Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Intervistë me Irma Gurakuqin, këngëtare

| E hene, 14.02.2011, 08:18 PM |


Intervistë me Irma Gurakuqin, këngëtare

 

Unë këndoj për publikun e jo për veten...

 

Intervistoi: Tefik Selimi

 

Irma Gurakuqi është këngëtare shkodrane, por jeton në Tiranë. E takuam këtë këngëtare  në Durrësin e lashtë, që është perla e Adriatikut shqiptar. E takuam verës në këtë qytet, afër vendit  te “Rrota e Kuqe”, aty ku organizoheshin koncerte të bukura të muzikës për të gjitha moshat. Irma Gurakuqi ishte një femër e një moshe jo aq të shkuar, por mesatare, por elegante dhe shumë mikpritëse. Një femër tamam e ditëve tona. Ajo na fliste e na “rrëfente” tamam si artise për këngët, arritjet e saj në muzikë, për interpretimin melodik të këngës dhe “ngjyrat” tjera të kësaj fushe. Dhe, jo vetëm kaq. Irma është e ardhur nga Shkodra. Kur e dëgjuam mbiemrin e saj Gurakuqi, sikur na interesoi pak të dijmë për të madhin patriot e shkrimtar të Rilindas sonë, Luigj Gurakuqin. “Po, na tha Irma këngëtare, - jam e gjakut të familjes Gurakuqit, poetit, patriot e diplomatit të shquar të Shqipërisë...”. Na rrëfeu Irma gjatë për gjenealogjinë e familjes së saj, por dhe për punën e saj si këngëtare. U gëzuam dhe kur na dëftoi se jemi gazetar kosovar, na bëri pritje të jashtëzakonshme. Na zhvilluam një intervistë për gazetën “Bota sot”.

 

“Bota sot”: Cila është Irma dje dhe sot?

 

Irma Gurakuqi: Quhem: Irma Gurakuqi. Jam nga Tirana, por kam origjinën nga Shkodra heroike dhe historike. Është qytet i lashtë shqiptar. Nuk ka më të bukur se ky qytet i shqiptarëve. Andaj, njihet nga historia se, nga ky qytet ka lindur shumë krijuesve të mëdhenj të artit letrar. Kjo është fakt. Unë kam mbaruar shkollën tetëvjeçare të muzikës për piano në shkollën “Kongresi i Permetit”.  Pastaj, më 1980/84  kalova në shkollën e mesme të përgjithshme “Ismail Qemali” këtu në Tiranë. Kam një djalë, i cili edhe ai meret me muzikë. Këngën dhe artin muzikor e kemi në gjak. Edhe ai e do fort muzikën dhe ka mbaruar liceun artistik për kanto në Tiranë.

 

“Bota sot”: Si janë nisjet e para të të juaja në interpretimin e këngës?

 

Irma Gurakuqi: Po, dihet, nisjet e para më janë të vështira. Se njeriu nuk e di kah t’ia mbajë. Por, më ka pëlqyer të këndoj që kur isha e vogël, pra si në kopësht, si shkollare tetëvjeçare, kur mësuesja ime e muzikës më zbuloi talentin tim dhe nisi të më aktivizonte në aktivitetet e shkollës. Jam mirënjohëse e saj. Mandej, në shkollë të mesme fillova të aktivizohem. Po ashtu, bëja aktivitete jashtë shkollës, në Pallatin e Kultures, ku çdo vit zhvillohej konkursi për shkollat e mesme. Unë isha pjesëmarrëse e këtyre aktiviteteve të lira muzikore. Atëherë jam shpërblyer me fletë lavdërata. Shumë të tilla kam marrë. Ajo që ndryshoi jetën time ishte një ditë e bukur pranvere në këto konkurse, pasi unë këndova dhe u nderova me çmim të dytë, mu afrua dikush dhe më thotë: ”Irma, a do të pëlqente të këndosh në një institucion profesionist”? Po, i thashë... Zotëriu ishte muzikant, udhëheqës artistik i estradës profesioniste të ushtarit Rudolf Camuku. Më dëgjoi dhe pasi ju nënshtrova një jurie profesioniste, u pranova në vitin 1984 si këngëtare.  Në juri kanë qenë: Gaqo Cako, këngëtar i mrekullueshem, Avni Mula, kompozitor dhe këngëtar i mrekullueshem, Tish Daija, kompozitor i mrekullueshem. Ky i fundit nuk është më në jetë. Punova krah këngetarëve shumë të mirë profesionistë, si janë: Tonin Tërshana, Arta Babaramo, Sazan Mecani, për 10 vjet derisa u mbyll kjo estradë si shumë të tjera në Shqipëri. Vazhdova të ushtroj profesionin  jashtë shtetit, në diaspor: Zvicër, Gjermani, Norvegji, Kosovë, Maqedoni etj.

 

“Bota sot”: Si e vlerësoni këngën si art i bukur?

 

Irma Gurakuqi: Lehtë. Kënga ka qenë gjithmonë arti më i bukur për mua. Më ka bërë dhe më bën edhe sot të ndjehem mirë edhe në çaste kur jam e mërzitur. Me ka lehtësuar shpirtin e zemrën, por edhe krejt trupin. Kënga vetë është art që buron nga thellësia e shpirtit të njeriut. Kjo është kënaqësi e rrallë dhe vetëm ky art i bën njerëzit të jenë më optimistë në jetë. 

