Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilia S. Karanxha: Nikolla Leonik Tomeo- në artin rilindas italian

| E diele, 13.02.2011, 08:00 PM |


 

Nikolla Leonik Tomeo- në artin rilindas italian

 

Nga Ilia S. Karanxha

 

Lidhur ngushtë me jetën  e ndihmesën e Nikolla Leonik Tomeos(1456-1531) në artin italian  janë edhe  paraqitjet ikonografike të personit të tij. Portreti më i parë i tij i dokumentuar deri sot rezulton  ai i Xhiovani Bellinit (1433-1516) për të cilin thuhet se ishte realizuar kur ishte i ri. Përsa i përket datave se kur Markantonio Mikeli shkrojti përshkrimet e koleksioneve në teritorin e Venecies e Padovës ato kapin një hark kohor që shkon nga viti 1512 deri në vitin 1543 por për koleksionin e Tomeos nuk ka një datë të sigurtë brënda këtij harku të gjatë kohor pra nuk munt të kuptohet në se vizita ka ndodhur para apo pas vdekjes Tomeos. Sido që të jetë në atë moment ai e gjeti portretin e tij mjaft të zverdhur të erët dhe në një gjëndje degradimi të avancuar. Një situatë e tillë nuk na jepet për portretin e të jatit të Tomeos të cilin e kishte realizuar Jakopo Bellini(afërsisht 1396-1470) e ka shumë të ngjarë që të ishte realizuar para atij të Nikollës. Portreti i të jatit thuhet se ishte realizuar  me një teknikë (a guazzo) që sot mund ta quajmë të afërt me akuarlin e duhet të ketë qënë në dimensione të vogla ashtu si gjithë pjesa tjetër e portreteve të kësaj natyre (numurohen rreth 300) të realizuar nga J. Belini. Këto dy portrete duket sot kanë humbur apo asnjë nga veprat e realizuar prej këtyre piktorve të shquar venecianë që njihen sot nuk është mundur të indentifikohet me Tomeot, atë e bir,  për të cilat na flet dëshmia e Markantonios.

     Një portrt tjetër i Leonik Tomeos i cili gjithashtu ka humbur ka qënë ai në muzeun e Xhovios riprodhimin e të cilit na ka lënë grafisti Tobias Stimer. Duket  se Xhovio për portretin e tij në muzeum nuk ka shfrytëzuar ndonjë variant të Tomeos kur ai ishte i ri, p.sh atë të Bellinit, por një shëmbëlltyrë e cila afrohet mjaft me atë të medaljes. Nga ana tjetër nuk ka gjurmë as në Uffizi për një riprodhim të këtij portretiti nga ana e Altisimo Kristofano  apo nga ndonjë piktor tjetër bashkëkohës. Në këtë rast mbetet të kënaqemi me të vetmen gjurmë që na vjen nga ky muzeum pra me grafikën e Stimer-it. Është e dokumentuar që Xhovio ishte një person i apasionuar  drejt medaljeve  e shpesh këto i shërbenin për realizimin e portreteve të dëshëruara për muzeun e tij. Në rastin e Tomeos portreti i muzeut duhet të ketë qënë realizuar para medaljes me që kemi fytyrën gati në ballor ndërsa në monedhë kemi vetëm një profil.

Përsa i përket medaljes ku me siguri kemi imazhin real të Tomeos është dhënë mendimi, jo i pranuar nga të gjthë studiuesit, se autor i saj ka qënë Andrea Briosko(1470 - 1532) i ashtuqoturi Rici (rici= kaçureli). Një medalje tjetër e dy personave të pa identifikuar Antonio Spirito e Elena (?) konsiderohet e realizuar gjithashtu nga e njëjta dorë. Për  Nikolla Tomeon janë të dokumentuara raportet e afrimitetit e njohjes reciproke mes tij dhe skluptorit të shquar Riçi. Bile në veprimtarinë e tij artistike thuhet se ai u influencua nga koleksioni i Tomeos por meqënë se medalja është derdhur në shënjë përkujtimore mbas vdekjes të Tomeos(1531) e një vit më vonë vdes edhe Riçi munt të lindë ndonjë fije dyshim për këtë autorësi. Megjithëse jo të gjitha studimet sugjerojnë realizimin e medaljes pas vdekjes të Tomeos.

