cilat i referohen aktorëve të asaj barbarie. Sipas kolegut tim Bonnieu, ja cili ishte shkaku fetar që bëri të nxisë mizorinë e turqve. Një shqiptari, një kristiani të hershëm që gjëndej në Konstantinopojë në vitet 1844 apo 1845, i kishin thënë se një epokë e re kishte filluar për të dhe të krishterët e tjerë të Perandorisë otomane dhe se liria e ndërgjegjes ishte proklamuar. Këtej e tutje çdo njeri ishte i lirë të përqafonte fenë që donte. Por pse u përhap një lajm i tillë? Kolegu ynë nuk thotë asgjë rreth kësaj dhe sigurisht nuk dinte gjë. Por nuk ishte si shkak i Kartës së “Gul-bané”-së, pasi ajo ishte botuar që më 1839. Por shkaku, të paktën në dukje ishte ky : Më 1844, një armenian skizmatik (ortodoks), i quajtur Ovakim dhe që na ishte bërë musliman, u kthye sërish në fenë kristiane. Por meqë u zbulua dhe u denoncua, ai nuk pranoi të rikthehej në musliman dhe atëherë e vranë. Nëse pas ekzekutimit, trupin e tij do ta hidhnin në Bosfor ky fakt nuk do të bënte zhurmë. Por atë e ekspozuan në mes të pazarit, çka ishte një fyerje e madhe për kristianët. Ky akt i dyfishtë fanatizmi dhe talljeje e ndyrë, e preku gjithë Konstantinopojën. Përfaqësuesit e opinionit publik, ambasadorët dhe veçanërist ambasadori i Anglisë, Lord Stratford Canning, i bënë kritika të forta qeverisë turke. Ata madje kërcënuan për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, nëse nuk premtonin se akte të tilla intolerance nuk do të përsëriteshin më. Dhe Abdul-Mexhid premtoi dhe u angazhua se askush nuk do të vritej për punë feje. Por ja motivet për t’u çjerrë maskat këtyre njerëzve të errët. Shqiptarët nuk i vranë, por i internuan. Sidoqoftë, kur shqiptari që ishte në Stamboll u kthye në shtëpinë e tij, ai tregoi për atë çka flitej ato kohë për fenë. Dhe meqë të gjithë në shpirt janë kristianë, ata u deklaruan hapur se çfarë janë në të vërtetë. Një prift, i quajtur Antonio Markoviç, i cili njihej prej tyre, i përkrahu në vendimin që kishin marrë. Madje u premtoi se do t’i ndiqte kudo që do të shkonin. Sapo vendimi u muar nga shqiptarët, ky vendim iu dërgua peshkopit të Prizrenit, i cili më duket ishte z. Bogdanoviç. Figura e tij e rëndësishme nuk i bëri të heqin dorë, por peshkopi ua bëri të qartë pasojat e një ndërmarrje të tillë. E megjithatë përfaqësuesit e shqiptarëve nuk u tundën nga e tyrja: “Ne jemi të krishterë, - thanë ata. - Çfarëdo që të na bëjnë, ne do të mbetemi të tillë. Nëse do të shuhemi të gjithë, le të shuhemi, nëse duhet të vdesim, le të vdesim!” Kur ata i çuan tek pashai i Prizerenit, shqiptarët dhanë të njëjtat përgjigje. Më kot pashai i shau dhe i nxorri në mes të këshillit, duke i fyer me tërbim. Edhe pse i qëlluan me gurë, ata mbetën në fjalën e tyre? Meqë shiheshin keq nga turqit, veprimtaria e këtyre shqiptarëve bëri që ata të mbështeteshin e të mbroheshin nga bashkëpatriotët e tyre të paditur. Shpejt, shumë prej tyre donin ta ndiqnin këtë shëmbull. Pikërisht atëherë, harbimi i turqve s’pati kufi. Autoritetet, në vend që të qetësonin gjakrat, i ndezën më keq ato. Guvernator i Përgjithshëm i provincës ishte atëherë Hafez-Pasha. Nuk e di nëse ai qëndronte në Shkup apo në Prizeren. Por Zoti Hecquard shkruan si duket pa u konsultuar me Portën e Lartë. Në fakt, nuk kishte pse të ndodhte kështu pasi një guvernator, sado i fuqishëm të ishte, nuk mund të internonte kaq shumë familje, për më tepër nga Evropa në Azi. “Sido që të jetë, të hequr me forcë nga shtëpitë e tyre, këto familje u çuan në Shkup”, - thotë Hecquard. Që andej, ku gjatë gjithë rrugës ata u keqtrajtuan nga shoqëruesit e tyre, familjet shqiptare i hodhën nëpër qeli, ku u desh të duronin torturat dhe urinë. Plot dhëmbshuri e besnikëri, At Markoviç i ndoqi pas dhe bënte gjithçka për të lehtësuar vuajtjet e tyre. Disa ditë