 

“Bota sot”:  Cila janë shpërblimet e juaja nëpër festivale si këngëtare?

 

Irma Gurakuqi: Po, janë të shumta. Por, shpërblimet përherë më kanë dhënë vullnet dhe kurajo për këndim. Kështu, në 1984, në dekadat e majit  këndova këngën “Unë dhe Ti” të kompozitorit Tish Daija. Këndova duet me këngetarin e mirënjohur Luan Zhegu. Po ashtu, në vitin 1985, në  festivalin e interpretuesve morra çmim e tretë me po këtë këngë, por e këtë radhë e këndova solo.  Në vitin 1985 mora pjesë në fest RTVSH në festivalin me këngën  “Kjo ditë” e kompozuar nga Aleksander Vezuli. Kënga doli natën e tretë tek më të mirat. Në 1986  përsëri mora pjesë në fest RTVSH me këngën ”Në jetë”. Edhe kjo këngë u mirë prit. Çuditërisht kam pasur jo mbështetje si këngëtare e re, por kam luftuar shumë nga koleget që janë me emër sot këngëtare.

 

“Bota sot”: Si je e pritur nga artëdashësit?

 

Irma Gurakuqi: Shihni, të ju them të vërtetën, më kanë pritur mirë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jam ndjerë tejet e vlerësuar. Unë këndoj për publikun dhe jo për veten. Kënga del e “shkon” te veshi i tjerëve, të cilët, me atë shije që ka kënga, ata kënaqen dhe argëtohen. Kjo gjë mua më pëlqen. Disa herë më kanë duartrokitur gjatë, gjatë. Këto më kanë bërë të jem ende në skenë duke kënguar për ata që e adhurojnë artin e këngës...

 

“Bota sot”: Cila këngëtare ju e pëlqeni?  

 

Irma Gurakuqi: Nëse do flas për atë kohë kur merrja pjesë në ato pak festivale, do veçoj këngën “Unë dhe Ti”. Nëse do flas për kohën, sot kam shumë repertor, por po veçoj këngën e artistes legjendare Vaçe Zela , e cila është valësi i lumturisë. Kjo është e tëra këngëtare, është e tëra këngë, melodi dhe është e tëra zë i mrekullueshëm i këtij shekulli. 

 

“Bota sot”: Cilin zhanër të këngës e këndoni?

 

 Irma Gurakuqi: Sot punoj në një lokal nëTiranë me mbishkrimin “1 maji”, që gjendet përballë Parlamentit shqiptar. Është lokal më familjar. Kërkohen shumë këngë: muzikë popullore shqiptare nga të gjitha trevat e Shqipërisë, por dhe të huaja si: italiane, greke, ruse etj., muzikë zbavitëse nga Shqipëria dhe diaspora. Është repertor shumë i zgjeruar. E, të them të drejtën, unë këtu pritem shume mirë. Kam gjetur vetvetën dhe marrë pjesë me në festivale. Nuk dua të lë pa përmendur faktin dhe pse jam zhgënjyer shumë nga kolegët të ndryshëm, nuk hoqa dorë nga kënga, derisa dola në dritë dhe kam krijuar fansat e mij që më presin me shumë respekt. Më respektojnë zërin tim. Punoj me dy muzikantë shumë të mirë, Robert Kotani, kitarist, Vladimir Kotani, tastjerë e me Fadil Vjollca. Ndihmë të madhe dhe përkrahje më ka dhënë kitaristi, Roberti, i cili më dha dorën dhe më bëri të ndjehem kjo që jam sot. Atë që nuk e bënë shumë kolegë, e beri ai. E falenderoj shumë nga zemra...

 

“Bota sot”: A keni nxjerr ndonjë album me këngë.? 

 

Irma Gurakuqi: Po. Në vitin 2004  e nxorra albumi me titull ”Pse kështu”? Edhe ky album është pritur mirë nga dashamirët e këngës. 

 

“Bota sot”: A ka të përbashkët kënga me jetën tuaj?

 

Irma Gurakuqi: Po. Është pjesë e jetës sime. Është bashkëudhëtare e jetës sime. Nuk e kuptoj të bëj profesion tjetër, veç këngës.

 

“Bota sot”: A i këndoni dashurisë së njerëzve apo dhimbjeve të tyre?

 

 Irma Gurakuqi: Po, i këndoj të dy rasteve: dashurisë së njerëve dhe dhimbjes të tyre që ka shkaktuar kurbeti në vite të tëra.

 

“Bota sot”: Ndonjë porosi për të tjerët? 

 

 Irma Gurakuqi: Sigurisht, e kam fjalën për këngëtaret e reja. U them troç: mundohuni të këndoni, por edhe të afroni njerëzit me zërin që ju identifikon si këngëtare. Veshja është e fundit, megjithëse, çuditërisht po del e para prej saj nuk fitohet fama.  Do ti thosha këngëtareve të reja, nëse këndoni me shpirt, do të pëlqeheni patjetër, asnjëherë talenti nuk shuhet nëse do krijoni famë me paraqitjen dhe me veshjen ekstravagante, do te shkëlqeni për një kohë të shkurtër,.do jetë tamam si avulli që duket për pak kohë, por pastaj zhduket e nuk e sheh më askush.

 

Gjilan, 13 shkurt