Kjo medalje prej bronzi e cila ndodhet sot në Muzeun kombëtar të Londrës ka një diametër prej 55.5 mm dhe në anën e përparme ka bustin e Tomeos me vështrimin djathtas e sipër tij mbishkrimin: 'N. LEONICVS THOMAEVS'. Në anën e mbrapshme në mënyrë simbolike një grua që përfaqëson qytetin e Padovës duke kurorzuar një fëmijë me krahë. Sipër kemi mbishkrimin 'BENEMERENTI' pra 'ata':  më të shquarit.

   Në literaturën evropiane medalja, që konsiderohet me cilësi të lartë ekzekutive por edhe autentike me personazhin e portretizuar, ka zenë vend në njësërë botimesh (G.Toderi, F. Vannel: 'Le medalie italiane del xvi secolo', Ed. Polistampa 2000) dhe po ashtu është e njohur edhe në Shqipëri e publikuar nga Prof. I. Gogaj(I.Gogaj: 'Padova e l'Albania', në 'Padova e il suo territorio', 13, nr. 74(1988), ff.11-13) ndërsa portreti i Tomeos i botuar në M. Prendushi (Kontribut...f 117) apo  Sh. Osmani('Fjalori i Pedagogjisë', Tiranë 1983, f. 680) pa vënë në diskutim talentin e fantazinë krijuese të grafistit, largohet mjaft nga realiteti.

   Autoriteti e prestigji i shquar i Tomeos  si profesor në kapërxyell të shekullit XV-XVI ka shtyrë ndonjë studiues të shikojnë në veprat e piktorit të famshëm venecian Xhiorxhione (Giorgione di Castellfranco 1477/8 - 1510) portretizimin e figurës të Tomeos. Në njërën prej tyre 'Portreti i dyfishtë', autorësia e të cilës ka qënë objekt diskutimiesh, mendohet se piktori ka paraqitur Xhiovani Borgerinin në një moment leksioni me Tomeon; ndërsa në vepra tjetër  Tre filozofët,  që konsiderohet si një nga kryeveprat e Xhiorxhiones, sipas një sugjerimi personazhi i mezit është Tomeo (do të flitet më poshtë)

    Të flasësh për Xhiorxhione-n,  mbi jetën e veprën e të cilit disponohet një bibliografi e pamasë, nuk ka qënë e lehtë edhe për studiuesit më të zellshëm e më kopetentë jo vetëm për faktin se emri i këtij pikotori reshtohet pas më të mëdhenjve të kohës si Leonardo da Vinçit, Mantenjës, Mikelanxhelos e Rafaelos por mbi të gjitha se jeta e tij gati në hije këputet krejt papritur në një moshë fare të re aty nga fundi i vitit 1510, që siç na komunikohet nga Tadeo Albano, për shkak të një epidemie kolere. Ky Tadeo Albani, që ngjan të jetë shqiptar, është edhe i pari person që ju kërkua me një farë urgjence më 25.X.1510 nga Markezja e Mantovës Isabela d'Este të interesohej për  veprën una nocte (një natë) të Giorgione(Xhiorxhiones) pas vdekjes .

   'Ai shfaqet më shumë si një mit se sa si një njeri(...)Gjithçka ose pothuajse (gjithçka) , për të injorohet(...)Emri i tij nuk është në ndonjë vepër(...)E megjithëatë, gjithë arti venezian ngjan të jetë prekur nga zbulimet e tij' (G. D'Annunzio: 'Il fuoco', 1898, ff. 89-92). Me këtë sintezë D'Anuncjo na komunikon madhështinë e këtij piktori enigmatik sa në jetë aq edhe në veprën e tij e cila qysh në atë kohë e deri më sot ka mbetur në fondin e artë të krijimtarisë njerzore. Para se ta mbyllim me nxitim këtë prezantimi telegrafik përmëndim  disa  nga veprat që gëzojnë popullaritetin më të madh të këtij artisti  si p.sh.: 'Tre filozofët', 'Stuhija', 'Plaka', 'Portret femëror (Laura)', 'Shën Mërija mbi fron me Fëmijën, Shën Françeskon e Shën Nikazio', 'Tre moshat e njeriut'   'Venera e përgjumur' për të cilën thuhet se e përfundoj Tiziano, 'Një autoportret' e shumë të tjera e të gjitha këto në një moshë fare të re se kurr vdiq ishte vetëm 32 apo 33 vjet.