më pas, pleqtë e fshatit u dërguan në gjykatë që çështja e tyre të shqyrtohej. Pa u trembur fare nga turqit, të gjithë deklaruan se ata ishin kristianë dhe dëshironin të vdisnin të tillë. Të fyer nga kjo vendosmëri, Hafez-Pasha i Skodrës urdhëroi që ata t’i torturonin. Por meqë nuk i theu dot, ai nxorri një dekret dhe i syrgjynosi në Anadoll, duke konfiskuar dhe pronat e tyre, të cilat u shitën në favor të arkës osmane, apo siç thonë të tjerë, kanë shkuar me siguri në arkën personale të pashait. “Ishte e pamundur të përshkruash trishtimin e madh të atyre familjeve të mjera, të cilat ranë prehë e fanatizmit musliman”, - shkruan konsulli Hecquart. (- Pleq, gra, fëmijë shkuan në këmbë drejt vëndit të syrgjynosjes, duke e përballuar me guxim lodhjen, edhe pse përtej forcave të tyre, të ndihmuar kështu nga apostulli i Krishtit, Markoviç, i cili u fliste për një të ardhme më të mirë dhe shpërblimin e përjetshëm për të gjitha vuajtjet e tyre”. Kështu shkruan Hecquart. Sipas “motrave” tona Bernardine dhe Marie, nuk ishte vetëm një fshat që u deklarua i krishterë, por tri fshatra. Sipas tyre, disa i mbajtën në burg që nga nëntori i vitit 1845 gjer në shkurt të vitit 1846. Dhe meqë torurat nuk e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre, Hafez-Pasha nxorri dekretin e syrgjynosjes. Pra të burgosurit u vunë në rrugë: ata në këmbë dhe shoqëruesit e tyre në kuaj, ku gratë ishin veçmas burrave, dhe të trajtuar në mënyrën më barbare. Nga Shkupi në Selanik, udha e të syrgjynosurve ishte e lodhshme dhe sjellja e zaptijeve aq barbare, sa shumë nga malsorët vdiqën, disa në rrugë, të tjerët kur mbërritën në Selanik. Katër gra lindën rrugës. Në portat e Selanikut, një fëmijë të sapo lindur e hodhën në det. Ndërsa priftin, ushtarët e kishin nisur veçmas drejt Konstantinopojës. Një prift nga Syra, i cili sot është kolegu ynë dhe që quhet Leonardo Vaçandio, atëherë ishte në misionin tonë në Selanik. I informuar se një numër familjesh katolike shqiptare gjendeshin në atë han ku i kishin vendosur, të privuar nga gjithçka dhe ku shumë prej tyre rrezikonin të vdisnin, ai nxitoi t’i shikonte. Por asgjë nga sa flitej nuk ishte e ekzagjeruar. Dhe ja pse ai shkoi t’i tregonte për këtë konsullit të Francës dhe të Anglisë, miqve të tij, për atë çka kishte parë e kishte dëgjuar. Konsujt i folën guvernatorit të qytetit dhe meqë kjo ngjarje po bënte zhurmë në Selanik, ai nxitoi t’i hiqte që andej të syrgjynosurit. Njëri sipër tjetrit ata i hodhën në një anije që do t’i çonte në Mudania, në detin e Marmarasë. Duke parë këtë, shumë familje katolike, në kohën që prifti Vaçandio bënte lutjet e tij, shkuan dhe mblodhën me nxitim një sasi ushqimesh, të cilat i sollën në kuvertën e anijes. Por me një barbari e mizori të pashoqe, ekuipazhi i anijes i mori ato për vete. Pesë apo gjashtë ditë që këta besimtarë do të qëndronin në Selanik, u vizituan nga prifti Vaçandio, i cili i ngushëllonte dhe i ndihmoi përmes familjeve katolike që banonin atje. Dhe kur ata ikën, ai nxitoi t’i shkruante Monsinjor Hillereau-së, vikarit apostolik në Konstantinopojë. Ai në fakt donte t’i mbante në Selanik ata që ishin sëmurë, por guvernatori kundërshtoi. (Mund të shtojmë se Viçandio ishte nga të parët që shkoi te guvernatori për të mos i lënë më në atë gjendje, ata katolikë, të cilët ishin pa ushqime të mjaftueshme, flinin në tokë të zhveshur dhe ishin të keqtrajtuar nga gardianët). Me gjithë kundërshtimet, me kurajo dhe i mbështetur nga konsulli i Austrisë, Mikanoviç, një katolik i zellshëm, kolegu ynë hyri disa herë në atë han që ishte kthyer në një lloj burgu. Ai i mblodhi të rrëfehen dhe u kujdes për ata që po vdisnin, i varrosi të vdekurit dhe bekoi disa martesa mes tyre. Mëshira dhe kujdesi i tij u bënë të njohura mes katolikëve