Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ago Nezha: Kanuni vepron, kur drejtësia mungon

| E enjte, 17.01.2008, 09:10 PM |


KANUNI VEPRON, KUR DREJTËSIA MUNGON
 
Nga Prof. asoc. dr. Ago Nezha

Kriminaliteti është një sëmundje e trajtuar, por e pakuruar dhe e pashëruar. Kjo situatë kritike na bën të kërkojmë që të transformojmë peizazhin politik dhe të riformohet drejtësia e nëpërkëmbur në vitet e pluralizmit. Jemi dëshmitarë të një strukture të pazakontë konfliktuale institucionale ndërmjet gjykatave, prokurorisë dhe policisë. Qytetari shqiptar nuk ka besim te gjykatat, te drejtësia. Kompetenca, autonomia dhe pavarësia që kanë organet gjyqësore nga ekzekutivi, i kanë bërë ata më abuzivë dhe më pak të përgjegjshëm. Autonomia ekstreme e gjyqësorit nga legjislativi dhe ekzekutivi është tipar i demokracive të maturuara dhe konsoliduara. Të mos keqkuptohemi, unë nuk jam i prirur për tutelë institucionale, por për një përgjegjësi gjithëpërfshirëse të mirëkuptuar dhe miratuar në të gjitha nivelet e pushtetit. Sovraniteti i gjykatave i ka bërë ato që të shprehin një liri të pakufizuar dhe një mungesë përgjegjësie legjitime. Duke qenë të pavarura, justifikojnë shkeljet dhe padrejtësitë si atribute të një shoqërie të lirë demokratike. Në këtë sfond, ato korrupsionin e paraqesin si një plagë të shoqërisë në reformim që do kapërcehet me një axhendë më rigoroze të gjithë pushteteve që veprojnë në terrenin e një shoqërie pluraliste. Politika ka influencat e saj indirekte pa dashur të ushtrojë presion, sepse çdo ndërhyrje nuk ka efekte legjitime. Format e korrupsionit që u zënë frymëmarrjen gjykatave janë në variante të ndryshme. Ato i gjen të shprehura në heshtje, në pasuritë natyrore dhe financiare të personelit që punojnë në institucionet e drejtësisë. Shembujt janë të shumtë. Gjykata e Vlorës gjykon dhe dënon një të ri nga fshati Dukat, se gjoja ai i ka grabitur një sasi lekësh një bashkëfshatarit të tij, sipas deponimit të familjarëve dhe dëshmisë së një fëmije të manipuluar. Gjykatësit dhe avokati, edhe pse s’kanë asnjë fakt konkret, bien në grackën e denoncuesit, të joshur nga akuzuesi me ryshfete të pista. Të dënosh pa fakte, do të thotë të manipulosh drejtësinë. Një padrejtësi e tillë, në mënyrë të heshtur e pjell krimin, si mamia e të gjithë të këqijave. Krimin e sjellin konfliktet midis individëve, por atë e rrisin potencialisht dhe shumëfishojnë numerikisht gjykatat me veprimet e tyre komprometuese dhe korruptive. Rritja e përqendrimit të të drejtave në mënyrë të pakufizuar, rrit shkallën e padrejtësisë dhe të deformimit të faktit. Ka shumë komente publike mbi vendimet e gjykatave, që i detyrojnë njerëzit të bien në vetëgjyqësi. Rastet ndjekin njëri-tjetrin. Mjafton të citojmë thëniet e plakut 65-vjeçar, Hajdar Pucit, që deponoi se “vrava se isha i pakënaqur me vendimin e drejtësisë. Unë bëra atë që nuk e bëri dot shteti për tre vjet me radhë. Kam pritur me ankth se do vihej drejtësi…” Një tragjedi e vërtetë. I vrasin dy djemtë në prezencën e nuseve. Sikur t’i thërrisnin ndërgjegjes prokurori, gjykatësi, drejtësia dhe të aludonin se kjo dramë do t’u ndodhte në familjen e tyre, si do e përjetonin, qetësisht apo tragjikisht?! Gjykata hesht. Policia, megjithëse ka denoncime, kur janë të kompromentuar, nuk i ndjek. Prokuroria neglizhon. Në këtë situatë kaotike vetëgjyqësia është e imponuar. Denoncon gruaja në organet e policisë se burri e terrorizon atë dhe fëmijët dhe policia hesht. I dërgohet informacion prokurorisë se krimineli shëtit i lirë rrugëve dhe prokuroria fle gjumë. Krimineli del para gjyqit dhe gjykata e dënon sikur të ketë vjedhur një parcelë me bostan. Në këtë