   Por në interes të personazhit tonë Leonik Tomeos  rikthehemi  vetëm në dy veprat që folëm edhe  më lart. Vepra e parë  Portret i dyfishtë është një tabllo me përmasa 47 x 60.7 cm e cila aktualisht ndodhet në Washington(Sh.B.A) në Galerinë Kombëtare të Artit(National Gallery of Art) që herë herë emërohet nga studiuesit: 'Portreti i dyfishtë(Borgerini)' ose 'Xhiovani Borgerini dhe mësuesi i tij' ose 'Piktori i ri dhe mësuesi i tij' etj. Pra siç mungon një emërtim unik po ashu edhe autorsija  ka qënë objekt diskutimesh  edhe pse vepra mbetet nga këto debate gjithmonë brënda qarkut të Xhiorxhiones e si rast i kundërt sugjerohet ndonjë nga pasuesit e tij.

Analizat radiografike kanë treguar se bëhet fjalë për një pikturë origjinale e imazhi i djaloshit fillimisht ishte pozicionuar disi i përkulur djathtas. Përsa i përket personazheve të trajtuara pjesa më e madhe pranojnë se djaloshi 'nxënësi' është Xhiovani Borgerini i biri i tregëtarit dhe bankierit fiorentin Salvi Borgerini i cili në fillim të shekullit të XVI ishte spostuar familiarisht në Vendik për çështje pune. I pari që ka folur mbi këtë  pikturë ka qënë Vasari  më 1568  i cili e kishte  parë në shtëpinë e 'Borgerinëve' në Firence: ...portretin e këtij Xhiovani kur ishte i ri në Venecia, dhe në të njëjtin kuadër profesorin që e drejtonte, që nuk ka si të mos shikosh në të dy kokat jo vetëm nuancat  më të mira të ngjyrës së mishit por edhe bojrat më të bukura të hijeve... Në bazë të kësaj dëshmie është menduar, kuptohet jo pa polemika, se bëhet fjalë pikërisht për pikturën në fjalë dhe se Borgerinët janë paraqitur aty. Pra piktura në ambientin familjar ishte edhe një lloj 'dëshmie' apo 'kujtim' i viteve të studimit.

   Duke patur parasysh se shumë elementë indentifikimi ndërtohen në bazë të supozimeve e dëshmive të përafrta gjithashtu paraqitet problematike edhe identifikimi i figurës së dytë, pra profesorit, për të cilin shumica e autorve preferojnë më mirë të mos pronuncohen në një argument delikat ku mungojnë krejt dokumentat e drejtpërdrejta. Megjithë vështirësitë që munt të paraqesë problemi studiuesi Guidoni(E. Guidoni: Giorgione - Opere e significato 1999, ff. 234-235) ka avancuar mendimin se profesori mund të jetë Nikolla Koperniku ndërsa  studiuesja Anderson (Jaynie Anderson: 'Giorgione Peinter de la 'Brièveté Poétique' Catalogue Raisonné'. .. Paris: 'Lagune' ff 140-148.) është përpjekur të argumentojë me studime ndihmëse filologjike prezencën në pikturë të Nikolla Leonik Tomeos si profesor i Xhiovani Borgerinit. Këtë mendim e bazon kryesisht në dëshmi indirekte e niset nga një botim të Xhianotit më 1543 mbi Venezien( Giannotti Donato: 'Della Repubblica dei Veneziani' Venezia 1543) por që teksti ishte përgatitur qysh në vitet 1526. Si në rastin e dialogot me Pomponio Guarikon, që kemi folur në kapitullin e mësipërm, edhe në këtë vepër subjekti zhvillohet nëpërmjet dialogut porse këtu kemi të bëjmë jo me artin e sklupturës por me politikën, me sistemet e qeverisjes në Venecien e doxhëve ku bashkë biseduesit janë Xhianoti autori i veprës, filozofi Gabriele Trifone, Xhiovani Borgerini që po bën hapat e para të futjes në politikë, pra ish-nxënsi i pikturës dhe në fund thiret të flasë edhe Tomeu i cili jep mendimet konkluzive. Nga këto bashkë -biseda por edhe nga epistolari i Pietro Bembos që e quan Tomeon para Xhiovanit 'babai tonë' si dhe nga fakti se edhe Tomeu nga ana e tij kishte për Xhiovani Borgerinin shumë respekt, autorja arin në konkluzionin se portreti i dytë në pikturë pra 'profesori' është Leonik Tomeo. Në të njëjtën kohë publikon për ballafaqim edhe medaljen me anë të së cilës mbyll këtë çështje duke shpjeguar se edhe të dhënat antropollogjike të fytyrës mes dy shëmbëlltyrave përkojnë. Qoftë hulumtimet filologjike qoftë konkluzionet artistike të autores pasurojnë më tej njohuritë tona për Leonik Tomeon dhe ribotimi i veprës edhe në Francë në një farë mënyre i jep më shumë vlerë edhe këtyre konkluzioneve. Mirëpo profesori me sferën armilare që asiston studentin e tij duket mjaft i ri në krahasim me një 50-vjeçar siç duhej të ishte Nikolla Leonik Tomeu në vitet 1504-6 kur mendohet sipas studiueses se u realizua vepra. Marim në shqyrttim shkurtimish edhe hipotezën e dytë të E. Gudonit që mendon se profesori në këtë pikturë është Nikolla Koperniku(1473-1547). Për këtë studiues vepra u realizua më 1503 vit i cili përkon edhe me prezencën e Kopernikut si student në Padova. Tani shtrohet çështja a e kishte  studenti Kopernik  më 1503 atë famë sa të tërhiqte vëmëndjen e një piktori kaq të shquar siç ishte Xhorxhione? Pastaj Borgerini, si bankier e tregëtar, për të birin do të zgjithte një profesor të karierës  që ta ndiqte dhe jo një student që mund të ishte vërtet shumë i zoti por ama akoma i pa afermuar në ambientin akademik. Vitet e studimeme padovane për Kopernikun,  ku edhe u dipllomua në të drejtën kanonike,  ishin vitet e një pune të madhe hulumtuese studimore. Veprën e tij madhore  De Revolutionibus orbium coelestium  filloj ta shkruajë mbas vitit 1516 ku shërbente si prift në Olszytn (Poloni) por ama bota  akademike mësovi për këto rezultate vetëm mbas vitit 1536  ndërsa  botimi i plotë i veprës u bë  gati në momentet  kur  ai ishte duke vdekur.  Ja pra famën evropiane dhe botërore Koperniku e mori mbasi  kishte vdekur vetë  Xhorxhione. Pra  dëshira e mirë për të parë figurën e Kopernkut në veprat e Xhorxhiones duhet parë me shumë  kujdes.