të qytetit, ku atyre të syrgjynosurve u sollën veshje, ushqime e shtroje për të fjetur, të nevojshme për atë sezon të lagësht të pranverës, çka dhe mbrojti jetën e disave. Lidhur me vuajtjet e tyre në atë kalvar, vetëm Zoti e di. Ata përjetuan gjithçka: urinë, etjen, keqtrajtimet. Më pas një djaloshi i prenë gishtat e këmbëve, për shkak se e kishin rrahur me shkopinj. Për një gotë ujë, osmallinjtë u kërkonin 1 piastër ose 25 cent. Dhe më pas ndaluan tu jepnin ujë, meqë ata s’kishin më para. Uria e etja bënë që fëmijët të lëshonin klithma të tmerrshme, aq sa marinarët nuk i duronin dot dhe shumë prej tyre i hodhën në det. Kështu ndodhi dhe me një prind që humbi dy fëmijët binjakë të moshës 8 vjeçare. Dhe një grua në agoni, e hodhën gjithashtu në det, para se ajo të jepte frymën e fundit. Kur mbërritën në Mudania, njëmbëdhjetë prej tyre, që sapo kishin vdekur, i lanë në breg, në një gropë. Të tjerët i hipën në një anije tjetër të vogël që të mund t’i ngjiteshin lumit për t’i çuar në Muhaliç. Në kohën kur po i transportonin nga anija, një shqiptar i quajtur Mici, me fe ortodokse dhe që gjendej rastësisht aty, i njohu ata nga rrobat karakteristike që kishin veshur. Ai u habit shumë që po i tërhiqnin për t’i hedhur në një barkë tjetër, sikur të ishin trungje apo cungje drush. I prekur në shpirt, ai mori menjëherë barkën e tij dhe i çoi ata larg në Muhaliç, në atë vend tepër kënetor dhe shumë të pisët për shqiptarët tanë që kishin jetuar gjithnjë në ajrin e maleve. Por e tmerrshme ishte se i hodhën së bashku në një ndërtesë të vjetër, aty ku në kohën e kolerës vendosnin të vdekurit. Sapo i futën, djaloshi Mici iu afrua dhe së pari u përgatiti një supë, pastaj u dha paratë e tij gjersa asgjë nuk mbeti në kuvertën e tij Ndërkohë, në Selanik, me urdhër të pashait, At Antonio ishte arrestuar sapo ishte kthyer në kishën e tij. Por vendosmëria e kz. Mikanoviç, konsullit të Austrisë, arriti ta shkëpusë nga ata dhe me një anije ta nisë drejt Stambollit. Meqënëse ishte dalmat, pra një person që varej nga shteti austriak, ai shpresonte se zotit Sturmer, që atëherë ishte Internonce, si përfaqësues i Austrisë do t’i mbronte ata katolikë të mjerë, për të cilët, prifti françeskan ishte bërë një At shpirtëror. Por kjo nuk ndodhi dhe arsye diplomatike e penguan z. Sturmer të mbronte hapur kauzën fisnike të fesë dhe të njerëzimit. Madje, At Antonio u burgos nga turqit. Nuk mund ta pranojmë akuzën kundër këtij përfaqësuesi të Austrisë se ka gisht në aktin e padëgjuar e revoltues të turqve. Kolegu ynë Viçandio, që e pa At Antonion kur kaloi nga Muhaliç në Selanik, nuk ka dëgjuar për një ankesë të tillë. Madje do donim të supozonim se ndërhyrja e Austrisë arriti të marrë nga qeveria turke, në sajë të At Antonios, i cili, kur ishte gjetur një mëngjes para portës së hapur të burgut, shkoi dhe takoi shqiptarët e shtrenjtë. Ndërkohë, Monsinjor Hillereau kishte mësuar se të syrgjynosurit ishin andej nga Bursa dhe menjëherë shkoi të kërkonte z. Bonnieu, i cili e flet mirë gjuhën turke si dhe abatin Hillereau, nipin e tij.

Me të shkuar në Bursa, ata mësuan se besimtarët tanë ishin në Muhaliç në një gjendje të patreguar. Duket se ishte zoti Sandisson, konsulli i Anglisë që na dha këtë lajm. Edhe pse protestant, z. Sandisson ka treguar gjithnjë një mirëdashje prekëse ndaj katolikëve shqiptarë. Duke parë se kolegu ynë, abati Hillereau shkoi në Muhaliç, ai dërgoi atje drogmanin e tij z. Gjeorgjiaki, sëpari për t’i shoqëruar dhe pastaj për të ditur se ç’bëhej me ata të syrgjynosur shqiptarë. Por po i lë fjalën kolegut tim në këtë raport të shkruar (jo fill pas kthimit të tij nga Muhaliç, pasi atë e kapën ca ethe sa gati dhe vdiq), por gjatë kohës së shërimit të tij.

 

Gazeta Shqiptare - Për ZSH: Gjergj Kabashi