rast fajtorë nuk janë autorët e krimit por mbrojtësit e tyre. Të gjykosh prokurorin apo gjykatësin që e mbulojnë krimin dhe janë bashkëfajtorë në krim, nuk do të thotë se cenon institucionin, përkundrazi, një veprim i tillë e shëndoshë drejtësinë dhe e pastron shoqërinë nga njerëz të korruptuar. Krimet kanë kolor të ndryshëm dhe hapësirë të gjerë. Por është tepër tronditës fakti që herë pas here, për vjet me radhë, dalin në ekranet e televizioneve qindra fëmijë të ngujuar që kanë humbur lirinë si rrjedhojë e hakmarrjes. Është shokuese pamja dhe përgjigjja e fëmijëve që rrinë të izoluar në shtëpi, pa shkollë, pa argëtim e të traumatizuar. Kur i pyet pse rrinë të mbyllur, jemi në gjak, të përgjigjen ata të trishtuar. Të mendojmë për një çast sesi do e përjetojnë këta fëmijë kur të rriten këtë dramë familjare që ua ka vrarë fëmijërinë, shpresën, të ardhmen dhe u janë burgosur ëndrrat qysh në djep. Kush përgjigjet për këtë krim?! Kur traumatizohet fëmija, është traumatizuar e gjithë shoqëria. Por lind një pyetje sugjestive. Si është e mundur që një shoqëri e lirë demokratike ku fëmijët, e ardhmja e vendit, kanë humbur lirinë, ajo ka guximin ta quajë veten demokratike dhe kërkon të futet në Bashkimin Evropian?! Institucionet demokratike, si Presidenca, legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori, media dhe shoqëria civile po të bashkërendonin forcat në një front të përbashkët, të merrnin përgjegjësinë për ta shëruar këtë plagë, jam i mendimit se do kapërcehej edhe kjo dramë e shëmtuar. Ashtu siç është vepruar deri më sot, ku liderë të veçantë bëjnë thirrje mediatike, është një formalitet sa për të larë gojën. Përshtypja fillestare për një mbrojtje të qenësishme dhe efektive të këtyre fëmijëve, duke e futur nëpër labirinte që e fshehin realitetin deri në limitet që humbet e vërteta dhe fakti venitet, ka bërë që kjo situatë të përcillet në vite me të njëjtin mesazh. Kushtet e mjedisit shoqëror e bëjnë të vështirë që secili të mendojë i pavarur, të ushtrojë përgjegjësinë e vet, të afirmojë dhe pasurojë personalitetin e vet. Profili shpirtëror, moral dhe tradicional, kërkon të shoqërohet dhe me atë institucional. Duhet të bashkojmë aspektin konceptual, doktrinal dhe procedural edhe në praktikën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit, me praktikën e gjykimit. Standardet e larta profesionale nuk pretendohet të arrihen menjëherë, për vetë maturinë që kanë gjykatat tona. Ka ardhur koha që gjykatat tona, që gjykojnë krime në rrugë korruptive, të vetëgjykohen për bëmat e tyre të mbrapshta. Prezantimi i papajtueshmërisë me realitetin, si një koncept kryesor veprues, është i pranuar gjerësisht. Një mundësi autoritariste dhe profesionale e pa kontestueshme, ka bërë që të mos përfillë realitetin dhe individin e pa përkrahur të shtresave të varfra të shoqërisë, për më tepër ato të zonave rurale. Shoqëria jonë në tranzicion ka pësuar deformime në karakterin e njeriut. Të jesh i mirë e i sjellshëm, është më e lehtë se të jesh i drejtë. Drejtësia shpeshherë nuk ndëshkon të keqen, por e mbron atë padrejtësisht. Drejtësia është më e rëndësishme se liria që kemi fituar në demokraci. Drejtësia do triumfojë te ne, kur akuzën e padrejtë ndaj tjetrit ta identifikojë me veten. Drejtësia lulëzon kur nuk dëmton njeri dhe i sjell dobi shoqërisë. Drejtësia është pronë e njerëzve me virtyte të larta, që si ka kushdo. Ligji nuk duhet të ketë ngjyrë.

Njerëzit janë të drejtë, kur zbatohen drejt ligjet. Edhe akuzuesit, edhe të akuzuarit duhet të vlerësohen me të njëjtin metër. Ligji nuk është pronë e gjykatësit por e drejtësisë.

Që të përparojë vendi, duhet të ekzistojë e drejta. 

Metropol