Një nga veprat e famshme të Xhiorxhiones është edhe  Tre filozofët dhe studiuesit që janë marë me trajtimin, interpretimin e komentet e ndryshme mbi të janë të panumurt. Bëhet fjalë për një kryevepër të dalë nga peneli i këtij artisti të madh dhe është më se e natyrshme edhe impenjimi masiv. Duke lënë mënjanë aspektin bibliografik tërheqim vëmëndjen mbi mendimin e vetëm të shprehur edhe këtu nga studiuesi E. Guidoni  (Guidoni, E.: 'Tre Filosofi: Pitagora, Tolomeo, Copernico', Roma 1996.)  i cili në njërin prej këtyre filozofëve shikon figurën e Leonik Tomeos. Identifikimi i djaloshit të ulur me Nilolla Kopernikun ka shtyrë të mendohet edhe prezenca e ish profesorit të tij Nikola Leonik  Tomeos  mes tyre. Ky supozim nuk ka gjetur mbështetjen e duhur në botën e artit. Sido që të jetë në këtë rast ka më tepër rëndësi fakti i personalitetit e famës të Tomeos që vihet në të njëjtin plan me Kopernikun dhe shikohet si një nga personazhet e mundshëm në atë kohë i denjë për t'u prezantuar nga një artist i kalibrit të Xhiorxhiones edhe pse ky i fundit, me gjallje për shkak të jetës tepër të shkurtër, nuk ariti të gëzonte popullaritetin e madhështisë të talentit të tij e cila morri përpjestime të pa imagjinueshme fill pas vdekjes.

Vepra 'Tre filozofët' përmëmndet për herë të parë nga Markantonio Mikieli më 1525, pra i njëjti person që na ka përshkruar edhe  koleksionin e Tomeos, dhe këtë vepër e gjen në shtëpinë e Tadeo Contarinit në Venecia. Po në shtëpinë e këtij personi na përmënden edhe dy vepra të tjera të Xhiorxhiones 'Feri me Enean dhe Ankisen' si dhe 'Lindjen e Parisit' ndërsa përsa i përket veprës “Una nocte” (një natë) që na ka folur Tadeo Albani më 1510 se ndodhej në shtëpinë e po këtij personi nuk ka më gjurmë. Për veprën 'Tre filozofët' Mikieli thote se u nis nga Xhiorxhione por u përfundua nga Sebastiano Veneciano. Ky afermimi i fundit në përgjithësi është mohuar nga kritika e cila në përgjithësi shikon si autor të vetëm Xhiorxhionen. Megjithëse nuk përjashtohet krejtësisht, të paktën për djaloshin e ulur, ku munt të ketë pasur ndërhyrje edhe nga një dorë tjetër.

Historiku i kalimeve të veprës nga një pronar tek tjetri janë gati të gjitha të dokumentuar deri sa më 1656 ajo përfundoj në Vienë në Kunsthistorisches Museum, Gemäldegalerie inv. III ku ndodhet edhe sot. Më 1658 vepra u pre në anën e majtë për rreth 17.5cm për qëllime ekspozimi dhe sot e gjejmë me përmasat 123x144cm. Për qëllime studimi më 1932, 1955 e 1977 veprës i janë bërë radiografira me reze X të cilat kanë ndihmuar mjaft për të gjyrmuar gjenezën e pikturës dhe ndryshimet e bëra nga Xhiorxhione gjatë realizimit të saj.

Aspekti më interesant i veprës mbetet simbollogjija e saj. Tre persona, tre moshë të ndryshme e tre fe të ndryshme të paraqitur me veshjet përkatëse . Tre filozofë apo tre magë? Tre persona të botës reale apo tre figura imagjinare? Të botës moderne apo të botës antike ? Subjekte të shkencës apo të koshiencës? Lëvizim nga padituria(hija e pyllit), drejt diturisë(drita e diellit) për të përfunduar në erësirë (hija e shpellës)? Zhvillimi i dijeve të reja shkencore kopernikane apo mesazhe të reja nga Zoti nëpërmjet Mose-s? Gëzimi i përkohshëm për  urtësinë, apo misteri agonizant i të paditurësë që kufizon skajet e herëta të pikturës?

U bënë  500-vjet që argumente të tilla apo të afërta me to kanë shërbyer për interpretimin e shpjegimin e kësaj pikture. Shumë variante janë afruar drejt të vërtetës megjithëatë enigma dhe misterit brënda saj mbetet që në fund të fundit është enigma e rebusti i pafund e pazgjidhje i vetë jetës, shkencës apo koshiencës njerzore. Kështu ky njeri i thjeshtë “maistro Zorzi da Castelfrancho” apo “ditto Zorzo” në se deshte të na trasmentonte pikërisht këtë atëhere munt të themi se ja doli në krye jo vetëm me talentin e tij magjepës por mbi të gjitha me gjeninalitetin e tij të hatashëm.

 

Po rikthehemi tek Leoniku ynë i cili pati edhe së fundi një tjetër interpretim ikonografik e kësaj rradhe brënda sallave të atij Univeriteti ku ai shpjegovi Aristotelin dirkt nga gjuha greke. Nismëtar i kësaj veprimtarie artistike përkujtimore u bë më 1942  rektori i universitetit të Padovës Karlo Ant i cili ngarkoi piktorin Xhiakomo dal Forno (Giacomo dal Forno) të pikturonte imazhet e dyzet personazheve më të shquar të huaj të cilët kishin dhënë leksione në atë Universitet (edhe Palazo Bo). Kjo sallë sot njihet me emrin 'Salla e të dyzetëve' e mes tyre figuronin edhe dy shqiptarë Nikolla Leonik Tomeo dhe Marin Beçikemi autori i  vërtetë i veprave Rrethimi i Shkodrës(1505) e Historia e Skënderbeut(1522) (I. Karanxha: Barleti apo Beçikemi? Një pështjellim në shkencën shqiptare Tiranë 2010) . Në vazhdim të një farë tradite poshtë çdo portreti është vendosur edhe një didaskali ku për Tomeun shkruhet:

 

Nikolla Leonik Tomeo(1456-1531) shqiptar. U laureua në Padova më 1485 e u bë më pas lektor për 10 vjet duke nisur nga 1497, në Studimet (Universitare) ku ishte i pari që lexovi Aristotelin në greqisht e u bë një nga umanistët më të vlerësuar të asaj kohe duke u çmuar bile edhe nga Erazmi i Roterdamit.

 

Siç shihet piktura kishte karakter thjesh festues dhe as që mund të bëhet fjalë për ndonjë ngjasim. Ka vlerë fakti që emri i Tomeos nderohet  mes personazheve  më të shquara të Universitetit të Padovës- një nga më të famëshmit gjatë rilindjes evropine.

 

(Nxjerë nga vepra : Shqiptarët në muzeun e Paolo Xhovios që do botohet së afërmi)                            

 

 

Firence 31 janar 2011